Shtesë » Shoqëria
Gjekë Gjonaj: Histori e vërtetë dashurie
E diele, 22.09.2013, 06:39 PM
Çifti Zagreda me djalin Kola
Çifti Ejll dhe Age Zagreda kremtoi 70-vjetorin e martesës
Histori e vërtetë dashurie
Nga Gjekë Gjonaj
Në muajin
shtator të këtij viti u mbushën 70 vjet, prej kur Ejll Zagreda ( 88 vjeç) nga
fshati Reç dhe Age Palja ( 91 vjeç) nga
fshati Kllezën të komunës së Ulqinit
deklaruan “ po” para priftit
Dom Nikollë Tusha në Kishën e Shëngjergjit.
O, more bir, a
dëshiron të dish të vërtetën e
martesës sonë? - më thanë të buzëqeshur me shumë dashuri në fillim të bisedës çifti shqiptar i moshuar, ditën e vizitës sime në shtëpinë e
tyre madhështore në vendlindje, një ditë
para kthimit të tyre në Amerikë.
Po, kam kënaqësi t’u dëgjoj - u përgjigja.
Dhe siç thotë Kanuni i Lekës i pari fillon bisedën
Ejlli.
“ Babai e xhaxhai më fejuan
sipas traditës në moshën 13 vjeçare, pa më pyetur fare.
E fejuara ime ishte tri vjet më e
vjetër. Nuk e njihja. As ajo mua. Pesë vjet ndejta i fejuar, dhe nuk arrita asnjëherë, as ta shoh e lëre më të takohem me
shokun e jetës. Ndoshta sot ju
duket e çuditshme, por e vërtetë. Herën e parë u pamë ditën e kurorëzimit. Duhej
respektuar zakonet e martesës së familjeve fshatare në gjysmën e parë të
shekullit të kaluar. Kur isha adoleshent
nuk më ka shkuar ndërmend se mund të më plotësohet ëndrra e rinisë sime.
Ishin prindërit ata që vendosnin dhe lidhnin krushqi për fëmijët e tyre.Rolin
vendimtar e luanin interesat e shtëpisë e jo
dëshirat personale të të rinjve”,
thotë me seriozitet Ejjli, burrë i ndershëm e
human.
Po , po, - ndërhyn buzagaz bashkëshortja e tij Ageja – as unë deri ditën e martesës nuk dija se si duket burri im. "Në atë kohë ishte marre ( turp) me u takua me të fejuarin. Martesa e
vajzave asokohe nuk varej nga dëshira e
tyre, por nga interesi i familjes”, shprehet Ageja, në praninë e djalit
të saj Kolës dhe kushëririt të burrit
Nocit.
Edhe pse, as Ejlli, as Ageja kurrë nuk pyetën zemrat e
tyre kur është fjala për martesë, por
prindërit bënë si deshtën vet, me shumë
dashuri e respekt e kanë pranuar jetesën
e përbashkët. “ Më parë e kisha pranuar vdekjen se sa e kisha thyer fjalën ( vullnetin) e prindërve pa marrë parasysh se a jemi pëlqyer
njëri me tjetrin. Deklarimi kundër vullnetit atëror do të ishte krim për mua që nuk do ta bëja
kurrë”, thotë me bindje të plotë Ejlli. ”
Ejll dhe Ege
Zagreda është një çift martesor model.
Shembull se si duhet të jetojnë bashkë
burrë e grua në harmoni dhe
lumturi familjare. Me shembullin e tyre
dëshmuan se dashuria, për të cilën, siç thashë,
nuk i kanë pyetur zemrat, është më e fortë se gjithçka tjetër, dhe se me durim mund të jetohet edhe 70 vjet bashkë. Çifti
Zagreda është modeli më i përkryer për t’u pasur një histori martese. Gjithmonë
të pandarë, ata ngjallin admirim tek
fëmijët, farefisi dhe miqtë e
tyre. Ejlli e Ageja po ashtu mund t’ju
shërbejnë si shembull i shkëlqyer çifteve të reja të sapormartuar, që për herë të parë ballafaqohen
me probleme martesore.
Marrëdhënia që kanë mes tyre ngjall admirim.
Është e
çuditshme që gjatë kësaj periudhe 70-vjeçare që njihen, gjithmonë kanë qenë
bashkë dhe përherë kanë pasur harmoni.
Në çdo shaka, darkë, lëvizje, punë, në çdo moment, thonë ata, gjithmonë kanë
pasur marrëveshje.
Gjatë jetës së
gjatë e të lumtur bashkëshortore sollën
në jetë shtatë fëmijë: katër vajza dhe tre djemë, prej të cilëve dy u kanë
vdekur pa i mbushur gjashtë muaj. Gëzimi
i tyre më i madh sot janë djemtë: Kola e
Gjergji, dhe vajzat: Roza, Vitorja dhe
Kusha , të gjithë të martuar dhe jetojnë
të gëzuar me familjet e tyre në Amerikë. Pjesë e familjes së këtij çifti
të rrallë janë afro 40 nipa e mbesa,
disa prej të cilëve me shkollim të
lartë.
Çifti i moshuar Zagreda, i cili qysh në vitin 1968 jeton jashtë vendlindjes në Amerikë, gëzon shëndet të mirë. Të dy janë vital, të shkathët, shohin dhe dëgjojnë mirë. Mendjen e kanë të kthjethtë. Ageja edhe sot vetë e shtjen penin në gjilpërë . Ndërkaq, Ejlli nget ( drejton) veturën, sikur në moshën e pjekurisë . Pleqëria e tyre e thellë deri sivjet nuk i ka penguar të vijnë e të çmallen, të çlodhen dhe të kënaqen çdo verë në vendlindjen e tyre, që e duan shumë. Dhe pas pak muajsh ku i merr malli për fëmijët kthehen përsëri në Amerikë.
Fëmijët
prindërve të tyre sivjet u kanë
organizuar në Nju-Jork një gosti të madhe për nder të 70 vjetorit të martesës.
Përvjetorin e martesës e kanë shënuar
edhe në Ulqin.
Për jubileun e
tyre ka dëgjuar edhe Papa Françesku, në Selinë e Shenjtë në Vatikan. Shkëlqesia
e tij, çiftit Zagreda, u ka dhënë Bekimin Apostolik, në të cilin thuhet: „
Shenjtëria e tij Papa Françesku me gjithë zemër u ka dhënë çiftit të moshuar
Ejllit dhe Ages Zagreda Bekimin e Tij Apostolik duke thirrur plotësinë e hireve
me rastin e 70-vjetorit të martesës“.
Nga biseda kuptova se në mes të këtij çifti, që i kam
miq familjar të dëshmuar, ende ka
dshuri, ka respekt, ka tolerancë,ka mirëkuptim. Të dy e duan dhe e nderojnë njëri-tjetrin,tani në pleqëri edhe më shumë.
Nuk munden njëri-pa tjetrin.Thonë se janë bërë një dhe se për asnjë çast nuk do
të dëshironin të jetonin pa shoqin. Ka
gjëra shumë konkrete që bëjnë bashkëshortët për të ndihmuar dhe mbrojtur shëndetin e
njëri-tjetrit. Por ndoshta kontributi më i madh është emocional.
„ Fatlum është ai njeri , sidomos në
pleqëri, që ka dikë me të cilin bisedon,
i shpreh emocionet. Kjo rezulton në përfitime reale fizike dhe emocionale“,
thonë në ndarje çifti Zagreda, të cilëve
u uruam udhëtim të mbarë për në Amerikë dhe
jetë të shëndetshme edhe shumë vite të tjera.
Dhashtë Zoti që së bashku të festojmë 75 vjetorin e martesës së tyre në Ulqin.