E merkure, 16.10.2024, 05:29 AM (GMT+1)

Intervista

Marjan Sebaj-Sopi: Intervistë ekskluzive me Patër Shtjefën Dodën

E diele, 16.06.2013, 01:43 PM


Intervistë me Patër (At) Shtjefën DODA, SJ

Kemi nderin të paraqesim këtë intervistë me Patër Shtjefën Dodën, ekskluzivisht për Zemra Shqiptare. Intervista do të publikohet së shpejti në portalin dhe revistën e famullisë.

Marjan Sebaj-SOPI: Patër Shtjefën, Ju jemi mirënjohës që gjetët kohë të na jepni një intervistë të shkurtër për portalin tonë të famullisë dhe revistën Shën Antoni i Padovës. Në fillim kemi zakon të na paraqiteni me disa të dhëna të shkurtra rreth biografisë Tuaj? 

Pater (At) Shtjefen DODA: Me nder qofshi. Më vjen mirë që me këtë intervistë po ma jepni një rast ta bëj një rifreskim, të reflektoj më thellë, që t`i rigjej gjurmët e Zotit në jetën time. Po më gëzon fakti që po shfaqni interesim për njohjen e tjetrit, për biografinë e të afërmve. Njohja e njëri-tjetrit është hapi i parë për tu rritur mirëbesimi e dashuria në mes njerëzve.

Për çdo njeri mund të themi se ka disa të vërteta në vetvete të cilat i dinë të gjithë – këtu bëjnë pjesë para së gjithash të dhënat që janë publike: emri, mbiemri, familja, kombësia, feja. Përveç kësaj ekzistojnë edhe të vërteta që i dinë vetëm familja ose të afërmit e personit. Mirëpo ekzistojnë edhe të vërteta që i di vetëm personi. Nëse kësaj ia shtojmë që vetëm Zoti i di të gjitha, atëherë te çdo biografi përballemi me një mister të shenjtë, që ngjallë kërshëri, çudi... respekt. Kjo na tërheq, na shtyn edhe ta njohim më shumë. Simone Weil ka thënë një gjë të mrekullueshme: "Ne nuk jemi tjetër veçse rrugë së cilës kalon dashuria".

Jam biri i Gjonit (Tonit Dodës) dhe Sofisë (l. Pali). U linda në atmosferën e Krishtlindjes, me 26 dhjetor të vitit 1975 në Stubëll të Epërme. Këtu i kam kaluar vitet e para të fëmijërisë, në një rreth të varfër, por të devotshëm familjar. Edhe pse pak vite jetova në këtë fshat, ende mund t`i kujtoj rastet e veçanta me vëllezërit e motrat: momentet e lojërave të ndryshme, punët që i bënin më të moshuarit, dhe ne të vegjlit që mundoheshim t`i imitonim, përjetimin magjeps të natyrës me fusha e male dhe kafshëve shtëpiake, por edhe të shpërnguljes së familjes në fshatin Kabash. 

Marjan Sebaj-SOPI: Çka kishit veçuar nga jeta Juaj fëmijërore apo rinore në fshatin tuaj Kabash, apo ndonjë ngjarje që Ju ka lënë mbresa në famulli, raportet mes miqve, banorëve të fshatit etj.?

Pater Shtjefen DODA: Qysh si fëmijë, bashkë me familjen, e pata përvojën e Abrahamit, i cili e dëgjoi fjalën e Zotit: “Largohu nga vendi yt, nga të afërmit e tu dhe nga shtëpia e babait tënd, dhe shko në vendin që do të të tregoj.” (Zan 12,1). Në këtë përvojë fillova të mësoj dorëzimin në udhëheqjen e Zotit, lëshimin e gjërave dhe nisjen në rrugë të reja, përshtatjen në rrethana të reja, me njerëz të rinj. Sado e hidhur, ishte kjo një përvojë që më përgatiti më vonë për shumë largime ose “dalje nga vendi yt”, që ato t`i pranoj si pjesë e jetës. Sot kur reflektoj lidhur me këtë ngjarje, nuk mund të mos e shoh gishtin e Zotit, përkujdesjen e shpërblimin e tij për ata që kanë besim në të.

Në fshatin e ri, në Kabash, në vitin 1982 u regjistrova në klasë të parë të shkollës fillore. Përvoja e mbështetjes së familjes shumanëtarëshe që më shoqëronte, por edhe shpërngulja në mjedis të ri kishin krijuar në mua tashmë një gatishmëri për t`u ballafaquar me sfidat e jetës. Prandaj me seriozitet fillova të mësoj. Megjithëse ndjeja një druajtje për shkak të njerëzve dhe të ardhmes së panjohur, shkolla më shkonte mirë.

Më kujtohet dëshira ime e madhe për të luajtur futboll, gëzimi që dikush kishte blerë një top, zhgënjimi për dëmtimin e tij, shqetësimi se si do t`ia bënim tash pa top, pamundësia për të gjetur vend për tu argëtuar... Këto pamundësi na shtynin që ta zhvillonim imagjinatën për të krijuar mundësi vetë për lojë dhe argëtim – qoftë me ndreqjen vetë të një “koshi” për basketboll, qoftë të skive prej druri a kauçuku a ndonjë saji për rrëshqitje në borë...

Më tërhiqte edhe vizatimi. Zbulova edhe magjepsjen e ngjyrave dhe përzierjen e tyre që më shtynin të njihja mundësi të reja për të krijuar finesa të reja në paraqitjen e brigjeve dhe maleve, por edhe të portreteve të njerëzve. Çdo fletë e bardhë ishte e çmueshme dhe duhej pasur kujdes që mos ta përshkëllija a të më shkonte huq... Eh, po të kisha pasur më shumë fletë të bardha blloku, me siguri do të kënaqesha duke eksperimentuar, zbuluar, e duke kaluar me orë të tëra në vizatim e pikturim... Kushedi, ndoshta do të bëhesha edhe piktor!?

Më kujtohet që kisha qejf të shkoja në mësim feje, respektivisht në katekezë, që na jepnin motrat rregulltare në Binçë. I kujtoj edhe vështirësitë e viteve të para, kur më duhej vetë të shkoja këmbë në mëngjes nga Kabashi te kisha e Binçës. Rrugës hasja në qenë dhe kafshë të tjera, që ma ndalonin rrugën dhe ndihesha i pafuqishëm... Brengosesha kur mungoja në atë orë mësimi të fesë, sepse nuk doja të krijoja pakënaqësi te motra ose prifti, por edhe për shkak se më tërhiqnin historitë biblike dhe gjërat e shpirtit, çështjet e jetës së amshuar...

Për shkak të mjedisit të ri dhe njerëzve të panjohur qëndroja më shumë i kthyer në vetvete, duke u marrë me botën time të brendshme. Mu desh një kohë që të filloja të jem më i shoqërueshëm dhe t`i shfaqja para të tjerëve pa frikë talentet që mi kishte dhënë Zoti. Megjithatë këtë e bëja gjithmonë me një dozë rezerve që mos të bija shumë në sy. Sigurisht që edukimi i rrethit që e çmonte shmangien e mendjemadhësisë dhe promovonte virtytin e përvujtërisë, të mos rënit në sy, më ishin ngulitur në mendje.

Marjan Sebaj-SOPI: Çka Ju shtyri, ose cili ishte momenti kyç që Ju si djalë i ri të përcaktoheni për thirrjen meshtarake?

Pater Shtjefen DODA: Çështjet e jetës shpirtërore më kanë tërhequr gjithmonë, që nga fëmijëria. Atmosfera në familje ku lutej rruzarja e Zojës së bekuar, zakonisht në mbrëmje, krijonte në mua një mprehje perceptimi të gjërave shpirtërore. Kështu fillova të përthellohem në përshpirtëri. Edhe pse nuk i kuptoja të gjitha, parandieja se diçka misterioze po ngjante në këto “mbledhje” familjare. Kisha përshtypjen se kishte “diçka” më shumë se familja. Ekzistonte “Dikush”, ose një “i Panjohur”, të cilit familja i drejtohej dhe kishte besim në Të. Ato 15 a 20 minuta kohë, sa zgjaste rruzarja e shenjtë, për mua ishin të mjaftueshme që të qetësohesha e të merresha me botën time të brendshme. Kështu që fillova të bluaja me mend ndonjërën prej fjalëve apo ngjarjeve të atyre lutjeve që përsëriteshin si përkundje në djep. Por edhe babai i kishte në qejf bisedat për gjërat e amshuara, gjë që edhe mua më fascinonin.

Më kujtohet që në bashkëbisedime me moshatarë kur më pyetnin se çka do të bëhesha kur të rritesha, unë kisha përgjigje të prerë dhe disi të vetëkuptueshme: prift! Mirëpo, këtë nuk ua thosha prindërve në mënyrë të drejtpërdrejt. Kah fundi i shkollës fillore, kur edhe trazirat e kohës në ish Jugosllavi filluan të ndiheshin edhe më shumë tek ne, e parandieja se tashmë më duhej marrë një vendim të rëndësishëm për jetën time të ardhshme. U tregova prindërve. Së pari nënës. Kjo brengosej paksa se ku po shkoja në këtë kohë trazirash. “Dua të shkoj në seminar, i thash”, me një ton zëri, që nënkuptonte bindjen time të qartë.

Me siguri që edhe shembulli dhe roli i famullitarit dhe motrave rregulltare në bashkësi, por edhe fakti që nga famullia e Binçës kishte edhe kandidat për priftërinj, më dhanë më shumë fuqi për të vendosur për tu nisur rrugës së meshtarisë.

Ishte një ndjenjë sigurie e thellë në shpirt, që Jezu Krishti po më thërret që të veproja si ai, t`u ndihmoja të tjerëve, të isha në shërbim të të tjerëve.

Kështu, shkova një ditë dhe ia shfaqa edhe famullitarit tonë të dashur Don Ndue Gjergjit, vendimin që kisha marrë – të bëhem prift. I gëzuar më udhëzoi për hapat që duheshin bërë për seminar.

Marjan Sebaj-SOPI: Ju u përcaktuat që tërë jetën Tuaj ta vëni në shërbim të Zotit dhe vëllait e motrës njeri. Cila ishte rruga Juaj e mëtutjeshme? 

Pater Shtjefen DODA: Meqenëse në atë kohë dioqeza Shkup-Prizren s`kishte seminar të vetin, ku do të mësohej shqip, seminaristët (kandidatët për priftërinj) dërgoheshin nga ipeshkvia në seminarin e Shkupit ku mësohej në gjuhën kroate. Në vitin 1990 nuk kishte tjetër kandidat për prift nga dioqeza jonë, kështu që në vend të Shkupit – ku zakonisht seminaristët i kalonin dy vitet e para të gjimnazit – më dërguan direkt në seminarin “Paulinum” në gjimnazin ipeshkvnor klasik në Suboticë.

Në fillim mu desh të ballafaqohesha me sfidën jo pak të lehtë të mësimit të gjuhës (serbo) kroate. Thuaja mu desh të filloja nga zeroja. Falë bashkëvëllezërve seminaristë të tjerë shqiptarë dhe atmosferës së mirë që mbretëronte në këtë internat djemsh e përvetësova këtë gjuhë. Këtu mu dha mundësia t`i zhvilloja talentet e mia qoftë sportive, artistike, por edhe që të përthellohesha në jetën shpirtërore duke u forcuar në fe, shpresë e dashuri.

Nuk shkoi shumë dhe u mësova me mjedisin e ri dhe me njerëz të huaj me të cilët shpejt u njohëm dhe krijuam shoqëri. Seminarin “Paulinum” e karakterizonte bashkëjetesa internacionale. Përveç nesh Shqiptarëve, këtu me ne jetonin nxënës  Hungarezë, Maqedonas e Kroatë. Nuk mungonin as shakatë në mes veti, qoftë edhe kur ishin ato me thepa. Mirëpo në kohën time asnjëherë nuk e kemi vërejtur që prejardhja ose kombësia e njërit të ishte a të bëhej problem për ndonjërin prej nesh. Të gjithë ishim shokë, dhe dallimet vetëm çka e bënin më interesante dhe e pasuronin jetën e përbashkët në seminar.

Në “Paulinum” i frymëzuar nga shembulli i shokut tim Albert Danit, që i binte me entuziazëm melodive të ndryshme në piano që ndodhej në bodrumin e seminarit, por edhe i nxitur nga rektori i seminarit Jozef Mioç, që vetë kishte mjaft prirje dhe na mësonte muzikë, që si duket kishte vërejtur talentin tim, fillova edhe unë t`i bija pianos. Kisha aq pasion për muzikë, sa që prefekti (kujdestari) i atëhershëm i seminarit Don Mato Jakoviq, na bëri me dije, sidomos disave prej nesh “muzikantëve”, që një ditë do të na merrte çelësat e dhomëzave për të na pamundësuar hyrjen te pianot. E kuptuam se e kishim tepruar. Ekzistonin edhe gjëra të tjera të vlefshme në jetë, që s`duhej lënë pas dore.

Jeta mori një drejtim dhe një ritëm që na bënte mirë.

Në Suboticë i kalova katër vjet, ku edhe mbarova maturën në vitin 1994.

Marjan Sebaj-SOPI: Pas përfundimit të shkollimit të mesëm vazhduat fakultetin filozofik-teologjik në Zagreb. Çfarë përshtypjesh keni nga jeta studentore?

Pater Shtjefen DODA: Pas maturës ishte një kohë mjaft e çuditshme, me shumë paqartësi, dezorientime. Çdo moment mund të merrte kahje të paparashikueshme. Befasitë, si për mirë ashtu edhe për keq, ishin pothuajse pjesë e ditës. Kjo kohë disi ma kujtonte atë daljen apo shpërnguljen e familjes. Mirëpo, edhe pse kishte të bënte me një realitet të njëjtë, me daljen, nisjen në të panjohurën, tash veç këtë ballafaqim e përjetoja më ndryshe.

Në atë kohë ipeshkvi ynë i dashur Imzot Nikë Prela ishte i sëmurë dhe e ndieja se brengosej për ne të rinjtë e për të ardhmen tonë. Kisha një respekt të madh për të. E ndieja se na donte, edhe kur nervozohej në ne ndihej dëshira e tij që të arrinim më shumë në jetë. Këshillat e tija të shkurta dhe disi largpamëse, të dhëna si prej ati shpirtëror, na motivonin dhe ndiheshim më të sigurt në trazirat e kohës.

Tashmë gati ishte afruar koha për fillimin e vitit të ri shkollor dhe unë ende nuk po merrja kurrfarë përgjigje se ku më duhej të vazhdoja studimet. E dija që zakonisht ipeshkvi i dërgonte seminaristët në Kroaci për të studiuar filozofi e teologji, qoftë në “Kaptol-in” dioqezan, qoftë në kolegjin e jezuitëve në Jordanovac. Prita sa prita dhe disi i brengosur për heshtjen e përgjegjësve fillova të mendoja për ndonjë mundësi tjetër të rrjedhës së jetës... Cila do të ishte se? Kur papritmas një ditë më telefonoi Don Lucjan Avgustini. Ai më dha zemër që, edhe pse me vonesë, të nisesha për Zagreb në kolegjin e jezuitëve për të vazhduar studimet në filozofi e teologji. Sa u gëzova aq edhe e pyesja veten si do të paraqitesha tani kur gjithçka kishte filluar, edhe provimi pranues në fakultet kishte përfunduar. U nisa me besim në Zotin dhe në premtimin se Don Mato Jakoviq do të më priste në aeroportin e Zagrebit për të ndërmjetësuar dhe garantuar në kufijtë shtetëror hyrjen time në Kroaci. Dhe ashtu ndodhi. Isha i lëshuar tërësisht në duart e të tjerëve, ose më mirë të them në duart e të “Panjohurit”. Erdha në kolegjin ku banonin edhe seminaristë të tjerë Shqiptarë, në Jordanovac. Pas një bisedimi serioz me rektorin P. Valentin Pozaiq, siç e kërkonin edhe rrethanat e tilla, u pranova në kolegj si student i teologjisë i ipeshkvisë Shkup-Prizren. Në këtë kolegj u sistemova në dhomat e parapara për studentë të teologjisë që vinin nga shtetet e ish Jugosllavisë. Kishte edhe disa të tillë nga Ukraina, katolikë që i përkisnin ritit bizantin.

Sërish mu desh të filloja adaptimin në një ambient të ri, me njerëz dhe rrethana të reja. Më prisnin sfida të reja: njohja me njerëz të rinj, me program dhe mënyrë të re mësimi, me lëndë të reja, me kulturë të re... Kërkohej zemërgjerësi, durim, vëmendje, gatishmëri për tu korrigjuar dhe përmirësuar në gjuhën kroate... Me një fjalë kërkohej një shpirt kreativiteti dhe gatishmërie për tu lëshuar dhe mësuar rrugë të reja.

Faleminderit Zotit, studimet filozofike dyvjeçare i kreva me sukses. Më 1996 diplomova. Në këtë gjë më ndihmoi edhe prirja që kisha për reflektime filozofike. Çështjet mbi pse-në e çdo gjëje, kuptimin dhe qëllimin e jetës, disi më përshtateshin. Terminologjia e re, shpirti i shikimit të gjërave me sy kritik (filozofik), ngjallën në mua një kërshëri për të zbuluar botën përtej asaj që dukej, gjë që më familjarizoi me lëndët filozofike.

Në Zagreb ndodhej edhe Misioni Katolik Shqiptar, që në njëfarë mënyre paraqiste atdheun tonë në diasporë. Të përmalluar për vendlindje të dielave me entuziazëm merrnim pjesë në meshën shenjte në shqip. Pas meshe takonim edhe Shqiptarë të tjerë të Zagrebit, kështu që ktheheshim në kolegj disi më të freskët.

Marjan Sebaj-SOPI: Pastaj erdhi dita e madhe për Ju e për famullinë tonë, për popullin shqiptar, u shuguruat meshtar. Si e përjetuat këtë ditë? Por, Ju kishim lutur këtu që paraprakisht të na shpjegoni çka ndikoi, çka Ju shtyri, apo momenti vendimtar që iu bashkëngjitët urdhrit të Jezuitëve?

Pater Shtjefen DODA: Po, para se të vazhdoja studimet në teologji mora një vendim tjetër të rëndësishëm që do ta ridrejtonte jetën time personale dhe do të ndikojë dukshëm në biografinë time. Duke jetuar me etërit jezuitë në kolegjin në Jordanovac, gjatë studimit në filozofi, e njoha edhe mënyrën e jetës rregulltare të tyre. Më la përshtypje arsimimi i tyre i lartë, por njëkohësisht edhe thjeshtësia dhe përvujtëria e tyre shpirtërore. Ishte në fakt përshpirtëria injaciane që më tërhiqte, por edhe mënyra e jetesës në bashkësi, që është tipike për jetën rregulltare. Ati im shpirtëror ishte jezuiti P. Miljenko Beliq. Ai ka qenë shoqërues shpirtëror edhe për shumë studentë të tjerë shqiptarë. Bashkëbisedimet shpirtërore me të, zemërgjerësia, urtia dhe këshillat e tij, më kanë ndihmuar shumë në pjekurinë e besimit, shpresës dhe dashurisë në mua.

Kështu, pas një reflektimi dhe lutjeje më të thellë vendosa t`i bashkëngjitesha urdhrit jezuit. Tani, kur kthehem dhe e shikoj këtë ngjarje, më duhet ta pranoj që vërtet ka qenë hiri i Zotit që më ka shtyrë të bëj atë hap të guximshëm. Deri më atëherë në atë kolegj nuk kishte asnjë shqiptarë jezuit nga Kosova. Kisha dëgjuar se ekzistonin jezuitë në Shqipëri, dy Shqiptarë që ishin të moshuar, të mbijetuar nga regjimi komunist, P. Luli e P. Vata, por që të gjithë të tjerët ishin jo Shqiptarë, në fakt italianë. Përkundër të panjohurave të shumta, ndieja një siguri të brendshme që kjo ishte rruga ime ku do t`i shërbeja më i lumtur Zotit dhe Kishës. Dëshiroja që kjo mënyrë e jetës, gatishmëria për t`iu ndihmuar njerëzve si në arsimim ashtu edhe në jetën shpirtërore, të përhapej edhe ndër Shqiptarë. Prania e jezuitëve në një popull do të thoshte bekim, për këtë isha i bindur.

Kështu që u pranova për të hyrë në noviciat (rishtari). Dy vjet i kalova në Split ku u njoha më mirë me urdhrin jezuit. Koha e noviciatit është edhe një kohë shqyrtimi i thirrjes personale rregulltare. I bëra të ashtuquajturat ushtrimet e mëdha shpirtërore, 30-ditëshe, të Shën Injacit. Në përfundim të tyre iu kushtova Zotit për një jetë rregulltare në varfëri, dëlirësi dhe dëgjesë, në Shoqërinë e Jezusit.

Formimi jezuit parasheh që në mes studimit të filozofisë (në kohën time zgjaste dy vjet) dhe teologjisë, i riu jezuit ta kalojë një kohë duke ndihmuar në ndonjë apostullim që zakonisht zgjatë dy vjet. Unë e kisha përfunduar filozofinë si seminarist i dioqezës Shkup-Prizren. Kështu që menjëherë pas noviciatit, tani si jezuit i provincës kroate e fillova të ashtuquajturin “magisterium”. Një vit e kalova si prefekt (kujdestar) i nxënësve në kolegjin në Fratrovac për nxënësit që ndiqnin gjimnazin “Shalata” në Zagreb. Isha prefekt edhe i disa kandidatëve të rinj të ipeshkvisë së Kosovës që kishin ardhur në kohë lufte për të vazhduar studimet filozofike-teologjike te jezuitët. Vitin tjetër (2000) e kalova në Tivar, në Mal të Zi, si ndihmës i famullitarit jezuit.

Vetëm pas kësaj, në vjeshtë të vitit 2000 e fillova studimin e teologjisë, që zakonisht tek jezuitët zgjaste katër vite dhe është i ndarë nga studimi i filozofisë. Tani studimet i kisha më të lehta edhe për shkak të rrethanave më të njohura dhe për njerëzit që tashmë ishin si familjarët e mi. Por, besoj që e kisha më lehtë edhe për shkak të terminologjisë dhe lëndëve që ishin më të njohura, pasi ndërlidheshin me katekezë apo mësimin e fesë me të cilin tashmë isha familjarizuar qysh si fëmijë në famulli.

Gjatë viteve të studimit të teologjisë jam marrë mjaft edhe me shkrime, përkthime artikujsh në shqip, dhe kam ndihmuar në përgatitjen e botimeve të disa librave nga Misioni Katolik Shqiptar në Zagreb. Bashkëpunimin e vazhdoj edhe sot me kolegun tim Don Fatmir Koliqin. Një kohë isha edhe kryeredaktor i revistës fetare-kulturore “Urtia”, që e botonin studentët shqiptarë të teologjisë. Gjatë 2000-2004 kam qenë mjaft i angazhuar edhe në përgatitjen dhe këndimin e këngëve liturgjike me korin e Misionit Katolik Shqiptar. Për shkak se e ndieja edhe mungesën e manualeve apo kantualëve liturgjik përktheva dhe përshtata disa psalme dhe këngë në shqip.

Pasi u diplomova në teologji, në vitin 2004, së bashku edhe me dy bashkëvëllezër të mi jezuitë, u shugurova meshtar nga kardinali Josip Bozaniq, në katedralen e Zagrebit. Dy vite kam qenë kapelan (ndihmës i famullitarit) në famullinë kroate të Opatisë – në Kroaci.

Me 1 gusht 2004 e kremtova meshën e parë në Kabash. Ndjenjat i kisha pak të përziera, sepse kisha kaluar një kohë e gjatë jashtë vendlindjes. Por zemra mu mbush me gëzim kur i shikoja të tjerët të lumtur, familjarët e mi, famullitarin Don Lush Gjergjin, motrat rregulltare Bijat e Dashurisë Hyjnore, besimtarët e famullisë sonë, por edhe miqtë dhe dashamirët që kishin ardhur për të marrë pjesë. E kam lutur Zotin që të thërret edhe kandidatë të tjerë jezuitë shqiptarë, por nuk do të hidhërohesha nëse i thërret edhe për meshtarë dioqezanë.

Kur shoh sot se vetëm prej famullisë sonë momentalisht janë 5 kandidatë për priftërinj, 4 prej tyre pikërisht ndodhen në studimet filozofike-teologjike në Shkodër, në seminarin ndërdioqezanë që e udhëheqin jezuitë të provincës italiane, atëherë e falënderoj Zotin për këto thirrje. Më gëzon fakti që kontakti i Shqiptarëve me jezuitë vazhdon të ekzistojë e të rritet.

Kohë më parë i takova në seminarin ndërdiqezan në Shkodër këta bijtë tanë, Dritonin, Engjëllin, Nikollën, Aleksin, me të cilët i kaluam disa momente të shkurtra, por të përzemërta dhe vëllazërore. Dhëntë Zoti që edhe Denisi pasi ta kryen maturën në Prizren, t`iu bashkëngjitet bashkëvëllezërve të tjerë në Shkodër. Tash po e lus Krishtin që të gjithë këta bij të dashur të famullisë sonë të qëndrojnë besnikë dhe të bëhen meshtarë shembullor. Nuk e fsheh dëshirën që ndonjëri prej Shqiptarëve një ditë të bëhet edhe jezuitë.

Marjan Sebaj-SOPI: Ky urdhër katolik i cili në historinë e popullit tonë luajti rol të rëndësishëm ose kyç në momente e kohërat më të vështira të historisë së Shqipërisë, dhe në përgjithësi të popullit shqiptarë, ka vend të veçantë. Ju lutem na thoni diç shkurtimisht mbi jetën dhe veprimtarinë e urdhrit të jezuitëve?

Shtjefën DODA: Jezuitët janë një bashkësi etërish të “Shoqërisë së Jezusit”. Ky urdhër fetar në Kishën Katolike, latinisht «Societas Jesu» (SJ), është themeluar në vitin 1540 nga spanjolli Injac Lojola (1491-1556). Parimi i urdhrit jezuit është: «Omnia ad majorem Dei gloriam" - "Gjithçka për më të madhen lavdi të Hyjit». Qëllimi i rëndësishëm është nëpërmjet predikimeve, shpalljes dhe formimit ta përhapin fenë katolike dhe t`i përmbushin të gjitha kërkesat e Kishës. “Ta kërkosh dhe ta gjesh Hyjin në gjithçka”, kështu Injaci i Lojolës e përmbledh përshpirtërinë e jezuitit. Lloji i jetesës që jezuiti është i thirru të bëjë është që të jetë soditës në veprim.

Ndër Shqiptarë urdhri jezuit është i pranishëm që prej vitit 1841. Disa etër jezuitë nga Italia erdhën si misionarë për të ungjillëzuar në Shqipëri. Hasën në vështirësi të shumta për shkak se në atë kohë Shqipëria ndodhej nën Perandorinë Osmane. Në vitin 1854 me vendim të Zyrës Misionare të Vatikanit dhe të Ipeshkvijve shqiptarë, u hap në Shkodër Seminari për krejt rajonin e Ballkanit Jugor. Ky seminar iu besua etërve jezuitë italianë, që e udhëheqin edhe sot e kësaj dite.

Në vitin 1877 u themelua Kolegji Saverian, në fillim si shkollë tregtie dhe më pas si lice klasik, pas shpalljes së Shqipërisë, në vitin 1912, si shtet i pavarur nga Perandoria Turke.

Në mënyrë të përmbledhur mund të themi që jezuitët ndër Shqiptarë janë të njohur për veprimtaritë e dendura misionare, kulturore, fetare dhe artistike, me grupe muzikore dhe teatrale, me revista dhe me shtypshkronjën "Zoja e Papërlyer". Ardhja e jezuitëve shënoi pikënisjen e një rilindjeje të jetës fetare e kulturore-arsimore ndër Shqiptarë.

Mjafton të përmendim që te jezuitët e Shkodrës morën mësimet e para personalitete të rëndësishme, si p.sh. Ndre Mjeda (me emrin e tij quhet tani edhe shkolla fillore në Kabash), Faik Konica, Luigj Gurakuqi, Ernest Koliqi, Arshi Pipa, Ndre Zadeja... Por edhe shumë poetë, shkrimtarë, letrarë, mjekë, meshtarë, arsimtarë, intelektualë, diplomatë dhe politikanë, menaxherë të tjerë të bizneseve të suksesshme brenda e jashtë vendit.

Veprat e Jezuitëve që kanë lënë më shumë jehonë, sidomos nëpër vende malore, kanë qenë "misionet shëtitëse" (Missione Volante). Të tilla misione ka pasur edhe nëpër viset tona në Kosovë, konkretisht edhe në famullinë e atëhershme të Letnicës. Por jezuitët i kanë vizituar edhe fshatrat/filialet përreth. Kanë përhapur ungjillin, i kanë mësuar popullit uratë dhe devocione të ndryshme, kanë ndërmjetësuar në pajtimin e gjaqeve. Shumë më vonë e kuptova që disa uratë që edhe vetë i praktikoja, e që më pëlqenin, siç ishin “O i lumi, Jezu Krishti, zemër butë e i përvujtë...”, prindërit e mi i kishin pas mësuar nga “gjezovytët” (kështu i quante populli jezuitët).

Pasi tërhiqeshin prej misioneve ata ktheheshin në bazat/bashkësitë e tyre, në Shkodër dhe Shkup, dhe i studionin historinë dhe zakonet e shqiptarëve. Meqë ra fjala, është mirë të dihet që në famullinë e Shkupit si vajzë e re Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Tereze, u edukua në fe dhe u frymëzua për misione nga etërit jezuitë. Jezuitët riorganizonin të dhënat që i kishin mbledhur, shkruanin relacione dhe botonin libra dhe fjalorë. Edhe sot, edhe pas komunizmit, populli i kujton këngët e thjeshta me tekste katekizmi të kompozuara nga etërit jezuitë.

Vlen të përmendet që në listën e 40 dëshmitarëve të fesë gjatë regjimit komunist në Shqipëri, për të cilët ka filluar çështja e lumnimit, ndodhen edhe tre jezuitë: Atë Daniel Dajani, Atë Gjovani Fausti dhe Vëlla Gjon Pantalia.

Marjan Sebaj-SOPI: Si është gjendja aktuale, d.m.th. veprimtaria e jezuitëve sot në popullin shqiptar dhe botë?

Shtjefën DODA: Edhe sot jezuitët veprojnë ndër Shqiptarë. Kryesisht janë të angazhuar në fushën e arsimit dhe edukimit. Ata mundohen për të rritur dialogun mes fesë dhe kulturës, mes Ungjillit dhe kërkimit shkencor, edhe me qëllim që të vihen bazat e një Universiteti të ardhshëm Katolik.

Në kohën e Shën Injacit Shoqëria e Jezusit i kishte rreth 1000 jezuitë. Sot ajo numëron rreth 19.000 anëtarë të shpërndarë nëpër mbarë botën duke u konsideruar si urdhri më i madh fetar (për burra) në Kishën Katolike. Selia e Urdhrit të Jezuitëve ndodhet në Romë. Ky urdhër është i ndarë në 91 provinca, që gjithmonë udhëhiqen nga një provincial – eprorë i lartë. Kosova bën pjesë në provincën kroate kurse Shqipëria në atë italiane të Shoqërisë së Jezusit. Në Shqipëri ndodhet edhe një tjetër jezuit shqiptar, P. Zef Bisha, që momentalisht bën pjesë në bashkësinë e jezuitëve në Tiranë.

Për të qenë më të lëvizshëm jezuitët nuk jetojnë të lidhur ngushtë për një vendi në manastire, por – në përputhshmëri me detyrat dhe fushat e angazhimit – në godina dhe shtëpi të urdhrit të tyre të quajtura rezidenca, kolegje etj., të cilat prapë kanë një epror shtëpie (superiorin apo rektorin). Të gjithë këta eprorë i kanë këshilltarët ose konsullorët e tyre. Kështu puna e ndërmarrë është më shumë vepër grupi se sa e një individi. Edhe sot si në fillim jezuitët në mënyrë të veçantë i nënshtrohen Atit të Shenjtë - papës.

Udhëheqja dhe lëvizshmëria internacionale e anëtarëve të vet urdhrit jezuit i garanton një këmbim gjallërues kulturash dhe mentalitetesh.

Jezuitët mundohen t`i mbesin besnik traditës së lashtë të tyre në trojet shqiptare. Sot janë të pranishëm në Shqipëri nëpërmjet Seminarit ndërdioqezan dhe gjimnazit klasik ”Pjetër Meshkalla” në Shkodër, kurse në Kosovë nëpërmjet gjimnazit klasik “Loyola” që ndodhet në periferi të Prizrenit. Në Tiranë Jezuitët e udhëheqin edhe famullinë e Zemrës së Krishtit, ku ndodhet edhe Caritasi famullitar. Në këtë famulli përkrahin edhe lëvizjen e skautëve, qëllimi i së cilës është t`i ndihmojë djemtë e vajzat që të rriten si qytetarë të mirë, të bëhen “njerëz për të tjerët”. Etërit organizojnë edhe kurse të formimit socio-politik. Jezuitë në Tiranë kanë themeluar librarinë “Genizah” dhe shtëpinë botuese “Ylber”. Qendra “Anton Luli” në Vaqar, formon dhe edukon njerëz në nevojë.

Jezuitët me praninë e tyre dëshirojnë që ta vazhdojnë veprën e tyre misionare, së bashku me shumë të tjerë. Jo vetëm me besimtarët brenda Kishës ndër Shqiptarë, me meshtarë, rregulltarë, rregulltare e laikë, ata mundohen që të kultivojnë marrëdhënie edhe me të krishterët ortodoksë dhe me besimtarët e fesë islame. Qëllimi i këtyre veprimtarive është rritja njerëzore, kulturore dhe fetare e popullit shqiptar. Duhet të mësohemi që të gjithë përbërësit socialë dhe fetarë të dialogojmë mes veti. Ndryshimet që ndodhen ndër Shqiptarë duhet të ndihmojnë në riformimin e identitetit dhe të pasurisë së Shqipërisë dhe Kosovës.

Marjan Sebaj-SOPI: Pas shugurimit keni shërbyer në Kroaci, më vonë keni studiuar pedagogjinë e fesë në Innsbruck - Austri, dhe njëkohësisht i keni ndihmuar Misionin katolik shqiptar në Gjermani duke kremtuar njëherë në muaj meshë shqip në Munih. Edhe pse larg fizikisht me veprimtarinë Tuaj, shpirtërisht jeni i lidhur ngushtë me popullin Tuaj shqiptar. E dimë se jeni veprimtar i madh, meshtar që kujdeseni shumë në edukimin e rinisë, sa herë që është e mundur jeni prezent me shkrimet Tuaja shumë aktuale dhe bashkëpunoni në mesin e popullit shqiptar. Jeni bashkëpunëtor i rregullt i revistës ipeshkvore „Drita“, dhe revistave e portaleve të ndryshme ku rrihni çështje të ndjeshme lidhur me besimin, shkrime rreth moralit etj. Pse jeni përcaktuar për tema të tilla, respektivisht për temat rreth rinisë? 

Shtjefën DODA: Jam përcaktuar më shumë për të trajtuar tema rreth rinisë për shkak se vetë e kam përjetuar si i ri se ç`do të thoshte të mos kesh bashkëbisedues ose hapësira ku të mund t`i reflektosh dhe parashtrosh pyetjet që të mundojnë. E ndieja edhe mungesën e literaturës së mirëfilltë në shqip, që do t`i trajtonin problemet rinore. Të gjithë kemi nevojë, e të rinjtë në veçanti, ta përjetojnë se dikush po i kupton. Duke dëshiruar që gjeneratat e reja të mos hasin në vështirësi të tilla dhe sado pak t`ua lehtësoj këtë kalim “dramatik” nga fëmijëria në rini, dhe nga rinia në moshë të rritur, mora guximin që të ofroj një lloj dialogu me persona të moshave të reja, nëpërmjet shkrimeve.

Ekziston edhe një arsye përse jam fokusuar më shumë në moshën e re: për shkak se gjeneratave të vjetra, kështu të paktën e kam unë përshtypjen, u mungojnë shumë gjërat elementare edukativo-arsimore. Edhe gjeneratat e vjetra kanë nevojë t`i mbushin zbrazëtirat e lëna nga e kaluara. Ata kanë nevojë të lexojnë diçka më të lehtë dhe me një gjuhë më të kuptueshme edhe për shkak të nivelit të tyre të arsimimit. Duke u ndihmuar të rinjve po mendoj se tërthorazi do të arrijë e t`i ndihmoja edhe të moshuarit që jetojnë me ta.

