Kulturë
Kujtim Morina: Poezia e Visar Zhitit
E shtune, 09.02.2013, 06:10 PM
Poezi e
dhimbjes dhe e dashurisë për njeriun
Vështrim mbi poezinë e Visar Zhitit
Nga Kujtim Morina
Poezia e
Visar Zhitit është poezi e dhimbjes, poezi e dashurisë për njeriun, poezi e
dritës ndoshta për të kompensuar vitet e kaluara ne ferrin e burgut komunist,
është poezi e lirisë së ëndërruar dhe e zhgënjimeve prej lirisë gjithashtu. Në
poezinë “Ardhja e Pegasit në Qelinë time” një nga poezitë e para të burgut të
botuara në librin e parë “Kujtesa e ajrit”, 1993, poeti shkruan: “Afër
frëngjisë/ Nëpër barin e pakët- patkonj/ Kulloste një kalë/ Si dikur/ Si në
ëndërr/ Trupi i tij i bukur/ Muzg i larë me shi dhe hënë/ Ç’e mirë të solli
kështu/ Mos je ti Pegasi?!”
Pak a
shumë në të gjitha poezitë e burgut jepet kështu magjia e lirisë e parë pas
hekurave, aty ku çdo gjë merr më shumë kuptim. Çdo kafshë, çdo gjallesë, frut,
pemë, që shihet prej aty është e afërt, e dashur. Poeti i burgosur e ndjen si
gjallon jeta jashtë hekurave të qelisë së tij, i gëzohet lirisë së këtyre
qënieve të gjalla dhe do ta ndajë këtë liri me to. Në një vend ku nuk e gjen
lirinë në shoqërinë njerëzore, poeti përpiqet ta gjejë atë në natyrën e egër.
Dritarja e burgut është qielli, është syri për të parë botën e jashtme, për të
ëndërruar, për t’i mbijetuar atij ferri ku humbën jetën mijëra njerëz.
Një
aspekt tjetër i poezive të burgut janë imazhet dhe portretet e jetës së të
burgosurve brenda në burg, në kamp, në qeli, në galeritë e nëndheshme të
minierave ku punonin të burgosurit në kushte të tmerrshme, në mensën e burgut,
në banjot e burgut, etj. Poeti tregon jetën e këtyre njerëzve në fund të honit
ku i kishte gremisur fati dhe ku i mban gjallë jo thjesht supa e burgut por mbi
të gjitha dinjiteti njerëzor dhe ëndrrat që s’mund të prangosen.
Visar
Zhiti shkruan se “I burgosuri/ gjithmonë ndodhet pas një dere të mbyllur”. Po.
Kështu përfytyrohet ai në çdo regjim. Edhe nëse i ka kushtet normale të
ushqyerjes dhe fjetjes, liria e munguar është një gjë që s’mund të zëvendësohet
dhe ai gjithnjë është para një dere të mbyllur, para një muri të lartë që ia zë
gjithë pamjen. Poeti di të përdorë bukur figurën e antitezës dhe të kontrastit
duke ia kundërvënë robërisë, lirinë, shtypjes, flatrat e ëndrrave, materies,
shpirtin.
Për
pyetjet apo diskutimet që mund të bëhen nëse poezitë e burgut, të paktën 100,
janë shkruar në burg apo më pas, unë s’do t’i kushtoja ndonjë rëndësi të
veçantë. Në këto poezi është kujtesa e atdheut në burgjet e diktaturës
komuniste, më të egrës që ka njohur populli shqiptar në të gjithë historinë e
tij, janë imazhet, përsiatjet e një poeti që u dënua për poezi, vuajti ferrin e
burgut dhe kampeve të atij regjimi dhe ia arriti të dilte i gjallë dhe të na
sillte këto dëshmi tronditëse. Do të kujtoja këtu, albanologun e njohur Robert
Elsie i cili shprehet për krijimtarinë e poetit: “Visar Zhiti është autori
shqiptar, jeta dhe vepra e të cilit janë ndoshta pasqyrimi më i mirë i
historisë së kombit. Ai ishte një prej njerëzve të shumtë që u përndoqën
mizorisht pa ndonjë arsye të qenë. Por ai mbijetoi, fizikisht dhe nga ana
intelektuale e emocionale dhe sot është një prej poetëve më të njohur në
Shqipëri”. Për mendimin tim, mund të bëhet një paralelizëm i gjetur mes poezive
të Visar Zhitit dhe “Rrno për me tregue” të At Zef Pllumit si dy dëshmi të
forta, të besueshme dhe të shkruara bukur të kalvarit të vuajtjeve të
shqiptarëve në regjimin komunist.
Visar
Zhiti thotë vetë se një nga poetët e preferuar të tij është Walt Witman, poeti
kombëtar i Amerikës me shpirtin e madh të humanizmit por unë nuk do ta
përjashtoja që poezia e Visar Zhitit ka diçka të përbashkët edhe me poetin
tjetër të madh latino-amerikan, Pablo Nerudën, me dashurinë dhe këngën e tij
për njeriun që nuk shterret kurrë dhe ia zbut sadopak dhimbjet dhe vuajtjet e
jetës, njeriut të thjeshtë, të vuajtur dhe të përsekutuar.
Duke
sjellë në kujtesë se edhe Migjeni ka një poezi për burgun, “Kanga e të
Burgosunit” besoj se është me vend të vëmë re si e shohin këta dy poetë jetën
në vendin e mungesës së lirisë, në burg. Kujtojmë vetëm dy vargjet e para të
poezisë së Migjenit “Nëpër hekra të kryqzuem të dritores seme/ shof qiellën të
coptueme në katërdhetë copë”. Duket se Migjeni duke mos qenë ndonjëherë në
burg, përpiqet ta përfytyrojë jetën e të burgosurit, në përgjithësi të zymtë,
dhe në ndeshje të vazhdueshme mes “hekrave të kryqëzuem dhe ndërgjegjes seme”.
Ai përpiqet të futet nën lëkurën e të burgosurit dhe të ndjejë si ai
shqetësimet e tij, shtypjen, vuajtjet, dëshpërimin, etj. Ndryshe nga Migjeni,
Zhiti është objekt dhe subjekt i poezisë së tij. Duke njohur realitetin brenda
burgut, ai përpiqet ta ndjejë atë që ndodh jashtë tij, t’i shpëtojë
sadopak atmosferës mbytëse në mos me
trupin të paktën me shpirtin e tij të lirë që s’mund të prangoset, me ëndrrat
që s’mund të mbyllen në kafaz.
Në
poezinë “Qyteti s’më flet”, poeti jep përjetimet e tij pas daljes nga burgu në
fund të viteve 80, kur gjithë Shqipëria ishte bërë si burg i madh. “Qyteti s’më
flet/ qyteti më ka harruar, paranojak është qyteti/ rrugët s’më çojnë në fund
të një mendimi/ por unë kërkoj punë, ky shatërvan mërzie këtu/ m’i hedh
currilat si lakun mbi vrapin/ e harbuar prej kuajsh të pasioneve të mia”. Duket
se magjia e botës së jashtme kur e sheh nga izolimi nuk është e njëjta me atë
kur e prek vetë realitetin në terren. Sidoqoftë, poeti përpiqet të mos heqë
dorë nga ëndrrat apo pasionet e tij dhe të shohë më shumë dritë dhe shpresë tek
e ardhmja. Qyteti në këtë rast simbolizon regjimin shtypës të kohës përballë
murit të të cilit, poeti nuk do të dorëzohet.
Visar
Zhiti e plotëson panoramën poetike të dhimbjes në shoqërinë shqiptare me poezi
të tjera për vuajtjet në jetën e përditshme në regjimin komunist. Një poezi
tjetër e asaj kohe “Gratë e fabrikës së tullave” sjell një imazh tjetër
rrënqethës. Gratë në regjimin komunist duke bërë punë të rënda e megjithatë ato
gjenin kohë për ta ruajtur sadopak bukurinë dhe finesën në atë realitet të
ashpër dhe të pamëshirshëm. “Grave/ askush mund të mos u ketë dhënë lule në
jetë/ por purpurin e trëndafilave/ e
vënë në faqe/ i errësojnë ca sytë me rimel/ sikur t’ua kenë pikturuar peisazhet
e trishta”.
Udhëtimet
e para të poetit në Perëndim në fillim të viteve 90, krahas magjepsjes së
poetit me botën e ëndërruar, sjellin edhe dilemat, brengat dhe stresin e jetës
në liri. Çfarë të bësh me lirinë!? Bota perëndimore që është identifikuar shumë
herë me lirinë dhe demokracinë është shpeshherë e ftohtë! “Dhe në Itali mund të
qash/ mund të rrjedhin rrëkera shirash/ nëpër peisazhin e dhimbjes tënde/ të
varura nëpër trup/ si atij që shet vizatime rrugëve”. Vjen një periudhë kohore
apo një fazë tjetër në poezitë e Zhitit
ku ndihet më shumë zhgënjimi në liri. Disa poezi që autori i ka sigluar të
shkruara në kohën e burgut i shkojnë mrekullisht edhe kohës së lirisë si
“Vazhdimisht tradhëtohet njeriu”, “Dëshpërim që mbaron me një fabul”,
“Antinarcizëm”, “Lakuriqët e natës”, “Dhe tradhëtitë si dashuria, se si...”
etj. Njeriu tradhëtohet në çdo kohë thotë poeti aq më tepër kjo në shoqëritë në
tranzicion ku rolet ndërrohen por karakteret mbeten, ku metamorfoza e disa
njerëzve gjen truall të përshtatshëm për t’u transformuar e për t’u kamulfuar.
Poeti
kujdeset ta plotësojë gjeografinë e poezisë së tij me të gjitha viset e kombit
shqiptar, me njerëzit e shquar të tij, ku mund të përmendim poezitë për
Kosovën, arbëreshët, përkrenaren e Skënderbeut, për Naim Frashërin, Gjergj
Fishtën, etj. Në vitin 2000, poeti botoi librin “Si shkohet në Kosovë”, fill
pas luftës atje. Vetë poezia me këtë titull është emblematike, është dhimbje
për të vrarët, për të gjymtuarit, për njerëzit që kanë humbur të dashurit e
tyre, për “pemët vajtojsa në rrugët e Prishtinës” dhe krimet që kanë parë ato,
rivarrimet, fëmijët e lindur nga përdhunimet etj. Po citojmë disa vargje nga
kjo poezi: “Ti kalë i bardhë, Pegasi im/ si shkohet në Kosovë, tregomë!/ malli
më ka marrë pa qenë kurrë... Ti yll blu i fatit mbi ballë të atdheut/ si
shkohet në Kosovë, tregomë!/ kur të kesh një plagë tjetër të re në trup/ ndiq
udhën e rrëkesë së gjakut”. Krijohet këtu edhe një asosacion mes poezisë së
Zhitit dhe poetit të famshëm rus, Sergei Esenin, me poezitë e tij të ndjera dhe
aktin tragjik të vetëflijimit.
Nga shumë
lexues, Visar Zhiti identifikohet si poet i poezive për burgun. Në të vërtetë,
poezitë e burgut janë një pjesë shumë e rëndësishme dhe për mendimin tim, më e
bukura e krijimtarisë së tij por ai ka poezi të bukura edhe për dashurinë, e
cila për të është një mozaik i plotë ku s’mund të ndahet qartë ajo për të
dashurën, për prindërit, për fëmijët dhe për njeriun në përgjithësi. Po
kujtojmë njërën prej tyre: “Sa shumë e largove ditën e takimit tonë/ deri në
periferinë e harrimit e çove/ dhe unë çdo ditë duhet të të rikrijoj ty/ me
ajrin, me ujin, me dritën”. Në këtë kontekst janë edhe poezitë e ndjera për
babain e tij, shkrimtar edhe ai, që kishte vuajtur aq shumë, për birin e tij të
mezipritur që vjen në jetë, për njerëzit e afërm që iu gjendën pranë në
momentet e tij më të vështira etj. Vlen të përmenden edhe poezitë e tij të
paraburgimit, para vitit 1979. Duket se është i njëjti stil, e njëjta dhimbje
dhe dashuri për njeriun. Zhiti shquhet për gjetjen e metaforave që duket se i
vijnë lirshën, pa sforcime që shkrihen mirë në tekst dhe ndihmojnë për të dhënë
më mirë tablonë, imazhin dhe portretin e poezisë. Poeti nuk kufizohet në
poezitë e tij për dhimbjen dhe për dashurinë për njeriun brenda kufijve ku
jetojnë bashkëkombasit e tij shqiptarë por shkon më larg, është në
bashkëbisedim me poetët dhe njerëzit e vendeve të tjera, kujtojmë këtu një
poezi për poetët e Ballkanit, për Mario Luzin etj.
Sidomos
në librin e fundit me poezi “Thesaret e frikës’ të botuar në vitin 2005, duken
tendencat drejt poezisë moderne, drejt transhendentales, rravgimeve në kufirin
mes jetës dhe vdekjes dhe përtej tij. “Sa shumë më ke braktisur/ nuk braktiset
tjetri kështu/ edhe pse ke vdekur/ as në ëndërr të mos më vish!/ për varrin
tënd më ka marrë malli/ larg tij jam më tepër jetim”. Është një poezi që të
zakonshmen e poetizon ndërsa poetiken dhe mitiken e çdramatizon. Është edhe
tendenca e përbotshme për ta sjellë poezinë sa më afër njeriut, për ta bërë më
të lexueshme, sepse ajo bart fatin e njeriut dhe është mirë të ruajë edhe anën
sociale sepse kështu bashkëjeton më lehtë me njeriun dhe bëhet pjesë e shpirtit
të tij.
Në përfundim të këtij shkrimi modest për poezinë e Visar Zhitit do të citoja edhe një tjetër poezi që duket se sintetizon lajtmotivin e poezisë së tij, thirrjen e zërit të tij të ndërgjegjies, mesazhin për bashkëkohësit dhe brezat që vijnë: “Nuk janë të miat shkallët/ vetëm hapat janë/ rënkimet ikin me erën/ mua më mbetet dhembja/ fitorja bëhet e atyre/ që vijnë pas luftëtarëve/ s’kam më vetvete/ por dashurinë”.