
FLATRA TË BRISHTA FLUTURIMI
2
NGA REMZI SALIHU
Tani, në
këtë amulli të turbullt kohe, kur politika dhe etika kanë kundërshtitë e veta
të mëdha, nuk dihet më kush han e kush pinë dhe cili paguan në këtë shoqëri
postmoderne. Kthetrat e së keqes përgjakin harmoninë e kohës. I marri shkordhen
të përhumburin. Loja me zjarr vringëllon kamxhikun e tmerrit në hapësirë. Dhuna
bëhet ushqim i përditshëm i njeriut të pa mbrojtur. Para syve tanë adaptohet e shëmtuara e
përditshmërisë së hidhur. Atentate shpirtërore godasin jetën e qytetarit.
Padrejtësitë e shumta varrosin humanizmin. Zezona merr vrull e fuqi. Ditët e
mira kanë vonesë, pritja në udhëkryq e humb drejtpeshimin shpresës. Intoleranca
dhe shpifja marrin fuqi marramendëse të
mos durimit. Secili kundër secilit. Para fytyrës ta bëjnë pozicionin e
fituar kala veprimi, pas shpine edhe Bruti ta ngul thikën, dhe gjëma merr
tatëpjetën e trishtimit, kurse plagët marrin helmim thashethemesh në lëndinë
shqetësimi. Çastet e vështira të ambientit arnohen me dekor postmodernizmi.
Drejtim i mirëseardhur për individë që i kryejnë punët shpejtë e shpejtë.
Pluralizëm, arnim, intertekstualitet në hambar të thellë mendimi. Hallvë e
lezetshme për intelektual të pa përgjegjshëm, që detyrat i kryejnë shpejtë e
shpejtë, në prehër të kësaj etape turbullt. Kopi pas punimesh të shtruara nëpër
sofrat promovimesh. Improvizime vlerësimesh të njëanshme e llomotitjesh
‘’patriotike‘’ të egra vërshojnë vendin ane mbanë. I pari del në fund, i fundit del në krye. Kohezioni artistik
sentimental i tallavave të shumta artistike bëhet ritual nate e dite. Bëhet
ritëm tronditës që akordon njëanshëm papërgjegjësitë sistemore të shoqërisë.
Klithma zërash të përhumburish amputojnë trishtimin ditës në kornizë kohe. Në
skenë dalin orekse të shtuara individësh, për përfitime të shpejta e të pa
merituara. Tollovi e madhe resh nëpër stereotipa ëndrrash, që egërsisht dalin
nëpër turmë e sistem. Kakofoni e tmerrshme përmbytë jehonën e harmonisë.
Vërshime sociale individësh kurorëzohen me servilizëm nëpër institucione. Ku
jeta individit të shkapërderdhur bëhet një piskëllimë e vetmuar, në veshin e
shurdhët të turmës që jeton me shund e kiç. Kalamendje dëshirash të pa frenuara
gjezdisin nëpër tufane mbrapshtish. Besimi kërkon shpëtim nga grilat thumbuese
të lirisë së pa liruar nga prangat klanore. Mobingu bëhet tendencë vjelljeje e
shërbimeve të etshme të padronëve të rrejshëm. Disharmoni e koklavitur morali
pështillet brenda Pensionit kulturor. Durimi i skajshëm merr ndarje në
horizont. Rrotullime dhe vetëm rrotullime centraliste brenda këtij soji
rrëshqitës kulturash të këqija, të amputuar shtrembët në ne. Rrënjë jeniçerësh
të azdisur, nëpër këtë situatë të tmerrshme anarkie, akordojnë tekno-ritmin e
shpifjes së përditshme. Vendi i mrekullueshëm ku jetojnë shqiptarët trandet për
shkak të qeverisjes së dobët. Jeta e njeriut vështirësohet me përmasa
marramendëse. Me motive të këndshme përfitimesh ngjallen orekse rastesh të
mundshme jetësore. Njëri prej pëllumbave të vendosur në Pension, i cili
ndiheshe tërësisht i huaj në çerdhe ishte bërë gati për shtegtim fluturimi
kreativ nëpër qiell të hapur sprovash. I përbetuar për fluturim të shpejtë
konsumi kulture të derdhur pa hiri në lartësi, papandehur ishte larguar nga
çerdhja herët në mëngjes. Ai, tanimë, sa hap mbyll sytë kishte mbërritur në një
largësi të çuditshme të dëshirës së tij të lakmuar, për fluturim të lirë mbi
eter të dendur. I inspiruar me kondicion karriere të shpejtë dhe i stimuluar
njëanshëm nga përkrahës të rrejshëm për kapje largësish e mburrjesh të
përkohshme në turmë. Shtegtim i gjatë nëpër humbëtirë kërkesash, për tejkalimin
e normës së durimit të gjatë të anonimitetit, që bëhej me afat të shkurtë
shprese në Pension. Bëhen lëvizje të shumta flatrash dalluese të këtyre
shpezëve në lartësi, që stërviten ngutshëm për fluturim, mu nën këtë saç të
nxehtë e të brishtë të indigos së vrazhdë hapësinore, pikërisht ku shpalohet
qielli i mugët e i hapur ‘’demokratik’’. Pasi një rrugëtim i tillë fluturues, i
menjëhershëm, i skaduar nga standardi i maturisë së pranuar nga të gjithë të
pranishmit, kishte mbetur me plot stihi e rreziqe matanë kureshtjes së përdalë.
Me përmasa të pa parashikuara vinin ndryshimet kohore gjatë zbritjes nëpër
zapurinë zaptuese të zezonës qeverisëse, që, tani për tani, mezi e kap ndokush
nga ne, këtë lëngim largimi të langavitur lehtë nëpër lustrim lidershipi
politik të lansuar ditor të papritur. Krejt kjo rrethanë adaptimi mbetet e
mbuluar keq nga thashethemet e shumta dhe pret ditën e agimit të mundshëm për
shqyrtim gjykimi afatgjatë e të drejtë. Për liberalizim ndjenjash përmbi
hapësira të burgosura vetish. Dhe të gjitha këto regrutime të shpejta, të
këtyre shpezëve, bëhen në kontekst të këtij manovrim vëzhgimi të dukshëm
afatshkurtër, ku ndahet e mira nga e keqja ditore, bashkë me katandisjet e
serta të tyre të ushtruar me stil përfitimi në Pension. Secili nga të
pranishmit nget ashpër nëpër interes të majmë, mu nëpër këtë qiell të hapur
shpresash të ndrydhura, gjegjësisht duke e humbur kredibilitetin e duhur të
mbetjes vonë në hapësirë shkencore të pa verifikuar. Tani pas të gjitha këtyre
anomalive kërkon leverdi aplikimi përfitues të shpejtë, në kozmosin e pa
zbuluar tërësisht nga enigmat e shumta ekzistuese. Vardiset nëpër barkun e
rënduar të këtij nën qielli, për të marrë pjesë në procese të reja që i sjell
koha dhe jeta. Sot mund të vërehet kthjellët lindja e arsyes së ndodhisë dhe e
fenomeneve ekzistuese, që tanimë shëmbëllejnë me kuptim tërheqës, e që
mbështeten tërësisht në ne, si tharm frytdhënës i motiveve të akumuluara, në
diskurs kuptimi analitik nga studiues të veçantë, kryesisht nga individë të
guximshëm e të adaptuar mirë në shkencë, në kërkim të së vërtetës, për ta parë
sa më bukur këtë mënyrë të përshtatshme të këndimit alternativ në jetë. Kjo
detyrë e kërkimit të zellshëm mund të arrihej vetëm nga studiues serioz, të
përkushtuar e të përqendruar vëmendshëm në ide të shëndosh shqyrtimi,
posaçërisht për t’i kuptuar dallimet ekzistuese dikotome midis të bukurës dhe
të shëmtuarës, midis errësirës dhe dritës, midis harmonisë dhe disharmonisë
ekzistuese. Kjo mënyrë e qasjes do të kishte sukses vetëm me ata njerëz analist
të ndritur, të kohës së pritur të rendit të ri shoqëror, që i kuptojnë dhe i
kultivojnë gjërat drejtë dhe realisht. Të gjitha fluturimet që vihen në sprovë
vlerësimi, kanë peshën e vet të kuptimit bazë. Por pëllumbi i papërgjegjshëm
iku nga konteksti i paragjykimeve anësore që mbretëronte tani në Pension, për
të përmbushur në vete zbrazësinë e lirisë së modifikuar të kohës, që përplaset
keq majtas-djathtas, nëpër monopolin interesit nebuloz të integrimit shoqëror. Ai
iku bashkë me detyrat e tij të pa kuptimta dhe pa kriter verifikues e bindës
nga rojtarët e dijes, duke lënë gjurmët e veta gugaste, të paarsyetuara me kohë
në çerdhe. Fshehurazi mori arratinë kërkimit të tejskajshëm në qiell
metaforash. Të zë vend midis yjesh vezulluese, për shkëlqim momental të
mundshëm në errësirë, me syrin e kodifikuar mprehtë në memorie artistike të pa
qartë karriere, duke rrahur me ngut flatrat e thyera njëanshëm në kujtesë. Mori
vrull të hatashëm nëpër dëshira të
brishta të përfitimit të këndshëm. Krejt ky veprim i ndërmarrë prej tij bëhej
tani me vonesë drite në errësirë kohe. Ai kërkon shteg të dukshëm matanë
vendimit të pranuar teorik shkencor, gjegjësisht, duke kërkuar vlerësim të
drejtë për sakrificën e tij nëpër ndriçim sinjali stilistik të pranuar kalimthi
nga të tjerët. Mbase këtë mënyre jetese nuk e gjeti në Pension, nga aleatët e
tij që gugatjen e tyre e kanë të koordinuar në kor lokal të zëshëm dhe në
refren të tmerrshëm alarmimi të përkohshëm.
Me buton të rrejshëm akraballëku i afroi gjërat rreth vetes dhe kjo
amulli e derdhur adaptimi të shpejtë në kohë, e përshtatjeve të karaktereve të
shtruara në sofrën e interesit, bëhej gjithandej kureshtjes së përdalë të tyre.
Veti e pranuar me shumicë kërkesash klanore, që ngjizen me kujdes të veçantë në
shikim perceptues te ne, për nevojë sqarimi e mbulese havalesh politike të zeza
në klan. Të kredituar vrerët me aksione apelesh të tollovitur nga koha e turmës
së përshtatur, që tanimë gjendet e mbërthyer hermetikisht në kornizë adaptimi e
vëzhgimi të mbyllur në kohë, nga pa përgjegjësia e salduar keq. Me pleksiglas
të tejdukshëm kuptimi bëhet grishja e mesazheve nga distanca. Përmbi siluetë
dallimi të brishtë flirtohet serviliteti i përndjekjes së hijes së imponuar në
sistem. Sot, përkundrejt këtyre anomalive të shumta ekzistuese shoqërore,
atmosfera e qasjes së ngjarjeve dhe veprave të dobëta, të ardhura në skenë
kulturore, përcillen me seriozitet më të madh nga perceptues serioz të
koncentruar në ide përqendrimi adekuat, për prurjen e vlerave të reja e të
mirëfillta për të ardhmen. Dhe ata këtë e bëjnë me vëmendje në mënyrë të
jashtëzakonshme midis veprave të çmuara, gjegjësisht të ngjeshura gjatë nëpër
vetëdije refleksive të sistemuara, me kod kulturor racional të kësaj norme kulturore
të dukshme gjeostrategjike shoqërore. Hulumtuesit bëjnë verifikime dijesh të
shumta nëpër hapësirën e pa zbuluar kulturore të kësaj ane për të përmbushur
sadopak nevojat elementare që kërkon shoqëria dhe vendi. Përkundrejt kësaj
mënyre të adaptuar punësh të dukshme individësh, përplasen edhe fenomene tjera
të shumta shqetësuese, të pa durueshme, nëpër rrethe vëzhgimi të pa kultivuara
sa duhet, sidomos, në ndonjë shoqëri të ngulfatur pluraliste, si kjo e jona me
plot diverzitete të pa pajtueshme. Ky veprim i lakmuar fluturues i njëanshëm, i
këtyre qenieve lakmitare, të adaptuara mjeshtërisht rrejshëm në kohë, mbetet
një largim i skajshëm i fluturimit të shëmtuar, që merr përmasa të tmerrshme,
çintegruese shoqërore. Kjo anomali ngulitet deri në thellësinë e përhumbur të
individualitetit të pa formuar moralisht e tërësisht në kohë. I kryqëzuar
bindshëm në sheshin e interesit të përfitimit lokal të tij, me dëshirën
pretenduese për t’u ngritur sa më lartë, krah hapur, kah kupa e sfondit të pa
fund qiellor, madje këtë arratisje e mbarështonte për të përfituar më vonë
nëpër çaste të rezervuara privilegji, për intriga e padrejtësi të shumta të
plasura nëpër kohën ndjellakeqe, që tani për tani, ky sindromë i pëlqyer
enigmatik është shndërruar në klishe adaptimi të keq, i dergjur rëndë me
degjenerim të gjatë nëpër vite, kryesisht duke i ngufatur të gjitha të
arriturat dhe duke mbetur në një sistem social të njëmendësuar nga klasa
politike, e cila tani është e pa standardizuar sa duhet. Ky lëshim bëhej mu në
tollovi integrimi të brishtë në regjion, të komprometuar nga pa ligjësitë e
shumta, që sjellin demonët e pa ftuar të natës, për ta parë të mirën dhe të
keqen e vetes në interes, mu në portretin e adaptuar të njeriut, që pastaj nga
pavendosmëria e tyre e fshehtë, të mos
jenë në gjendje për ta luftuar të shëmtuarën e përgjithshme ekzistuese në
qenie. Sepse si të këtillë profiterë të bezdisshëm që janë, do të mbeten
viktimë e gjallë e kohës së manipuluar në të ardhmen, e cila vjen e pa frenuar
nga trazirat e shumta e të pa kontrolluara, të çasteve ndjellakeqe nga jashtë.
Të gjitha këto pasoja të hidhura shoqërore tatuazhohen sot në zgrip të
vëmendjes së arnuar keq nëpër hapësirë të errësuar mendore, gjegjësisht, si
refren monoton parësor i shumë shoqërive të devalvuara që kalojnë nëpër sheshin
e pa begatshëm të sistemeve transitore.
Kjo
ngjitje e rastësishme e pëllumbave në zenit të kohës e përvodh edhe kujdesin e
vlerësimeve tona të pavarura, për t’i kuptuar drejtë këto ngritje e zbritje të
këtyre shpezëve fluturuese, që janë të pranishme një decenie në sistem të
improvizuar keq dhe në lartësi të pakuptimtë privilegji të adaptuar, si mundësi
e rrallë etike e veprimeve të pa drejta vlerësuese të klaneve, të cilët, sipas
punëve që bëjnë, në vete nuk mbajnë asnjë kriter bindës përgjegjësie, për të
shkuar përpara me vlera, ashtu siç kanë kriter bindës shoqëritë e civilizuara,
humaniste të botës, për fenomenet ekzistuese shoqërore. Këto rrethana të
dukshme të kriterit të standardizuar të vlerësimeve, imponohen spontanisht nga
vështrimet e bujshme ideore, të përqendruara stoikisht në përplasje kuptimesh
të shumta brenda konkurrencash të pranishme të kohës. Me bindje e fakte të
verifikuara nëpër ngjarje e fenomene të caktuara që na e imponon vendi dhe
koha. Pasi sot kemi të bëjmë me shtytjen e mëtejme të jetës së vrullshme të
përshtatjes njerëzore, në ritingllimin e marrëdhënies së universalizmit dhe
relativizmit në shoqëri, por jo nga adaptimi utopik i rrotullimit të keq në
rreth, kryesisht duke u alivanosur në trans të këndshëm me përfitime
afatshkurta, me individë që kanë neglizhencën e trashëguar nga e kaluara e
rënduar sistemore. E mbushur me plot plagë të zeza individuale nga diktaturat
ekzistuese, posaçërisht nga ato politika anësore të sofistikuara keq në sistem,
dhe të plotësuara spontanisht rrjedhshëm me teknika njëmendësie sherri, të
ngarkuar gjatë kohë në vete, por duke u shpërndarë vrullshëm në uzurpim, me
interes kërkimi nëpër shtegtimet e labirinteve të vrazhda të provave interne,
të përjetuara këndshëm në klan. Në Ballkan liderët partiak, tani për tanë, janë
gjenitë më të mëdhenj të kohës, që nën dirigjimin e tyre adekuat mbajnë peng
formacione të shumta politikanësh mediokër, kurse militantët e dobët, të pa
ditur, me postet e shpërblyera nëpër institucione, nëpër sisteme të
improvizuara keq, dhe me veprimet e tyre të pa suksesshme në punë, mund të jenë
atentatorë të mundshëm të liderëve të vet partiak. Prandaj këtu në këtë segment
jete kreative ngjizen argumente të shumta, domethënëse, për verifikim e fakteve
dhe ngjarjeve. Të dëshmive ekzistuese në kohë, bashkë me soditjen e vëmendshme
të kriterit alternativ, bindës, në largësinë e shtegtimit kritik e analitik të
njohjes dhe qëllimit të veprimit artistik gjykues, për kultin e pëlqyer nga
masa e standardizuar. Pas të gjitha këtyre shëmtive që veprojnë në ne, për t’u
mbrojtur nga kjo e keqe, duhet afruar ata individë të devotshëm që bëjnë
kërkimin e dijes së vërtetë, e që janë të kërrusur gjatë kohë në punën serioze
të dukshme, me fakte e argumente, gjegjësisht me të arriturat e tyre brilante,
duke sjellë suksese të shumta nëpër lëmi të ndryshme shkencore e shoqërore. Kjo
duket qartë nga niveli dhe nga përvoja kulturore që na rrethon në vend, si dhe
nga nxitja krahasimtare, atraktive e prurjeve të vlerave të shumta botërore
nëpër stadin e merituar kulturor të qasjes serioze. Mbase sot, këto ndodhi
bastarde të kiçit dhe shundit janë vepra dhe fenomene jashtëqitjesh të trishta
bashkëkohore, që ngufatin tmerrshëm perspektivën shoqërore të pa standardizuar,
e që nga dita në ditë na mbërthejnë kohën, si vepra të pa arrira artistikisht.