Në kohën time të fëmijërisë, gjeneratat e vjetra ishin të ballafaquar me çështjet e mbijetesës. Kështu që nuk kishin as kohë të lexonin. Tani, pasi sado pak kushtet janë përmirësuar, dua të besoj që gjeneratat e reja të kenë më shumë kohë për t`iu kushtuar librit dhe leximit. Nëse përpara nuk mund të blinim apo nuk mund të arrinim te librat e dëshiruar, tani ekzistojnë më shumë mundësi leximi edhe nëpërmjet mjeteve shoqërore të komunikimit, siç është interneti. Duke u munduar të shkruaj me një gjuhë që është e kuptueshme për të rinjtë, dëshiroj t`ua bëj atyre me dije se ka njerëz që të paktën tentojnë t`i kuptojnë të tillë siç janë dhe që ia vlen të lexosh dhe të hysh në dialog me të tjerët, me botën. Dëshira ime është që të gjithë të vetëdijesohemi se jemi pjesë e kësaj bote, dhe që rrjedhat e ngjarjeve varen edhe nga pjesëmarrja dhe vendimet tona të përbashkëta. Në këtë mënyrë dëshiroj t`i nxisë të rinjtë të bëhen pjesëtarë aktivë të ngjarjeve dhe rrethanave të jetës, që t`i ikin mentalitetit të viktimës ku për gjithçka të tjerët ose rrethanat e pafavorshme do të ishin fajtorë.

Gjatë kohës jashtë vendlindjes, sa isha në studime pas diplomimit në Innsbruck, e kisha të pamundur kontaktin e drejtpërdrejt me të rinjtë shqiptarë. Këtë hendek jam munduar ta tejkaloj nëpërmjet shkrimeve, si mundësi për të depërtuar te sa më shumë vetë. Kështu po veproj edhe tani që ndodhem përkohësisht në Kroaci. Kohëve të fundit po mundohem të jem prezent edhe nëpërmjet internetit dhe të lidhem me qindra shqiptarë të tjerë të interesuar për përshpirtërinë injaciane. Që prej vitit 2007 postoj lutje dhe shkrime të ndryshme edukative dhe fetare në ueb faqen e Misionit Katolik Shqiptar në Gjermani ( www.misioni-katolik.de ). Kështu dëshiroj të jap edhe një kontribut modest edhe për misionet dhe mërgimtarët tanë në diasporë.

Pasi e vëreja praninë e madhe të rinisë në mjetet shoqërore të komunikimit, sidomos në “facebook”, vendosa që t`i takoj ata atje ku ndodhen. E pash të arsyeshme të krijoj një grup, që e quajta “Momenti i shenjtë – Lutja e përditshme”. Me këtë dëshiroj ta bëj më të njohur përshpirtërinë injaciane, që është dëshmuar e përshtatshme për shumë persona nëpër botë. Duke u mbështetur në idenë e ofrimit të shkrimeve meditative në internet nga ana e jezuitëve irlandezë (www.sacredspace.ie ), çdo ditë i përkthej dhe përshtati ato për besimtarët tanë shqiptarë. Qëllimi i kësaj ueb faqeje është që tu ndihmohet besimtarëve dhe të gjithë njerëzve vullnetmirë, sidomos atyre që kalojnë një kohë të gjatë pranë kompjuterit, të mund t`ia kushtojnë një moment në ditë shpirtit. Meditimet ndjekin ritmin e leximeve liturgjike që është i paraparë për ditën përkatëse. Faleminderit Zotit, në bazë të reagimeve të përdoruesve shqiptarë të këtij grupi, po shoh që njerëzit praninë e meshtarit në internet, që përçon përmbajtje shpirtërore, po e konsiderojnë si diçka mjaft pozitive. “Momenti i shenjtë” dëshiron që atyre tu jepet zemër që në çfarëdo rrethane të jetës ta ndiejnë praninë e Krijuesit, ta gjejnë ushqimin e shpirtit, ta gjejnë Zotin në gjithçka.

Marjan Sebaj-SOPI: Ju i vazhduat studimet pasuniversitare në Innsbruck, na thoni diçka rreth përvojës Tuaj gjatë studimeve? Çka mendoni se duhet ofruar sot rinisë që të kemi atë të ndershme, të moralshme, të përgjegjshme…? A është i mundur një edukimi i mirëfilltë në botën e sotme nga e cila vijnë rreziqet e mëdha, si për shembull bota e kompjuterizuar apo industrializuar (shoqëri e konsumit të madh)? Si të veprojmë sot me rininë?

Shtjefën DODA: Po, studimet pasuniversitare i vazhdova në fakultetin e teologjisë në Innsbruck. Njëherë mu desh ta mësoja mirë gjuhën gjermane, ta jepja provimin e gjuhës, si kusht për të qenë student ordiner. Gjatë studimit master në pedagogjinë e fesë, që bën pjesë në teologjinë baritore, kam mësuar shumë gjëra. Në ligjëratat, seminaret dhe praktikumet që i kam bërë kam përjetuar e zbuluar shumë gjëra sa të dhimbshme aq edhe të bukura. Të dhimbshme, sepse njeriu duhej të ballafaqoheshe me anët e dobëta të vetvetes, të shprehive në të mësuar dhe në të besuar nga e kaluara. Por kjo dhimbje ishte po aq çliruese, kur kuptoje që ato dobësi a “pengesa” ishin rast, jo për të ikur prej tyre, ose për t`i ndrydhur ato, por pikërisht duke u ballafaquar me to, duke i pranuar ato njeriu rritej, forcohej, piqej.

Gjatë 5 viteve më është dashur t`i përpunoj, (vetë)reflektoj sa më shumë të jetë e mundur përvojat personale lidhur me edukimin, mësimin, formimin arsimor dhe fetar. Si fëmijë njeriu merr pa reflektuar shumë zakone, por edhe “shabllone”, shumë shprehi nga të tjerët, nga mjedisi në të cilin jeton. Tani duhej vetëdijesuar ato ndikime, që të kanë (de)formuar si person. Ky reflektim mbi vetveten duhej të të aftësonte që të bëhesh më i lirë, më i përgjegjshëm, që mos të biesh pre e së kaluarës. E kaluara është pjesë e jotja, por njeriu nuk duhet të lejojë që të rrudhet nga ajo, dhe të ndikojë negativisht në të tashmen tënde. Duhej marrë mësim nga e kaluara jote dhe ta marrësh jetën në duar e tua – të bëhesh farkëtar i fatit tënd. Duhej mësuar të jesh vetë-kritik. Me fjalë të tjera, duhej gjetur gishtin e Zotit në ngjarjet e përjetuara, në gëzim dhe hidhërim. Kështu mësonim se si t`i lexonim shenjat e kohës, në botë dhe në vetvete.

Njeriu kalon nëpër shumë periudha të jetës. Të gjitha janë të rëndësishme. Asnjëra prej tyre nuk është më pak e rëndësishme. Si ngjizja, rritja, fëmijëria, rinia, ashtu edhe mosha e rritur dhe e shtyrë është barazi e rëndësishme. Zoti është i pranishëm në të gjitha fazat e jetës, pa marrë para sysh a janë të këndshme a të pakëndshme. Të gjitha ato i ngjajnë një drame në të cilën merr pjesë edhe vetë Zoti.

Në Innsbruck kam mësuar që nuk kemi nevojë t`i zbukurojmë gjërat që na ndodhin apo na kanë ndodhur, t`i zmadhojmë apo t`i zvogëlojmë ato. Ky do të ishte mashtrim dhe tjetërsim. Ngjarjet duhet parë në sy ashtu siç i përjetojmë. Duhet krijuar hapësira ku vijnë në shprehje përvojat tona njerëzore. Aftësia për ta duruar tensionin, konfliktin, për të bërë dallimin në mes asaj çka dëshirojmë të jemi dhe asaj çka jemi në realitet tregon pjekurinë tonë. Vetëm nëpërmjet komunikimit konstruktiv ka shpresë për një përmirësim dhe ndryshim që gjithmonë është hir/dhuratë e Zotit, dhe jo sajesë njerëzore.

Në takime me të tjerët ne zakonisht flasim edhe për përvoja të tilla që i vlerësojmë si “të këqija”. Në fakt prapa çdo përvoje ndodhet një porosi për jetën tënde. Si dishepujt e Emausit, në kontakt me tjetrin, me të “panjohurin”, duke komunikuar, duke u ballafaquar me pafuqinë e tyre për të kuptuar ngjarjet e dhimbshme, duke u çuditur për (pa)dijeninë e tjetrit, duke shtruar pyetje, duke dëgjuar shpjegimin e çështjeve, na çelen sytë dhe ne e njohim vetveten dhe tjetrin – zbulojmë që Zoti qenka me ne. Zbulojmë se grupi në të cilin jemi duke marrë pjesë qenka një “ne” i dhuruar. Këtë “ne”, këtë bashkësi, nuk mundka njeriu ta prodhojë. Ajo po na dhuruaka prej Zotit. Duke zbuluar, kuptuar dhe pranuar këtë të vërtetë, fillon një fazë e re e shijimit të grupit, familjes, bashkësisë. Ajo çmohet më shumë. Prej saj nuk iket. Ajo përforcohet duke i kushtuar më shumë vëmendje. Zbulon dhe kupton që përvojat e tua personale, subjektive, qenkan pjesë e një bote në të cilën jeton ti bashkë me të tjerët, dhe për (mos)ndërtimin, (mos)zhvillimin dhe (mos)integrimin e së cilës janë përgjegjës të gjithë. Rritet përgjegjësia dhe dashuria për rolin në grup apo bashkësi. Tani njeriu bëhet më real, nuk e shikon më veten dhe përvojat e veta të shkëputura dhe të izoluara nga të tjerët, por të gjithëve u kushtohet vëmendje. Të gjithë janë të rëndësishëm, asnjëri nuk përjashtohet, sepse tek e fundit të gjithë ndodhemi në të njëjtën barkë.

Të rinjtë nuk janë më fëmijë, por nuk janë as edhe të rritur. Mosha rinore është një moshë, ashtu të them, kritike në të cilën lehtë kalohet nga entuziazmi deri në depresion. Kjo është moshë me rreziqe, sepse fëmijët kanë nevojë më shumë se kurrë për një udhëheqje që është e pa imponuar, por efikase, e fuqishme, por jo arbitrare. Nga përvoja e dimë se të rinjtë fillojnë ta kërkojnë apetitin e lirisë personale, mirëpo nuk ia njohin rreziqet e saja, e kërkojnë kuptimin e afirmimit të vetvetes, por nuk janë në gjendje që mjaftueshëm t`i vlerësojnë kthesat e rrezikshme.

Të rinjve u them: unë jam i bindur në vlerat e mëdha dhe burimore. Ti mund ta kesh punën, mund të arrish sukses, të kesh prestigj, para. Të gjitha këto janë të rëndësishme, por mos i vendos ato në rend të parë në shkallën e vlerave. Merr shembull nga ata të rritur që i kanë mishëruar vlerat si dashurinë, drejtësinë, solidaritetin, paqen, fenë. Aspiro që një ditë edhe ti të jesh jo vetëm mësues, por edhe dëshmitar i këtyre vlerave. E di që je ndoshta ende i/e varur edhe nga ana afektive dhe ndjen pasiguri psikologjike. Ato do t`i tejkalosh me një dashuri më të pjekur.

Marjan Sebaj-SOPI: Cilat janë përshtypjet nga përvoja e Juaj shumëvjeçare baritore lidhur me rininë në perëndim dhe atë shqiptare?

Shtjefën DODA: Sa isha kapelan në famullinë e Opatisë, në Kroaci (2004-2006), jam përkujdesur për ministrantat, për përgatitjen e nxënësve për kungim të parë dhe atyre për krezmim. Në Innsbruck më shumë kam pas kontakt me rininë gjatë praktikumeve që më duhej t`i bëja në mësimin e fesë në shkolla fillore dhe gjimnaze. Fëmijët shqiptarë i njoh për aq sa i kam takuar gjatë meshave shqip, që kryesisht i kam kremtuar në Mynih të Gjermanisë, një herë në muaj gjatë viteve 2007-2012. E kam përshtypjen që, ashtu të them, fëmijët e diasporës i artikulojnë ndjenjat dhe nevojat e tyre më lehtë. Disi janë më pak të ngarkuar nga përjetimet e së kaluarës. Sidomos gjenerata e dytë e mërgimtarëve po adaptohet shumë më lehtë në vendet ku jetojnë. Kuptohet që këta i kanë kushtet e arsimimit më të mira sesa ata në Kosovë a Shqipëri. Janë më të informuar për shumë gjëra. Megjithatë, mendoj që me rëndësi është që, siç thotë ajo fjala e urtë: “lulëzo, aty ku je mbjellë”. Pavarësisht vendit, duhet t`i japim përparësi cilësisë në krahasim me sasinë.

Dikush mund të absorbojë shumë informacione, të ketë shumë dituri, por ato jo domosdo e promovojnë jetën. Nëse informacionet nuk merren e ndërlidhen me jetën, ato nuk e bëjnë njeriun më të lumtur dhe më të pasur. Qëllimi i arritjes së diturisë do të duhej të ishte që ajo të të japë kuptim, ta përkrah, ta zhvillojë jetën, drejtësinë, solidaritetin në mes njerëzve në të gjitha fazat e saja.

Pa marrë para sysh fshatin, qytetin a shtetin në të cilin jeton, njeriu gjithmonë do t`i duhet të ballafaqohet me vetveten, me çështjen e të qenit njeri. Njeriu mbetet njeri kudo qoftë, në vendlindje a në mërgim. Çështja kryesore është që në bashkëjetesë ta promovojmë lirinë, mirëkuptimin, respektin, dashurinë ndaj njëri-tjetrit. Prej vetes duhet të nisemi, aty ku ndodhemi. Mos të jetojmë gjithmonë duke e shikuar tjetrin, duke lakmuar kushtet e tjetrit, e duke harruar vetveten dhe Mbretërinë e Zotit aty ku jeton.

Probleme ka gjithkund: si në shtetet e perëndimit ashtu edhe në vende tjera. Vetëm që ato për nga forma dallojnë. Kështu që mos të mashtrohet ndonjë i ri ose e re e të mendoj që nëse shkoj në mërgim do të zgjidhen krejt problemet. Përveç problemeve ekonomike, në jetë ekzistojnë edhe probleme të tjera, që nuk kanë të bëjnë me jetën materiale, e me të cilat çdo njeri duhet të ballafaqohet. Nëse jemi dhe mbesim analfabetë në jetën shpirtërore, atëherë nuk do të na nevojitet as dituria, as pasuria ekonomike, as një vend pune. Madje kjo edhe mund të të bëhet zot, duke të të bërë skllav të vetin, duke ta marrë lirinë aq shumë të dëshiruar.

Megjithatë, do të thosha në mënyrë të përmbledhur, se do të më gëzonte fakti nëse në Kosovë dhe Shqipëri qeveria ose plan-programet e partive politike të kenë prioritet zhvillimin e arsimit dhe edukimit, që fëmijët tanë të mund të kyçen një ditë dhe të inkuadrohen me rrjedhat evropiane.

Marjan Sebaj-SOPI: Sa punon shoqëria e jonë, Kisha e jonë vendore, me rini, që ajo të jetë më aktive e ta gjejë veten në këtë botë plotë turbullira, ose më mirë e më butë të them, në ndryshime të shpejta?

Shtjefën DODA: Është e vërtetë që ritmi i jetës ka filluar të ndryshojë. Kjo po vërehet edhe ndër trevat shqiptare. Bota po afrohet gjithnjë e më shumë, falë edhe mundësive tekniko-teknologjike në komunikim. Sidomos te më të moshuarit, që tashmë u janë bërë shprehi shumë gjëra, ritmi dhe (sh)ndërrimet e shpejta të reja shkaktojnë dezorientim, shqetësim, brengosje. Disave madje këto (sh)ndërrime u duket se po ua zënë frymën. Në fakt jeta ka qenë gjithmonë në lëvizje. Ajo është e gjallë, rrjedh, kalon. Vetëm që gjërat e përparshme, për shkak stilit të jetës, kanë pas një ritëm më të ngadalshëm. Tani na duhet të mësohemi dhe të familjarizohemi me gjërat e reja, që kërkojnë adaptim të ri. Duhet të mësohemi që të bëjmë atë që mundemi. Të dimë t`i lëshojmë gjërat të cilave vërtetë u ka dalë boja. Problemet nuk zgjidhen duke i kapur ato me ngërç. Nevojitet që ato t`i bëjmë me qëllim dhe besim të mirë. Detyra jonë është të mbjellim farën, ta ujisim, e Zoti bën që të rritet. Prej Tij varen rezultatet e ardhshme. Kur njeriu e bën atë që mundet, atëherë e ruan edhe paqen e shpirtit. Zotit i takon të bëjë të pamundurën.

Për sa i përket Kishës katolike në Kosovë, mendoj që ajo është një vend misionar. Kjo më është bërë më e vetëdijshme sidomos gjatë viteve të studimit në Innsbruck, kur pash se sa e organizuar ishte Kisha katolike në Tirol. Jo vetëm nga ana e ndërtimit të objekteve fetare, por edhe të organizimit dhe pjesëmarrjes të të gjithë besimtarëve, klerikë e laikë bashkë, në jetën baritore. Edhe pse deri diku ekziston struktura bazë e jetës baritore, ende jemi larg që idetë dhe shumë propozime dhe udhëzime të Koncilit II të Vatikanit t`i vëmë në jetë.

Katolikët e Kosovës nuk ishte dashur t`i brengoste numri, se a janë pakicë a shumicë në një vend. Kudo që janë, ata janë pjesë e një familje të madhe botërore. Me rëndësi është cilësia. Vërej që besimtarët tanë shqiptarë i duan devocionet popullore. Atyre u bëjnë mirë shtegtimet. Kanë nevojë më shumë ta shohin botën, të njohin edhe mënyra të tjera përshpirtërie. Faleminderit Zotit, me angazhimin e meshtarëve të devotshëm, edhe të jezuitëve misionarë, shumë prej besimtarëve nga e kaluara kanë mësuar uratë përmendsh. Siç duket kjo u ka ndihmuar që të mbajnë gjallë kontaktin me Zotin dhe t`i përballojnë shumë vështirësi në jetë. Më duhet të them që te gjeneratat e reja vërej që kanë nevojë për një riorientim në çështjet e shpirtit, nderimin e shenjtërve, për shkak të rrethanave dhe nevojave të reja.

