Kulturë
Cikël poetik nga Kujtim Morina
E diele, 28.10.2012, 06:56 PM
Kujtim Morina lindi në vitin 1972 në Has. Është diplomuar për Matematikë në Universitetin e Tiranës (1994), pastaj për Drejtësi në Universitetin e Shkodrës (2004) dhe ka përfunduar një Program Master 2-vjecar për Integrim Europian dhe Rajonalizëm në Universitetin e Gracit/Austri në vitin 2008.
Nga viti 1999 deri në fillim të vitit 2009 ka punuar me organizata ndërkombëtare në Kukës duke filluar me UNHCR, CARE dhe një kohë të gjatë me OSBE-në. Ka botuar librat me poezi: ‘Dehja nën mjegull” (2007) dhe “Kthimi i syve” (2010). Ka përkthyer dhe botuar poezi nga Niels Hav (Danimarkë), Linda Hogan (Shtetet e Bashkuara), Gabor Mandy (Hungari) etj. Shkruan edhe tregime. Aktualisht punon në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe banon në Tiranë.
HËNA
Krisi hëna
Si një poç i madh prej argjendi
Copëzat e saj ranë në kumbimin e mbrëmjes
Ku i mblodhën shtegtarët e natës
Që i mbartin mbi shpinë si zjarre të vegjël
Toka u platit në një vegim të shuar
Plasi terri nga vrimat dhe skajet
Sytë e njerëzve që vështrojnë qiellin
Për t’i shpëtuar humbjes së zgavrave
E krijuan sërish atë, hënën
Krijesën tonë të venitur
Të hirtë e përgjimtare
Të largët e të rralluar
Herë të plotë e herë përgjysëm
E krijuar kështu natë për natë
Ajo s’është më e thyeshme
Zbehet veç nga afrimi i mëngjesit
Kur të lodhur njerëzit
I kaplon gjumi
ORA
Tik-taku i pandërprerë i orës
Më zgjon nga angushtia dimërore
Dhe nga qerthulli i plogështisë
Kur kryhet cikli i plotë 60 minutësh
Akrepat lëshojnë një tingull lajmërues
Dhe pastaj ngjiten lart apo zbresin poshtë
Në rreth rrotullimin e tyre kobndjellës
Tik-tak, Tik-tak
Kur jemi vetëm e dëgjojmë më mirë
Ora ecën në sinkron me zemrën
Si miu që bren sendet pa pushim
Dhe pastaj sheh se s’ka mbetur
As vend për të futur kokën
Sidomos ora që varet në mur
Seç ka të përbashkët me fatin tonë
Të varur në blunë e hapësirës
Që përkundet nga rrymat ajrore
Dhe nuk e di as nga vjen e as nga shkon
Gjithkush e ka orën e tij të mirë apo të ligë
Ata që nguten ta arrijnë sa më shpejt
Nuk shtojnë veçse rrotullimet
DIELL I ADHURUAR
Lamtumirë o dielli im i adhuruar
Që shket ngadalë në honin e mbrëmjes
Po kthehesh në zanafillë me shkëlqimin e humbur
Duke bartur me vete kujtesën dhe ikjen
Vezullimin e syve të ndritur së largu
Qenia jote e përgjysmon hapësirën
Teksa fshihesh pas kreshtave e majave
Ose në vijën e përgjakur të detit të valëzuar
Perëndimi po digjet në spektrin e ngjyrave
Në mallin e përgjërimin e pasosur
Rojtar i mynxyrave dhe besnik i planetit
Ti endesh pa drojë nëpër gjethnajën e ditës
Me mallkimin e përskajorëve hedhur krahëve
Regëtijnë shkëndijat e fundit, krijesa të çiltra
Në horizontin e ardhmë që më nuk qesh
Shëtisin gjer vonë hije kalimtare
Gjersa muzgu në sfond lajmëron për mbylljen
NATË DIMRI
Asgjë nuk e prish kujtimin e vrenjtur
Që kridhet heshtur nëpër netët pa zë
Dhe vikamën lajmëruese që fshihet në re
Pas perdes së mjegullt të shiut të pritjes
Ëndërrimet lakmojnë syun vegimtar
Që përgjon në etjen e turbullt të natës
Çastin fatlum që i druhet qenies
Lotin fluturues në delirin e fundmë
Ka mbetur veç në një anë xixëllues harrimi
Në shtigje që bartin keqardhje të vetmuar
Një dritë e vagët rend nëpër natë
Me nektarin e pavluar që soset së largu
Mijëra jetë përgjërojnë me mallin e kristaltë
Mallkimin e heshtur që nuk iu dha ditës
Dhe frikshëm ndjekin ëndjen e fillit
Të ngatërruar qysh në rënien e muzgut
Asgjë, asgjë nuk do ta shpëtojë përçartjen e humbur
Që u tret si flatrat e një të dehuri
Në orët flakëruese të marrëzisë së vonë
LUMI I DASHURISË
Përditë e ushqejmë lumin e dashurisë
Që e krijuam diku mes nesh
Kujdesemi t’ia rrisim prurjet
Duke ia shtuar rrjedhat e rrëkezat
E pastrojmë nga ashklat e mbeturinat
Që uji të jetë i pastër si kristali
Ditën e ushqejmë me fantazi të shfrenuar
Dhe natën me ëndrra guximtare
Pastaj dalim bashkë e lundrojme në një varkë
Në lumin virtual të dashurisë
Velat i lëvizim me radhë
Djegim afshin përvëlues
Kolovitemi deri në mbrëmje vonë
Herë me not e herë me varka të vogla
Ruhemi kur i afrohemi gjireve të thella
Se mos mbytemi
Eshtë e rëndë mbytja
Në lumin e kaltër të dashurisë
LAVJERRËSI
Përkundet në ankthin periodik
Në magjinë e vjetër të rikthimit
Qysh pa e arritur skajin
Shtytja e qëllimshme ia ka caktuar rrugën
Derisa të qëndrojë në pikën e vdekjes
Ose fundit të parashikuar
Në pritje të goditjes tjetër fatale
Vetmitari e ka gjithnjë mbi krye
Teksa e sheh veten të varur
Në pengun e hapësirës
Pa idenë fikse të lëvizjes
MELANKOLIKE
Po bien engjëjt e lodhur një nga një
Në gjumin e ëndrrave pambarim
Përskaj lumit të trazuar të zbulesave
Zgjohen kujtime të mëndafshëta ajrore
Që gumëzhijnë me zëra të mekur
E më thërrasin paprerë në vesh
Në një qoshk të pazdritur të mbrëmjes
Dirgjem pashpresë i lidhur nyje
Kundroj skalione resh të hapësirës
Tek afrohen ngadalë si ushtri zulmëmadhe
Duke mbytur largpamësine dhe hijen
Një soditje e fundit e përmallshme
Feks rrëmbyeshëm në sytë e ngurosur
Akoma s’e ka humbur shijen a aromave
Dhe inercinë kryeneçe të dritës
Nën këtë fundosje pa kushte të muzgut
Rri e përgjoj veten time të pranguar
Kërcënimit të heshtur të vetmisë
Nuk i trembem më si më parë
Me këtë tufë kujtimesh e përjetimesh
Që enden në një zonë rrethuese
NË FOLENË E DËSHIRAVE
Sërish u ktheva në folenë e dëshirave
I zmprapsur nga pesha e pamort e humbjes
Lotët m’u thanë brigjeve e rrëpirave
Si hije e varur pas muresh
Në agim erdha në cakun e mocëm
Dhe s’mbolla në ara thonjtë e pendimit
Përkëdhela dëshira të pafajshme
Në ritin e lashtë të kthimit
S’guxova të iki prej syve paqtorë
Tundimi qe i lashtë, kreshpërues
Netëve të gjata me shkëlqim hënor
Përkundem me ankthin largues
Gdhenda fytyrën prej akulli e heshtjeje
Sy të nemitur me dëshira të vrara
Vetë u fsheha pas trungut të një peme
Të mos m’i shohin ëndrrat t’ përndara
NË PRITJE
Eci nëpër kolonat e së keqes
Me shtrojën e hutimit përsipër
Prapa më rri pikëllimi i vjeshtës
Dhe ankthi i orës së nisur
Lexoj në afishe mungesën
Castet si gjurmë të mbetura s’trokasin
Hijet e ikura në mur mbështeten
E shterrin përhumbjen e më tej s’e ngasin
Pres rikthimin e vegimit të shkelur
Që vonë e pashë të endej mëngjezesh
E ndoqa tek shëtiste valëve të dritës
Derisa m’u fsheh nga sytë e mendjes
Ndoshta s’e gjej në treva të gjithkujt
Tek shkuli pa drojë rrënjët e harrimit
Më kot e kërkoj kur e di që s’vjen
Ethet e padurimit ndoshta s’e lënë
ENGJËJT
U nisa në kërkim të engjëjve
Kaptova male e dete
Fusha e lugina
Pas një udhëtimi tepër të lodhshëm
Ndërsa po jermohesha në muzg
M’u fanit një pamje e mjegullt
Që po më afrohej ngadalë
E prita më kot gjithë natën
Derisa m’u kthye në një lugat të frikshëm
Takova shumë njerëz, të të gjitha
Ngjyrave, racave, besimeve e bindjeve
Gjeta plot shokë të mirë që zoti
S’i kishte lënë pa një ves a të metë
Njoha të tjerë që po të bëja krahasim
Mund të ngjasonin me djallin vetë
U riktheva në shtëpi dhe zbulova
Engjëjt e mi, dy vajzat e vogla
Dhe u binda se engjëjt s’mund të jenë
Ndryshe, veçse të vegjël, të pafajshëm