Përjetësi » Kripa
Reshat Kripa: Epitafi i hipokrizisë
E merkure, 28.05.2014, 07:05 PM
Epitafi i hipokrizisë
Nga Reshat Kripa
Një ditë të djelë m’u tek të shkoja në varrezat e qytetit. Përse, do të thoni ju? Desha të vendosja nga një tufë lule në varret e miqve të mi që nuk jetojnë më. Kaloja nga njeri varr në tjetrin dhe lexoja epitafet e shkruara në to.
Në hyrje të varrezave më tërhoqi vëmendjen një varrosh me të vërtetë madhështor. U afrova dhe u mundova të lexoj emrin e të gjorit që prehej aty. Për çudi, nuk kishte as emër, as mbiemër dhe asgjë tjetër përveç një epitafi, pa autor, të gdhendur në pllakën e mermerit:
Këtu prehet hipokriti
Gojëmjaltë e trupërlyer,
Që s’tha fjalë pa lezet,
Që s’u prish në muhabet,
Dhe s’e ndyri kurrë gojën,
Me ata që
Qëndrova
i habitur dhe po kundroja atë varrosh të çuditshëm.
Nga kjo gjendje më zgjoi një zë që dëgjova pas meje:
- Çfarë halli të ka zënë, mor mik, që e ke humbur pusullen kështu?
Ktheva kryet dhe pas meje pash një plak që po i afrohej të njëqindave.
- Jo, or mik, - iu përgjigja, - nuk kam asnjë hall, por më çuditi ky varrosh pa emër me këtë epitaf.
Plaku qeshi si me qesëndi dhe u përgjigj:
- Ky varrosh dhe ky epitaf u kushtohet atyre që, kur ishin gjallë, kishin dy fytyra, njërën për natën dhe tjetrën për ditën.
Këto tha plaku dhe iku duke më lënë në meditimet e mia. Thartoja trutë për të gjetur të ngjashmit e këtyre që citonte epitafi. Para syve më dilnin portretet e disa kryetarve të parlamentit apo partive të ndryshme, deputetve apo funksionarve të shtetit, historianëve apo analistëve të shquar, përfaqësuesve të shoqatave të ndryshme apo edhe disa që e quajnë veten “të pavarur”, duke mbajtur fjalime prekëse lidhur me një përvjetor të harruar të një ngjarje të periudhës së “luftës së madhe”, sipas tyre. Ndërsa këta karafila ligjëronin, një turmë nga ata që quhen “veteranë”, brohorisnin për një djall të kuq me brirë, që vetë ky popull e përmbysi disa vite më parë, madje duke mbajtur në dorë portretet e tij. Unë nuk e di se çfarë veteranësh janë ata se, nga pamja e tyre, më i vjetri nuk i kalonte të 70 vjetët dhe nuk e kuptoj se ku e dinin historinë e asaj ngjarje, kur ende në atë kohë nuk kishin lindur. Bëjë një llogari me veten time. Lufta ka 70 vjet që ka përfunduar. Që të jesh një veteran i asaj lufte duhet të jesh të paktën 85 vjeç sot, domethënë të kesh marrë pjesë qysh në moshën 15 vjeçare në luftë. Por mua nuk më zuri syri asnjë të asaj moshe. Sa veteranë të kësaj moshe mund të jenë gjallë sot në Shqipëri?
- Ne nuk kemi parë gjë, nuk kemi dëgjuar asgjë, - i tha njeri nga ligjëruesit gazetarëve kur
e pyetën.
Të njejtën përgjigje kishte thënë edhe një miku i tij nja tre javë më parë duke përkujtuar atë që ata e quajnë “dita e dëshmorëve”. Të ngratëve! Mirë veshët që i paskan lënë, po sytë çfarë i gjeti.
Për cilët
dëshmorë e kanë fjalën këta karafila? Mos vallë Shqipëria paska dëshmorë vetëm
ata që kanë rënë me yll në ballë?
Çohi, o vllazën, pa dallim feje,
Krahine dhe ideje,
Në një front të përbashkët,
Në luftë kundra fashizmit,
Çohi të gjithë,
Se ma koha nuk na pret!
Fjalët e kësaj kënge i dëgjoi një popull i tërë. Ai u ngrit i gjithë, dikush majtas dhe dikush djathtas. Sipas fjalëve të këngës ata luftonin në ndihmë të njeri-tjetrit. Kjo vazhdoi deri sa djalli i kuq e ndërroi tekstin e këngës me parullën “pushteti buron nga gryka e pushkës”. Kur vuri re se forcat e djathta kishin fituar epërsi ndaj atyre të majta, djalli i kuq vendosi t’i godiste ato. Një luftë e paparë civile shpërtheu në vend. Vëllai luftonte kundër vëllait. Vëllai vriste vëllanë, dhe, kur mori pushtetin, i shpalli kundërshtarët “kolaboracionistë të fashizmit”. Vini veshin! A keni dëgjuar në ndonjë vend tjetër të botës të shpallen kolaboracionostë më shumë se gjysma e qytetarëve të një kombi. Këtë bëri bisha e kuqe.
Por, fatkeqësisht, kjo frymë vazhdon edhe sot, kur bisha është përmbysur, por në një formë tjetër. Sot kërkohet të lihet në heshtje kontributi i dhënë nga e djathta gjatë luftës për liri dhe të hymnizohet i ashtuquajturi heroizëm i paparë i së majtës. Figurat e shquara të së djathtës, që nga rilindja deri tek pavarësia, që nga pavarësia deri më sot, janë lënë qëllimisht në hije. Nuk flitet asnjë fjalë për to. Nuk shkruhet asnjë rresht nëpër gazeta, libra apo tekste shkollore. Emrat e tyre nuk figurojnë në asnjë shesh, rrugë, shkollë apo institucion tjetër. Epo Shqipërinë e bëmë bashkë dhe bashkë duhet t’i ndajmë meritat e saj. Oligarkia komuniste nuk u përmbys dhe demokracia nuk erdhi vetëm me kontributin e dhënë nga studentët e lëvizjes së dhjetorit 1990. Nuk erdhi me përpjekjet e vetëm atyre katër ditëve. Por është kontributi i dhënë nga e djathta shqiptare gjatë 46 viteve të një rezistence të papare në historinë e vendit dhe që u finalizua me lëvizjen studentore të dhjetorit, shto këtu edhe kontributin e madh të politikës amerikano-perëndimore që e detyruan sistemin socialist të kapitullonte pa kushte./
Atëherë përse? Vargjet e epitafit të përmendur në krye të këtij shkrimi na tregojnë arsyen. Është hipokrizia politike që ata përdorin për të mashtruar një popull të tërë. Ata janë zbatuesit më besnikë të sentencës së thënë nga Seneka i madh se: “Populli beson çdo lloj gënjeshtre që i serviret”. Për këtë përdorin demagogjinë. Kërkojnë të ndajnë periudhën totalitare nga ajo e luftës. Kërkojnë t’i paraqesin “heronjtë e luftës” të ndryshëm nga ata të periudhë totalitare. Madje edhe djallin e kuq kërkojnë ta paraqesin ndryshe gjatë kohës së luftës dhe ndryshe gjatë periudhës totalitare. Ata bëjnë sikur harrojnë se, djalli i kuq, ishte njësoj djallëzor dhe përbindësh si në kohën e luftës dhe pas saj. Se pikërisht, në kohën e luftës, ai kreu krimet nga më të rëndat, siç janë shfarrosjet e grupeve të tëra kundërshtarësh politikë apo qytetarësh të pafajshëm. Ai arrti deri në atë pikë deri sa të eliminonte edhe bashkëluftëtarët e tij më besnikë. Ky ishte djalli i kuq që sot kërkojnë ta ringjallin.
Por rrota e historisë nuk mund të kthehet më prapa. Ajo periudhë e errët e historisë së vendit tonë ka perënduar përgjithmonë. Së bashku me të edhe ithtarët e saj. Shqiptarët sot kërkojnë më shumë qetësi, më shumë mirëkuptim. Nuk duan më ndarje në patriotë dhe tradhëtarë. Shqiptari nuk e ka pasur traditë tradhërinë. Tradita e tij ka qenë besa dhe ajo duhet të sundojë në vend. Mjaft më me ndarjet abstrakte të qytetarëve. Kur do të lindë ai burrë shteti që do të sjellë paqen në marëdhëniet ndërmjet vëllezërve të një kombi? Kjo është dita e shumëpritur nga të gjithë qytetarët shqiptarë.