Të tilla janë me shumicë nëpër kontejner hedhurinash truhmosëse që përmbytin
ane mbanë rrethin hapësinor me kiç e shund. Ato janë shtegtime kreative shumë
të dobëta dhe tejkaluara nga koha, me përmasa kuptimi zhgënjyese kulturore,
gjegjësisht ofenduese për një kolektivitet me traditë të lashtë e të begatshme.
Kjo prani e këtij lloj arti të keq, të të jetuarit artistikisht rrejshëm, bart
edhe fenomene politikash të shëmtuara kulture nëpër këtë qiell të hidhur
ballkanik. Dhe pikërisht këto anomali të mbrapshta të kiçit vardisen sot me
ngulm nga e keqja e andejshme e djallëzuar dhe imponuar keq, nga turma e
vardisur, që me çdo kusht për t’u paraqitur si trashëgimtare e dobishme e
vlerave të bartura nga e kaluara. Por ato janë hedhurina të shumëzuara kulture
të dukshme, që tanimë me të shëmtuarën e tyre motivojnë bindshëm, njerëzit e
ditshëm, për të ikur nga kjo e keqe e vardisur dhe e përgjithësuar. Njeriu i
informuar mirë anon nga standardi i risive të pranuara të kohës sonë, që tanimë
janë shpallur me shkas nëpër kuluare profesioniste, si vepra të arritura. Ato
madje në fokusin e dijes sonë, tanimë, na duken si vlera të rralla dhe si
grishje arti i nevojshëm për të ardhmen e qytetërimit standard shoqëror.
Prandaj veprat e mira sot merren si shembull adekuat për kriter arti të
mirëfilltë njerëzor. Këto prurje të mira, me forcën kreative imagjinare që kanë
në vete, mund t’i bëjnë ballë kohës, duke plasuar barriera mesazhesh të forta e
dijesh të thella alternative, kundrejt të gjitha shkarkesave e shkalavitjeve të
shtresave të shtrembëruara artistike, të pranuara njëanshëm dhe gabimisht nga
individë të pa informuara sa duhet. Bile këto raste të imponuar të artit të
keq, që zënë frymën e kulturës sonë, do të lëçiten tërësisht në të ardhmen, nga
vlerësuesit e mirëfilltë e të pa varur të kohës. Ato vepra të pa vlefshme
tanimë evidentohen bindshëm dhe plasohen
si stereotipie të veçanta, të pa shërbyera nëpër analet e kohës, sepse veprat e
arrira artistikisht hyjnë përherë në kërkim kriteri të posaçëm, duke u
kontrolluar me vetëdije nga shkencëtar, nëpër labirintet e vazhdimësisë së
përkushtuar për kontaminim letrar të përhershëm kritik, gjegjësisht duke ua
kthyer vëmendjen të tjerëve për art të mirëfilltë dhe vlerësim adekuat. Këto
mundësi mund të zbatohen duke i shqyrtuar mirë e mirë të gjitha të arriturat në
laboratorin verifikues të dijes së vërtetë, bashkë me shkaqet e shumta
kundërshtuese, të pranuara shkencërisht edhe nga studiues të njohur të botës. Sot,
me kujdesin më të madh kontrollohen arsyet e dhëna të ndodhive e të fenomeneve
të shumta, të cilat janë të apostrofuara dukshëm, për të keq, nëpër kokat e
turbullta të klanit, subjektit, kur ndodhin ngjarje dhe fenomene të pa pritura
në vend.