E diele, 10.11.2024, 05:57 PM (GMT)

Editorial » Ukaj

Ndue Ukaj: Historia sipas Kim Mehmetit

E merkure, 27.03.2013, 06:05 PM


Historia sipas Kim Mehmetit

Nga Ndue Ukaj

Kim Mehmeti si shkrimtar që është, do të duhej të ishte më i kujdesshëm më fjalën, meqë është i vetëdijshëm për pushtetin dhe ndikim që ajo ka. E nëse pohimet e tij, kanë pasur funksione të tjera, ta zëmë, të riciklojnë ekstremet e ndryshme në Kosovë, me qëllim që me pohimet e tij t’i shërbej ndonjë partie politike, ai ka bërë gabim të dyfishtë. Nëse ka mendua se me pohime e tij ka pohua ndonjë të vërtetë, katërçipërisht ka gabuar, sepse ka pesë shekuj historie që e kundërshtojnë dhe i rrinë fort përballë.

Në të vërtet s’është për t’u shqetësuar e befasuar shumë me pohimin e Kimit, sa me fenomenin në fjalë.

Me të drejt shqiptarët sot pyeten, çfarë na duhen pohime të tilla, që nisen nga premisa të ngushta fetare, për të dhanë konkluzione që bien ndesh me krejt historinë shqiptare?

Nëse me këto pohime, synohet të amnistohet pushtimi osman ndër shqiptar, tendencë kjo gjithnjë e më e zëshme nëpër disa qarqe qyqare shqiptare, atëherë muret mbrojtëse kundër kësaj rryme vetëm sa do të sforcohen dhe rriten, e kështu natyrshëm hendeku mes shqiptarëve do të thellohet. Kjo s’i sjell asnjë të mirë debatit të brendshëm brenda shqiptarëve, përkundrazi trazon ndërgjegjen shqiptare dhe fut përçarje mes nesh, në një kohë kur kjo më së paku na duhet.

Meqë në fillim, me një pohim ad hominum, Kim Mehmeti prishi rendin e  gjërave dhe historia u vu në funksion të simpative personale, tash ravijëzohet historia shqiptare sipas autorit në fjalë, ku ngjarjet ndryshohen, e më historia e Skënderbeut s’ka pse na hynë në punë, ashtu sikurse s’kemi pse flasim për përpjekjet e Pjetër Budit e Pjetër Bogdanit për çlirim nga ata që na dvarnë dije e kulturë. Më keq, zhvarrimi i Bogdanit na qenka akt shenjtërie, e jo barbarie.

Po ashtu, gjithnjë sipas këtij pohimi qyqarë, Rilindja Kombëtare, me figurat e shumta dhe përpjekjet titanike për çlirim, na paska qenë një gënjeshtër e madhe, sepse pushtimi osman shqiptarëve ju paskan sjell lumturi e jo mizerie, dhunë, vrasje e prapambeturi.

As luftërat e shumta për çlirim dhe gjaku i derdhur për çlirim, sipas pohimit në fjalë s’është me rëndësi për historinë tonë.

E tash si duket historia shqiptare e bazuar në këto pohime? Atë histori e përbëjnë renegatë, vezirë e pashallarë, por në të s’ka sesi të jetë Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Marin Barleti, Pal Engjëlli, Gjon Buzuku, Pjetër Budi, Pjetër Bogdani, Jul Variboba, Jeronim de Rada, Naim Frashëri, Sami Frashëri, Ndre Mjeda, Naum Veqilharxhi, Konstantin Kristoforidhi, Anton Zako Çajupi, Petro Nino Laurasi, Aleksandër Stavre Drenova-Asdreni, Gjergj Fishta, Fan Noli, Faik Konica, Branko Merxhani, Vangjel Koça, Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Anton Harapi, e shumë e shumë të tjerë, apostuj të shqiptarisë, që vijnë gjer në kohët tona me idetë e tyre liridashëse dhe me orientimin kah qytetërimi perëndimor.

Kimi me një pohim na tha shumë: ndërroi gjithë historinë shqiptare, historiografinë, letërsinë dhe mijëra libra të shkruara për kombin shqiptar, nga shqiptarë e të huaj.

Pohimi të tilla, që anashkalojnë faktet dhe të vërtetat shkencore, janë aq të vërteta sa përralla nate apo debate që bëhen nëpër çajtore ku gulçon injoranca dhe thashethemania.

Shqiptarët janë s’kanë nevojë për histori të bazuara në fantazi e trille, por për histori faktesh e argumentesh shkencore, të interpretuara me kompetencë e logjikë historike.



(Vota: 12 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora