Kulturë
Halil Haxhosaj: Thesare vlerash kombëtare
E shtune, 06.04.2013, 11:42 AM
LOJËRAT POPULLORE THESARE VLERASH KOMBËTARE
Mr. Muhamet Rogova: “Lojërat popullore të Gjakovës”, etnologji, botoi Shoqata e Intelektualëve “Jakova”, Gjakovë, 2013.
NGA HALIL HAXHOSAJ
Kur ke në dorë dhe e shfleton
veprën me vlera për lojërat popullore në përgjithësi dhe të trevës së Gjakovës,
në veçanti, me titull “Lojërat popullore të Gjakovës“, të autorit,
studiuesit dhe magjistrit të shkencave të filologjisë, Mr. Muhamet Rogova, e
njihesh me këtë pasuri të madhe etnologjike, kulturore, historike e artistike,
të duket sikur je para stendave të një muzeu popullor, që sjell gjera të arta
nga folklori ynë, duke hedhë dritë në këtë pasuri tradicionale me vlera
enciklopedike, të cilën vetëm kombi ynë mund ta ketë.
Duke e shfletuar veprën, këtë pasuri trashëgimore, përveç shkrimit edhe fotot e
lojërave të rralla, që përbëjnë punën shkencore e studimore të këtyre
thesareve, kur e lexon, por edhe kur e shikon dhe e vlerëson, të duket se je në
një sallë teatri ku shfaqen skena, duke rrezatuar kulturë e mjeshtëri
artistike. Mu për këtë gjithçka të frymëzon e të bën krenar. Lojërat popullore
janë një segment interesant dhe po aq i veçantë i trashëgimisë së pasur
materiale e shpirtërore të kulturës në përgjithësi të kombit tonë shqiptar.
Përmes studimit dhe përshkrimit praktik të kësaj trashëgimie, kuptohet edhe
mënyra e të jetuarit dhe e të menduarit popullor në të kaluarën. Këto lojëra
nuk kanë shërbyer vetëm si begati e personave që i kanë luajtur, apo edhe
interpretuar, por njëherë janë edhe kalitje e edukim i të rinjve për të dalluar
të mirën nga e keqja, të bukurën nga e shëmtuara, të moralshmen nga e
pamoralshmja, e të tjera. Kështu, në mënyrë psikologjike dhe filozofike,
nëpërmes këtyre lojërave popullore, janë mësuar edhe etika, normat e kohës si
dhe përshtatja e tyre e virtytshme edhe me normat shoqërore. Sipas autorit të
veprës në fjalë, Mr. Muhamet Rogovës, këto “lojëra popullore janë luajtur
tek ne deri në vitet e 60 – 70-ta të shekullit të kaluar”, pra të shekullit
të XX-të. Andaj, për të mos u harruar dhe për të mbetur si material interesant
dhe tepër i begatshëm për të sotmen, në përthithësi, e për të ardhmen në
veçanti, zotëriu Mr. Muhamet Rogova, i mblodhi, i shtroi dhe i bashkoi për t’i
botuar në këtë vepër me një pasuri të madhe etnologjike, folklorike, e pse jo
edhe psikologjike e filozofike të popullit tonë. Andaj, vetëm kështu dhe në
këtë mënyrë, këto e ruajnë identitetin dhe vlerën e pasurinë e tyre të
begatshme dhe tejet të çmuar.
Strukturimi i veprës është
bërë nëpër katër kapituj, të cilët autori i pagëzon pjesë, që në njëfarë
mënyre, asaj i japin konotacion të veprës shkencore, përveç asaj etnologjike
dhe folklorike. Përveç katër pjesëve që janë: 1. Pjesa e parë, lojëra që
luhen në oda, 2. Pjesa e dytë, lojëra për të rinj dhe fëmijë, 3. Pjesa e tretë,
argëtime me kafshë dhe 4. Pjesa e katërt, lojërat në lumë dhe buzë
lumit, në fillim të librit janë parathënia, dy shkrime të recensuesve dhe
një historik i prejardhjes, motërzimeve dhe të tjera të lojërave popullore të
Gjakovës në veçanti, por edhe në përgjithësi. Kjo mënyrë nuk është aq e zorshme
për t’u kuptuar, edhe për t’u lexuar, sepse përkon me esencën, domethënien dhe
anën kuptimore të tyre. Këtë e konstatoj, sepse në disa interpretime të
lojërave, autori shënon edhe rubrikën KUPTIMI, që ka qëllim të shpjegimit dhe
domethënies së tyre. Madje kjo ngritët në nivel shkencor, sepse aty shënohen
disa sqarime, duke u nënvizuar me fusnota, që e shtojnë jo vetëm domethënien,
por edhe nivelin shkencor të veprës. Kështu nëpër këto shtresime kuptimore dhe
kapituj, autori shpjegon edhe për motërzimet, shtrirjen e tyre gjeografike
shqiptare, vendet e lindjes së lojërave, por edhe anë të tjera.
Duke u nisur dhe lexuar nëpër
këto katër pjesë të veprës, njihesh me objektet e materialet interesante.
Në pjesën e parë janë të sistemuara lojërat që zakonisht janë
luajtur në vende të mbyllura, si në oda, kënde të ndryshme e pse jo edhe në
disa hapësira më të mëdha të objekteve të ndryshme, madje edhe arsimore,
shkolla, objekte fetare e religjioze. Lojërat e kësaj natyre janë luajtur
kryesisht gjatë netëve të dimrit kur janë organizuar rendet, që kanë qenë
format më të njohura në një kohë të caktuar në Gjakovë. Por disa sosh janë
luajtur e interpretuar edhe në gazmende të ndryshme, dasma e tjerë. Në këtë tip
përfshihen numri më i madh i lojërave popullore, sepse përbëjnë një kategori të
posaçme, të cilat patjetër interpretoheshin nga persona me aftësi për t’i
luajtur ato. Andaj, mbase mu këtu i hasim edhe hapat e parë të zhvillimit të
skenës, dialogut e monologut, të teatrit e të tjera. Janë të njohura lojërat si:
loja e kapuçave, loja thijas, loja rripitule, loja e xhandarit, bat-bat shup,
loja e sharkijave, loja e xhambazit, loja e rrotullimit e shumë të tjera.
Në pjesën e dytë janë të sistemuara lojërat për të rinj e fëmijë.
Këto lojëra zakonisht janë luajtur në natyrë, apo siç thotë autori, edhe në
oborre, rrugë, sheshe, livadhe, e tjerë, por disa nga këto lojëra, më vonë janë
luajtur edhe në oborre shkollash gjatë pushimeve në mes të orëve mësimore, apo
edhe për ndonjë festë. Lojërat e këtilla më tepër kanë karakter argëtues, por
edhe zbavitës për fëmijë e sidomos të rinj në kohë të caktuar, atëherë kur
mungonin objektet për lojëra si topi, lojërat e tjera sportive të të gjitha
llojeve të tjera teknike, apo këndet e caktuara të lojërave për fëmijë që janë
të pranishme sot. Pra, disi i përmbushnin këto boshësi si: shala në princ,
talas, mashë e klinc, loja me vija me disa forma, loja guxhas, loja me porta,
kërcim mbi litar, e shumë e shumë të tjera.
Edhe në pjesën e tretë janë përfshirë disa lojëra tejet interesante, të
cilat kanë një karakter tepër të lashtë, pse jo edhe me një shtrirje të gjerë
jo vetëm në gjeografinë e shqiptarëve, por edhe më larg. Këtu janë të shtruara
lojërat që bëhen me kafshë, të cilat janë paksa specifike, sepse ato zhvillohen
në vende të caktuara, në mënyrë paksa më të organizuar dhe me disa norma e
parime, sepse lojtarë dhe interpretues janë kafshët të dirigjuara nga njerëzit.
Ndër to më të njohura janë: ndeshja e gjelave, ndeshja e shotave, por edhe e
shotanëve, e qurave, loja me pëllumba, ndeshja e deshve, e qenve, e tjerë.
Ndërsa loja me e gjerë dhe më e përdorur është “Vrapimet me kuaj” e cila
ka pasur shtrirje të madhe, jo vetëm në Gjakovë. Kjo formë e lojës është
zhvilluar deri vonë, sidomos në dasma.
Në pjesën e katërt të veprës
“Lojërat popullore të Gjakovës”
të Mr. Muhamet Rogovës, janë të paraqitura disa lojëra që janë me
karakteristika të veçanta dhe të cilat, mbase, kanë këtë shtrije më të madhe në
Gjakovë. Duke lexuar titujt dhe përshkrimet e tyre shohin se ato janë luajtur
në vende specifike siç janë lumenjtë e përrenjtë dhe brigjet e tyre, me të
cilat Gjakova ishte e pasur. Kjo pjesë e këtyre lojërave është një begati,
madje një veçanti, që në një mënyrë ose tjetër mund të luhen edhe sot në
pishinat e bollshme, por edhe në ndonjë vend me ujë të pastër, nëse ekziston,
të lumenjve dhe përrenjve të Gjakovës, si: loja mellas, kërcim nga bregu, loja
ma hongsh, gjetja e gurit, notimi shyt, e disa të tjera. Lojërat e këtilla kur
luhen nga fëmijët e të rinjtë edhe sot kanë dhe shfaqin një begati, madje edhe
një kënaqësi të madhe nga interpretuesit e tyre. Gëzimet, argëtimi dhe disa
elemente të tjera janë të pashpjegueshme.
Lojërat popullore të Gjakovës
janë tematika dhe synimi kryesor në këtë vepër. Ecuria e mbarështimi, analizës,
strukturimit, renditjes dhe elementeve të tjera që i zbaton autori lënë për t’u
lakmuar, andaj mund të konstatohet se kjo vepër është një burim adekuat e madje
edhe i përshtatshëm edhe si literaturë shkencore për studime e studentë, por
edhe për shkencëtarë që merren me këtë lëmi. Mbase, edhe pse në këtë aspekt
kishte deri diku një mangësi, Mr. Muhamet Rugova, me këtë vepër sado kudo e ka
plotësuar atë, madje edhe e ka begatuar.
Vepra etnologjike “Lojërat
popullore të Gjakovës” e Mr. Muhamet Rogovës ka vlera të veçanta sepse
sintetizon shënimet e mbledhura të këtyre lojërave që shtrihen në hapësirë
kohore me origjinë që prej periudhës së paganizmit në të gjitha trojet
shqiptare sidomos të Shqipërisë së Veriut, të Kosovës dhe të Gjakovës në
veçanti. Kjo shtrirje në kohë e hapësirë, si dhe vlerat e veçanta që ruan çdo
lojë e këtij koleksioni, jo vetëm janë pasuri vlerash të kombit tonë në shekuj,
por tregojnë edhe për faktin se trungu i familjeve tona gjakovare dhe më gjerë,
ka pjesën e tij me trashëgiminë dhe bëhet pjesëtare me dinjitet në këtë pjesë
vitale të historisë së popullit tonë.
Të vlerësosh se ç’është arti e puna, trashëgimia dhe historia, që mbajnë dhe ushqejnë rrënjët e një kombi, është meritë. Dhe mu për këtë fakt puna, mundi dhe studimi i Mr. Muhamet Rogovës e meriton dhe do ta meritojë jo vetëm mirënjohjen e brezit që jeton, por edhe të brezave që do të vijnë.