Mendime
Vangjush Saro: Liliputë përqark staturës madhore të Ismail Kadaresë
E shtune, 15.06.2013, 10:00 AM
Liliputë përqark staturës madhore të Ismail Kadaresë
Nga Vangjush Saro
Në vitin
1985, kthehesha një mbrëmje nga Tiranë në Gramsh me makinën e një zyrtari të
rangut të mesëm. (E bëja këtë rrugë çdo javë, për vite me radhë, sepse në
kryeqytet nuk kisha gjetur ende shtëpi dhe punë për gruan.) Në udhëtim e sipër,
nuk di se si ra biseda për letërsinë; (edhe ai zyrtari shkruante nga pak).
Papritur hidhet shoferi. Dhe thotë një gjë pak a shumë kështu: “Edhe ky
Ismaili...
M’u
kujtua ky episod, ndërsa lexova në disa media një intervistë të shndërruar në
shkrim të një gazetari amerikan, njeri disi i çuditshëm, që pretendon se njeh
moralin dhe ka ndërruar disa herë bindje politike e fetare. Kisha lexuar edhe
më parë sulme të dëshpëruara kundër Kadaresë, por nga shkrues të panjohur. Kjo
puna e Ismailit është njëlloj loje a prove. Janë të shumtë shkrimtarët që kanë
dëshirë ta shikojnë me ‘shpatulla për muri’. (Për çudi, kështu ka qenë
gjithnjë.) E kështu, njerëz me dhe pa emër, qasen herë pas here te statura e
nderuar e shkrimtarit dhe përpiqen të gjejnë sërish ‘armikun’, epo ndonjëherë
komunistin e poshtër, shkrimtarin e realizmit socialist që ka shkruar për
‘rendin e shkuar’ (dhe hë, prandaj nuk bëhet fjalë për t’i dhënë çmimin Nobel).
Kushedi prej sa kohësh, në çaste që nuk di ç’përcaktor t’iu ngjis, dikujt i
teket të hapet një diskutim për Kadarenë. Dhe disa media, me shpresë se mund të
tërheqin sadopak blerësit, i shkojnë pas sakaq, madje pothuaj në një stil
stalinist, duke mos marrë mundimin për as për më të voglin shpjegim, sikur të
bëhej fjalë për një dokudo e një dosido dhe jo për shkrimtarin më të njohur
shqiptar, ndoshta për shqiptarin më të njohur në botë pas Nënë Terezës.
Kështu
edhe me intervistën e gazetarit
amerikan, që disa media e kishin paraqitur si një prozë kritike pa kokë e pa
këmbë, njëlloj përçartjeje e llomotitjeje në jerm. Nuk e kisha dëgjuar më parë
këtë emër; të këtij gazetarit; nga sa mësova falë mundësive që të jep
teknologjia e sotme e informacionit, babai i zotërisë ishte çifut, e ëma
protestane. E motra ishte komuniste. Ai vetë ka qenë fillimisht komunist dhe
mbështetës i Bashkimit Sovjetik. Ka shkruar poezi. Ka treguar interes për
trockizmin, pasi që ka lundruar një kohë midis stalinizmit dhe trockizmit.
Thotë se më pas është gjendur mysliman. (Mund ta shikosh në foto të veshur si
haxhi.) Punë e tij.
Gjithsesi,
nuk ka shumë për t’u çuditur në gjithë këtë parashtrim, pasi shumica e atyre që
i kërkojnë llogari Kadaresë për atë kohë, kanë qenë për vete pikërisht në këto
ujëra, dikush me Enverin, dikush me Mao Ce Dunin, ndonjëri me Stalinin, pastaj
kanë ndërruar fe e ideologji...Kjo e bën edhe më groteske figurën e kujtdo që
përpiqet të kapet pas të njëjtës fije ku vareshin pak a shumë të gjithë, për
një kohë edhe një pjesë e Perëndimit, që e pa Komunizmin si ç’të ishte...
Jam i një
mendjeje me disa qëndrime kritike të formuluara me qytetari, kur mendoj se sot
kanë dalë në dritë fakte që i vënë para përgjegjësisë (morale) shumë prej
ish-drejtuesve dhe ish-punonjësve të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të
Shqipërisë. Edhe pse një pistë ku mund të ‘vrapohej’ disi me hile, pra mund të
bëhej më pak gjueti shtrigash (krahasuar me segmente të tjera të jetës në të
atë rend), punët atje shkonin keq e më keq. Por le të ftillohemi paksa. Është
mjaft e lehtë sot të kërkosh llogari e shpjegime për atë kohë. Nga ana tjetër,
druaj se kritikuesit më ‘parimorë’, kanë qenë ndër lëvduesit më të mëdhenj të
rregjimit. Tani, trima pas lufte, shumë asish, të mbushur me mllefe, po i
shfrytëzojnë këto tablo të hidhura të së shkuarës për t’u shtirur pjesë e
dizidencës së paqenë. Këto sprova ‘trimërie’ të bëjnë për të qeshur.
Që të
kthehemi në temë, në një vështrim të përgjithshëm, me një të rënë të lapsit nuk
e zhbën dot atë gjysmëshekullin e vështirë, ja ashtu siç ishte ai, herë-herë
shtypës e tejet i ftohtë, herë-herë me fare pak shpresë. Veçmas, për disa nga
ikonat e letërsisë dhe të artit shqiptar në vite, ka ardhur koha që të hiqet
dorë nga sulmet pa sens. Ismail Kadare është vënë shpeshherë në qendër të
diskutimeve që rrahin të hedhin poshtë ose të rivlerësojnë atë çka ka mbetur
nga soc-realizmi. Nuk shkon që në këtë temë të flasësh ashtu, veresie. (Të më
falë lexuesi që nuk gjeta dot një fjalë tjetër.) Atëherë shumica e
intelektualëve, shkrimtarëve dhe artistëve, studentët më së pari, mund të
thuhet pa e tepruar, e “përgjonin” veprën e Kadaresë. Stili, gjuha, përsiatjet
e dyzuara të personazheve, prirja për të sjellë diçka ndryshe, vështirë se u
lënë shteg kritikuesve liliputë. Edhe në librat më të angazhuar të tij,
gjendeshin “elemente të ndaluara”. Thjesht sa për një ilustrim, pikërisht te
“Dimri i vetmisë së madhe”, një nga personazhet kryesore,
Ismail
Kadare, sikundër jam shprehur edhe për kolegun e tij, Dritëro Agollin - dhe
ashtu si rëndom shkrimtarët e mëdhenj - të jepte përshtypjen e një njeriu që i
dhimbsej shumë vetja. Dhe njëherësh, nuk pranonte se kishte rivalë. Disa e
cilësonin cinik. Mendjemadh. Më vonë, e kanë gjetur edhe si një njeri pa
skrupuj. Pas vitit ‘90, në vazhdimësi ai ka braktisur anën e keqe të së
shkuarës të të gjithëve, por edhe shumë nga miqtë dhe miqësitë e rrethit
komunist. Nuk kemi të drejtë të gjykojmë zgjedhjet e tij, ndërkohë që mund të
themi pa droje se ka qenë dhe mbetet një figurë e çuditshme. Por është një yll
i letrave dhe i kulturës shqiptare, një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të
këtij vendi në kohëra.
Duhet t’i
themi gjërat hapur. Kadare ishte edhe deputet në ‘atë kohë’. Por, për hir të së
vërtetës, edhe pse një nga të “përkëdhelurit” e Lidhjes, Kadare shihej me dyshim
nga vetë komunistët dhe fanatikët. Gjer edhe në sferat e larta, kishte shumë
njerëz që nuk e donin; për ta, ai ishte njëlloj armiku. Përveçse me një vepër
ku nuk mungonin dyzimet, (“Përbindëshi”, “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”,
“Mësueset e fshatit”, etj.), Ismail Kadare ishte edhe njëlloj snobi, ashtu
vetvetiu. Por e vërteta është që ai nuk anonte nga të mërzitshmit dhe “të përdorurit”. Bie fjala,
qëndrimi i tij në mbledhjet e Kryesisë së Lidhjes apo në takime të tjera më të
zgjeruara, ishte një detyrim që (dukej sheshit) mezi e përmbushte. Për disa nga
pjesëmarrësit, mbledhjet e gjata ishin një mënyrë për t’u realizuar. Në to,
gjendej koha dhe hapësira e duhur për të goditur kundërshtarët. Me sa më
kujtohet, në disa mbledhje të Lidhjes - ku kam qenë si dëgjues - Kadare rrinte
ftohtë, shpeshherë nuk fliste fare, mezi priste të mbaroheshin fjalët e thata
dhe të ngrihej e të ikte (me sa dukej) te vepra e tij.
Në
Fakultetin e Histori-Filologjisë, Ismail Kadare na jepte letërsinë moderne,
alias moderniste. Por atje ndodhte që po ata pedagogë të cilët silleshin
‘ashpër’ me shkrimtarët dhe poetët “modernistë”, shpërndanin tekste dhe libra
të tyre në gjuhë të huaj apo në shqip; (disa prej botimeve që dilnin në
Kosovë)*. Të merremi me një emër të njohur që të tërheqim sadopak vëmendjen mbi
veten tonë si anonimë, kjo është kaq qesharake...për amerikanë e shqiptarë. Por
ndërsa të parëve s’kemi ç’t’iu themi, mes vedi le të jemi më tolerantë dhe
mirëkuptues.
......................................
* Siç jam shprehur edhe në shkrime të tjera, në shumë vështrime, Kosova e para viteve ‘90 ishte krejt përpara nesh; e kam fjalën për botimet dhe kulturën.