Sport » Legjenda
David Trezeguet: Monsieur Gol
E merkure, 02.04.2008, 07:28 PM
Klas dhe elegancë e pastër. Por jo vetëm. Ajo që i del më mirë David Trezeguet është të shënojë gola. Gjithmonë dhe nga çdo lloj pozicioni. Kampion i botës, kampion evropian me Francën, pas vitit të kaluar në Purgator (në serinë B), është ende një armë më shumë për Juven e re
Trezeguet - Del Piero |
Le të kthehemi ca hapa prapa: “Calciopoli” të hoqi dy kampionate italiane dhe të uli shumë pikë. Mendon se vendimi ishte i drejtë?
Kufizohem vetëm për të thënë se ato kampionate janë fituar në fushën e blertë dhe me meritë të plotë.
“Gjermani 2006”, finalja e Berlinit. Çfarë të kaloi ndërmend kur godite traversën?
Një keqardhje tepër e madhe. Goditjet e penalltisë janë mjerisht një çështje fati: herë shkon mirë, herë jo.
Më 10 qershor të 2006-ës, pasi shënove golin e 15-të në “Serie B”, i kishe dhënë lamtumirën Juves, por një javë më vonë, firmose kontratën deri në vitin 2011. I penduar për zgjedhjen?
Nuk kam pasur kurrë ndërmend ta lë Juven. Ishte një periudhë në të cilën për arsye të ndryshme nuk ndieja besimin e plotë nga klubi. Pastaj, pas një jave u sqarua gjithçka.
Je konsideruar si pjesë thelbësore e Juventusit; është një përgjegjësi që peshon?
Jam krenar, por besoj se kështu është për të gjithë futbollistët që veshin fanellën bardhezi. I mbështetem gjithnjë mendimit se fanella e Juventusit është më e rënda se çdo tjetër.
Ta lëmë besëtytninë mënjanë, në këtë kampionat ke një mesatare golash mbresëlënëse. Sa gola do të shënosh?
E vështirë për të caktuar një objektiv. Sigurisht, do të më pëlqente të kaloja kuotën e 20 golave dhe të bëja maksimumin për skuadrën.
Pyetje e detyruar: Ky Juventus është për titull?
Është e qartë që kualifikimi për “Champions League” është objektivi ynë i parë, por do të ishte gënjeshtër të themi se kampionati nuk na intereson; përkundrazi.
Kush do ta fitojë?
Skuadra më e fortë, si gjithmonë.
Mbrojtja bardhezi shpeshherë çalon. Mendon se ka nevojë për ndonjë rinovim?
Nuk mendoj se mbrojtja jonë çalon. Një skuadër kaq e re ka nevojë vetëm për kohë që të rafinojë veprimet automatike.
Gazetat dhe tifozët do të donin rikthimin e Cannavaro-s; edhe ti?
Fabioja është një kampion dhe ka qenë një shok i shkëlqyer skuadre. Aktualisht mendoj se është mirë në Spanjë dhe mbi të gjitha nuk më duket e drejtë ndaj atyre që kanë mbetur në Torino të flasim për ata që nuk janë më në skuadër.
Kush mendon se është partneri më i mirë i sulmit për David Trezeguet?
Me Del Pieron tashmë kemi një “feeling” të fortë. Iaquinta është një tjetër pikë e shkëlqyer dhe me të ndihem shumë mirë. Ranieri vendos pozicionimin taktik në funksion të garës dhe kundërshtarit. Jemi një repart me individualitete shumë të mira dhe me një potencial të madh sulmues.
Në Itali, numri 17 konsiderohet si numër ters; përse e ke zgjedhur?
Për mua nuk është aspak.
Kush është mbrojtësi që të shqetëson më shumë?
Mund të citoja dy: Maldinin dhe Nestën. Bashkojnë një teknikë të shkëlqyer dhe një forcë të madhe fizike.
Ke ndonjë rit fatsjellës përpara se të hysh në fushë?
Hyj gjithmonë me këmbën e djathtë dhe bëj shenjën e kryqit.
Kush është futbollisti i preferuar i të gjitha kohërave?
Eh! Kjo pyetje është e thjeshtë: Maradona! Diegoja përfaqëson shprehinë maksimale të futbollit; një fenomen i vërtetë dhe një flamur për të gjithë Argjentinën. Pas tij, Gabriel Omar Batistuta, një sulmues me dhunti teknike dhe fizike të pabesueshme.
Shoku i skuadrës me të cilin je më i lidhur?
Camoranesi, një argjentinas dhe juventin, tamam si unë.
Nëse do të të duhej të lije Italinë, cili kampionat i huaj të josh më shumë?
Ndoshta më spektakolari është kampionati spanjoll, sepse luhet për spektakël dhe argëtim të publikut.
Cilit trajner duhet t’i thuash faleminderit?
Askujt në veçanti, i vlerësoj të gjithë.
Gazetave u përkushtohesh pak, përse kështu?
Nuk është edhe aq e vërtetë. Është një etiketë që e mbaj pas dhe nuk e di përse. Çdo javë jap të paktën një intervistë, përveç lidhjeve televizive nga stadiumi. Le të themi se, në përgjithësi, preferoj të flas në fushë, me golat e mi.
Si është Trezeguet jashtë fushe?
Jam person normal. Më pëlqen shumë të qëndroj në familje, me gruan time dhe tim bir, Aronin. Më pëlqen të frekuentoj miqtë dhe të shëtis në rrugët e Torinos. Ndonjëherë arrij edhe të luaj tenis, një sport që e dua dhe e ndjek me vëmendje. Më bën shumë përshtypje Federer, numri një i raketës.
Tre cilësi të Davidit?
E lëmë me dy? Jam idealist dhe shumë besnik.
Tre të meta ?
Mjafton një: dëgjoj gjithmonë pak.
Cila është gjëja që nuk mund të bësh pa?
Pa dashurinë e të afërmve të mi.
Goli yt më i bukur?
Goli kundër Milanit në sezonin 2004/2005.
Kënaqësia më e madhe që ke marrë?
Kampionati i parë në sezonin 2001/2002.
Ndonjë keqardhje?
“Champions League” e humbur me penallti kundër Milanit në vitin 2003.
Nëse nuk do të ishe futbollist, do të kishe qenë...?
Trajner.
Vendi ku i kalon pushimet?
Sa herë që mundem, kthehem në Argjentinë, por më pëlqen shumë “Costa Azzurra” dhe Montekarlo, ku kam edhe një shtëpi, në të cilën banojnë prindërit e mi. Më pëlqen shumë të udhëtoj.
Çfarë do të bësh kur të reshtësh së luajturi?
Nuk e di, por do të jetë një jetë e dytë.