E diele, 01.08.2021, 08:20 PM (GMT+1)

Mendime

Elida Buçpapaj: Kujtesë për Hashim Thaçin

E merkure, 02.07.2014, 07:22 PM


KUJTESË PËR HASHIM THAÇIN

NGA ELIDA BUÇPAPAJ

Sapo Koalicioni LDK-AAK-NISMA bashkë me VV shprehu qartë pozicionin e vet – nga një segment ekstremist brenda PDK-së - ka filluar një agresion i hapur me kërcënime. Them brenda PDK-së. Sepse në emër të tyre kërcënojnë.

Nga ana tjetër, një segment ekstremist që mban krahun e Fatmir Sejdiut dhe klanit të Llapit, klan që ka bashkëqeverisur me Hashim Thaçin, që kanë qenë e mbetur probatina pushteti e prosperiteti, kështu thuhet në Kosovë, ka nxjerrë kokën me sulme kundër Isa Mustafës. Ata Isa Mustafën e kishin pasë aty gjithmonë, por janë kujtuar pikërisht tash, kur kanë pësuar një grusht turinjve nga rezultatet e zgjedhjeve.

Niveli i sulmeve është shumë i ulët, nga njerëz shumë të ulët dhe që nuk ia prishin drejtimin e tymit as Koalicionit dhe as Isës, veç Hashim Thaçit.

Pra dëmtojnë Hashim Thaçin. Prandaj këtë shkrim po e shkruaj si një kujtesë për të, pa asnjë dashakeqësi, si analiste.

Qeverisja shtatëvjeçare e Thaçit ka koinciduar me kosto të hidhur për shumë politikanë të Kosovës, kundërshtarë politikë dhe bashkëpunëtorë të ngushtë të Thaçit. Përmendim këtu Haradinajn dhe Limajn, të cilët, pas një procesi të gjatë gjyqësor, kanë dalë të pafajshëm si nga Gjykata e Hagës ashtu edhe nga drejtësia në Kosovë.

Ndërkohë të tjerë bashkëpunëtorë të Thaçit, të enturazhit të tij më të ngushtë gjenden sot prapa hekurave, me akuza të rënda dhe ata logjikisht do të duan me çdo kusht që Hashim Thaçi të jetë kryeministër i Kosovës, të paktën edhe për një mandat të tretë.

Por kjo dëshirë e tyre është një impossible mission për Hashim Thaçin, sepse rezultati i zgjedhjeve nuk mund të ndryshohet.

Çfarë i mbetet Thaçit?

Të gëzojë rolin si lider i opozitës dhe ta luajë këtë rol në mënyrë sa më fair.

Thaçi nuk mund të ketë një mandat të tretë, por ai ka qenë kryeministër i Kosovës për dy mandate shumë të rëndësishme. Është kryeministër i Pavarësisë të Kosovës. Dhe për këtë do të mbetet në histori.

Thaçi ka imituar Ibrahim Rugovën në raport me SHBA, në formë, sepse natyrisht si format janë larg, por prapë është diçka shumë pozitive.

Ndërkohë Kosova ka mbetur si një Lager në zemër të Evropës. Kosova ish-viktimë e një konflikti - tani penalizohet dhe është i vetmi vend në Ballkan që nuk gëzon liberalizimin e vizave, me një varfëri drastike dhe papunësi që shkon në 70%, ndërsa korrupsioni nga keqqeverisja e ka bërë Kosovën të jetë në top listat e statistikave të organizmave ndërkombëtare. Po ashtu njohja e Kosovës nga bota është stopuar që në fillimshkurtin që shkoi. Këtë vit Kosovën deri tash e kanë njohur vetëm dy shtete, ndërsa më 2013 vetëm shtatë syresh. Pra Kosova ka ecur me hapa as të breshkës.

Në këtu kushte, Hashim Thaçi nuk mund të imponohet me asnjë sukese për një mandat të tretë. Ai duhet të dalë sa më shpejt publikisht e të distancohet nga vala e kërcënimeve që lëshohen në emër të tij.

Kundërshtarët politikë dhe ish-bashkpunëtorët e Thaçit që tashmë janë pjesë e Aleancës së shumicës pas eksperiencave të tyre me drejtësinë, ata tani detyrimisht duhet të jenë kthyer në bodyguardë të standardeve demokratike. Sepse nuk ia lejojnë vetes të kthehen atje ku kanë qenë. Aq më tepër kur tash janë fitues.

Në këtë kontekst Thaçi ka mbetur zbuluar për çdo akt dhune që segmente të ndryshme paralajmërojnë kur ai do të kalojë në opozitë. Sepse do t’i kthehet në boomerang vetë Hashim Thaçit.

Edhe sikur në Kushtetutën e Kosovës të kishte hapësira ligjore, për ta çuar vendin në zgjedhje të reja, Thaçi nuk do të kishte asnjë shans - përkundrazi, nëse Kosova do të kalonte në zgjedhje të reja, pikërisht aty Thaçi do të merrte goditjen përfundimtare, sepse humbja do të ishte shterruese për të, çka do ta detyronte të jepte dorëheqjen nga kreu i PDK-së.

Por s’ka arsye që Kosova të shkojë në zgjedhje të reja, dhe kjo tingëllon si fatmirësi për Hashim Thaçin, i cili duhet të startojë punën për të përmirësuar sa më shpejt imazhin e tij nga përshtypja skandaloze që ka shkaktuar libri i Veton Surroit dhe sidomos nga pakënaqësitë e atyre që votuan kundër tij në zgjedhjet e 8 qershorit.

Nga pozita shumë komode, ai duhet të mos e vonojë më legjitimimin e institucioneve të reja të Kosovës, sikur bëri Presidentja me kërkesa infantile Gjykatës Kushtetuese, kur Kushtetuta e Kosovës flet në mënyrën eksplicite.

Sepse të gjitha vonesat e shkaktuara nga kapriçiot e Thaçit kanë kosto për popullin e Kosovës, i cili ka nevojë për një qeverisje të ndershme dhe energjike, për t’u ringjallur sa më shpejt. Kosova i ka të gjitha burimet natyrore, njerëzore dhe institucionale për t’u integruar sa më shpejt në kontinentin europian, atje ku jetojmë dhe vazhdojmë të mbetemi të ekskomunikuar për faj të politikanëve.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora