E enjte, 03.10.2024, 02:44 PM (GMT+1)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: 35 vjet nga një ditë e ''përcaktueme''

E hene, 16.12.2013, 11:00 PM


35  VJET  NGA  NJË  DITË  E  “PARACAKTUEME”...

EKSKLUZIVE NGA FRITZ RADOVANI

Nder ngjarjet ma të shenueme të Epokës 2000 vjeçare të Kishës Katolike Botnore, asht data 16 Tetor 1978, atë ditë, kur Karol Wojtila i Polonisë komuniste zgjidhet Papë. Diten që u shpall zgjedhja e Tij si Papë per gjithë Boten u krijue një mendim nder të gjithë besimtarët katolik: “U lindi një shpresë”...ndoshta, nga dëshira e ndrydhun!

Mbas vitit 1963 që na dukej aq larg kur e mendojshim... Portreti i polakut Wojtila, sikur shpjegonte dishka të mëshefun mbrenda një fisnikije të paster. Të gjithë pa pikë dyshimi besonin në një forcë shpirtnore që buronte nga Atdhetarizmi polak i njohun dhe i perforcuem në dy betejat e pergjakshme të Luftës së Dytë Botnore, e ndoshta, krejt i pa provuem në Europë, perballë dy diktatorëve të asaj luftë: Hitler e Stalin. Madhështia e një Burri si Ai, ishte e lidhun me forcen shpirtnore dhe kuptohej vetem në përzemërsinë që shperthente kur bahej fjalë per persekucionin dhe shtypjen e të drejtave të njeriut.

Papa Gjon Pali II dukej si një vullkan kur fliste per Lirinë e Popujve të robnuem dhe, nuk mund të permbahej dhimbja shpirtnore e Tij kur fliste per Lirinë e Fesë. Ishte perballë Selisë së Tij në Vatikan, shemtimi ma i madh i Shekullit XX, Shqipnia ateiste e dhunueme nga komunistët sllavo – otoman ku, masakrohej çdo Njeri që beson në Zotin!

E, a mund ta pranonte këte Gjenocid në Atdheun e Gjergj Kastriotit një Polak?!

E, a mujte me heshtë një Papë, kur Zemra e Nanë Terezës pikonte gjak?!

E, a mujte një Papë, me pa Popullin e Ibrahim Rrugovës, në fund të shek. XX, tue e dëbue nga Trojet e veta një barbar komunist sllav?!

Një portret i një Pape që tregonte mendimin e thellë e të përqendruem tek sa e sa viktima të komunizmit dhe terrorizmit skllavnues, i cili, vetem me sy na jepte forcë!

Në vitin 1980 Papa Gjon Pali II, vizitoi në Jug të Italisë Otranton, e atje tha:

“Unë nuk rrij pa sjellë sytë nga Kisha Katolike heroike në Shqipni, e permbysun nga persekutimi i eger dhe i gjatë, por e pasunueme me dashuninë e Martirëve të Saj...” Atëherë nuk na besohej se një Papë Polak dinte aq shumë per vuejtjet tona...

Kur Papa vizitoi qytetin e Barit në vitin 1984, Ai persëriti edhe njëherë: “Mendja më shkon nga ky qytet, tek vllaznit e motrat e Shqipnisë, të cilët nuk mund të shfaqin haptas besimin e tyne fetar, një e drejtë themelore e kenjeve njerzore. Po ju këshilloj në lutjet tua të perbashkëta, se due ti siguroj këta vllazen që janë kaq të lodhun, se ata kanë një vend të veçantë në zemren time dhe ia Besoj per mbrojtje Zojës sonë!”

Në muejn Prill 1986, Papa vizitoi komunitetit katolik Shqiptar në Romë, dhe i tha fratit Shqiptar At Daniel Gjeçaj OFM., këto fjalë të paharrueshme: “Çdo ditë, sidomos gjatë sakrificës eukaristike, unë perpiqem të jetoj martirizimin tuej, të besimtarëve tuej, të vllazenve dhe motrave tona në Shqipni. Unë lutem çdo ditë per t’ ardhmen tuej, per  të gjithë besimtarët e besimeve të ndryshme dhe per Kishen në Shqipni, e cila në dukje, asht zhdukë...Unë e baj këte tue qendrue para Botës, sepse Bota duhet ta kuptojnë këte vuejtje, duhet ta kuptojnë këte padrejtësi!”

Dhe, pikrisht me 25 Prill 1993, plot 20 vjet perpara Papa Gjon Pali II puthi edhe Token Shqiptare, Até Tokë të lame me Gjak Martirësh, per të cilen Ai lutej çdo ditë!

Ai vinte nga një Aushvic... në një Tiranë tiranësh, ku vrasjet e besimtarëve të Tij ishin anë e kand një cope tokë, jo ma e madhe se 28.000 km. katror...e ku, nen çdo pllambë Tokë...ishte një Klerik Katolik Shqiptar i masakruem...Pa Kryq tek koka!

Shqipnia mbas vitit 1968, nuk kishte asnjë Kishë Katolike të padhunueeme...

Ai vinte në Shkodër, mu në qendren e Gjenocidit komunist kunder Klerit Katolik Shqiptar, pikrisht aty ku, edhe vetë Europa nuk dinte (ose bante sikur nuk dinte) per  çka kishte ngja! Ai vertetë vinte nga një Poloni e robnueme, po në dorë kishte “çelsat” e një Kështjelle ma të dhunuemen në Ballkan me emnin “Rozafat”, ku pikrisht,... brijë sajë, mbi rrenojat e barbarëve të vitit 1967, Ai vuni me duert’ e Tij një Gurë...

Gurë që nuk do të tundet ma kurrë!..

Ishte porosi e Palit që në vitin 68 mbas Krishtit...

Atij Pali, paraardhës i Gjon Pali II..! Ky ishte polak... po ishte edhe yni!

Po, Po, i Shqiptarëve të Gjergjit... Bash Atij Prijsit Shqipeve që mbrojti Europen!

E para shtatores së Tij prej bronxi na la këte porosi:

“Të dashtun Vllazën e Motra! Sa herë në të kaluemen ju asht dashtë me ruejtë identitetin tuej. Me një angazhim të tillë, sikur edhe vetë ky shesh na e kujton, u shque figura e naltë e të Krishtenit Gjergj Kastriotit Skenderbeut, i respektuem nga Papët e Romës dhe përjetësisht i gjallë në kujtimin e Popullit Shqiptar...

Ajo që ka ngja në Shqipni, të dashtun Vllazën e Motra s’ ishte pa kurrë në historinë e njerzimit... Europa duhet ta dijë...

Shqiptarë, Mos kini frikë!..”

***

35 vjet u banë që u zgjodh Papa Gjon Pali II...Me daten 16 Tetor 2013 !

Askush nuk mund të parashikonte se 20 vjet maparë, Ky Njeri i Madh që me thirrjen e Tij “Mos kini frikë!”... do të shemte komunizmin barbar të Shek. XX, dhe në vitin 1993...do të zbatonte dëshiren e vjeter të Papëve të Romës, me vizitue Shqipninë.

Tashti nuk ishte vetem Shqipnia e Gjergj Kastriotit po, edhe e Nanë Terezës...

Né që e kemi pa me sy në Katedralen e Shkodres, kemi pasë fatin e madh dhe ndoshta, të papërsëritshëm...me pa me sytë tonë Një Yll që kaloi në 130 vende të Botës, tue u dhanë dritë, dashni, paqë, mirkuptim, buzqeshjen e harrueme, e ma shumë se të gjitha, shpresë, guxim e trimni per vepra të mëdha në sherbim të Njerzimit...

“Mos kini frikë!”...

Me daten 3 Qershor 1991...edhe unë nëpermjet Imz. Mikel Koliqit... I bana një mesazh!... Me daten 8 Qershor, ora 19.00 mora përgjegjen bashkë me Bekimin e Tij...

Nuk kishte si me kenë rastësi ardhja e Gjon Palit II në Vatikan!

Janë plot 35 vjet...që u realizue edhe “Një Ditë e paracaktueme!..”



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora