Sport » Legjenda
Didier Deschamps, futbollisti që preku të gjithë trofetë
E diele, 16.09.2007, 06:14 PM
Didier Deschamps është një ndër futbollistët francezë që ka fituar numrin më të madh të çmimeve. Ai ka lindur më 15 tetor të vitit 1968 në Bajonë. Pozicioni i tij i korrespondon atij të mbrojtësit dhe ka arritur të fitojë shumë tituj me klube të ndryshëm me të cilët ka luajtur përgjatë karrierës futbollistike. Gjithashtu në pozicionin e kapitenit të ekipit të Francës ka shkruar faqet më të bukura të karrierës së tij si futbollist, duke arritur të posedojë titujt e Kampionit të Botës në vitin 1998 dhe të Kampionit të Evropës më 2000. I mbiquajtur «Deshe» nga shokët e ekipit, ai thirrej edhe ndonjëherë Blanchard (vetëm nga Marcel Desailly), Maxitet apo Dede.
Familja
Deschamps rrjedh nga një familje e thjeshtë, nga e cila ka mësuar të gjitha bazat e jetës që ai bën: thjeshtësinë, punën, ndershmërinë. Nga viti në vit ai është formuar me normat e një familjeje të rregullt, ku mbizotëronte mirëkuptimi dhe harmonia. Edhe pse vitet iknin, nga ky formim nuk zbehej asgjë, përveçse flokëve dhe fizionomisë që ndryshonin. Si e gjithë familja, i ati i tij, Pierre, ishte një fshatar i dashuruar me natyrën dhe me ajrin e pastër. Ai punonte si piktor ndërtesash në Drejtorinë e Zonës dhe sapo fundjava fillonte të afrohej nuk e humbiste rastin të shkonte në fshat dhe të endej nëpër fusha. Përsa i përket fushës së sportit, ai preferonte më shumë topin oval që do të thoshte se nuk ishte shumë i prirur për futbollin. Megjithatë kur i biri i tij zgjodhi të ndiqte rrugën e futbollit në moshën 14-vjeçare, ai pati besim në aftësitë e tij. Deschamps është shprehur që: “Edhe pse lodra ime e parë nuk ishte një top, por një traktor, unë pata dëshirën e madhe të bëhesha futbollist. Ndoshta lodra pati lidhje më shumë me atë që im atë pëlqente në atë kohë”. Për zgjedhjen e rrugës së jetës, Didier pati aprovimin e tij dhe gjithashtu e ëma Ginette e ndihmoi shumë, i dha shumë kurajo dhe e përkrahu vazhdimisht.
Fëmijëria dhe studimet
Mund të thuhet se ai nuk ishte një nxënës i shkëlqyer, por gjithashtu jo edhe i mbrapshtë. Kishte disi vështirësi në lëndën e matematikës, por në përgjithësi ia dilte mbanë mirë. Para së të nisej në qendrën e formimit në Nantë, ku ndiqte mësimet me korrespondencë, ai ka ndjekur mësimet në dy kolegje në jugperëndim. Shkollën fillore e ka kryer në lagjen Sutar në Anglet dhe shkollën private të Shën Bernardit në Bajonë. Por kujtimi më i mirë i fëmijërisë së tij mbetet jeta në shtëpi pranë ajri të pastër, vajtjet për gjueti të panumërta që bënte me të atin dhe të vëllain, shëtitjet e pafundme në pjesën tjerë të qytetit në brigjet e Nivës. Ai ruan me shumë fanatizëm nga ajo kohë shijen e këtyre shëtitjeve, ku truri dhe syri fokusohej vetëm në jeshillëkun e natyrës. Gjithashtu, një ndër vendet e frekuentuar në fëmijërinë e tij ishte edhe Spanja, një vend të cilin ai e kujton me shumë nostalgji, ku shkonte shpesh për të ngrënë peshk në Dan Charia. Ditën që u largua nga shtëpia, në moshën 14-vjeçare, e kuptoi se në çfarë pike ishte i lidhur me vendin e tij dhe mbi të gjitha që i “ngjante” atij. Atje raportet ishin të drejtpërdrejta, si me njerëzit, ashtu edhe me natyrën dhe emocionet. Ai kishte karakterin e vendit të tij. Kur i vinte vetes një qëllim nuk tërhiqej kurrë pas. Nga anët e tij i thonin shpesh "kokëfortë". “Kur humbja në lojë e quaja veten lojtar të keq dhe ngulja këmbë si mushkë që të fitoja herës tjetër. Ndoshta nga kjo vjen edhe ambicia ime e çmendur për garën dhe sfidën”.
“Jeta e dytë” e Deschamps
Unë them gjithmonë: “Lojtari i futbollit ka dy jetë. E dyta fillon kur përfundon e para”. Ishte vetëm 17 vjeç, kur një vajzë me emrin Claude ndante me të gjithçka të tijën. Ata u takuan fare rastësisht në një mbrëmje në Nantë te disa miq të përbashkët. Në atë kohë ai luante atje dhe i ati i saj ishte një ndër drejtuesit e klubit të Konckarnos. Ishte pak e çuditshme ta besoje, por që ditën që e kishte parë ai e kishte kuptuar se ajo do të bëhej bashkëshortja e tij. Ishte vetëm 17 vjeç e gjysmë dhe ajo 19 vjeçe. Ajo banonte me të motrën, ndërsa Deschamps në qendër, por që rastësia bënte që të takoheshin shpesh. Vendimin për t’u bashkuar bashkë dhe për t’u bërë një çift i pandashëm e morën shumë shpejt. Claude, bashkëshortja e tij, ishte kumbare e anijes "Mistral", anija më e madhe e ndërtuar ndonjëherë në Francë që prej "le france". Ata morën pjesë në pagëzimin e anijes "Mistral" më 25 qershor të vitit 1999 në Kantierët Navalë të Atlantikës në Shën-Nazar. Claude ishte shumë e lidhur me vendin e saj Konkarno, në Bretanjë, por nuk ngurroi asnjë çast për të braktisur gjithçka me qëllim që të ndiqte bashkëshortin e saj. Ajo vetë ishte shprehur se jeta si bashkëshorte e një futbollisti nuk ishte e lehtë, por nuk ishte tërhequr për asnjë moment nga asnjë lloj vështirësie në karrierën e Deschamps. Hap pas hapi, të dy kanë ndërtuar etapat e jetës në çift, që nga koha kur ai fitonte 2 800 franga në muaj deri në ditët më të këqija. Ajo përfaqëson për të personin më të afërt dhe së bashku me pasardhësin e tyre të vogël janë gjërat më të rëndësishme të jetës së tij.
Fillimet e karrierës
“Aviron bayonnais” është klubi i parë amator i futbollit ku Deschamps pati fillimet në këtë sport. Ai i dha mundësinë që të dalin në pah aftësitë e tij deri në vitin 1982 në ligën e Aquitaine dhe të integrohet më pas në qendrën e formacionit të ekipit të Nantës. Në atë kohë ai njihej në Francë si lojtari më i mirë i vendit. Që në fillimet e tij me ekipin e Nantës, Deschamps u zbulua si një lojtar me shumë vullnet, i palodhur dhe me një personalitet të fortë. Ai luajti ndeshjen e parë të divizionit të parë më 27 shtator të vitit 1985. Duke qenë në pozicionin e mbrojtësit ai rikuperoi shumë e shumë topa dhe organizoi ekipin me vendosmëri dhe efikasitet. Kudo ku luajti, lojtarët dhe spektatorët njihnin cilësitë e tij të dukshme. I transferuar në OM në vitin 1989, Deschamps bëri një sezon në skuadrën e Girondins të Bordosë një vit më pas, para se të kthehet në Marsejë. Atje ai debuton duke fituar një listë të gjatë çmimesh. Arriti të bëhet dy herë kampion i Francë, përkatësisht në vitet 1990 dhe 1992. Ndërsa pikërisht në Ligën e Kampionëve ai hyn në historinë e futbollit francez sepse OM është klubi i parë francez që artin të fitojë këtë titull, në vitin 1993, në përfundim të ndeshje emocionuese kundër skuadrës së Milan, më një gol të shënuar me kokë nga Basile Boli.
Skuadra e Juventusit kërkon Deschamps
Skuadra e Juventus të Torinos (ku ka luajtur edhe i madhi Michel Platini) angazhoi Didier Deschamps në vitin 1994 për të rigjetur një talent të vërtetë, të aftë për të fituar çmime dhe për të korrur fitore. Suksesi ishte takimi me këtë lojtar. Skuadra e Juventusit ishte tre herë kampione e Italisë dhe fitoi një listë të gjatë kupash dhe çmimesh. Didier Deschamps mësohet me Zonjën e Vjetër në finalet evropiane dhe kombëtare. Francezi u bë i njohur si një ndër lojtarët më të mirë botërorë dhe performanca e tij në fushë njihej nga shumë tifozë tashmë.
Ekipi i Francës
I thirrur në ekipin francez nga trajneri kombëtar Michel Platini, që në prill të vitit 1989 (në ndeshjen kundër Jugosllavisë) ndërkohë që ishte vetëm 20 vjeç, Didier Deschamps njohu orët e errëta të futbollit francez: moskualifikimin për në Kupën e Botës në vitin 1990, Kampionatin Evropian në vitin 1992 dhe mbi të gjitha përjashtimin nga eliminatoret për Kupën e Botës së futbollit në vitin 1994. Në fishkëllimën përfundimtare të ndeshjes së famshme Francë-Bullgari në nëntor të vitit 1993, Didier Deschamps u shfaq si një ndër lojtarët francezë më i pikasuri nga disfata. Që pas kësaj ai bëhet gjithnjë e më kërkues dhe këmbëngulës ndaj vetes. Edhe pse iu desh të priste muajin qershor të vitit 1996 (në një ndeshje miqësore me Gjermaninë në përgatitje për Kampionatin Evropian të vitit 1996) për t’u bërë kapiten i ekipit francez, Didier Deschamps u afirmua që prej vitit 1994 si personi kyç i ekipit i përzgjedhur nga trajneri i ri Aime Jacquet, i cili gjeti te Deschamps lidhjen perfekte të teorisë dhe praktikës së tij. Por Deschamps ishte gjithashtu lojtari që e dëgjonte më shumë dhe që i përkushtohej dhe e privilegjonte edhe jashtë terrenit. Në vitin 1998, ekipi i Francës fitoi Kupën e Botës me gjithë prezencën e Deschamps, i cili ishte një ndër shkaqet kryesorë të ngadalësimit të lojës sulmuese të ekipit. Në këtë vrull e sipër ai arriti të fitojë edhe Kampionatin Evropian të vitit 2000. Megjithatë ky “pushtim” i ri nuk u bë më shumë lehtësira nga Deschamps. I dobësuar fizikisht, rendimenti i tij me blutë ishte shumë pak i rregullt sesa gjatë viteve të tij të bukur dhe ai i përjetoi me shumë dhimbje kritikat që ranë mbi të. Kritikat e medias, por edhe ato të disa nga shokët e skuadrës. Kjo gjë e nxiti të mos luajë më në ndeshjet ndërkombëtare në mbrëmjen e finales së lavdishme të Francë (në realitet, pas një ndeshjeje gala kundër dhe seleksionimi të FIFA-s në gusht, ai njohu një aventurë të fundit në formë jubileu kundër Anglisë në muajin shtator). Lojtari qëndroi në mendjen e tifozëve blu si padroni i skuadrës. Ai nuk kishte talentin dhe kreativitetin e Zidanit, por kishte cilësi të çmuara duruese, hovi dhe të organizimit të lojës. Në 103 seleksionime (rekord që ishte thyer nga Marcel Desailly dhe Lilian Thuram) ai humbi vetëm 12 ndeshje.
Nga lojtar në trajner
Në vitin 1999, Deschamps, i lënë i lirë nga skuadra e Juventusit, tentoi aventurën angleze dhe u nis për të marrë pjesë në skuadrën e Çelsit. Edhe një herë më shumë ai fitoi një tjetër titull: Kupën e Anglisë. Deschamps e përfundoi karrierën e tij si lojtar në Spanjë, në Valencia, duke ndërtuar një ndër fitoret më të bukura të mundshme (në vitin 2002, ai u klasifikua i 11 nga gazeta franceze Ekip me një repertor të tërë me çmimet më të bukur të futbollit ndërkombëtar të shekullit të XX). Që në atë kohë, ai mendoi të “rikonvertohet” dhe të përfitojë nga ekipet e tjerë dhe talentet e tyre. Ai u bë trajner dhe iu bashkua ekipit të Monakos. Viti i parë ishte i vështirë, por pasi kishte gjetur “gjurmët” e tij dhe falë një ekipi të talentuar (Rothen, Nonda, Giuly, një vit më pas Morientes), Monako arriti të fitojë Kupën e Ligës në vitin 2003 përballë Sosho. Ndërsa pak kohë më vonë realizoi një përshkim të mrekullueshëm në Ligën e Kampioneve në vitet 2003-2004, ku mund të përmenden fitorja 8-3 përballë ekipit La Korunja, eliminimi i Real Madridid, favorizues i provës në çerekfinale, më pas i Çelsit në gjysmëfinale. Vetëm Porto dhe lojtarët e tij të klasit botëror, si Ricardo Carvalho, Maniche dhe Deko tjetër të stërvitur në atë kohë nga Joze Mourinho, e ndaluan këtë ekip në finale, ku ndeshja përfundoi me rezultatin 0 me 3. Më 19 shtator të vitit 2005, pas rezultateve që të linin për të dëshiruar me ekipin e Monakos, ai mori vendimin për të braktisur postin e tij si trajner i ekipit. Ai u zëvendësua nga italiani Francesco Guidolin. Më 10 korrik të një viti më pas, ai konfirmoi se do ishte trajner i skuadrës së Juventusit të Torinos për dy sezone, cilado që të ishte seria në të cilën do të luante kjo skuadër. Si pasojë e një vendimi juridik, skuadra e Juventusit ishte më në fund e pozicionuar në serinë B me një penalitet nisje prej 17 pikësh, duke shkuar në 9 pikë si pasojë e një verdikti të prononcuar nga Gjykata Arbitrare Italiane natën e 27 tetorit të vitit 2006. Duke fituar titullin e kampionit të Serisë B një vit më pas 2007, Deschamps ngjiti pa problem skuadrën e Juventusit në Serinë A. Megjithatë më 26 maj të po këtij viti, Didier Deschamops njoftoi se do të jepte dorëheqjen nga posti i trajnerit të Zonjës së Vjetër. Raportet e tij të vështira me drejtorin sportiv Alessio Secco e nxitën të merrte këtë vendim.
Juventus i Torinos: Deschamps jep dorëheqjen
Didier Deschamps jep dorëheqjen nga ekipi bardhezi për herë të fundit të sezonit përballë ndeshjes me skuadrën e Mantovës. Sipas mediave italiane, Deschamps kishte vendosur të braktiste një ndër klubet më të njohur të Italisë si pasojë e një mbledhjeje shumë të polemizuar me drejtuesit e klubit. Ai i kishte takuar ata për të biseduar rreth një shtyrje të mundshme të kontratës pas ngjitjes në Serinë A. Nga muaji në muaj, i pëlqyer dhe i dashur për tifozët e Zonjës së Vjetër dhe nga ekipi drejtues, sidomos për shkak të zgjedhjeve të tij taktike, jo gjithmonë të pëlqyera, Deschamps pranoi të luante edhe në ndeshjen e fundit kundër skuadrës së Mantovës.
Deschamps jep dorëheqjen si trajner i Monakos
Më 19 shtator të vitit 2005 Didier Deschamps jep dorëheqjen nga posti i trajnerit të skuadrës së Monakos. Ish-kapiteni i ekipit të Francës është trajneri i parë që braktisi postin e tij atë sezon. Që Didier Deschamps dha dorëheqjen dhe pranoi në një farë mënyre disfatën, dukej e pamohueshme. Megjithatë, fjalët e ndryshme të përfolura në atë kohë pranë klubit të linin të mendoje se ishte thyer “afrimiteti” ndërmjet trajnerit dhe ekipit të tij. Pas një disfate 2 me 0 në shtëpinë e tyre përballë Rennes, Didier Deschamps u paraqiti dorëheqjen lojtarëve të tij. Dorëheqja u pranua nga klubi. Ish-kapiteni i ekipit të Francës i nxori kështu përfundimet nga fillimi i një sezoni të dështuar dhe nga një mosmirëkuptim nga drejtuesit e tij. Eliminimi në turin e tretë paraeliminator të Ligës së Kampioneve nga Betis Sevilje (me rezultatet 1-0, 2-2) fundi i muajit gusht, bëri që të krijohej një ambient i ashpër në radhët e klubit. Fillimi i kampionatit konfirmoi plotësisht këto mosmarrëveshje. Disa lojtarë kritikuan rekrutimin. I plagosur nga fjalët ai nuk ndihej mirë. Të ardhurit e rinj do të kishin dashur ta “pushtonin”. Por shumë larg privimit të fjalës lojtarëve të tij, Deschamps ka goditur aty ku do të kishte shkaktuar dhembje, duke afirmuar që Monakon “nuk ishte një klub i madh”. Në moshën 36-vjeçare, Deschamps, trajner i klubit të Monakos që prej vitit 2001, ishte tekniku i vetëm në këtë post që prej shumë sezoneve pranë së njëjtit klub në Ligën 1.
Emri : Didier
Mbiemri : Deschamps
Kombësia : Francë
Ditëlindja : 15.10. 1968
Vendlindja : Bajonë