E marte, 16.04.2024, 03:18 PM (GMT+1)

Sport » Legjenda

Redi Jupi: Martesa ime me Vivian

E premte, 30.05.2008, 10:38 PM


Redi & Vivian
Nga Neritana Kraja dhe Elert Yzeiri

Ndarja nga futbolli dhe nisja e një jete të re për futbollistin Redi Jupi. Detaje të dasmës së futbollistit 33 vjeçar, që vendosi të veshë kostumin e dhëndrrit duke kurorëzuar dashurinë e tij me Vivian. Elegant, i fuqishëm, me një vizion të qartë për lojën dhe për më shumë me virtytet e një lideri, Redi Jupi, arriti të bëhej futbollisti që çdo trajner do të donte të kishte në skuadër dhe futbollisti që ishte në gjendje të nxirrte skuadrën në çdo moment nga situatat e vështira…

Një histori e plotë e karrierës, dashurisë dhe jetës së re të futbollistit Redi Jupi

Të shtunën e datës 26 prill, teleshikuesit e shumtë dhe kryesisht tifozët e futbollit, nuk patën mundësi të ndjekin për herë të parë, pas kaq kohësh transmetim, në orën 8.45 minuta, në valët e Televizionit Publik Shqiptar, moderatorin simpatik, futbollistin Redi Jupi, në drejtimin e Rubrikës Sportive. Justifikimi është mëse normal dhe i pranueshëm. Pikërisht atë ditë Redi Jupi, martohej me të zgjedhurën e zemrës së tij, në një dasmë dinjitoze, moderne dhe të kuruar deri në detajet më të vogla, me Vivian Petrelën.

Historia e tyre e dashurisë dhe kurorëzimi i saj në martesë, ka zgjuar jo pak vëmendje, duke pasur parasysh se ngjarjet që rrotullohen rreth jetës profesionale dhe private të futbollistëve, bëhen tejet interesante për të gjithë. Por të dy protagonistëve të saj, më shumë se sa kjo vënie në qendër të vëmendjes, i emocionon nisja e një jete të re së bashku.

Vetëm tre ditë pas përfundimit të dasmës, në vështrimet e tyre vihet re një lumturi e paqtë, ndërsa pranojnë se ndihen tejet të lumtur për zgjedhjen që kanë bërë. Ankthi i ditëve të paradasmës, ku Redit i është dashur të merret deri me detajet e saj më të imëta tani nuk është më. Vendin e ka zënë ndjesia e një jete tjetër në familjen e tyre të re.

Një dasmë moderne

As Redi dhe as Vivian nuk kanë dashur një dasmë tradicionale, me të ftuar të shumtë, me festa që zhvillohen nga një te secila palë, shkëmbime krushqish, apo zakone të tjera tradicionale. Ai, gjithmonë është shquar si një djalë trendy, me shije të holla në veshje dhe modern në koncept. Ndërsa ajo, pas dhjetë vitesh në Francë, ishte larg çdo ideje që dasma e tyre të ishte tejet rituale. Prandaj kanë vendosur të bëjnë një dasmë të përbashkët, ku nuk kishte të ftuar më shumë se 150 persona, dhe përveç familjarëve të ngushtë, pjesa dërrmuese i përkiste miqve të dhëndrrit dhe të nuses. “Ka qenë një festë shumë e bukur, thotë Redi plot emocion. Fakti që shihja Vivian të veshur nuse dhe veten dhëndërr më prekte shumë. Kemi festuar me të ftuarit tanë deri në orët e para të mëngjesit. Çasti më i bukur ka qenë ai i hyrjes sonë në sallë. Ne po prisnim në një dhomë hoteli të vilës ku u bë dasma, sa të mbaronte koktejli që i parapriu dasmës. Të ftuarit kishin filluar të çliroheshin dhe të “nxeheshin” që në këtë moment dhe kur dasma filloi dhe ne hymë në sallë mes muzikës që na shoqëronte, të gjithë ishin ngritur në këmbë e duartrokisnin për ne. Ky ka qenë një moment shumë i bukur”, tregon futbollisti Redi Jupi. “Të gjithë kemi kërcyer, shton me të qeshur Vivian, ndërsa Redi nuk është ulur asnjëherë”.

Njohja

Të dy tregojnë se njohja e tyre ka nisur krejt spontanisht, siç ndodh zakonisht në raste të tilla. Megjithëse Vivian jeton në Francë ku vazhdon studimet në vitin e fundit për ekonomi, në një prej kthimeve në Tiranë, rastësisht janë njohur me Redin, në një rreth shoqëror të përbashkët. Për një periudhë kohe kanë qenë thjesht të njohur. Kaq. Deri sa në shtatorin e vitit që shkoi u lidhën bashkë dhe nisi një histori rozë: pritje- përcjellje nëpër aeroporte, telefonata, sms, internet, gjithçka çfarë mundnin për të shkurtuar kilometrat që i ndanin. Një histori dashurie që i rrëmbeu të dy dhe i bëri të hidhnin hapin tjetër, atë të prezantimit në familje. Çifti shton se “kjo ishte një etapë tjetër normale e lidhjes së tyre. Prindërit e të dyve e pritën mjaft mirë historinë e tyre dhe ata shumë shpejt morën vendimin për martesë. Rrufeshëm nisën përgatitjet për gjithçka. Redi që merrej me të gjitha detajet, ndërsa Vivian, që e humbiste mendjen nga studimi për provimet te bashkëshorti i saj i ardhshëm në Tiranë. “Kemi shije të njëjta, tregon Redi. E kuptojmë njëri tjetrin me një intuitë të habitshme. Nuk ka gjëra të cilat mund të na vënë kundër”.

Muaji i studimeve

“S’ka muaj mjalti, ka muaj studimi”, thotë Vivian duke qeshur. Pas dasmës së tyre Redi dhe Vivian kanë mundësi të rrinë edhe një javë bashkë e pastaj ajo do të niset në Paris për të përfunduar edhe një muaj e gjysmë shkollë që i ka mbetur. Ndërsa Redi do të vazhdojë si përditë mësimet te “Luarasi”, në vitin e dytë për juridik. Kjo periudhë akademike e tyre do të zgjasë deri në fillim të verës, e pastaj në fillim të korrikut edhe Redi thotë se do të udhëtojë drejt Francës për të kaluar bashku muajin e vonuar të mjaltit.

Vivian dhe futbolli

Në fakt, Vivian 24 vjeç, që prej dhjetë vitesh jeton në Francë, nuk ka pasur rast ta shohë asnjëherë futbollistin Redi Jupi të luajë futboll në një ndeshje të vërtetë. Kjo është keqardhja e vetme e saj në lidhje me Redin. Ndonëse e pëlqen shumë si lojë, ndonëse Redi i ka treguar të gjitha regjistrimet e ndeshjeve të tij, ndonëse e ka parë të luajë në “calcetto” me miqtë, ajo do të dëshironte me gjithë zemër që ta shihte të luante në stadium futbollistin 33 vjeçar, që tashmë është bashkëshorti i saj.

Kapiteni var këpucët në gozhdë

Ndarja përfundimtare me futbollin për futbollistin Redi Jupi dhe veshja e kostumit civil, i parapriu veshjes së kostumit të dasmës.

Nëse ka një futbollist që mund të mbahet mend mirë në futbollin shqiptar në 15 vitet është padyshim Redi Jupi: një kapiten në fushën e lojës dhe një menaxher i jashtëzakonshëm jashtë saj. I lindur me gjak labi, por i ngjizur me “tangërllikun” kryeqytetas, Redi Jupi që në çapitjet e tij të para ka dhënë sinjalet se do të jetë një prej emrave që do të linin gjurmë në futbollin shqiptar. I frymëzuar nga emrat e mëdhenj të futbollit shqiptar, në veçanti atij Dinamovit, si Sulejman Demollari, Muhedin Tagaj, Andrea Marko, etj, iu përkushtua futbollit për t’u bërë shumë shpejt një prej emrave lider në kampionatin tonë kombëtar. Elegant, i fuqishëm, me një vizion të qartë për lojë dhe për më shumë me virtytet e një lideri, Redi Jupi u bë futbollisti që çdo trajner do të donte të kishte në skuadër dhe futbollisti që ishte në gjendje të nxirrte skuadrën në çdo moment nga situatat e vështira. I provoi të gjitha në karrierën e tij, jo vetëm brenda Shqipërisë, por edhe jashtë saj, duke luajtur me skuadra me emër, madje pati vend edhe në ekipin kombëtar, ku edhe pse nuk pati ndonjë numër të konsiderueshëm ndeshjesh, la edhe ai gjurmët e tij, për të thënë në fund “kam qenë profesionist”.

KARRIERA E KAPITENIT BLU

Jupi filloi të shkelmonte për herë të parë topin në futbollin profesionist në sezonin 1994-1995, kur u bë pjesë e ekipit të parë të Dinamos. Në të vërtetë, në atë kohë, blutë ishin një skuadër që vuante qëndrimin në mes më të mirave të futbollit shqiptar dhe Jupi së bashku me shumë emra të tjerë të talentuar morën përsipër evitimin dhe dështimin e panjohur më parë nga klubi me më shumë trofe në Shqipëri. Jupi shumë shpejt u bë një lider i skuadrës dhe aktivizimi në rolin e organizatorit i dha mundësinë që të shfaqte më mirë cilësitë e tij teknike dhe taktike. Në vitin 1996 Jupi kaloi në radhët e skuadrës tjetër kryeqytetase, Partizanit ku u aktivizua shumë pak në ndeshje, për të provuar më pas emigracionin. Ishte pikërisht Kroacia toka e premtuar për të, ku në harkun e dy viteve u aktivizua me 3 skuadra, fillimisht te Istra Pula, më pas te Rijeka dhe në sezonin 1997-1998 në radhët e Vevçe. Një vit më pas Jupi u rikthye sërish në kampionatin shqiptar, ku u aktivizua sërish në radhët e Partizanit, por në një periudhë aspak të këndshme për të kuqtë. Në sezonin pasardhës Jupi u rikthye në klubin “mëmë”, Dinamo, ku edhe nisi një ere e re për karrierën e tij si futbollist. Mbështetja më e madhe financiare dhe afrimi i futbollistëve cilësorë bënë që Dinamo të ishte një prej skuadrave më të mira të momentit, ndërsa Jupi futbollisti, që bënte diferencën në kampionat. Sezoni 2001-2002 ishte më i paharrueshmi për Jupin dhe Dinamon, pasi arritën të rikthenin në shtëpi titullin kampion, të munguar prej më shumë se një dekade. Një sukses mjaft i rëndësishëm, pas të cilit Jupi u bë edhe futbollisti më i kuotuar i kampionatit. Me kurorën e kampionit Jupi u transferua te rivalët e Tiranës, të cilëve një vit më parë u kishte rrëmbyer trofeun. Aktivizimi në kupat e Europës, ndërkohë, i dha mundësinë të shpaloste edhe më mirë klasin e tij dhe të hynte në fokusin e menaxherëve, të cilët shumë shpejt e hodhën në tregun europian. Banesa e radhës për “kapitenin” ishte Turqia: më saktë Diarbakiri, një provincë e largët e thellë e vendit ballkanik. Jupi u përshtat shumë shpejt dhe menjëherë atje u gradua “gjeneral”, duke u bërë një prej futbollistëve kryesorë të skuadrës. Kjo ishte edhe trampolinë që Jupi të rikthehej në ekipin kombëtar, në të cilin deri në atë moment kishte qenë, thuajse me korrenspondencë. Brigel nuhati cilësitë e një futbollisti që mund të mbante peshë në ekipin kombëtar dhe Redi e justifikoi më së miri. “Divorci” me ekipin e Diarbakirit erdhi në verën e vitit 2006, ndërkohë që bashkë me të për Jupin filluan të shfaqen edhe një sërë dëmtimesh, të akumuluara prej vitesh. Një futbollist që gjithnjë kishte vallëzuar mes kafshimeve të takave të mbrojtësve kundërshtarë, sigurisht që nuk mund të dilte “pa paguar” dhe kostoja ishte me kaviljet. Jupi çapitej me kaviljet që i krijonin gjithnjë problem, ndërkohë që drejtuesit e Dinamos kishin besimin e plotë se ai mund të ishte një armë e fortë për ta ndihmuar skuadrën, madje aq i madh ishte besimi sa ndër të tjera iu besua edhe roli i trajnerit të skuadrës. Një detyrë e vështirë, por që Redi e përballoi me shumë sukses, duke e treguar që ai është një profesionist.

DASHURIA E PËRJETSHME, DINAMO

Nuk ka dyshim që emri i Dinamos në dekadën e fundit është personalizuar vetëm me një futbollist dhe ky është pikërisht kapiteni më jetëgjatë i kësaj skuadre: Redi Jupi. I lindur dhe përgatitur në radhët e kësaj skuadre, Jupi kishte përqafuar mjaft mirë filozofinë e kësaj skuadre dhe në këto kushte ai u bë një lider i saj. Dhe më së miri aftësitë e një lideri Jupi pati mundësinë t’i shpaloste në sezonin 2001-2002, ku ai si kapiten i kësaj skuadre e udhëhoqi skuadrën drejt titullit të 15-të kampion. Në atë sezon Jupi nuk ka munguar në asnjë ndeshje, edhe pse për arsye të ndryshme tekniku Sejdini ishte i detyruar ta zëvendësonte herë pas here. Me 8 golat e shënuar, shumë prej të cilëve decizivë, Jupi me krenari të ligjshme shkroi emrin në palmaren e artë të klubit, duke u radhitur përkrah legjendave të Dinamos.

BASTI I MADH ME EMRIN TIRANA

Nëse Dinamo është skuadra e zemrës, Tirana ishte një bast të cilin Redi Jupi e fitoi me koeficientin më të lartë. Pasi fitoi titullin kampion në sezonin 2001-2002, Jupi ishte futbollisti më “i kuotuar” në treg dhe sigurisht që shumë shpejt edhe më i paguari. Kjo falë insistimit të drejtuesve të skuadrës së Tiranës, që shpenzuan shumë para për t’i ndërruar fanelën mesfushorit. Në harkun e pak ndeshjeve Jupi u përshtat me Tiranën dhe u bë një futbollist shumë i rëndësishëm i kësaj skuadre me të cilën në fund të edicionit ngriti lart trofeun e kampionit dhe të Kupës së Shqipërisë. 

REDI DHE AVENTURA SI LEGJIONAR

Dëshirë për të luajtur dhe jatuar jashtë Shqipërisë ka qenë një nga ëndrrat e vjetra të Redi Jupit dhe pavarësisht tentativave në fillim të karrierës së tij, në Kroaci e Slloveni, transferimi u bë realitet vetëm në sezonin 2003-2004, kur në skenë u shfaq pista turke e Diarbakirit. Jupi nuk u mendua gjatë, edhe pse duhej të jetonte në një vend shumë larg “metropolit” dhe ju përkushtua në mënyrën më të zellshme profesionit. Në harkun e një kohe të shkurtër u përshtat me futbollin turk dhe bindui drejtuesit e skuadrës me aftësitë e tija të shkëlqyera organizative. Në 3 sezonet e aktivizimit Jupi u bë një futbollist I pazëvendësueshëm, ku ndër të tjera nuk mungoi të shënonte edhe shumë gola.

KOMBËTARJA, KRENARIA E JUPIT

Nuk pati jetë të gjatë në radhët e ekipit kombëtar, ose më saktë iu dha shumë pak shansi, megjithatë në ato pak ndeshje Jupi diti të shpaloste mjaft mirë vlerat e tij. Aktivizimi konstant i mesfushorit në radhët e Diarbakirsporit e bindën trajnerin Brigel, që në atë kohë të drejtonte Shqipërinë, që në skuadrën e tij të kishte edhe Redi Jupin. Kanë qenë pikërisht ndeshjet e fundit eliminatore për Botërorin 2006, ku Jupi u bë pjesë e skuadrës, madje në shumë raste mëse i rëndësishëm. Trajneri Gjerman e aktivizoi futbollistin si në rolin e mesfushorit të qendrës, ashtu edhe në të djathtë.

Redi, një futbollist moderator

Konsiderohet si një ndër futbollistët më mediatik dhe spektakolar. I pranishëm në ekrane televizive apo aktivitete të natyrave nga sportive deri në kulturore dhe artistike, në protretin e Redi Jupit ka gjithmonë diçka për të shtuar plus.

Nga të gjithë sportistët, Redi Jupi, është i vetmi që theu atë që ishim mësuar të shihnim te sportistët e mëparshëm, duke u bërë një person mjaft publik. Angazhimi i tij aktual është në “Rubrika sportive”në TVSH, ku së bashku me partneren Enkeleda Zeko gozhdojnë publikun çdo të shtunë para ekranit. “Në asnjë vend nuk ka ndodhur që një futbollist të bëjë rolin e moderatorit në një program të tillë. Zakonisht ata ftohen për diskutime. Ky është një pozicion i veçantë, që fillimisht e kam filluar me pak vështirësi, por që tani ia kam marrë dorën mirë”. Bota e televizionit e tërheq, por vetëm kur lidhet me sportin. Ndërsa një rol në kinema, thotë se nuk do ta bënte asnjëherë. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora