Kulturë
Ramiz Lushaj: Malet janë si njerëzit
E merkure, 12.02.2014, 08:02 PM
Ramiz
LUSHAJ
MALET JANË SI NJERËZIT
Malet kajnë si njerëzit:
Për heronjtë si i mbajnë në gjinin e vet,
Për shkrimtarë e artista që i ranë në kryeqytet
Për rininë e ikun përtej deteve, në kurbet...
Malet kajnë me të madhe, kajnë plot jehonë.
Me lotët e tyne e krijuan ujëkaltren Valbonë.
Malet qeshin si njerëzit:
Kur në maje të tyne ngjiten burra malësie me plisa...
Kur fyelli i Ali Mulës i fut në valle pyjet me lisa,
Kur nëpër Lugje të Verdha jehon Eposi i Kreshnikëve,
Kur Haxhi Zeka e Tahir Sinani trokojnë nëpër këto vise....
Malet tue qesh si diell e deri në qiell, iu ujëgufin vrella prej gjoksit,
E bajnë Valbonën mrekulli të natyrës, të njeriut e të Zotit!
Malet janë si njerëzit:
I nderojnë kodrat e vogla që i kanë poshtë vetit
I duan lule e lisa t’iu rriten edhe maje thepit
Qiellit kur i sjell bubullima e rrufe i qëndrojnë burrnisht.
Lumturohen kur iu japin djersë, dije e mirënjohje bijat e bijtë.
Tropojanët i kanë nderue, begatue e gëzue malet e veta gjithmonë,
Në shpirtin e tyre kanë nga një Shkëlzen, nga një Valbonë...
Shqipëri Etnike, 10 shkurt 2014