Është mirë të dimë që sidomos te kalimi nga fëmijëria në rini, dhe nga rinia në moshë të rritur, ndodhë një dezorientim. Meqenëse njeriu tashmë nuk është më fëmijë, por ende nuk është as i rritur apo i pjekur, kjo fazë përjetohet si krizë besimi. Dhe mirë është që ndodh kështu. Për shkak se duhet të rritemi dhe të bëhemi të pjekur, jo vetëm për nga ana njerëzore, por edhe ajo fetare. Tani duhet përvetësuar feja në mënyrë të rritur personale. Tani nuk do të mjaftojë të them uratë siç bëjnë të tjerët – duke i imituar të tjerët, vëllain a motrën, prindërit... Si i rritur kam nevojë ta krijojë një marrëdhënie personale me Zotin. Mënyrat janë nga më të ndryshmet. Këtu të jepet një liri që, si i rritur, të përzgjedhësh rrugën që të përshtatet, ku ti e ndien praninë e Zotit, që të jep forcë dhe kuptim për jetën tënde.

Në këtë (sh)ndërrim roli i meshtarit, motrës rregulltare, respektivisht roli i katikistit/katekistes si shoqërues në pjekurinë e fesë, është shumë i rëndësishëm. Katekizimi ose mësimi i fesë nëpër famulli/misione, ishte dashur t`i japë hapësirë jo vetëm doktrinës nëpër libra, mësimit përmendsh të të vërtetave të fesë, sepse kjo është vetëm një nga pjesët e rëndësishme në nxënien dhe mësimin e fesë. Shumë me rëndësi është që ajo çka mësojnë së bashku të ndërlidhet me jetën personale të pjesëmarrësve. Nëse doktrina nuk ndërlidhet me jetën e gjallë, atëherë feja mund të keqkuptohet dhe keqpërdoret si ide partie, dhe të shndërrohet në një lloj ideologjie ose të përjetohet si mish i huaj në jetën personale. Kjo nënkupton që edhe meshtarët dhe motrat rregulltare do t`iu duhet në të ardhmen të arrijnë kompetenca më të mëdha në mësimdhënie, në udhëheqjen e një grupi.

Katekistit/katekistes do t`i duhet në të ardhmen të jetë i/e vetëdijshëm/e për rolin e saj pjesëmarrës – dhe jo vetëm dhënës, në proceset e nxënies së fesë. Ai/ajo nuk është përçues vetëm i një materiali a doktrine, një mësimi që duhet lexuar nëpër libra dhe të mbahet në mend, por edhe një dëshmitar/e i/e gjallë i/e fesë. Prej kësaj do të varet edhe besueshmëria e asaj çka ua mbartë fëmijëve, të rinjve. Prandaj e shoh shumë të arsyeshme që në nivel ipeshkvor të organizohen takimet e katekistëve, pse jo edhe në bashkëpunim me ipeshkvitë në Shqipëri, për të shqyrtuar së bashku mundësitë dhe vështirësitë, për të përkrahur bashkërisht përçimin e fesë.

Mendoj që ipeshkëvia në Kosovë duhet t`i bëjë më të qarta disa prioritete baritore. Kohëve të fundit – edhe pse 50 vjet më vonë – janë botuar në shqip edhe dokumentet e Koncilit II të Vatikanit. Në to qartë jepen direktiva se çka kërkohet prej një dioqeze. Kështu për shembull, një kohë të gjatë ndjehet mungesa e një këshilli liturgjik, që do të unifikonte tekstet dhe meloditë e këngëve në nivel ipeshkvor, respektivisht ndërdioqezan. Mendoj që kjo do të ishte e realizueshme së bashku edhe me ipeshkvijtë në Shqipëri. Vendimet e përbashkëta do të krijonin më shumë unitet dhe do të kishin më shumë peshë. Për shkak të mungesës së këtyre vendimeve të përbashkëta në nivel (ndër)dioqezan, shumë gjëra janë duke u eksperimentuar, kështu duke u copëzuar dhe shkapërderdhur nëpër famullitë veç a veç. Kjo po krijon pastaj vështirësi që po përjetohen në praktikë – po e zëmë, gjatë këndimit të një kënge, apo gjatë një lutje të një urate me karakter të përbashkët. Pra, kërkohet unifikim tekstesh, uratësh... që do të vlente dhe praktikohej për takimet e përbashkëta (ndër)dioqezane.

Meqenëse është e pamundur që brenda natës të arrihen të gjitha çka dëshirojmë, është e rëndësishme që të vendosen disa pika të përbashkëta afatshkurtra dhe afatmesme, si lloj plan-programesh baritore që do të ndihmonin për të parë se në ç` drejtim jemi duke shkuar. Pas një kohe do të jepej mundësia të bëhet një lloj vetë-reflektimi, ku do të ishte më e qartë se çka është duke shkuar mirë dhe që duhet vazhduar, e çka duhet përforcuar ose përmirësuar. Disa lloj direktivash që do të jepeshin nga ipshkëvia do të duhej të ndihmonin që të përkrahet dhe rritet vetëdija edhe e përgjegjësisë së meshtarëve dhe rregulltareve për një mision të përbashkët baritor, që kërkon bashkëpunim dhe dëshmi të përbashkët të së njëjtës fe.

Të gjithë duhet t`u kushtohemi më shumë vëmendje të rinjve, të vegjëlve, pasardhësve. Detyrat e prindërve, por edhe edukatorëve sot me të vërtetë janë të vështira. Sepse edukimi i fëmijëve është art. Kisha do të mund të kontribuonte nëpërmjet inicimit të takimeve të prindërve, duke harmonizuar familjen si institucion dhe duke i shoqëruar të gjitha moshat në mënyrë permanente. Në rrethanat e sotshme në Kosovë, besoj edhe në Shqipëri, e shoh të arsyeshme tu kushtohem më shumë rëndësi parapërgatitjeve për martesë.

Një çështje mjaft delikate shoqërore tek ne e konsideroj fejesën. Te shumë raste po vërej që fejesa po përzihet me martesë. Ajo çka ishte dashur të ishte fejesa, njohje e dyanshme e një të riu dhe të reje, si vëlla e motër – por edhe të familjeve të tyre, po tabuizohet dhe po i lihet njëfarë fati duke u shtyrë në para-fejesë. Kam vërejt që në disa familje në këtë fazë prindërit shtiren se “gjoja nuk po di se çka po ndodh”. Një sjellje e tillë mund t`u japë të rinjve edhe sinjale të gabueshme. Kjo paqartësi po lë vend edhe për “eksperimentime” vetjake, që mund të krijojnë probleme mjaft serioze. Nëse qëndrohet vetëm në gjërat e jashtme, ose njeriu shndërrohet në konsum, atëherë bie entuziazmi për njohjen e shoqishoqme, humbet edhe besimi. Prandaj nuk është e çuditshme pse po lindin mosmarrëveshje madje edhe ngatërresa nëpër familje.

Parapërgatitja e keqe për martesë është një prej shkaqeve të divorceve që po ndodhin edhe tek ne. Fejesa do të duhej ta luante rolin e vet, e jo të shndërrohet në diçka tjetër. Ajo duhet qenë pikërisht moment/kohë kur djali dhe vajza njihen me anët e forta dhe të dobëta të njëri-tjetrit, por edhe tu jepet kohë të njihen edhe familjarët e tyre. Fshehja e anëve të dobëta ia pamundëson personit tjetër për të marrë vendim të lirë dhe të pjekur për martesë. Sinqeriteti dhe dashamirësia duhet ta shoqërojnë këtë fazë të rëndësishme të jetës. Dhe në fejesë duhet lejuar mundësia që njëri apo tjetri, pasi e kanë njohur më afër personin edhe familjen e tij, të mund të thotë edhe “jo”. Për fat të keq, tek ne në Kosovë, me aq sa po vërej, e kam përshtypjen se më të moshuarit këtu i kanë përzier shumë gjëra dhe po i hutojnë edhe të rinjtë. E kur po vijnë rastet e shkurorëzimeve, atëherë çuditen se përse këta të rinjtë e sodit po ndahen kaq shpejtë.

Shpesh herë nuk është mjaft që fëmijët të duhen. Si prind duhet ta meritosh besimin e fëmijës tënd. Edhe për meshtarin ose motrën rregulltare vlen, që njëherë duhet krijuar mirëbesimi me besimtarët, me fëmijët që i përgatit për kungim të parë a krezmim. Në vështirësitë e tyre prindërit, meshtarët ose motrat rregulltare, shpesh kërkojnë “receta” për sukses në edukim. Mirëpo, edukimi nuk është vepër automatike, ku me një të trusur të një pulle arrihen rezultatet përkatëse. Edukimi nuk është as udhëzim në një drejtim. Te edukimi gjithmonë kemi të bëjmë me shkëmbim të dyanshëm. Marrja është po aq e rëndësishme sa edhe dhënia. Këtu kemi të bëjmë me dialog, me takim zemrash, propozim vlerash dhe përgjigje e pranimit (miratimit). Nuk mjafton që fëmijëve/tjerëve tu themi se cilat janë vlerat. Atyre duhet t`u ndihmojmë të jetojnë. Shpesh herë e kemi plot gojën me fjalë, duke propozuar se çka është mirë, por harrojmë që pa e jetuar atë, ajo që kemi propozuar bëhet vetëm një ide si të tjerat, bëhet jo e besueshme. Pastaj, ka rëndësi që edukimi të ndodhë në një atmosferë mirëbesimi. Të parashtrosh nuk është e mjaftueshme edhe pse është e domosdoshme. Propozimin duhet ta shoqërosh me dëshmi, stërvitjen (mësimin) me shembull. Prindërit duhet ta përkrahin lirinë e fëmijëve të tyre, sepse në këtë mënyrë lind dhe rritet përgjegjësia.

Unë e falënderoj Zotin që në Prizren jezuitët e mi e kanë hapur gjimnazin Loyola. Ata gjatë historisë, por edhe tash gjithmonë u japin përparësi apostullimit edukativo-arsimor, të vetëdijshëm që, pa formimin e brezave të rinj nuk do të ketë as të ardhme të ndritshme të një populli. Çështja është se sa janë në gjendje ta perceptojnë si të vlefshme dhe sa po e shfrytëzojnë tani familjet shqiptare katolike këtë mundësi historike.

Marjan Sebaj-SOPI: Porosia e Juaj për rininë tonë në famulli e rrethinë, për rininë shqiptare në përgjithësi?

Shtjefën DODA: Ajo çka do të duhej çmuar në gjithë (sh)ndërrimin e shoqërisë sonë shqiptare, që po i rrok të gjitha moshat, është vëmendja që duhet kushtuar vlerave. Lëkundjet në botë na japin mundësi të shohim se në çka jemi duke e bazuar e ndërtuar jetën tonë. Unë uroj, që nëpër familje, shkollë ose famulli të krijohen hapësira ku njerëzit e "goditur" të mund të reflektonin, të shpreheshin dhe luteshin së bashku. Me fjalë të tjera: që të bëhemi njerëz që përjetimet individuale a shoqërore të dimë t`i artikulojnë dhe bashkëndajmë, që të mësojmë t`i lexojmë ndodhitë në dritën e ungjillit. Ta përdorim më shumë mendjen e mos të lejojmë që gjërat e çmueshme në jetë – përjetimet e dhimbshme dhe më pak të dhimbshme, të na kalojnë pa i vërejtur, e pa mësuar asgjë prej tyre. Kështu do të mësohemi të komunikojmë, sepse pa komunikim nuk ka as njohje, as respekt, por as dashuri të ndërsjellë. Pa respektimin dhe njohjen e të kaluarës tënde dhe të asaj çfarë po ndodh në jetën tënde, nuk mund ta njohësh as ta duash as vetveten.

Nevoja e aftësisë për të reflektuar mbi vetveten, për të artikuluar, shkëmbyer apo komunikuar me të tjerët është më e nevojshme kur e dimë që çdo (sh)ndërrim psikologjikisht përjetohet si "krizë". E kriza gjithmonë mund të shikohet negativisht – si shkak për mbyllje, izolim dhe vajtim, apo pozitivisht – si mundësi e mirë. Për aq sa ne mësohemi së bashku t`i lexojmë ngjarjet që na ndodhin dhe mundohemi të gjejmë/t`i japim një kuptim gjithë kësaj "tollovie", deri atëherë tregojmë se nuk i jemi lëshuar një fatalizmi, ku gjithmonë tjetri është fajtor. Ne jemi të paktën të interesuar që fatin personal dhe shoqëror ta marrim dhe formojmë si njerëz të hapur për gjëra të reja, dhe që dinë çfarë dëshirojnë në jetë.

Para nesh, si popull që pretendon të integrohet në Evropë, na presin shumë punë për të bërë. Evropa është e banuar me shumë kombe ku fliten gjuhë të ndryshme. Marrë para sysh këtë, por edhe përvojën time personale sa kam jetuar në Austri, të rinjtë i nxisë të mësojnë gjuhë të huaja. Është shumë e vërtetë që ta dish një gjuhë të huaj të pasuron jashtëzakonisht shumë. Por kusht për këtë është që ta përvetësosh gjuhën tënde amtare. Për botën e civilizuar evropiane të mos të dish të lexosh e ta shkruash gjuhën tënde amtare është e paimagjinueshme. Nuk ia dëshiroj asnjë shqiptari/shqiptare, që në takim me njerëz evropianë, që flasin gjuhë të ndryshme, t`i duhet të turpërohet, për faktin që nuk e di gjuhën e nënës. Nëpërmjet njohjes së gjuhëve të huaja të jepet mundësia të krijosh ura lidhëse të reja, të hapen horizontet duke njohur kultura, kombe, njerëz të tjerë. Kështu mbledh dhe përvetëson edhe urtinë që ka çdo popull. Në këtë kuptim bëhesh edhe bekim për bashkëkombësit e tu, duke ndërmjetësuar mirëkuptimin dhe afrimin e popujve. Jeta përfiton nuanca të reja dhe aftësohesh të mund të jetosh me të tjerët duke qëndruar vetvetja.

Kjo mendoj është ajo që ia dëshiroj gjithmonë edhe rinisë sonë shqiptare: të mësohet duke ushtruar të komunikojë, duke u ballafaquar në mënyrë konstruktive me çështjet e jetës. Për të arritur këtë nevojitet të krijohen hapësira ku ata mund t`i artikulojnë përvojat, idetë, frikën, dyshimet, shpresat e besimin e tyre, pa pasur nevojë që menjëherë të vlerësohen e të gjykohen nga të tjerët. Kështu mësohet edhe dialogu, që sot vlerësohet lartë dhe është kusht i zhvillimit të demokracisë. Vendet ku mund ta zbatojnë këtë dialog janë të ndryshme, duke filluar në familje, shkollë, famulli, seminare, internet, forume, grupe të ndryshme...

Një këshillë më ka ndihmuar shumë në jetë: mos prit që njëherë t`i dish të gjitha gjërat që vetëm atëherë të fillosh t`i zbatosh, por fillo e jetoje atë që tashmë e di.

Sa i përket Kishës, mbetet në përgjegjësinë e udhëheqësve, ipeshkvit, famullitarëve ose misionarëve, që të krijojnë sa më shumë kushte dhe hapësira të tilla në të cilat do të vinin në shprehje jo vetëm lënda/librat/doktrina e fesë, por edhe përvojat e pjesëmarrësve, që gjithmonë janë subjektive dhe të ndërlidhura me një kontekst në të cilin kanë ndodhur, por të cilat po aq janë të rëndësishme sa librat. Në to dhe nëpërmjet tyre është i pranishëm dhe na flet gjithashtu Zoti. Zotin duhet ta gjejmë në gjithçka, jo vetëm në shkollë a në Kishë, ose vetëm kur e ndiejmë veten mirë.

Është mirë të nxisim njëri-tjetrin në përgjegjësi, si individë dhe si shoqëri. Marrja e përgjegjësisë vetjake na bën mirë, d.m.th. pa pasur nevojë as të shtiremi si të gjithëpushtetshëm, por as të dëshpërohemi se nuk mund të bëjmë asgjë. Ne e jetojmë lirinë tonë gjithmonë brenda kufijve. Prandaj të promovojmë një jetë empatie (aftësie për të hyrë në botën e tjetrit) në kufij, pa pasur nevojë të shkrihemi me tjetrin, por as të mbajmë distancë të madhe njëri me tjetrin.

Marjan Sebaj-SOPI: Ju faleminderit shumë për kohën që na kushtuat….

Shtjefën DODES: Me nder qofshi.

Intervistoi

Marjan Sebaj-SOPI

Rostock; Qershor’ 2013



(Vota: 17 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Lulzim Logu: Intervistë ekskluzive me poetin Gjon Neçaj Mustafë Rugova: Intervistë ekskluzive me muzikantin shqiptaro-amerikan Agim Rugova - Presioni Ramiz Selimi: Intervistë ekskluzive me poetin shkodran Ragip Dragusha Ramiz Selimi: Intervistë ekskluzive me drejtorin mjekësor të "Aleancës për Fëmijët" Dr Michael Schödermayr Albert Shala: Intervistë ekskluzive me poetin Muhamet Luma Ramiz Dërmaku: Intervistë ekskluzive me ish atletin Zijadin Kryeziu - Yllin e Kosovës Fazli Maloku: Intervistë ekskluzive me poeteshën e vogël Ermale Brahimi Ramiz Selimi: Intervistë ekskluzive me udhëheqëset e Organizatës NESsT Një pyetje nga Ilir Dardani: A është Gjergj Kastrioti Hero i të gjithë Shqiptarëve? (VI) Lulzim Logu: Intervistë dimërore me piktorin Abdullah Gjongecaj Ramiz Selimi: Intervistë Ekskluzive me ish-ushtarin e UÇK-së Sinan Morina - i arrestuar nga policia austriake me fletarrest nga Serbia Një pyetje nga Ilir Dardani: A është Gjergj Kastrioti Hero i të gjithë Shqiptarëve? (IV) Ramiz Selimi: Intervistë Ekskluzive me humanisten Fatime Blakaj Një pyetje nga Ilir Dardani: A është Gjergj Kastrioti Hero i të gjithë Shqiptarëve? (III) Një pyetje nga Ilir Dardani: A është Gjergj Kastrioti Hero i të gjithë Shqiptarëve? (II) Një pyetje nga Ilir Dardani: A është Gjergj Kastrioti Hero i të gjithë Shqiptarëve? (I) Ramiz Dërmaku: Intervistë Ekskluzive me veprimtaren, pedagogen, intelektualen, poeten Miradije Gashi Gjon Neçaj: Intervistë Ekskluzive me intelektualin dhe krijuesin Tahir Bezhani Demir Krasniqi: Intervistë Ekskluzive me z. Besart Berisha - Drejtor Artistik i Festivalit të Këngës për Fëmijë “Dëbora 2011'' në Gjilan Ramiz Selimi: Intervistë Ekskluzive me kryetarin e Agjensionit për zhvillimin e Ballkanit ''BADEA'' Franz Jetschgo

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora