E enjte, 31.10.2024, 11:16 PM (GMT)

Kulturë

Kolec Traboini: Kambana e Zotit për mikun tonë kish ra...

E marte, 13.11.2012, 06:12 AM


KAMBANA E ZOTIT PER MIKUN TONE KISH RA...

Daniel Gazullit

Nga Kolec Traboini

Gjithçka mund të shkruash për Danielin veç fjalën vdekje jo për besë. Nuk ka të bëjë vdekja me Danielin. Ishte teper vital në fjalën e tij ndaj nuk mund të mësohemi me idenë se ai nuk mund të shkruaj më. Ishim mësuar ti lexonim shkrimet e tij të cilat më së shumti kishin pathos atdhetar, ngulmonin në nxjerrjen në evidencë të traditave kombëtare por edhe në fushë të letërsisë.  Padyshim kur vinte fjala për Gazullorët pasioni i tij ishte i ndezur, sepse vinin që nga Gazulli i madh në kohën skenderbejane e deri tek të fundit vëllezrit martir Dom Gjon e Dom Nikoll Gazulli.

Daniel Gazulli ishte një njeri me vizion të gjërë, nga ata njerëz që tundohen tërë jetën për fatet e kombit ani pse nuk kanë ndonjë ofiq a kollutuk nëpër zyra qeveritare. Jo rrallë ka ndodh e vazhdon të ndodh që ata që nuk e kanë atdheun për kurrgjë, dalin me shitmendje në krye të kombit, ndërkohë ata që punojnë për komb e atdhe  pa zhurmë e bujë heshtohen.

Miku ynë Daniel ishte nga të heshturit, por që punonin përditë duke nxjerrë prej shpirtit fjalë e mendime të bukura.

Edhe natyra e tij ashtu ishte, e bukur. Buronte një urtësi tek ai, një dinjitet i meritueshëm për gazullorët me emër në histori.

Çfarë e bënte fjalën e Danielit aq të urtë, aq mirëdashëse, aq të thellë? A  thua veç prej ndikimit të gazullorëve të mëdhej të kombit. Nuk besoj se ishte vetëm kjo megjithëse kjo i jepte një dinjitet të lartë ardhë prej genit tepër vital. Por ndikonte edhe fakti se Danieli ka qënë mësues, një mësues i mirë, që përçonte tek nxënësit jo vetëm fjalën e bukur e të mënçur, pra dijen por e jeptë atë edhe nëpërmjet qëndrimit të tij, ndaj shumë e thërrisnin Profesor Danieli. Një emër plotësisht i meritueshëm anipse nuk ja dha ndonjë akademi apo institut, por atë ja dha vetë populli që di të dallojë e të vlerësojë.

Edhe atëherë kur shëndeti po e lodhte ai nuk reshti së shkruari.

Më ka ra shëndeti, shkruante  në një letër, por megjithatë, ço e rrëzo, përpiqem me dhanë ndonjë kontribut.

Dha aq shumë me shkrime e letërsi të mirëfilltë duke përfshirë ato tregime të mrekullueshme për vendlindjen, poezitë, esét që mirëpriteshin nga lexuesit e shumtë e admiruesit e vet.

Pat shkue me shpresë shërimi në Itali. E erdh një çast që u shkëput. Pastaj u dëgjua një zë të cilin nuk deshëm ta besonim. Teksa bisedoja me një mikun tonë të përbashkët i thamë njeri tjetrit se ka edhe keqkuptime e fjala hapet ndonjëherë edhe pa qënë e vertetë çka thuhet. Por doli se qe e vertetë. Gjëma kish ndodhur. Kambana  e Zotit për mikun tonë kish ra.  Ne ende nuk duam të bindemi. Duam të vazhdojnë të rrimë me mendimin se ka shkuar në Itali për tu kuruar e do të kthehet. E rrimë e lexojmë ato gjëra të bukura që ka shkruar. Në të vertetë jemi ne që shkojmë pak e nga pak tek ai. Kjo ështe jeta. Një kalim gjatë të cilit duhet të lëshosh sado pak dritë.

E miku ynë Daniel Gazulli e lëshoi dritën e tij.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora