Kulturë
Qazim Shehu: Në qe...
E shtune, 09.02.2013, 04:50 PM
 NË QE..
NË QE..
NGA QAZIM SHEHU
Në qe dashuri, në qe pëlqim,
A thjesht një tentativë, 
Kur sytë e tu me guxim, 
Lëvizën si një zhivë.
Ish një mosmendje , një maraz,
Regëtimë pasionante,
Kur fjala jote u ngrit kas, 
U tret në diamante.
Jeta zgjat gjer tek yjet, 
Sa një psherëtimë,
E per tu bindur se ekziston, 
Kapet ne një grimë.
Dhe zgjat aq sa zgjat, 
Në qiell një re e vogël, 
Që shkrihet heshtur në shtërngatë, 
Duke fshirë lotin..
E BËMË KËTË MBRËMJE
E bëmë këtë mbrëmje,
Ashtu siç deshëm,
Trokitëm në hone, 
Mite zhveshëm.
I thamë të gjitha,
Ç`na erdhi në çast, 
Me fjalë e joshje, 
Me art e pa art.
Tutje në shelgjishte, 
Vërshëllente era, 
Gjethet kullandriste, 
Në flakëza të mjera.
Si mullar me enigma, 
Kodra përballë, 
I mblidhte flakëzat, 
Për të shpërthyer në çast.
Dhe përroi rridhte, 
Me trokashkën e shelgut, 
Në qetësinë e trishtë, 
Numëronte shekujt.
E bëmë këtë mbrëmje…
OXHAKU
Nxjerr tymin drejt e drejt në hapësirë,
Si fjolla fjalësh të plasura, 
Kur pranë vatrës u dha nxehtësi, 
Në shpërthim bërthamësh të ashpra.
Kur si bisht dhelpre në çark, 
Mbeti ndonjë fjalë,
Ai tymin nxori si lak, 
Në natën që troket e bardhë.
Kështu , o miq, shoshiti jetën përherë, 
Në andralla e të vërteta, 
Dhe ju  s`dini që për një poezi gati të ngjashme, 
U pushkatua poeti Genc Leka…
SYTË
Në segmente jete pafund,
Ku kufijtë treten, 
Syri jot shkund, 
Hije fjalësh të errta.
Si vizatimet e Arkimendit në rërë, 
Ku fshihet graviteti, 
Syri jot shkon përherë, 
Në fshesa malli , i shkreti.
NJË FIJE BARI
Një fije bari sintagmë Uitmani,
Çon trupin plot kryeneçësi,
Është ngritja më e fortë që mund të ketë, 
Asaj që i duhet të bëjë hijeshi…
ZJARR NËPËR ERË
Ky zjarr nëpër erë,
Ka marrë revan të madh, 
Me siguri do shkojë të djegë, 
Atë që s`e meriton aspak…
ILUZIONET
Iluzionet e kota të kësaj jete,
I mbështjell me një leckë, 
Për t`i hedhur tutje.
Si gjethe të ptarazuara mbeten,
Dhe era i fshikullon, 
Me përbuzje…
BREGU
Një shi i verdhë kujtimesh të flashkëta,
Ra dhe mbushi lumen dingas. 
Bregu tjetër shokut përballë, 
I ktheu kurrizin.
Dhe gjithë të tjerave ç`qenë në të, 
Duke u ndjerë i qetë, 
Pa harruar lumin e verbër, 
Nga i cili s`di ç`pret…
LEXIMI
Mbi zjarr të vërtetash, 
Mbi libra memuarë,
Filozofë me mjekra, 
Derdhën fjalën e marrë.
Dhe ec të zbërthesh, 
Këto gracka të bukura.
 Që ngrihen nëpër re, 
Flutura flutura.
Në qiell të mendimit, 
Mizëri, 
Dhe kaq të shenjta, 
Si në tempull një hyjni.
GABIMI
A thua gabimisht erdhëm në këtë botë, 
Në vendin tonë mund të vinin njerëz 
të tjerë.
Ata me kast munguan,
Që ne të ndjejmë shkatërrimin e kësaj bote, 
Pa vlerë…
PENELOPA
Si grua dinake sajoi, 
Një arsye për të mos thënë, 
Të fshehtën përvëluese, 
Që pak e nga pak e pat ngrënë.
Dy rrathët e zinj nën sy, 
Odiseu i mori për vuajtje,
Duke u ndalur aty,
Pa asnjë mëdyshje.
Njeriu që me dinakëri,
Kapërceu aq pengesa, 
Nuk mundi të ndajë asesi, 
Në rrënjët e vërteta. 
Çarë ato i ushqente, 
Një zjarr i pakuptuar, 
Një enigmë që zbërthente, 
Shpirtin e shuar.
Njeriu që me dinakëri 
Që çau nëpër dete,
E mposhti malli i zi
Dhe gruaja që gënjente…
LOJA
Fëmijë të rritur me gracka,
Fëmijë gabimesh të plakura.
Luajmë, ecim kuturu, 
Në dinakëri të fjalës.
Të zgavruar nga mungesa, 
E dashurisë së madhe.
Loja.
Ëndrra dhe ploja..
KUJTESA
Rrudha rrudha bëhet kujtesë e shenjtë, 
E për çfarë kaloi me tepri,
Për këtë i merren mendtë, 
E bie në kllapi.
Gjersa të zgjohet e të vazhdojë përsëri…

 Facebook
 Facebook Twitter
 Twitter Google+
 Google+ Digg
 Digg










