Mendime
Mehmet Kraja: Korrigjimet në tekstet e historisë
E merkure, 29.05.2013, 09:00 PM
Korrigjimet
në tekstet e historisë
Nga Akademik Mehmet Kraja
Pse duhej të ndodhte?
Historia
krijon vetëdije dhe botëkuptim, prandaj sulmet ndaj historisë së një populli që
prej kohësh konsiderohen si sulme ndaj identitetit dhe qenies kombëtare.
Politika, regjimet dhe ideologjitë vazhdimisht kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë
të kujdesshme ndaj historisë, sepse në shkrimet për kohën e shkuar gjithmonë
janë fshehur paralajmërimet për të ardhmen. Asnjë histori deri më sot nuk është
shkruar pa përzierjen e pikëpamjeve politike në diskursin historik, madje, në
disa raste, shkrimi historik ka mundur të shërbejë si pararendës i zhvillimeve
të mëvonshme politike. Prandaj, nuk ishte e rastit që më 2002-3, në situatën e
një krize të përgjithshme të ideve për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, atëherë
kur në bashkësinë ndërkombëtare u rifuqizua ideja e kthimit te Kosovës nën
administrimin e Serbisë, u shfaq edhe kërkesa e Këshillit të Europës, në formë
të rekomandimit, që në tekstet e historisë për shkolla tetëvjeçare dhe të mesme
të Kosovës të bëhen disa korrigjime, të vogla, të parëndësishme në dukje të parë,
por esenciale në substancë.
Në pamje
të jashtme korrigjimet kishin këtë synim: që nga tekstet tona të historisë të
mënjanohej diskursi i ashpër nacionalist, në mënyrë që te fëmijët shqiptarë të
Kosovës të mos krijohej urrejtja ndaj popullit serb, sepse, sipas një parimi të
përgjithshëm, për atë që kishte ndodhur në Kosovë nuk mund të ishte fajtor
populli serb, por regjimi, pushteti, pra Millosheviqi. Prandaj, kudo që
veprimet negative të Serbisë në Kosovë ishin identifikuar si “serbe”, u
zëvendësuan me “shtetërore”, ndërsa në shumë vende “pushtuesi serb” ose u hoq
në tërësi, ose u zëvendësua me “pushtetin”. Këto korrigjime, në substancë,
kishin implikime të mëdha për historinë mbi njëqindvjeçare të Kosovës në raport
me Serbinë, por, mbi të gjitha, në luftën e vitit 1999. Tani dilte se Serbia
nuk kishte qenë asnjëherë pushtuese në Kosovë dhe se luftërat e shqiptarëve të
Kosovës kundër Serbisë, përfshirë edhe luftën e UÇK-së, nuk kishin qenë luftëra
çlirimtare, por më shumë një konflikt i “shqiptarëve etnikë” me pushtetin, i
cili ua shkelte liritë dhe të drejtat. Këshilli i Europës desh ta sillte
situatën në këtë pikë dhe për këtë qëllim tregoi gatishmëri të financonte
korrigjimet e teksteve dhe ribotimin e tyre.
Shumë më e rëndë se historia e shkruar, ishte historia që përgatitej të jetohej: nëse shqiptarët e Kosovës kishin luftuar kundër pushtetit dhe jo kundër pushtuesit, atëherë ndryshimi i pushtetit në Serbi (me një garanci eventuale ndërkombëtare) vetvetiu nënkuptonte kthimin e Kosovës atje ku kishte qenë para vitit 1999. Do vërejtur se grupi i historianëve që i propozoi ndryshimet në tekstet shkollore më 2003, njësoj si edhe strukturat e Ministrisë së Arsimit, vinin nga provenienca politike e LDK-së, së cilës, në kontekstin e zhvillimeve politike të atyre viteve, i shkonte përshtat minimizimi ose një paraqitje sa më inverzive e luftës së UÇK-së, sepse trashëgimia e kësaj lufte e bënte kundërshtarin e saj politik tepër të fuqishëm.
Dhjetë vjet më vonë...
Dhjetë
vjet më vonë situata në Kosovë paraqitet krejtësisht ndryshe: Kosova është
shtet sovran me shumë njohje ndërkombëtare, loja me statusin e saj ka marrë
fund dhe nuk ka rrezik që ajo të rikthehet nën Serbi në asnjë rrethanë, në
pushtet tani nuk është LDK-ja, por PDK-ja etj. Përdorimi politik i historisë
nuk vazhdoi aty ku mund të pritej dhe të supozohej, në valorizimin folklorik të
UÇK-së, sepse ky valorizim tashmë mund të quhet i përfunduar, pa gjetur ndonjë
kundërshtar aq të denjë dhe të fisëm.
Por,
papritmas u shfaq në horizont një kërkesë tjetër: Qeveria e Turqisë filloi një
trysni të paparë mbi institucionet e Kosovës, për të spastruar tekstet e
historisë të ciklit parauniversitar nga përmbajtjet që denigrojnë Perandorinë
Osmane, në këtë fushatë u angazhua kupola më e lartë e shtetit turk, duke
filluar nga kryeministri, ministri i Jashtëm, ministri i Arsimit dhe,
natyrisht, ambasadorja në Prishtinë, e cila tashmë ka marrë në dorë kryerjen e
punëve operative. Ngjashëm me rastin e dhjetë viteve të shkuara me rekomandimet
e Këshillit të Europës, Ministria e Arsimit e Kosovës përsëri bëri një
komision, për të identifikuar pikat nevralgjike ku duhej ndërhyrë, tani
komisioni nuk përbëhet vetëm nga historianët, por përfshin edhe gjeografë,
albanologë, osmanologë etj, pra, një spektër të gjerë të “dinjitarëve”
kosovarë, të angazhuar pa hile që nga kjo lojë të dalë e fituar Turqia dhe
shteti i Kosovës të nëpërkëmbët sa më fort.
Themi
kështu, për shkak se planet dhe programet mësimore janë çështje të shtetit dhe
ndërhyrjet nga jashtë në përmbajtjet mësimore mund të konsiderohen si shkelje e
sovranitetit. Më anë tjetër, përfshirja e pashembullt i kupolës më të lartë
politike të shtetit turk në këtë çështje, bën të ditur se trashëgimtarja e
sotme e dinastisë së dikurshme të selxhukëve, Turqia bashkëkohore, krahas
fuqizimit ekonomik, në programin e vet kombëtar e ka ndryshimin e imazhit të
pushtuesit të dikurshëm të Ballkanit. Që në vitin 2009, në një konferencë për
çështjet e Ballkanit mbajtur në Sarajevë, ministri i Jashtëm turk, Ahmet
Davutogllu, pasi u shpreh me fjalë mallëngjyese “për sundimin e lavdishëm
osman”, i cili “i solli dritë dhe emancipim Gadishullit Ballkanik”, “u bëri
thirrje popujve ballkanas, e në radhë të parë Bosnjës, Shqipërisë dhe Kosovës
që t’i kthehen prapë asaj kohe të artë” (citimi sipas Kadaresë,
“Mosmarrëveshja”, faqe 35). Për të realizuar këtë program kombëtar, Turqia e
sotme ka gjetur terren të përshtatshëm në tre shtetet e përmendura të
Ballkanit, njësoj si në dy ose tre shtete të Azisë së largët: paqëndrueshmërinë
ekonomike, trashëgiminë historike dhe mentalitetin anadollak.
Kriza ekonomike në Europë i shkon përshtat kësaj rrethane, sepse në shtetet e Ballkanit mungojnë ndjeshëm investimet perëndimore, ndërsa Turqia paraqitet prijëse në eksportimin e kapitalit në këtë rajon, duke krijuar një atmosferë biznesi krejtësisht orientale në këto vende të përfshira nga transicioni i mundimshëm. Pra, thënë ndryshe, Turqia e sotme e ka vendosur të mos bëjë investime vetëm për leverdi ekonomike, por duke imponuar edhe synimin e saj për një rol të ri në këto hapësira, i cili shkon deri te projeksioni fantastik i rikthimit në skenë të Perandorisë Otomane, natyrisht me një pamje të re dhe me veshje të re botëkuptimore dhe doktrinare.
Bashkëpunimi në gjenocid
Tani
mbetet çështje e diskutueshme se cilat janë interesat e shqiptarëve në këto
aspirata të Turqisë dhe se me çfarë çmimi duhet ta paguajnë mbështetjen
politike dhe ekonomike që ky shtet ua bën klasave politike shqiptare.
Çmimi më
i rëndë dhe më i papërballueshëm do të ishte krijimi i një amalgame identitare
joeuropiane, një mallkim ky që u ka qëndruar mbi kokë shqiptarëve, së paku
njëqind vjet para se ta bënin shtetin dhe njëqind vjet pasi e bënë shtetin
shqiptar. Përgjatë gjithë periudhës së Rilindjes Kombëtare, përfshirë edhe Lidhjen
e Prizrenit, Lidhjen e Pejës, kryengritjet që i patën paraprirë formimit të
shtetit shqiptar, pra përgjatë gjithë këtyre zhvillime me parashenjë të qartë
kombëtare, në lëvizjen shqiptare ka vepruar e pandarë një rrymë proturke, e
cila në disa çaste vendimtare arriti ta devijonte çështjen shqiptare, qoftë
duke u bërë zë i fuqishëm vetëm për një autonomi shqiptare në kuadër të
Turqisë, qoftë edhe më vonë, duke synuar ta bënte shtetin shqiptar “një Turqi
të vogël në Ballkan”. Ishte meritë e një klase politike dhe një klase
intelektualësh properëndimorë, të cilët, gjatë viteve njëzet dhe tridhjetë të
shekullit të kaluar, përfundimisht e shkëputën Shqipërinë nga trashëgimia
anadollake. Mirëpo, në Kosovë, për shkak të zëvendësimit të një pushtuesi me
një pushtues tjetër edhe më të egër, nuk u zhvillua procesi i shkëputjes
emancipuese nga orientalizmi dhe turqizmi, madje, sikundër dihet, ruajtja e
trashëgimisë otomane në të gjithë përbërësit e jetës shoqërore u stimulua nga
programi nacional serb. Çuditërisht, jo Turqia e sulltanëve, por Turqia e
Ataturkut u bë aleate e fuqishme e njërës dhe tjetrës Jugosllavi për
shpërnguljen e shqiptarëve nga Kosova. Asgjë nuk ndihmoi që kjo të mos ndodhte,
as lidhjet tradicionale shqiptaro-turke, as minoriteti i madh shqiptar në
Turqi, as prania e madhe e shqiptarëve në nivelet më të larta të administratës
civile dhe ushtarake të shtetit turk. Kosova u lëndua rëndë nga marrëveshjet e
fshehta dhe traktatet e mbetura në tentativë ndërmjet Mbretërisë Jugosllave dhe
Turqisë, apo të Titos me Kypriliun në vitin 1953 në Split.
Që të mund të ndërronte imazhin e saj negativ, tashmë jo otoman, por modern, Turqia do të duhej të kishte kurajë t’i kërkonte falje popullit të Kosovës për këtë gjëmë të madhe që i shkaktoi, duke u bërë aleate e programit nacional serb në gjenocidin e hapur ndaj popullit të Kosovës. Po kaq lëndues për shqiptarët është edhe një fakt tjetër: në njërën anë, arroganca me të cilën ajo kërkon t’i avancojë të drejtat e minoritetit turk në Kosovë, ndërsa, më anë tjetër, minoritetit shqiptar në Turqi nuk ia njeh asnjë të drejtë. Nxjerrja si pengesë e zgjidhjeve kushtetuese që aplikon Turqia ndaj minoriteteve kombëtare është justifikim i paqëndrueshëm, sepse, kur Erdogani ka interes të fuqizojë pushtetin civil mbi atë ushtarak, ndryshimet kushtetuese i bën pa hezitim.
Diskursi apo përmbajtja?
Ndryshimet,
për të cilat këmbëngulë administrata e lartë e shtetit turk, në dukje të parë
nuk janë të papërballueshme, sepse ngjajnë disi kozmetike, sikur prekin
dizajnimin e historisë, pra shkrimin dhe jo substancën, jo përmbajtjen, jo
faktet historike. Pavarësisht nga mjegulla që mund të krijohet rreth kësaj
çështjeje, qëllimi mbetet po ai: të bëhet “ç’mitizimi” (siç do ta quajë këtë
proces njëri nga mbështetësit e këtyre ndryshimeve) i rolit negativ të
Perandorisë Osmane në historinë shqiptare, jo sa për sy e faqe, por duke i
krijuar favore Turqisë bashkëkohore.
Pra,
sipas mbështetësve të këtij procesi, historiografia shqiptare e ka mitizuar
rolin negativ të Perandorisë Osmane dhe, duke e quajtur atë “pushtuese të
egër”, përçon mesazhe negative edhe për Turqinë bashkëkohore. Prapavija është
politike, nuk është aspak shkencore. Si në rastin e Këshillit të Europës, kur
synohej që, duke zëvendësuar “pushtuesin serb” me “pushtetin serb” të krijohej
një klimë e favorshme për kthimin e Kosovës nën Serbi, po sipas këtij modeli,
historiografia shqiptare që e quan Perandorinë Osmane “pushtuese të egër”,
bëhet pengesë që doktrina e Davutogllusë të gjejë hapësirë me të gjerë veprimi
ndër shqiptarët. Më anë tjetër, pavarësisht kamuflazhit, korrigjimet dhe
ndryshimet nuk janë aspak periferike, jashtësore, por prekin esencën e
trashëgimisë kulturore shqiptare, prekin vetë konceptin e historisë sonë,
kuptimin e saj, vlerën e saj. Për shkollarët shqiptarë, të Kosovës apo të
Shqipërisë, ç’kuptim mund të ketë Skënderbeu me krejt historinë dhe krejt
literaturën që i shoqëron bëmat e tij, nëse përball nuk ka sulltanët pushtues,
por ca përhapës të emancipimit? Ç’kuptim mund të kenë letërsia dhe dijet humane
të Rilindjes Kombëtare, nëse përball tyre nuk qëndronte një pushtues që ua
kishte mohuar lirinë shqiptarëve, por dikush që rrezaton kulturë dhe civilizim?
Idetë se shqiptarët kanë marrë pjesë aktive në ndërtimin e Perandorisë Osmane
dhe se i kanë shfrytëzuar favoret që ua ka krijuar ajo, janë kryekëput ide të
historiografisë serbe.
Fundja, historia e popujve të botës asnjëherë nuk është shkruar duke madhëruar vasalët dhe kolaboracionistët e pushtuesve, sado të shumtë që mund të kenë qenë ata, sikundër që as e drejta e popujve për liri nuk përcaktohet nga ky ves i shëmtuar njerëzor. Për më tepër, çdo shtet normal dhe çdo komb i emancipuar, prekjen nga dikush i jashtëm në gjëra kaq esenciale, siç është vetë kuptimi i mësimit të historisë, do ta konsideronte shkelje të dinjitetit, përçmim dhe fyerje.
Kush janë mbështetësit?
Idetë për
një rol tjetër të Perandorisë Osmane në zhvillimet historike në botën
shqiptare, në historinë e Kosovës në veçanti, kishin një mbështetje edhe para
se të shfaqeshin në formën e tanishme. Që në vitet shtatëdhjetë të shekullit të
kaluar në Prishtinë, në periudhën e liberalizimit të dijes historike, në mesin
e historianëve tanë (me gjasë, nën ndikimin e historianëve të Turqisë) ishte
shfaqur teza se islamizimin e shpejtë dhe masiv të shqiptarëve të Kosovës nën
Perandorinë Osmane duhej parë në një këndvështrim pozitiv, sepse, sipas kësaj
teze, ka qenë pikërisht ky islamizim që i ka ndihmuar ata të ruajnë identitetin
dhe kombësinë, kundrejt sllavizimit, i cili i asimiloi në masë të madhe
shqiptarët e krishterë në Kosovë dhe në viset përreth saj.
Sesa
është e paqëndrueshme kjo tezë, mjafton të sjellim në vëmendje faktin se ishte
pikërisht myslimanizmi sllav ai që hoqi përgjithmonë nga posedimi shqiptar
Tivarin, Plavën, Tutinin dhe Pazarin e Ri. Më vonë, po këta zëra, ose të
ngjashëm, hodhën idenë se Skënderbeu e ka dëmtuar substancën shqiptare me
luftërat e tij kryeneçe kundër një perandorie të madhe, siç ishte Perandoria
Osmane. Këto shqyrtime, ndonjëherë pseudoshkencore dhe ndonjëherë krejtësisht
të përhanta, nga qarqet e disa historianëve u zhvendosen pak nga pak në rrethe
fetare ose gjysmë fetare dhe gjysmë shkencore apo intelektuale. Duke ndjekur
mënyrën e ndërtimit të doktrinave ideologjike, ligjësia historike shartohet me
dogmën, në këtë rast me dogmën fetare, duke deformuar kështu jo vetëm
perceptimin e historisë, por edhe krejt kuptimin e luftërave për liri, te
shqiptarët dhe te mbarë popujt e botës. Ky është insturmentalizimi më i keq i
historisë për efekte joshkencore. Por historia nuk mund të quhet e vlershme,
nëse në interpretimin e saj nuk projektohet e ardhmja.
Për mbështetësit kosovarë të doktrinës së Davutogllusë, rikthimi në skenën ballkanike të një perandorie turke në kufijtë e Perandorisë Osmane, nëse jo me kufij politikë, atëherë gjithsesi me kufij ekonomikë, fetar dhe kulturor, së pari, do të fuqizonte faktorin shqiptar në Ballkan, madje duke arritur ta bashkojë atë, siç ishte i bashkuar në kohën e asaj perandorie (si alternativë e bashkimit të paarritshëm europain); dhe, së dyti, bërja e Kosovës republikë islamike, sipas tyre, do të shkonte më lehtë përmes një islami të moderuar, të tillë çfarë e kultivon Turqia moderne. Shqyrtimet e këtilla mendjelehta, të cilat fshehin brenda ca dredhi primitive, nuk besoj të krijojnë hapësirë më të madhe në botën shqiptare të ideve, sikundër që edhe kjo trysni politike e radhës mbi historiografinë, kulturën dhe mendimin shqiptar do të dëshmohet si një recidivizëm tragjik, i frikshëm për nga egërsia, por me parashenjën e qartë të dështimit pa alternativë.