Mendime
Agron Gjekmarkaj: Lajme të këqija nga Kosova
E hene, 07.07.2014, 06:16 PM
Lajme të këqija nga Kosova
Nga Agron Gjekmarkaj
Nga
Kosova po vijnë lajme të këqija! Prej kohësh ka tendenca për të denigruar
figurën e Gjergj Kastriotit -Skënderbeut.
Kosova e udhëhequr nga Ibrahim Rugova, qoftë në kërkim të lirisë e pavarësisë, qoftë më pas, nuk ngjet me Kosovën e sotshme. Deputetë të saj, pak muaj më parë artikuluan tezat më antishqiptare kundër Skënderbeut dhe një shurdhëri dhe mosreagim imoral, pasoi qëndrimin e klasës politike dhe të elitave kosovare.
Një rrepër, m’u në zemër të Prishtinës, realizoi një video duke bërë gjeste të turpshme te monumenti i Skënderbeut. Tani ekstremistë islamikë në Kaçanik bëjnë të njëjtën gjë. Reagon veç akademik Mark Krasniqi. Politika kosovare mesa duket bën llogari votash. Ajo ua shkel syrin edhe atyre që ëndërrojnë kalifatin e vilajetin, në vend të shtetit demokratik, laik e europian. Pushteti i tyre është mbi shtetin. Kësaj gare po i përshtaten të gjitha partitë. Kështu ka ndodhur me fashizmin dhe nazizmin në Europë. Në fillim i konsideruan si margjinal dhe menduan t’i përdornin, pastaj si aleatë dhe në fund i patën komandantë.
Kjo është një shenjë ogurzezë në raport me të kaluarën tonë historike e po aq ogurzezë në raport me të ardhmen. Në qoftë se e përmbledhim me pak fjalë, Skënderbeu është personaliteti më madhështor që ky komb ia ka dalë të nxjerrë gjatë gjithë historisë së tij, i papërsëritshëm, i vetmuar. Por jo vetëm kaq. Ai, fatmirësisht, nuk mbeti vetëm i yni, por u bë njëkohshëm emblemë e qytetërimit europian, mbrojtës i këtij civilizimi. Europa vazhdon ta njohë për të tillë pa u shqetësuar nga logoritë e Fatos Lubonjës. E bën këtë në enciklopedi, tekste, romane, por edhe në gjuhën e emisarëve të saj që dërgon në vendet tona.
Gjatë shekujve ne e humbëm e harruam, u tjetërsuam aq shumë sa kujtimi i tij na mundonte, kauza e qëndresës që ai mbajti gjallë po aq na bezdiste. Donim të çliroheshim nga kujtimi i tij në emër të pragmatizmit tonë dhe projektimeve të të tjerëve. Stina e heroizmit ishte mbyllur duke i hapur rrugën flirtit me robërinë që vazhdon ende.
Europa e mbajti e njohu për të vetin, shkroi opera, drama, histori pa fund për të, rreth 1800 libra, i ndërtoi monumente, u mëson fëmijëve të vet në shkolla që Gjergj Kastrioti është një nga strategët më të mëdhenj të të gjitha kohërave dhe atëherë kur kontinenti po na jepte pavarësinë, na e ktheu prapë- tha – ju duhet, nuk bëni dot pa të- por shumëkujt iu duk trashëgimi e rëndë, kompleksuese. Rilindësit dhe elitat e përqafuan me mall, e pranuan, u identifikuan me të, pavarësisht se cilit besim tashmë i përkisnin. Ata e kuptuan se vetëm te shpata dhe vizionet e tij merrte legjitimitet historik Pavarësia kombëtare. Mjafton të shikojmë shkrimet, letërkëmbimet, fjalimet e dërgatave të tyre për ta kuptuar këtë, nëse e kemi harruar apo në qoftë se nuk e dimë.
I tillë shfaqej heroi edhe për Hasan Prishtinën, Bajram Currin, Mic Sokolin, për ata mijëra luftëtarë që tronditen Perandorinë Osmane me Kryengritjet e Kosovës, si prelud i 28 Nëntorit 1912.
Menjëherë sapo Kosova me ndihmën jetike të Perëndimit fiton shtetin e saj, diçka fillon e ndryshon për keq. Në fillim fshehtas, qosheve a në ndonjë objekt fetar, pastaj në sajte interneti, deri në sheshe publike në zemër të kryeqytetit. Nostalgjia për flirtin nxjerr krye. Gjuha e urrejtjes e ndasisë fetare e instrumentalizimit fetar fiton terren dhe mbështetës. Shqetësues është pranimi i këtij realiteti si normalitet, minimizimi i tij si fenomen. Dikur nuk ndodhte kështu.
Atëherë
ishte Ibrahim Rugova në krye, patriot e vizionar europianist i pashoq në
Ballkan, ndërsa sot një çetë politikanesh që bëjnë aleancë edhe me dreqin e
mallkuem për karrigen e vet, ndërkohë që serbët forcojnë pozitat diplomatike
duke provokuar ndërgjegjen e Europës. Ata vigjilojnë dhe fërkojnë duart tek
shohin sesi sillen shqiptarët me heroin e tyre, që edhe ata vetë në librin më
antishqiptar të Gjergjoviçit e lëvdojnë! Një hero i pazakontë që prej shekujsh
mban këtë popull në Europë në mënyrë metafizike. Barbaria e grupit nga Kaçaniku
është triumfi i çetnikëve në Kosovë, përligjje e propagandës 100-vjeçare që ata
kanë bërë kundër nesh.
“Çlirimi”
nga Skënderbeu është lajmi më i keq që vjen nga Kosova! Pyetja që lind është me
çfarë do ta mbushin boshllëkun që ai lë në histori dhe me kë do ta zëvendësojnë
në të ardhmen? Monumentet e tij kanë fuqi mistike, shihen si pengesë ndaj si
fillim duhen deligjitimuar, përqeshur, fyer e më pas hequr. Ndërsa në Itali,
tek Arbëreshet, ai është i gjallë; kudo në sheshe shkëlqejnë monumentet e tij,
festohen betejat dhe fitoret, flitet kudo e çdo herë, ndër fëmijë e pleq! Ka
ditë të posaçme për të, valle e përshpirtje. Ai është shenjtori i tyre
mbrojtës, vetëdija e tyre arbërore.
Na ka
vënë përfundi banaliteti dhe kompleksi që po krijojnë aleanca osmano-komuniste
e sharlatanë në televizione apo YouTube. Çfarë ndryshimi i frikshëm brenda së
njëjtës racë!