Sport » Legjenda
Fadil Vokrri: 1000 fotografitë e mia në Shqipëri
E diele, 24.02.2008, 02:47 PM
Erdhi në Shqipëri si lojtar i Partizanit të Beogradit, por u prit më shumë si bir i një gjaku nga kushërinj të tij në Kavajë
Erdhi në Shqipëri si lojtar i Partizanit të Beogradit, por u prit më shumë si bir i një gjaku nga kushërinj të tij në Kavajë. Ky është Fadil Vokrri, presidenti i sotëm i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) që u ndesh në shtator 1987 me Flamurtarin e Vlorës në Kupën UEFA. Në një intervistë të paradokohshme për median e Kosovës, “Epoka e Re”, Vokrri kujton se sa emocionuese ishte të takohej me rreth 2000 njerëz në Kavajë, ku kishte nja 30 familje si kushërinj. “Ndërkohë erdhi loja në Vlorë, - kujton Vokrri. - Në takimin e parë që e zhvilluam në Vlorë, Partizani ka qenë shumë dobët, ku humbëm 2-0. Në Kavajë i kam 30 familje kushërinj; babai im komunikonte me ta nëpërmjet letrave dhe ekipi ynë me të arritur në Vlorë, një natë para ndeshjes kanë qenë 2000 tifozë që më prisnin”. “Për mua ishte diçka madhështore, - vazhdoi ai. - Dua të falënderoj trajnerin tim në atë kohë, Fahredin Jusufin, i cili më dha leje speciale që të dal dhe të përshëndetem me atë tifozeri që më prisnin. Tani, kur po flas, po më rrëqethet trupi dhe bashkë me ta kam bërë diku tek 1000 fotografi. Ndoshta dikush brenda nga klubi më ka përcjellë, mirëpo lejen ma dha Jusufi”.
Natyrisht, shqiptari nga Kosova nuk mund të harrojë ndeshjen dhe eliminimin e skuadrës serbe nga Flamurtari. “Sa i përket lojës, Flamurtari me plotë meritë fitoi 2:0. Ndërkaq, në ndeshjen e kthimit në Beograd shënova golin e dytë, si dhe fitova penalltinë”, - kujton ish-sulmuesi. - Partizani udhëhoqi 2-0, luajti shumë mirë, mirëpo në fund Sokol Kushta shënoi gol, pastaj edhe portieri i Flamurtarit, ishte në formë shumë të mirë, kështu që Partizani u eliminua”.
Vokrri e quan shumë të rëndë eliminimin nga skuadra shqiptare. “Humbja e Partizanit ka qenë shumë e rëndë, u pasqyrua shumë keq, - thotë Fadili. - Thuhej sesi është e mundur që një ekip si Flamurtari të eliminojë Partizanit me famë të madhe, kështu që vërtet humbja në Beograd u përjetua shumë rëndë. Kjo u pasqyrua menjëherë në lojën për Kupën e ish-Jugosllavisë, kundër “Iskres” (anëtar i Ligës së Dytë), ku humbëm, kështu që humbja ndaj “Flamurtarit” na destabilizoi në tërësi”.
Një nga lojtarët më të mirë të ish-Jugosllavisë në vitet 80-të, Vokrri, e nisi futbollin në ekipin e Llapit për të kaluar më 1980 tek Prishtina. Ajo ishte epokë e ndryshimit të madh për skuadrën e kryeqytetit të Kosovës, pasi deri në atë kohë Prishtina përbëhej më së shumti nga futbollistë joshqiptarë. “Ajo Prishtinë kishte 80 për qind të lojtarëve shqiptarë”, - kujton Vokrri. Skuadra bardheblu synonte të dilte në kategorinë e parë (Liga Federale), por demonstratat e prillit të 1981-it bënë që t’i luanin ndeshjet jashtë fushe, në Kragujevac. Nga kjo, desh ranë në kategorinë e tretë, por u mbajtën. Më 1982-1983 u arrit qëllimi i madh, ndonëse siç kujton ai, në Nikshiq të Malit të Zi apo Bitolë (Manastir) të Maqedonisë nuk u pritën aspak mirë.
Në sezonin pasardhës erdhi fitorja e madhe 3-1 në Beograd me Crvena Zvezdën, ku, siç thotë Vokrri, kishte plot e plot tifozë shqiptarë, si dhe ekipi i hendbollit të femrave të Kosovës që nuk e ndaloi këngën për asnjë çast. “E më pas doli në skenë kënga “Eho”, që këndohej në të gjithë stadiumet e botës, mirëpo organet sekrete serbe kësaj kënge i dhanë kah tjetër, duke thënë se “Eho” është kënduar kinse atë ditë që ka qenë ditëlindja e Enver Hoxhës. Shumë tifozë u arrestuan, u maltretuan dhe u dënuan me nga 60 ditë burg”, - kujton Vokrri.
Pas suksesit me Prishtinën, Fadilin e priste një skenë më e madhe, ajo e Partizanit të Beogradit, me të cilin ishte jo pak tifoz. “Më kërkuan Partizani dhe Dinamo e Zagrebit, - thotë ai. - Arsyeja që shkova në Beograd ishte largësia kilometrike me Prishtinën. Siç dihet atëbotë të ish-Jugosllavisë, Partizani ka pasur shumë simpatizues në Kosovë, sepse ky ekip gjithnjë kishte ndonjë shqiptar të aktivizuar në klub. Për nga shikueshmëria Partizani ka pasur Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë, tri qendra kryesore për rekrutimin e lojtarëve”.
Të tjera demonstrata dhe greva lidhen me karrierën e Vokrrit. Tashmë është viti 1989 dhe bëhet fjalë për grevën e urisë të minatorëve të Trepçës. “Kam kaluar mirë në këtë ekip (Partizanin), - tregon presidenti i sotëm, - mirëpo nuk kanë munguar edhe provokimet e ndryshme. Si p.sh. atëbotë, kur minatorët e Trepçës hynë në zgafelle (galeri). “TV Vesti” nga Beogradi, në emisionin në gjuhën shqipe në orën 17:00, më ftoi që unë të bëja thirrje që minatorët të dalin nga zgafella. Më janë paraqitur dy-tri herë emra të ndryshëm të sferës së politikës, mirëpo unë u thashë se nuk merrem me politikë dhe se janë politikanët të cilët mund të bëjnë thirrje”.