Shtesë » Shoqëria
Bukuroshet e Shqipërisë mis-e të shteteve të tjera
E shtune, 14.06.2008, 03:58 PM
Cilat janë vajzat me origjinë shqiptare, të cilat kanë konkurruar nën flamujt e huaj
Nga Gjergji Poga
Themi gjithmonë se “ne shqiptarët jemi një racë e bukur” dhe për të mbështetur këtë mendim, sjellim njëri pas tjetrit shembujt e gjithë atyre djemve dhe vajzave shqiptare që me bukurinë dhe njëkohësisht inteligjencën e tyre, kanë bërë karrierë jashtë vendit, në fushën e modës apo kinematografisë. Përpos këtyre talenteve me sharmin tipik mesdhetar, ka plot bukuroshe nga vendi i shqiponjave, të cilat kanë marrë pjesë në konkurse të ndryshme bukurie, që nga Evropa deri në Amerikën e largët, dhe në këto aktivitete, jo rrallëherë, janë vlerësuar edhe me çmime.
Vjosa Kaba, e treta në “Miss Zvicra” dhe e para në zemrën e futbollistit Jurgen Gjasula
Vjosa Kaba
Vjosa Kaba është një bukuroshe nga Shqipëria, e cila mori pjesë në “Miss Zvicra 2007” dhe u rendit e treta, pra doli shoqëruesja e dytë e miss-it. Ajo ka pasur disa përvoja modelimi në shtetin federativ dhe pjesëmarrja në këtë konkurs bukurie, nuk ishte një rastësi. Po Vjosa ka fituar një vend më të mirë, të parin fare në “konkursin e dashurisë” sepse prej pak kohësh ajo dhe futbollisti Jurgen Gjasula janë të dashuruar. Vajza me origjinë nga Kosova është njohur me Jurgenin në Zvicër, sepse edhe ky i fundit jeton aty, qëkurse luan në kampionatin zviceran, me ekipin e St.Gallenit. “Jam e freskët në dashuri. Sapo kam rënë kokë e këmbë brenda”, tregon duke qeshur modelja me origjinë shqiptare përpara nisjes së saj në Kretë, ku e presin disa aktivitete profesionale. Kurse Jurgeni shprehet: “S`më intereson sa vazhdon kjo lidhje... Më intereson që momentalisht jemi bashkë dhe kjo na pëlqen.
Ledia Tusha, tiranasja që mahniti Kanadanë!
Ledia Tusha
Ajo ishte kandidatja e Kanadasë për të përfaqësuar këtë vend të konkursin prestigjioz “Miss Univers 2008”. Ledia ka lindur dhe është rritur në kryeqytet por së bashku me familjen u transferua në Toronto, kur ishte 19 vjeçe. Ajo aktualisht studion në “Ryerson University”, në degën Hoteleri- Turizëm dhe Menaxhim. Për momentin është e punësuar në “Td Canada Trust” dhe për të përfituar eksperiencë në industrinë financiare mori një vit leje nga shkolla. Synimi i saj është të zotërojë dhe të menaxhojë një hotel. Duke u zhvendosur në Kanada la pas të dashurit e saj, kujtimet por sidoqoftë shumë shpejt Ledia zbuloi se jeta në Kanada ishte shumë më e bukur se ç`e kishte imagjinuar. Ledia ka gjithashtu një shpirt bamirësie, ja pse ka qenë vullnetare për Fondacionin “Terry Fox” si dhe kontribuon për mbledhje fondesh në “Sick Kids Fundraiser”. Në kohën e lirë i pëlqen të luajë sporte, si tenis, volejboll po gjithashtu i pëlqen të lexojë dhe kaloj kohë me familjen. Ledia ka marrë gjithashtu pjesë në “Miss Canada”, ku u shpall “Miqësia në Miss Canada 2007”.
Teuta Shabani, “Miss Sharmi” i Suedisë!
Teuta Shabani
Historia e saj është ndër më interesantet, ndër më të veçantat... Është shqiptare por ka lindur në Afrikë dhe prej disa vitesh tashmë, jeton në Suedi. Me një fytyrë perfekte, në ekstrem të ëmbël ajo arriti të bënte shumë njerëz për vete kur mori pjesë në një konkurs bukurie dhe e fitoi atë, duke u kurorëzuar “Miss Sharmi”. Edhe pse u lind dhe u rrit larg vendit të origjinës, falë dashurisë së madhe të prindërve për vendlindjen, ajo u edukua me një frymë tërësisht shqiptare. Nga Tërnoci i Kosovës në Suedi... Një goxha rrugëtim, i mbushur me sakrifica, arritje dhe surpriza. “Bukuria është një ndjenjë, që vlerësohet shumë në botën e sotme, por mendoj bukuria dhe lumturia shpirtërore janë dy virtytet e karakterit që përbëjnë thelbin e kulturës për fotomodelen, edhe pse në realitet bukuria është vetëm një dhuratë nga perëndia”, shprehet Teuta e cila shton se pa intelektin, pamja e jashtme nuk mjafton për të ecur në karrierën e fotomodeles. Aktualisht Teuta punon në agjencinë e modeleve “Divine”, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Agjencia u jep mundësinë vajzave që menaxhon që të aktrojnë, sfilojnë në stilin catvvalk apo të bëjnë reklamime veshjesh për llogari të firmave të ndryshme, si dhe reklamim në kataloge apo videospote. Po pavarësisht nga këto mundësi të arta, Teuta zgjodhi të kthehej në Evropë ku u përpoq të realizonte ëndrrën e saj për të kënduar. Aktualisht ka hedhur në treg disa disa këngë, klipe dhe së fundi mori pjesë në Top Fest 5.
Genida Prifti... E katërta në “Miss Canada 2008”
Genida Prifti
Bukuria shqiptare merr pjesë edhe në “Miss Canada 2008”, e përfaqësuar nga Genida Prifti, e cila është shpallur shoqëruesja e katërt e misit. Genida doli kështu në pesë vajzat më të mira të konkursit, në spektaklin tradicional i cili u zhvillua në fund të muajit prill. Genida merr pjesë në këtë konkurs bukurie pas Ledias, megjithatë ka korrur më shumë sukses se ajo pasi është renditur e katërta në renditjen përfundimtare. Ajo është 24 vjeçe, ka lindur në Shqipëri dhe në moshën 16-vjeçare ka emigruar së bashku me familjen në Kanada. Kur ishte 19 vjeçe filloi të merrej me modelingun dhe ka pasur mjaft sukses. Gjithashtu frekuenton shkollën e lartë, dega Matematikë-Fizikë, si dhe merr pjesë vullnetarisht në aktivitete bamirësie në kuadër të luftës kundër SIDES, kancerit etj. Ëndrra e saj është të bëj një master në degën që studion dhe të bëhet një pedagoge. Në kohën e lirë i pëlqen të lexojë, të dëgjojë muzikë, të kërcejë, fotografojë dhe të merret me sporte.
Xhevrije Sinani...
Xhevrije Sinani
Dy është më mirë se një! Po Vjosa nuk është e vetmja shqiptare pjesëmarrëse në “Miss Zvicra 2007”... Një tjetër bukuroshe shqiptare ka arritur të kualifikohet për spektaklin final të këtij aktiviteti. Ajo quhet Xhevrije Sinani dhe është me origjinë nga Kosova. Xhevrije Sinani jeton ne Zyrih Kirlshberg dhe punon si këshilltare kozmetike në një butik parfumesh. Një urra për bukuroshet shqiptare në Zvicër!!!