E diele, 16.05.2021, 07:34 PM (GMT+1)

Kryeshkrim » Shkreli

Shkreli: Kongresi Ndërkombëtar i ish të Përndjekurve

E merkure, 27.08.2014, 07:49 PM


NË BUKURESHT U MBAJT KONGRESI NDËRKOMBËTAR

I ISH TË PËRNDJEKURVE POLITIKË

Nga Frank Shkreli

Shoqata Ndërkombëtare e ish të Përndjekurve të Europës post-Komuniste (INTERASSO), anëtare e së cilës është edhe Shoqata e ish të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, zhvilloi punimet e Kongresit të 21-të të kësaj organizate në Bukuresht të Rumanisë.  Kongresi i ish-të përndjekurve politikë, ku morën pjesë 14 delegacione nga vendet ish-komuniste të Europës, të përfaqësuar secili nga dy delegatë, u mbajtë javën e kaluar nga 21 deri më 24 gusht.  Në këtë takim të shoqatave europiane të të ish-përndjekurve politikë,  Shqipëria përfaqësohej nga Zotërinjt Simon Mirakaj dhe Haki Hoxha.

Burime nga Kongresi bëjnë të ditur se Kongresi vjetor u mbajtë në Pallatin e Parlamentit rumun, ose siç quhej në kohën e diktatorit komunist Çaushesku, "Shtëpia e Popullit", një ndërtesë kjo grandioze e cila për nga madhësia dhe absurditeti i saj, edhe sot flet për narcisizmin dhe megalamoninë e diktatorit Nikolai Çausheskut, ku thuhet se kanë punuar mbi një milionë rumunë dhe mijëra ushtarë, 24 orë në ditë,  shtatë ditë të javës dhe i cili mori vite për tu ndërtuar. I frymëzuar për ndërtimin e këtij pallati nga vizita e tij në Kinë dhe në Korenë e Veriut, në vitin 19971 dhe i impresonuar nga kulti i personalitetit të  diktatorëve Mao Tse Tung dhe Kim il Sung,  diktatori Çaushesku kishte në plan që nga ballkoni i lartë i këtij pallati të mbante fjalime turmave të popullit mbi të sukseset e komunizmit, por rumunët e lodhur dhe të vuajtur nga regjimi i tij diktatorial, kishin plane të tjera dhe e ekzektuan atë në dhjetor të vitit 1989.   Rumunët e urrejnë gjithnjë këtë "vepër" të Çausheskut, sepse, për relaizimin e tij, ai kishte shkatërruar pjesën më të bukur historike të qytetit për t’i bërë vend këtij pallati, por për më tepër edhe kur të merret parasyshë mundi e djersa e popullit rumun që është derdhur aty, për të mos thënë gjë edhe për numrin e rumunëve që thuhet se kanë gjetur vdekjen duke ndërtuar këtë pallat, i cili sipas të dhënave mbulon 1/5 e sipërfaqës së kryeqytetit rumun.   Diçka e ngjashme me ndërtimin e 700-mijë bunkerëve në Shqipërinë komuniste, qëllimi i të cilëve ishte gjoja për t’u mbrojtur nga "armiku" i cili nuk sulmoi kurrë Shqipërinë -- "veprën" e madhe të Enver Hoxhës -- e cila ashtu si edhe projekti i Çausheskut, përpiu pasurinë dhe burimet material dhe njerzore të vendit, si dhe mundin e djersën e popullit.  Qëllimet e dy projekteve mund të ishin të ndryshme, njëri për të venë në dukje megalomaninë e një diktatori komunist dhe tjetri i shtyrë nga paranoia e një diktatori që i shihte armiqët kudo.  Të dy këto projekte absurde kanë lënë pasoja fizike, psikike dhe historike, të cilat vetëm koha do t'i shuaj.

Natyrisht, se është domethënse fakti që ish të përndjekurit politikë të regjimeve komuniste nga Europa të mbanin të Kongresin e Shoqatave Europiane të ish- Përndjekurve politikë, pikërisht aty në atë ndërtesë.   Burimet nga Kongresi,-- punimet e të cilit vazhduan për tre ditë -- njoftuan se Kongresi u hap zyrtarisht nga Kryetari i deri tanishëm i kësaj shoqate, kroati Jure Knezhoviq, ndërsa Kryetari i parlamentit rumun, Valeriu Stefan Zgonea përshëndeti delegatët duke u uruar atyre mirëseardhjen dhe punë të mbarë.  Gjatë punimeve të Kongresit, përfaqësuesit e delegacioneve të ndryshme europiane paraqitën raportet e tyre duke pasqyruar gjëndjen në vendet nga vinin, pothuaj një çerek shekulli pas shëmbjes së komunizmit.  Delegacioni shqiptar, në raportin e tij, u raportoi delegatëve të tjerë europianë për atë që duket se është një nostalgji e re për ish regjimin komunist shqiptar, duke përmendur ndër të tjera, ri-shfaqjen e portretit të Enver Hoxhës pas radhës së shtetarëve shqiptarë, në praninë e Kryeministrit Edi Rama dhe të Krye-parlamentarit Ilir Meta, tek Varrezat Kombëtare në Tiranë, nëntorin e kaluar.  Delegacioni i ish të përndjekurve politikë shqiptarë njoftoi gjithashtu delegatët e tjerë europianë për ato që ata thanë se ishin largime të detyrueshme nga puna të disa të ish përndjekurve, vetëm e vetëm, për arsye të bindjeve të tyre politike, gjë që si përfundim çoi në grevë urie nga një grup ish-të përndjekurish politikë në Tiranë.

Gjithnjë sipas burimeve të Kongresit, pasi u lexuan raportet e paraqitura nga delegacionet e ndryshme, delegatët mbajtën zgjedhjet për kryetarin e ri të Shoqatës Europiane të ish-Përndjekurve Politikë, ku u zgjodh gjermani Kristian Fuchs.  Në fund të punimeve tre ditëshe të ish-të përndjekurve politikë nga e mbarë Europa, Kongresi miratoi një rezolutë e cila thuhet se iu dërgua Këshillit të Europës (KE) dhe Bashkimit Europian (BE).

Në pikat kryesore të rezolutës së Bukureshtit i bëhet thirrje vendeve anëtare të KE-së dhe të BE-së që të dënohet publikisht komunizmi dhe të ndalohet propaganda komuniste nga nostalgjikët e atij sistemi. Në rezolutë theksohet, ndër të tjera, që të ndërmirren masa për ngritjen e monumenteve në nderim të viktimave të komunizmit.  Gjatë qëndrimit të tyre në Bukuresht, delegatët mësuan se në kryeqytetin rumun po ndërtohej një monument gjigant në nderim të viktimave të regjimit komunist të Çausheskut, me një lartësi prej 28 metrash dhe me një peshë prej 120 tonësh, i cili sipas këtyre burimeve, pritet të inaugurohet mbrenda gjashtë muajsh.

Ndër pikat e tjera të rëndësishme të theksuara në rezolutë, kërkohet që shkollat në vendet ish-komuniste të ndërmarrin masa për të edukuar brezin e ri me një frymë anti-komuniste, si dhe hapjen e dosjeve ose të miratohet ligji i lustracionit, në vendet ku ende nuk ka ndodhur një gjë e tillë.  Në rezolutë u kërkua gjithashtu që të ndërpriten bisedimet për antarësim në Bashkimin Europian me vendet që nuk zbatojnë këto detyrime.  Duke pasqyruar gjëndjen aktuale në Europë, Kongresi i ish të përndjekurve politikë, me rezolutën e tij drejtuar Bashkimit Europian dhe Këshillit të Europës, dënon agresionin rus kundër Ukrainës dhe kërkon ndalimin e ndërhyrjes së trupave ruse në Ukrainë.

Në të vërtetë, pikat që theksohen në rezolutën që doli nga Kongresi i ish të përndjekurve politikë në Bukuresht, janë pothuaj të njëjtat kërkesa me ato të rezolutave të aprovuara më heret nga Këshilli i Europës (KE) dhe Bashkimi Europian (BE) me të cilat dënohen ashpër krimet e regjimeve totalitare komuniste.  Ndër to dallohen, ndër të tjera, rezoluta e KE e vitit 2006,  Deklarata e Pragës e vitit 2008, Rezoluta e Parlamentit Europian më 2009 si dhe Deklarata e Vilnius-it më 2009, e tjera.  Në këto dokumente të Europës nënvijohen krimet e regjimeve komuniste dhe theksohet se ajo që i karakterizonte këto regjime ishte shkelja masive e të drejtave të njeriut, ç’prej fillimi të tyre, me qëllim për të qëndruar në pushtet, me çdo kusht.  Në rezolutën e Këshillit të Europës nënvijohet se krimet e bëra nga regjime të komuniste kanë qenë të ndryshme, varësisht nga kultura, vendi dhe periudha historike, por që kanë përfshirë vrasje dhe ekzekutime individësh dhe grupe njerzish, përfshirë edhe vdekjet në kampet e përqëndrimit, urinë, deportimet, torturat, persekutimet e komuniteteve fetare dhe mohimin e lirisë së fjalës, të mendimit dhe të shtypit, përveç krimeve të tjera.

Kongreset vjetore të shoqatave europiane të përndjekurve politikë, si mbledhja që u mbajt javën që kaloi në Bukuresht, e ka rëndësinë vet praktike, në mos për asgjë tjetër, atëherë për tu rikujtuar sado pak brezave të tanishëm të vendeve ish-komuniste, krimet e regjimeve totalitare dhe njëkohësisht për tu kujtuar vendeve të ndryshme që të zbatojnë rezolutat dhe angazhimet që kanë marrë për një rishqyrtim të thellë të krimeve të regjimeve komuniste, krime të cilat janë bërë në emër të luftës së klasave dhe në emër të diktaturës së proletariatit.  Pa një shqyrtim të tillë, sipas një rezolute të  Këshillit të Europës, publiku në përgjithsi nuk ka aspak  dijeninë e nevojshme mbi këto krime kundër njerëzimit dhe thekson se disa parti komuniste të cilat nuk kanë shqyrtuar ende krimet e bëra prej tyre gjatë sundimit të tyre, vazhdojnë të gëzojnë status ligjor në disa vende.

Ky siç duket ky është gjithashtu edhe mesazhi që doli nga punimet e Kongresit të Shoqatës Europiane të ish Përndjekurve Politikë që u mbajtë në Bukuresht fund javën që kaloi, dhe i cili njëkohësisht propozoi që Kongresi i vitit të ardhëshëm të Shoqatës Europiane të mbahet në Shqipëri ose në Hungari. Thuhet se qeveritë përkatëse janë njoftuar për këtë propozim  të Shoqatës Europiane të ish Përndejkurve dhe se tasht prej tyre pritet një përgjigje mbrenda tre muajsh.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora