Kulturë
Kolec Traboini: Kambana e Zotit për mikun tonë kish ra...
E marte, 13.11.2012, 06:12 AM
KAMBANA E
ZOTIT PER MIKUN TONE KISH RA...
Daniel Gazullit
Nga Kolec Traboini
Gjithçka
mund të shkruash për Danielin veç fjalën vdekje jo për besë. Nuk ka të bëjë
vdekja me Danielin. Ishte teper vital në fjalën e tij ndaj nuk mund të mësohemi
me idenë se ai nuk mund të shkruaj më. Ishim mësuar ti lexonim shkrimet e tij
të cilat më së shumti kishin pathos atdhetar, ngulmonin në nxjerrjen në
evidencë të traditave kombëtare por edhe në fushë të letërsisë. Padyshim kur vinte fjala për Gazullorët
pasioni i tij ishte i ndezur, sepse vinin që nga Gazulli i madh në kohën
skenderbejane e deri tek të fundit vëllezrit martir Dom Gjon e Dom Nikoll
Gazulli.
Daniel
Gazulli ishte një njeri me vizion të gjërë, nga ata njerëz që tundohen tërë
jetën për fatet e kombit ani pse nuk kanë ndonjë ofiq a kollutuk nëpër zyra
qeveritare. Jo rrallë ka ndodh e vazhdon të ndodh që ata që nuk e kanë atdheun
për kurrgjë, dalin me shitmendje në krye të kombit, ndërkohë ata që punojnë për
komb e atdhe pa zhurmë e bujë heshtohen.
Miku ynë
Daniel ishte nga të heshturit, por që punonin përditë duke nxjerrë prej
shpirtit fjalë e mendime të bukura.
Edhe
natyra e tij ashtu ishte, e bukur. Buronte një urtësi tek ai, një dinjitet i
meritueshëm për gazullorët me emër në histori.
Çfarë e
bënte fjalën e Danielit aq të urtë, aq mirëdashëse, aq të thellë? A thua veç prej ndikimit të gazullorëve të
mëdhej të kombit. Nuk besoj se ishte vetëm kjo megjithëse kjo i jepte një
dinjitet të lartë ardhë prej genit tepër vital. Por ndikonte edhe fakti se
Danieli ka qënë mësues, një mësues i mirë, që përçonte tek nxënësit jo vetëm
fjalën e bukur e të mënçur, pra dijen por e jeptë atë edhe nëpërmjet qëndrimit
të tij, ndaj shumë e thërrisnin Profesor Danieli. Një emër plotësisht i
meritueshëm anipse nuk ja dha ndonjë akademi apo institut, por atë ja dha vetë
populli që di të dallojë e të vlerësojë.
Edhe
atëherë kur shëndeti po e lodhte ai nuk reshti së shkruari.
Më ka ra
shëndeti, shkruante në një letër, por
megjithatë, ço e rrëzo, përpiqem me dhanë ndonjë kontribut.
Dha aq
shumë me shkrime e letërsi të mirëfilltë duke përfshirë ato tregime të
mrekullueshme për vendlindjen, poezitë, esét që mirëpriteshin nga lexuesit e
shumtë e admiruesit e vet.
Pat shkue
me shpresë shërimi në Itali. E erdh një çast që u shkëput. Pastaj u dëgjua një
zë të cilin nuk deshëm ta besonim. Teksa bisedoja me një mikun tonë të
përbashkët i thamë njeri tjetrit se ka edhe keqkuptime e fjala hapet ndonjëherë
edhe pa qënë e vertetë çka thuhet. Por doli se qe e vertetë. Gjëma kish
ndodhur. Kambana e Zotit për mikun tonë
kish ra. Ne ende nuk duam të bindemi.
Duam të vazhdojnë të rrimë me mendimin se ka shkuar në Itali për tu kuruar e do
të kthehet. E rrimë e lexojmë ato gjëra të bukura që ka shkruar. Në të vertetë
jemi ne që shkojmë pak e nga pak tek ai. Kjo ështe jeta. Një kalim gjatë të
cilit duhet të lëshosh sado pak dritë.
E miku
ynë Daniel Gazulli e lëshoi dritën e tij.