Shtesë » Shoqëria
Dosjet britanike mbi UFO-t, më shumë pyetje se përgjigje
E marte, 27.05.2008, 09:04 PM
Ekzistojnë alienët? Jemi vizituar nga jashtëtokësorë? A ka parë ndokush vërtetë mjete të panjohura fluturuese? Tetë dosjet e bëra publike përpara disa ditëve nga Ministria Britanike e Mbrojtjes përmbajnë qindra raportime për vërejtje objektesh të panjohura fluturuese në hapësirën kohore 1978 e 1987. Mes mijëra faqeve që përmbajnë hasen dëshmi që luhaten nga budallallëqet te mjaft interesantet.
Si kanë qenë kontaktet me UFO-t?
Disa mistere janë më të lehta për t‘u zgjidhur se të tjerët. Vështirë se duhet t‘i trembemi ndonjë pushtimi alien, pasi disa njerëz në të dalë të një pabi në Tunbridxh Uells panë një objekt të çuditshëm fluturues me drita të forta të kuqe e të gjelbra. As nuk duhet të prishim gjumin nga rrëfimi i një zotërie, i cili në Veri të Uellsit hasi një objekt që lëshonte dritë të fortë dhe një zhurmë "të ngjashme me motorët e avionëve" (Që mund të ketë qenë fare mirë edhe avion).
Por rrëfimi ndoshta më mbresëlënës është bërë në janarin e vitit 1985. Dëshmitari, pasi shpjegon se është kontaktuar nga jashtëtokësorët që në moshën shtatëvjeçare, rrëfen se si ka qenë i pranishëm gjatë rrëzimit të një UFO-je në lumin Mërsi. Me të prekur ujin, mjeti u zhduk. Nga sa tregon dëshmitari mësohet se miku i tij jashtëtokësor, Algari, pranon të takohet me përfaqësues qeveritarë britanikë, por vritet nga një alien tjetër pas 11 orësh.
A provojnë raportimet se jashtëtokësorët ekzistojnë?
Për fat të keq, Ministria Britanike e Mbrojtjes nuk u vihet pas raportimeve të këtij lloji deri në çastin kur bëhet i mundur identifikimi i një UFO-je. I vetmi motiv që i zgjon nga gjumi shfaqet në çastin kur ndonjë "mjet i huaj" shkel ilegalisht hapësirën ajrore mbretërore. Kjo do të thotë se në raporte nuk flitet as për mjete të panjohura që mbahen diku në ndonjë hangar, e as për alienë pas tryezave të punës.
Por po t‘i vëresh me durim 450 faqet që përbëjnë dosjet, nuk ka dyshim se duhet pranuar që disa prej rrëfimeve të bëjnë të futesh në mendime. Shumë prej tyre vijnë nga pilotë, kontrollorë të trafikut ajror dhe policë. Një raport i bërë prej disa policëve në Uoking përshkruan një dritë të bardhë që zbret mbi sipërfaqen e tokës. Dëshmia e tyre mban shënimin: "Raport i besueshëm".
A zbulojnë ndonjë të dhënë periodike?
Jashtëtokësorët duket se nuk e kanë vizituar Britaninë, ashtu, kot së koti. Raportet vijnë nga Devoni, Malet e Larta, Uellsi dhe Londra. Vërehet edhe një lloj prirjeje për t‘i dekoruar mjetet fluturuese me një mori dritash e ngjyrash të ndritshme. Një UFO gjigand i vërejtur në Oksforshajër në vitin 1981 rrethohej nga drita të kuqe, blu dhe të bardha - ngjyrat që përzgjedhim më lehtësisht. Ndërsa një tjetër objekt fluturues i raportuar tre vjet më pas ishte zbukuruar me më shumë fantazi; kësaj here ngjyrat qenë portokalli, të bardha dhe të gjelbra. Ndërkaq kanë qenë të formave dhe përmasave të ndryshme. Më të shumtë janë ato të formave konike, por gjenden edhe përshkrime më të pazakonta si njëri i vërejtur në Pleimuth në formën e cigares, ndërkohë që një observator nga Noruiçi e përshkruan mjetin fluturues që iu shfaq para syve në formën e një "arkivoli të sheshtë".
Cilat janë shpjegimet racionale?
Shumë nga raportet mund të konsiderohen si fenomene të zakonshme. Kushtet atmosferike mund të kenë luajtur rol të rëndësishëm te shumë prej raportimeve. Netët me re sigurisht që i bëjnë raportet më pak të besueshme, por e njëjta gjë mund të thuhet edhe për netët e kthjellëta - yjet, planetët apo objektet e tjera qiellore mund të ngatërrohen lehtë me gjëra më të pazakonta. Siç vëren Ministria Britanike e Mbrojtjes në vitin 1979, "Venusi ngatërrohet shumë shpesh". UFO të tjera mund të kenë qenë balona të thjeshta meteorologjike, iluzione optike madje edhe halucinacione.
Cili është këndvështrimi zyrtar i Ministrisë Britanike të Mbrojtjes?
Sipas Nik Pop, i cili për ministrinë britanike është tamam i së njëjtës rëndësi që ka në serialin "X Files" agjenti Fok Mulder, disa prej të dhënave më të rëndësishme në këtë aspekt vijnë pikërisht falë qëndrimit të ministrisë përpallë Ufologjisë. Ministra raporton për një fjalim lidhur me këtë temë që do të mbahet në Dhomën e Lordëve në vitin 1979. "I ranë shumë shkurt", tregon Pop. Mësohet se qeveria e shihte me shqetësim rritjen e "Industrisë së UFO-ve", e cila është shtuar ndjeshëm pas suksesit të filmit "Takim i afërt i llojit të tretë", të autorit Stiven Spilberg (1977). "Nuk ekziston asgjë që të bëjë të mendohet se urologjia s‘është tjetër veçse një tufë me broçkulla", shkruan Ministria e Mbrojtjes.
E megjithatë, nëpër korridoret e pushtetit gjendeshin njerëz të cilët besonin tek ekzistenca e jashtëtokësorëve. Lordi Klankarti, i cili kërkoi hapjen e një debati në Shtëpinë e Lordëve mbi këtë subjekt, shkroi një libër me titull "Vizitorët misteriozë", ku ia atribuonte pikërisht UFO-ve zhdukjen e një regjimenti britanik në kohën e fushatës së Galipolit gjatë Luftës së Parë Botërore. Ushtarët qenë zhdukur të përpirë nga një re. Sa për mungesën e provave bën me faj CIA-n amerikane. Sipas politikanit, ata kanë fshehur gjithçka.
Sa vlen e gjitha kjo?
Për sa i përket interesit të publikut mbi dosjet, tashmë që të gjithë mund t‘i kenë nëpër duar. Edhe vetë fakti që Ministria e Mbrojtjes ka mbajtur dosje mbi këtë temë për shumë njerëz përbën interes të veçantë. Amerikanët ndalën së shqyrtuari raportet mbi hasjen e UFO-ve në vitin 1969, pasi një studim i zhvilluar nga Universiteti i Kolorados arriti në përfundimin se 90 për qind e raportimeve mund të shpjegoheshin si keqinterpretime më se të zakonshme. Ndërkaq, Ministria Britanike e Mbrojtjes vazhdoi të tregojë shumë interes për 10 përqindëshin tjetër. Edhe arkivat kombëtare britanike vazhduan të tregonin po kaq interes.
A do të marrin fund teoritë e konspiracioneve?
Asnjë sasi dhe asnjë lloj dokumentacioni mbi UFO-t nuk do të jetë në gjendje të kënaqë disa mbështetës të teorive konspirative. Këta do të vazhdojnë të besojnë se këto letra u janë paraqitur për t‘i shmangur nga e vërteta. Vetëm pak orë pas publikimit të dokumentacionit, Pop, i cili ndihmoi arkivat kombëtare në përzgjedhjen e dokumenteve me përmbajtje më të rëndësishme, mori një mori mesazhesh përmes postës elektronike ku akuzohej si agjent dizinformues i sponsorizuar nga shteti.
Dosje të ngjashme të publikuara nga Franca vitin që shkoi u konsideruan nga disa krejt pa vlerë, duke këmbëngulur se qeveria vazhdonte të mbante të fshehta ato me përmbajtje të rëndësishme.