E merkure, 11.12.2024, 02:17 AM (GMT)

Editorial » Ukaj

Ndue Ukaj: Tregimi për gomarin përballë kombit të rrezikuar

E merkure, 28.09.2011, 07:03 PM


Tregimi për gomarin përballë kombit të rrezikuar 

 

Nga Ndue Ukaj

 

Oratori i famshëm Demosteni, duke mbajt një fjalim të zjarrtë në parlamentin e Athinës, me fjalën e vet magjike, u fliste athinasve mbi shpëtimin dhe lirinë e shtetit të rrezikuar. Dëgjuesit s’ ishin të interesuar për fjalimin e tij: disa koteshin, të tjerët gogësinin, e do të tjerë flisnin. Me të hetuar këtë gjë, Demosteni e ndërpreu fjalimin e vet të mrekullueshëm dhe e paralajmëroi një tregim mbi gomarin. Përnjëherë u krijua një heshtje mortore dhe njerëzit filluan t’i hapnin veshët e të dëgjoni tregimin mbi gomarin, sikur prej tij të varej fati dhe liria e Athinës.

 

Përballë sfidave të shumëfishta dhe debateve të polarizuara, shqiptarët tash dëgjojnë gjithfarë tregimesh për kombin, e më së shumti atë për gomarin. Mirëpo, ata më shumë se kurrë, kanë nevojë t’i  mbyllin veshët përballë tregimit për gomarin dhe t’i pastrojnë veshët kur  flitet përnjëmend për shpëtimin dhe lirinë e shtetit të rrezikuar. 

 

Është thënë dhe përsëritet vazhdimisht se shqiptarët jetojnë në një moment tranzicioni të stërzgjatur. Tashmë ka një kohë të gjatë qysh kur përpëlitjet për demokraci vazhdojnë të mbesin shterp, ndërkohë që debatet e pafundme, gjithashtu pa sukses, kërkojnë shkaqet e kësaj gjendje vendnumërimi. Synimet tona kombëtare, për të sendërtuar aspiratat e kahershme për një komb të fort dhe të rikthyer dinjitetshëm, në shtratin e natyrshëm perëndimor, ende mbesin synime gjysmake, ndërkohë që zhvillimet pozitive janë të papashme, karshi të këqijave dhe problemeve të shumëfishta me të cilat sfidohemi.

 

Në kohë të tilla krizash, inteligjencia duhet të jetë ajo forca motorike që orienton shoqërinë, sidomos atëherë kur asaj i servohen gjithfarë modelesh të dyshimta dhe pse jo çorientuese. Inteligjencia e ka për detyrë që të ushqej qytetarin nga e vërteta dhe të priret vazhdimisht nga e vërteta, pa ekoivoke dhe ambiguitete të dëmshme.

 

Për të shpjeguar kontekstin shqiptar, e veçmas atë të Kosovës, empirikisht, mund të na ndihmoj shembulli shumë domethënës, i cili edhe pse flet për një ndodhi të lashtë në Greqinë antike, me domethënien dhe rëndësinë, tingëllon bukur në kontekstin tonë

 

Në këto ditë përplasjesh të ashpra për çështje kruciale, siç është identiteti kombëtar, kemi qenë dëshmitarë të një debati të ashpër, në thelbin e së cilës u shfaq kriza identitetit si çështje komplekse. Në këtë kohë, inteligjencia, e sidomos ajo që mund të cilësohet si “zyrtare” ka fut veshët në lesh dhe sorollatet poshtë e lart, e vetëkënaqur se ekziston, duke mos e kuptuar se asnjë fenomen, njeri apo lëvizje, nuk e ka vlerën apriori, nëse atë nuk e arsyeton, krijon dhe promovon.  Shqiptarët edhe dekadën e dytë të shek XXI, ballafaqohen me probleme të thella identitare, përmasat e së cilës janë tepër serioze dhe nëse nuk reagohet mençurish, mund të rezultojnë me pasoja të rënda. Kjo gjendje shtron natyrshëm pyetjen, a duhet shqiptarët të dëgjojnë tregimin për gomarin, në një kohë kur problemet e tyre janë të thella, të shumëllojshme dhe pa shenja për t’u tejkaluar shpejt dhe lehtë?

 

Parabola ne fjale, e përmendur në fillim të këtij teksti, është një sinjifikativ mjaft domethënës dhe përkundër lashtësisë, çuditërisht ne kontekstin shqiptar, ruan një domethënie të freskët, ku raporti mes atij qe flet dhe atij qe dëgjon, është identik me atë mes oratorit ne fjale dhe popullit qe e i përgjumur, i kotur dhe i painteresuar ndodhet përballë dy alternativave për vendin. A duhet shqiptarët ende me i besue tregimit për gomarin apo duhet qytetari shqiptar të ndërgjegjësohet për rolin dhe përgjegjësinë që ka në shoqëri, që te dijë te dalloj tregimin për gomarin me tregimin për atdheun real? A duhet qytetari të kotet, ne kohen kur për fatin e tij behet shume zhurmë, madje shurdhuese?

 

Shqiptarët ka një kohë të gjatë që ndodhën përballë një gjendje të palëvizshme, e ku proceset pozitive mbesin preh e një politike jofrytdhënëse.

 

Shqiptarët për një kohë të gjatë e panda, po dëgjojnë tregimin për gomarin, edhe pse janë të vetëdijshëm dhe e dinë se shteti dhe kombi i tyre ndodhet përballë një rreziku kërcënues.  Prandaj, është koha që përgjumja dhe kotësia e gjatë të përfundojnë, jo duke dëgjuar tregimin për gomarin, por alternativat e shëndosha për shpëtimin dhe lirinë e shtetit të rrezikuar. E për këtë, duhet t’i rikthemi zanafillës së identitetit shqiptar dhe të mësojmë nga klasikët e mendimit shqiptar, të cilën kanë dhënë alternativat e shëndosha për të ardhmen e shqiptarëve. Koha nuk pret, prandaj duhet të përplotësojmë boshllëqet e shumta, që të ecim dinjitetshëm drejt horizonteve të reja aq shumë të pritura.



(Vota: 12 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora