Mendime
Elvin Luku: Facebookpolitika
E marte, 12.02.2013, 07:11 PM
FACEBOOKPOLITIKA
“E ardhmja e njerëzimit nuk është evoluimi i teknologjisë, por mënyra e përdorimit të saj.” (Dominique Wolton)
Nga Elvin LUKU
Kur
Hermesi, shpikësi i shkrimit, sipas Platonit, i prezantoi krijimin e tij faraonit
Thamus, këtij të fundit i ngriu buzëqeshja dhe i tha: “I mençuri Hermes: Memorja
është një dhuratë që ne duhet ta mbajmë gjallë. Me shpikjen tënde, njerëzimi do
ta humbasë atë. Njerëzit nuk do të jenë më të aftë ta kenë kujtesën si aftësi
të brendshme, por si një mjet përtej tyre”. (“The
future of book”, Umberto Eco)
Sot, ne e
kuptojmë se frika e faraonit egjiptian vinte nga padija dhe mosnjohja e
rëndësisë së shkrimit si media e re, sikurse kuptojmë sekpticizmin që ka
ekzistuar në shekuj, se alfabeti do të “vrasë” imazhin, libri do të “vrasë” katedralen,
makina-njerëzimin sepse ecim më pak, televizioni-librin, kompjuteri-TV-në,
interneti-gazetën etj…
Historia
përsëritet!
Së
fundmi, kryeministri Berisha kuptoi se “Shqipëria dixhitale” nuk ka të bëjë as
me kodin mors, radion, kabinat telefonike, as postën e dikurshme shtetërore,
dhe hapi edhe ai faqen e tij në Facebook, - Në fakt, bëri mirë.
Megjithatë,
për saktësi profesionale, duhet të kujtojmë shakatë “ciu-ciu” të kryeministrit
me rivalin e tij politik Edi Rama dhe komunikimin në Twitter: “Rroftë ciu-ciu! Por, Shqipërinë
dixhitale, ne nuk e nisëm për të krijuar opozitën virtuale. Shqipërinë
dixhitale e nisëm që shqiptarët, pavarësisht nga bindjet e tyre, të kenë
shërbimet më të shkëlqyera, të njohin shpejtësitë më të mëdha. Rrjetet sociale janë
rrjete sociale dhe nuk duhet t’i deformojmë qëllimet e tyre. Ato janë për të
shumuar plazmën e njerëzisë e komunikimit midis njerëzve.” (Mbledhje
qeverie, 22 gusht 2011)
Habiteni!
Sigurisht, që jo.
Koherenca
e mendimit dhe vizioni për të ardhmen nuk kanë qënë ndonjëherë pika të forta të
kreut të qeverisë, si…
I pari që
nisi të bëjë politikë aktive në mediat sociale, është lideri i opozitës Edi
Rama, i cili me komunikimin politik në Twitter pati dhe vazhdon të ketë “tifozë”
dhe skeptikë në rradhët e qytetarëve, gazetarëve apo komentatorëve politikë.
Rama është, po ashtu, i pari politikan që
eksperimentoi konferencën e parë në një media sociale. Pas tij, të njëjtën
eksperiencë e ndau edhe ambasadori amerikan Arvizu. Rezultatet ishin befasuese. Një përgjigje se
facebookpolitika funksionon.
Në fakt,
skeptikët të kujtojnë të ashtëquajturën lëvizjen ludiste të shekullit XVII në
Britaninë e Madhe, të cilët u bashkuan për të shkatërruar makinat, me
argumentin se po kufizonte ndjeshëm
krahun e punës.
Një ndër faqet më aktive në Facebook, është ajo e
profesor Artan Fuges. Filozofi i njohur i komunikimit e përdor këtë dritare për
të diskutuar disa nga temat më të rëndësishme të politikës së ditës, si “Jo, dy ekonomi, një për të pasurit
dhe një për të varfërit!”, “Integrimin europian të Shqipërisë duhet ta marrin
në dorë qytetarët”, “Ne na drejtojnë sendet”, “Gazetaria “e shtuar”,
“Info-obeziteti e vret informacionin”, “Për KKRT: Një propozim qytetar!”etj., dhe
këtë e bën në mënyrë interaktive me mbi 16 mijë miqtë e tij. Faqja është
konceptuar si një media e qytetarit, ku respektohet dhe promovohet mendimi i
çdokujt, por ka disa rregulla të rrepta
etike, të cilat nuk mund t’i shkelësh.
Pra,
Profesori e përdor faqen për të komunikuar me studentë, miq e intelektualë; gjuhëtari
Ardian Vehbiu përdor pjesërisht facebookun e twitterin por më shumë blogun e
njohur “Peisazhe të fjalës” ku ndan shkrime e opinione me gazetarë, gjuhëtarë,
komentues dhe dashamirës të faqes; gazetari Virgjil Kule, për të disktuar mbi
probleme të gazetarisë, poezinë dhe për të promovuar librat e tij, i fundit
“Skënderbeu”; qëndra “Abacus Research” për të shpërndarë të dhënat e matjes së audiences
etj...
Në faqen e
kryeministrit Berisha, më 23 janar ishte postuar kjo barsaletë
për darken që Sekretari për Ekonominë dhe Financën i PS-së, Anastas
Angjeli shtroi në hotel Sheraton ditën e emrit të tij: “...Sipas zakonit, Caci,
të cilit më shumë hije i ka kuleta se fjala, falenderoi
të ftuarit, ngriti dollinë dhe u ul
duke pritur me padurim dhe emocion elozhet e kryetarit të tij,
z.Rama. Pas pak kohe, z.Rama u ngrit, falenderoi me perzemërsi
Cacin për ftesën dhe, ndër të
tjera, tha: Të dashur miq! Unë kam
fatin e madh të mësoj të këshillohem
e të frymëzohem
çdo ditë për çështjet
madhore të ekonomisë dhe
financave, në këtë kohë krize
rrënuese, nga një
personalitet i shquar, i rrallë, me
njohuri të nivelit më të lartë në këto
fusha.
Të gjithë sytë e të ftuarve ishin drejtuar si prozhektor tek Caci!
Vetë atij i vershoi adrenalina nga rrënjet e flokeve tek gishtërinjtë e kembëve. Ai po përjetonte një gjendje më shumë se ekstaze që nuk e kishte provuar
kurrë më parë. Me gotë në dorë u ngrit i përgjëruar dhe gjysmëndenjur në respekt të shefit të tij. Mirëpo, papritmas gjithçka në qënien e tij ngriu, madje,
ngrinë edhe
krushqit, kamarierët, sazet dhe darka, përveç gotës së dollisë që, se si ra nga dora dhe u be copa ne momentin kur shefi i
tij tha se personi apo gjeniu në fjalë ishte gjysma e tij më e mire, pikërisht zonja Basha.
Ç'pate? - i tha bashkeshortja Cacit.
Hiç, hiç, goten ma moren duartrokitjet, u përgjigj ai, ndonese i dukej se i kishte rënë jo tavani,
por hoteli mbi kokë! – sb”.
Pavarësisht stilit jo dhe aq, elegant
të të shkruarit dhe ironisë, nuk janë barsaletat ato që presim nga
një kryeministër.
Kemi dëgjuar se, veç talentit në
mjeksi, kryeministri ka edhe humor. Por, tani për tani, le të mbetemi të
kënaqur me “Al-Pazarin” e Agron Llakajt në Vizion Plus dhe “Portokallinë në
“Top-Channel”. Kurse si mjek, meqë është në pushtet, talentin mund ta tregojë
te shëndetësia, - që është për faqe të zezë.
Çfarë
presin qytetarët tjetër nga kryeministri në facebook?
Në një intervistë dhënë së fundmi
në një të përditshme, historiani i njohur Pëllumb Xhufi bën një bilanc
22-vjeçar të udhëheqësve politikë shqiptarë në demokraci: “...filluan me vrasjen e historisë e
të Kishës Autoqefale të Fan Nolit në 1992, dhe po e mbyllin me vrasjen e
ëndrrës europiane të shqiptarëve, në 2013. Mes këtyre dy caqeve mbetet një
hapësirë e mbushur me fëlliqësira nga më të pamendueshmet në historinë e
shtetit shqiptar: aleanca të fshehta e të hapura me makinën vrastare të
Millosheviçit gjatë luftës në Bosnjë dhe më tej në Kosovë, mbytje e
demokracisë, vrasje e zgjedhjeve, përmbysje vlerash e morali, katastrofa
ekonomike, përmbytje sistematike të Veriut të Shqipërisë, degradim i programuar
ekonomik e infrastrukturor i Shqipërisë së Jugut, dyndje e kaos demografik në
Shqipërinë e Mesme, “çmilitarizim” i territoreve jugore me tërheqjen prej andej
të reparteve ushtarake dhe atyre të sigurisë, fshirje nga harta e kufijve
jugorë të vendit dhe “mbjellje” e tij me varreza, shkolla, simbole,
konsullata, biznese të dyshimta e qendra terrorizmi e spiunazhi grek, sabotimi
i Korridorit VIII, sabotimi i axhendës europiane të Shqipërisë, rrënimi i
bujqësisë, zhbërja e pasurive kombëtare e deri te mbjellja e përçarjeve
ndërshqiptare veri-jug e Shqipëri-Kosovë.”
(Gazeta “Shqip”, 30 janar)
Veç sukseseve me rritje dyshifrore
dhe, së fundmi, deklaratat gati primitive nacionaliste, asnjë nga këto çështje
nuk e kemi parë në facebookun e kryeministrit, ndonëse prej kohësh flitet një
legjendë për të. Thonë se punon dhe lodhet shumë. Nëse rri tërë ditën duke
sharë me gojë e me shkrim Cacin apo duke mbushur facebookun me “ciu-ciu” e
“puc-puc” për Ramën, atëherë le të vazhdojë të lodhet.
Thuhet se kryeministri i ka dhënë
urdhër gjithë ministrave, që të hapin edhe ata faqet e tyre në facebook.
Urojmë që facebookpolitika
e ministrave të mos imitojë kreun e qeverisë.
Sentenca e famshme e profesorit të
komunikimit Dominique Wolton, se: “E ardhmja e
njerëzimit nuk është evoluimi i teknologjisë, por mënyra e përdorimit të saj”,
më sjell ndërmend albanologun e fundit të gjallë, profesor
Shaban Demiraj, i cili në janar mbushi 93-vjeç. Edhe 100-vjeç, profesor!
Disa vite më parë, një ish-student
i tij u mrekullua kur profesori gjithë vitalitet i tha: “Vazhdoj të punojë edhe
më shumë për shkenën e gjuhësisë. Kam botuar edhe dy libra të
tjerë. Tani kam një lehtësim të madh nga kompiuteri. Është një
shpikje e mrekullueshme, edhe për ne”.
Ka shkrimtarë që
vazhdojnë të shkruajnë “me dorë” dhe janë nobelistë; historianë,
kineastë, teoricienë që kanë spikatur edhe në diktaturë,
sikundër ka jo pak gazetarë, inxhinjerë, matematicienë,
ekonomistë, informaticienë që janë
dështakë në
demokraci, etj...
...Nuk është gjithmonë e lehtë të përcaktosh raportin dhe harmoninë mes formës dhe përmbajtjes.