Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Në kujtim të Vasil Gërmenjit
E marte, 12.08.2014, 07:59 PM
60-VJETORI I THEMELIMIT TË
ASAMBLESË SË
KOMBEVE TË ROBËRUARA EUROPIANE
Në kujtim të Vasil Gërmenjit
Nga Frank Shkreli
Ky vit
shënon 60-vjetorin e themelimit të Asamblesë së Kombeve Europiane të Robëruara, e njohur shkurtimisht
si ACEN (Assembly of Captive European Nations) më 20 shtator, 1954. Kjo organizatë, që nepërmjet Komitetit
“Europa e Lirë”, financohej nga buxheti i qeverisë federale amerikane, ishte në
të vërtetë një koalicion i përfaqësuesve politikë e kulturorë të arratisur nga
nëntë ish vende komuniste të Europës Lindore dhe Qëndrore, të cilat kishin
mbetur nën influencën e Bashkimit Sovjetik, pas mbarimit të Luftës së dytë
Botërore. Në Asamble përfaqësoheshin
Shqipëria, Bullgaria,
Asambleja
e Kombeve Europiane të Robëruara u themelua pas miratimit nga ana e Organizatës
së Kombeve të Bashkuara të disa deklaratave mbi të drejtat e njeriut, pas
Luftës së Dytë Botërore, por të cilat jo vetëm që nuk zbatoheshin nga vendet
komuniste, por dhunoheshin në mënyrën më flagrante që mundej. Qëllimi i përfaqsuesve të këtyre vendeve
anëtare të Asamablesë, ishte që së bashku, të ishin një burim i autorizuar dhe
i besueshëm informacioni mbi ato që po ndodhnin në vendet përtej perdesë së
hekurt dhe njëkohësisht të shërbenin si forum diskutimi dhe qendër e shkëmbimit
të lirë të mendimeve. Materialet e
botuara nga ACEN-i shpërndaheshin nepër
shkolla, universitete dhe institucione të ndryshme, anë e mbanë Amerikës
dhe botës, në anglisht dhe gjuhë të tjera.
Komisione të ndryshme të Asamblesë së Kombeve të Robëruara Europiane,
përpilonin raporte të ndryshme dhe
deklarata zyrtare mbi shkeljen e të
drejtave të njeriut në vendet komuniste mbi persekutimin e fesë, mbi të drejtat
e grave dhe mbi gjenocidin, ndër të tjera subjekte. Udhëheqsit e ACEN-it udhëtonin brenda dhe
jashtë Amerikës dhe takoheshin, përveç zyrtarëve më të lartë amerikanë, edhe me
udhëheqës ndërkombëtarë, si një veprimtari e nevojshme për të informuar botën
mbi gjëndjen e këtyre vendeve nën komunizëm si edhe mbi shkeljen e egër dhe
dhunimin e të të drejtave të njeriut anë e mbanë botës komuniste. Me fjalë të tjera, e gjithë veprimtaria e
tyre kishte për qëllim që të mos harroheshin vendet e robëruara nën komunizmin
sovjetik, ndërkohë që organizonin ekspozita anti-komuniste ku tregoheshin
persekutimet komuniste ndaj kundërshtarëve të tyre, ndërsa dokumentoheshin edhe
standardet e ulëta të jetesës në vendet komuniste. Këto ekspozita çfaqeshin, jo vetëm anë e mbanë Amerikës, por dhe në qytete të
ndryshme botërore. Mirëpo, nga fundi i
60-ave dhe fillimi i 70-ave, filloi të binte mbështetja zyrtare për ACEN-in dhe si përfundim,
veprimtaria e kësaj organizate filloi të bie gjithashtu. Ishte kjo periudha e politikës së detantës
midis dy superfuqive të mëdha të kohës, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit
Sovjetik. Por megjithëkëtë, kjo organizatë ka një histori prej dy dekadash
veprimtarie të dalluar, në mbështetje të parimeve të Kartës së Atlantikut, të
zbatimit të Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut, në luftën e saj
për realizimin e aspiratave të drejta që
të gjithë popujt të gëzojnë lirinë njerëzore dhe pavarësinë kombëtare.
Interesat e secilit vend anëtar të ACEN-t përfaqësoheshin nga komitetet kombëtare të krijuara në Shtetet e Bashkuara. Në rastin e Shqipërisë, ishte Komiteti “Shqipëria e Lirë”, organizata që përfaqësonte interesat e Shqipërisë në këtë forum dhe njëkohësisht shërbente si burim informacioni mbi gjëndjen e vendit nën regjimin komunist. Komiteti “Shqipëria e Lirë” ishte pasardhës i dy Komiteteve Kombëtare të mëparshme të cilat ç’prej vitit 1949 punuan drejtë qëllimit për çlirimin e atdheut nga regjimi komunist. Më 1964, Asambleja e Kombeve Europiane të Robëruara zgjodhi për kryetar të saj Vasil Gërmenjin, anëtarin e “Komitetit Shqipëria e Lirë” që drejtohej nga Dr. Rexhep Krasniqi, kryetar dhe Idriz Lamaj, sekretar.
Zgjedhja
e Vasil Gërmenjit si kryetar i Asamblesë gëzoi shumë komunitetin e vogël
shqiptaro-amerikan të asaj kohe, sepse, sipas gazetës “Shqiptari i Lirë”,
përfaqsuesit më të shquar politikë të Europës lindore dhe qëndrore kishin
zgjedhur një shqiptar si kryetar të radhës të organizatës së tyre në botën e
lirë. Vasil Gërmenji ishte i njohur mirë
jo vetëm në radhët e emigracionit shqiptar, por çka ishte edhe më e
rëndësishme, ai njihej shumë mirë edhe në qarqet ndërkombëtare dhe ato të
politikës amerikane. Nga disa të dhëna
të gazetës “Shqiptari i Lirë”, organ i Komitetit “Shqipëria e Lirë” të vitit
1964, mësohet se Vasil Gërmenji ishte bir i Telemak Gërmenjit dhe nip i
Themistokli Gërmenjit, i pari i vrarë nga grekët dhe i dyti i vrarë nga
francezët, si rezultat i intrigave greke.
Historia shqiptare e njeh familjen e Vasil Gërmenjit si një familje
atdhetarësh të shquar që luftuan dhe flijuan veten, vetëm e vetëm që Shqipëria
dhe kombi shqiptar të jetonin të lirë dhe të pavarur. Si bir i kësaj familjeje të shquar,
megjithëse në mërgim, ai ishte i destinuar nga fati t’i shëbente Atdheut. I dalur nga një edukatë e fortë
shqiptaro-franceze dhe i frymëzuar nga politika dhe letërsia franceze, Vasil
Gërmenji kishte një besim të thellë në lirinë dhe në pavarsinë e kombit të vet
si dhe në lirinë individuale dhe në të drejtat bazë të njeriut. Si i tillë, ai angazhon veprimtarinë e tij
politike në Shtetet e Bashkuara duke luftuar kundër çdo formë tiranie, e
imponuar nga mbrenda ose nga të huajt.
Me këto ndjenja të forta për liri dhe demokraci për veten dhe kombin e
vet, Vasil Gërmenji, para se të arratisej nga Shqipëria -- shërbeu si profesor
në Shkollën Teknike të Tiranës, por detyrohet të largohej nga Atdheu më 1939,
duke kundërshtuar zaptimin e vendit nga të huajt dhe më vonë, kundërshton me
çdo mjet dhe me çdo mënyrë edhe diktaturën komuniste të imponuar nga një rreth
i ngushtë individësh, të cilët gjoja në emër të popullit, për pothuaj një
gjysëm shekulli hodhën në mjerim mbarë kombin dhe zbatuan një terror të paparë
anti-njerëzor ndaj kundërshtarëve të regjimit komunist.
Fati dhe
tradita familjare e kishte caktuar Vasil Gërmenjin që të jepte kontributin e
vet në përpjekjet e asaj kohe për çlirimin e Atdheut të vet nga zgjedha
komuniste, si njëri prej përfaqsuesve më të dalluar të diasporës anti-komuniste
shqiptare në botën e lirë. Ai e zhvilloi
këtë veprimtari duke filluar nga viti 1953 kur shërbente si anëtar i
Ekzekutivit të Komitetit Kombëtar ”Shqipëria e Lirë”, ndërsa ç’rej vitit 1956
shërben si anëtar i Komitetit “Shqipëria e Lirë” me qëndër në
Kur
drejtohej nga Vasil Grëmenji dhe në përgjithësi gjatë gjithë ekzistencës së
saj, konsiderohet se organizata ACEN ka dhënë një kontribut të çmuar drejtë
lirisë dhe demokracisë në Europë, duke njoftuar botën mbi persekutimet komuniste
dhe duke dënuar në mënyrën më të ashpër Bashkimin Sovjetik dhe satelitët e tij
për shkeljet e të drejtave bazë të njeriut anë e mbanë Europës Lindore dhe
Qëndrore. Asamblea përpiqej, gjatë
verimtarisë së saj, që të njoftonte jo vetëm vendet anëtare dhe Shtetet e
Bashkuara, por mbarë botën -- përfshirë organizata siç ishin Këshilli i
Europës, NATO dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara -- se komunizmi, si
ideologji prekte gjithë botën si një sëmundje ngjitëse. Qëllimi dhe shpresa
ishte se si rrjedhim atëherë bota nuk do të harronte fatin e keq që kishte
goditur vendet komuniste, dhe si përfundim, shpresohej se më në fund, kur bota
ta kuptonte rrezikun që vjen nga komunizmi, një gjë e tillë do të nxiste
fillimin e procesit të rivendosjes së lirisë dhe demokracisë në vendet satelite
komuniste sovjetike.
Falë
punës së rëndë të Vasil Gërmenjit dhe përfaqsuesve të tjerë europianë në
Asamablenë e Vendeve Europiane të Robëruara, veprimtaria e saj gjatë viteve
kishte siguruar edhe admirimin e përfaqsuesve më të lartë të politikës
amerikane për veprimtarinë e saj në fushën e lirisë dhe të pavarësisë së
kombeve. Presidenti amerikan Lyndon Johnson, me rastin e 10-vjetorit të
themelimit të ACEN më 1964, në një mesazh drejtuar asaj me këtë rast shkruan se
Asambleja e Vendeve të Robëruara Europiane , “Ka ndihmuar t’i kujtojë botës se
sigurimi i lirisë nuk është një
objektiv bisedimesh vetëm për vendet e
Azisë dhe të Afrikës, por edhe për shumë vende të tjera, si ato të
Europës.” Presidenti Johnson me atë rast
shprehu “Shpresën se anëtarët e Asamblesë së Vendeve të Robëruara Europiane do
të shohin një ditë realizimin e shpërblimit të vetëm që ata kërkojnë, e që
është rivendosja e plotë e lirisë dhe e pavarësisë së kombeve që ranë nën
thundrën e diktaturës komuniste pas Luftës së Dytë Botërore.”
Vasil Gërmenji dhe patriotët e tjerë shqiptarë të gjeneratës së tij, megjithëse fatkeqsisht nuk jetuan të shihnin Shqipërinë e lirë dhe demokratike dhe as Kosovën e lirë dhe të pavarur, ata nuk kursyen asgjë nga vetja e tyre duke promovuar në botën e lirë shpirtin liridashës të kombit shqiptar si dhe dëshirën e tij për tu radhitur në “klubin” e kombeve të lira të kontinentit europian. Nuk do të kishte shpërblim më të madh për këta patriotë si Vasil Gërmenji, se sa integrimin e plotë dhe sa më të shpejt të Shqipërisë dhe të Kosovës në të gjitha organizmat euro-atlantike. Një gjë e tillë do të realizonte ëndërrën e këtyre patriotëve -- të cilëve zemëra s’u pushonte kurrë së rrahuri për Atdheun e tyre -- që kombi shqiptar më në fund të jetojë në liri, në paqë dhe në drejtësi të përhershme me veten dhe me të tjerët.