E premte, 02.05.2025, 02:29 AM (GMT+1)

Editorial

Ahmet Selmani: Shqiptarët afër dhe larg perëndisë

E merkure, 08.10.2014, 09:05 PM


Në shënjestër

Shqiptarët afër dhe larg perëndisë

Shkruan: Ahmet Selmani

Që nga shfaqja e teorisë profetike të Samuel Huntingtonit lidhur me përplasjen e qytetërimeve gjatë epokës globale, duket qartë se edhe çështja e besimeve fetare po kalon nëpër një proces tepër të vështirë dhe paradoksal. Sidomos në vendet ku liria e shprehjes dhe mendimit ke qenë e ndrydhur si pasojë e sistemeve totalitare, kjo po bëhet aq më e theksuar dhe më dramatike, sepse në aspektin e predikimit dhe zbatimit praktik të besimit fetar manifestohen plot gjëra që nuk përkojnë aspak me logjikën e shëndoshë njerëzore. Deri tani kemi parë se në emër të kësaj lirie euforike, shpejt kanë dalë në sipërfaqe edhe forca të ndryshme të cilat, të paktën, kanë deklaruar dhe mëtuar se po i rikthehen besimit religjioz që në të kaluarën e kishin humbur pa fajin e tyre, ose që e ruanin disi të zbehur brenda vetvetes, ose që e kishin patur rreptësisht të ndaluar nga shteti.

Pa dyshim, një gjë e këtillë ka ndodhur edhe në mesin e shqiptarëve të cilët kanë përjetuar një vuajtje të llahtarshme për sa i përket çështjes së këtij besimi, veçanërisht brenda shtetit amë ku regjimi i Enver Hoxhës e shpalli atë si shtet ateist, duke ndaluar e ndëshkuar brutalisht çdo formë që kishte të bënte më këtë gjë.

Pas shembjes së kësaj diktature egërshane e absurde, në mbarë hapësirën shqiptare menjëherë filluan të depërtojnë të ashtuquajturat organizata dhe grupe humanitare, kryesisht që vinin nga viset arabe dhe turke. Në emër të këtij humanizmi ose bamirësie foljore, ato ia dolën që ta shtrijnë ndikimin e tyre veçmas në shtresat e rrezikuara sociale. Dhe ky proces  vazhdoi në mënyrë sistematike dhe konspirative, domethënë gjithmonë duke vepruar në prapavijë me synime dhe tendenca radikale.

Duke gjetur një terren mjaft të përshtatshëm për të ushtruar veprimtarinë e tyre në këtë drejtim, organizatat në fjalë arritën që njerëzit e tyre t’i instalonin madje edhe brenda institucioneve të larta shtetërore të cilët në shumë raste shfaqën tendenca për ta rrënuar karakterin laik dhe shekullar të shtetit.

Pikërisht kjo frymë e pazakontë në mesin e shqiptarëve, doli në shesh sidomos pas shpërthimit të luftës në Siri, kur dhjetëra të rinj të rekrutuar në frymën radikale, ia mësynë vullnetarisht duke iu bashkangjitur forcave të ISIS-it, për të kulmuar me veprime tepër të shëmtuara e shtazarake, siç ishte rasti me përbindshin e quajtur Lavdërim Muhaxheri i cili e përshkoi anembanë globin. Për shkak të kësaj, sigurisht edhe alarmi për këtë dukuri u dha menjëherë, ndonëse me një vonesë të madhe. Në të vërtetë, e gjithë kjo bëri që të kuptohet fare qartë se thelbi i besimit fetar tanimë ishte bastarduar e zhvendosur krejtësisht nga strofulla e vet. Prandaj, pa humbur kohë filloi të debatohet seriozisht se këto që po bëheshin në territoret e pushtuara nga pjesëtarët e ISIS-it, nuk paraqisnin kurrfarë vlerash të besimit islam, por thjesht vetëm një varg keqpërdorimesh shumë të rënda në emër të kësaj feje të përfolur. Edhe përkundër fushatës së ndërmarrë për arrestimin e shumë njerëzve të cilët dyshohej se kishin qenë të përfshirë në përgatitjen e kësaj katrahure të mynxyrshme, përsëri rrënjët e lëshuara thellë kanë mbetur në mesin e atyre që kanë shfrytëzuar dhe që ende vazhdojnë t’i shfrytëzojnë të mirat materiale që u jepen nëpërmjet llogarive të fshehta.

Në këtë kontekst sprova e besimit islam te shqiptarët po bëhet gjithnjë e më e madhe. Sadoqë kohëve të fundit distancimet foljore kanë qenë të shpeshta dhe të zëshme, prapëseprapë, nuk mund të thuhet se është e mjaftueshme për t’iu rikthyer vetvetes në raport me besimin religjioz në kuptimin e pastër të kësaj fjale. Gjithsesi, nevojitet punë dhe guxim i madh për t’u larguar nga kjo lëngatë e shëmtuar e cila po na hakmerret së pari brenda nesh, por gjithashtu edhe para botës që habitet me një sjellje të tillë.

Disa besimtarë të devotshëm islam e kanë kuptuar fare mirë këtë devijim të rëndë dhe po bëjnë përpjekje që ta largojnë mjegullën e zezë që ka rënë mu para syve të tyre. Me sa duket, shenjat e para po shfaqen në horizont për ta rikthyer besimin tek thelbi i vet që është kryekëput shpirtëror, ose për ta dalluar me qartësi atë që është kombëtare, në njërën anë, dhe fetare, në anën tjetër, pra si dy gjëra që nuk e pengojnë njëra-tjetrën në jetën dhe ekzistencën e këtij populli. Kjo do të thotë se për të qenë besimtar i  denjë ndaj Zotit, nuk është e thënë të heqësh dorë nga identiteti kombëtar, të shfytyrohesh me anë të veshjes së huaj atipike, të shkoqësh në shenjë proteste pasaportën e shtetit tënd, të mallkosh atë me fjalët më të rënda etj. Në qoftë se në librin e shenjtë Kuranin, për vetë Zotin thuhet se “është gjithëpërfshirës dhe i gjithëdijshëm” (fq. 36 – Lopa, 115), ose atij “i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në tokë” (fq. 131 – Gratë, 126), ose “Ai i dëgjon të gjitha dhe i sheh të gjitha” (fq. 652 – Këshillimi, 11), atëherë bëhet aq më e qartë se edhe shqiptarët i përkasin atij, ndaj edhe natyrshëm mund të lidhen me të, thjesht ashtu siç janë në të vërtetë, me tërë qenien dhe identitetin, me gjuhën dhe kulturën, me veshjen dhe mendësinë e tyre. Pra, nëse ata shfaqen si arabë apo turq, nëse veshin pantallona të shkurtëra apo fustanella arabe, nëse i pagëzojnë fëmijët e tyre me emra arab apo turq etj., kjo assesi nuk do të thotë se janë më afër Zotit të tyre.

Po ashtu, në kontekst të kësaj, për t’u ndjerë ata më pranë perëndisë, nuk është e thënë që një xhami të mbajë emrin e ndonjë sulltani apo pashai që dikur i ka shtypur e sunduar shqiptarët në mënyrën më të egër. Në të vërtetë, një xhami mund ta mbajë edhe emrin “Pavarësia”, siç është ajo në Kodrën e Trimave në Prishtinë, dhe të mos prish asnjë punë që brenda saj të kryhen të gjitha lutjet e nevojshme fetare. Ose, për të qenë besimtarë të mirëfilltë, assesi nuk do të thotë se duhet të mbajnë kësula muxhahedinësh apo talebanësh që i shohim duke bredhur viseve të Tora Borës.

Gjatë këtyre ditëve, qemë dëshmitarë se imami i xhamisë “Pavarësia”, Nexhmedin Hoxha paraprakisht u sugjeroi besimtarëve që në Ditën e Bajramit të mbanin plisa të bardhë. Dhe ky propozim i tij u mirëprit nga të gjithë, duke dëshmuar qartë se ata pikërisht si shqiptarë mund t’i luteshin fare lirshëm Zotit i cili, siç thuhet në librin e shenjtë, i sheh dhe i di të gjitha gjërat që i përkasin kësaj bote.

Krahas kësaj, sigurisht nuk duhet harruar edhe rastin e xhamisë së fshatit Përc të komunës së Tearcës, kur kohë më parë në minaren e saj u vendos një flamur me shqiponjë dykrenore. Mbase edhe porosia e këtillë ishte tejet e kuptueshme për të gjithë ata që mendojnë me arsye të shëndoshë; Zotit mund t’i luten shqiptarët pa e fshehur identitetin e tyre, pa i fshehur simbolet, veçoritë  përkatëse etj. Dhe kjo s’ka asnjë të keqe, e aq më pak mund ta dëmtojë besimin fetar.

Mirëpo mendjet e sëmura dhe të helmuara ende nuk po arrijnë të pajtohen me faktin se feja është punë kryekëput shpirtërore dhe jo një punë politike. Në mënyrë fare të pacipë, ata përpiqen që me çdo kusht të bëjnë arabizimin ose turqizimin e shpirtit shqiptar. E keqja është se atyre në asnjë rast nuk u pengon Sveti Sava i Serbisë, por Nënë Tereza e shqiptarëve. Në vend se të merren sinqerisht me punët e Zotit, vazhdimisht i shajnë figurat kombëtare shqiptare duke i bërë shërbim djallit dhe armikut. Ata mund të jenë të lidhur me secilin, por vetëm me Zotin dhe shqiptarët jo. Prandaj, sa më larg tyre, aq më afër perëndisë. Mbi të gjitha, shqiptarët kanë nevojë t’i kombëtarizojnë gjërat; në vend të importit fetar nga jashtë, ata mund t’i kultivojnë vlerat fetare në suaza të traditës autentike.



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx