Kulturë
Patricia Lidia: Qëndresa në kazematet e barbarisë
E marte, 23.10.2012, 07:00 PM
Qëndresa
shqiptare në kazematet e barbarisë
Nga poezia e Vezir Ukajt reflektohet mllefi ndaj kushteve të trajtimit çnjerëzor që ushtronin autoritetet serbe ndaj të ndëshkuarve shqiptarë në burgun e Nishit. Në një numër të konsideruar poezishë vërejmë horizontin e një motivi tjetër, të një bote të hijeve, të kujtimeve që faniten si do fantazma në muret e burgjeve, ngjashmërisht me hijet e shpellave të përshkruara nga Platoni në dialogun me republikën. Atdheu e përkrah të ndëshkuarin të harrojë për disa çaste regjimin barbar, por pastaj realiteti monstruoz rivjen me një fuqi më të madhe, këtë herë ankthi duke u shndërruar në një përjetim të vërtetë. Vëllimi „Dhoma numër katër” tubon mes kopertinave të tij poemat e një heroi shqiptar që i ka bërë ballë një bote më absurde se sa absurdi në botën kafkiane.
Nga Patricia Lidia
Vezir
Ukaj u lind në katundin Dobrajë e Madhe të komunës së Lipjanit - Prishtinë (Kosovë).
Është mësues i gjuhës shqipe. Ka mbaruar studimet e larta universitare (letërsinë
dhe gjuhën shqipe) në Prishtinë. Si veprimtar i Lëvizjes Revolucionare për
Bashkimin e Shqiptarëve, me Adem Demaçin në krye, ka qenë i dënuar politikisht
dhe, për disa vjet, dënimin e ka vuajtur në burgun më famëkeq të Serbisë - në Nish.
Edhe pas vuajtjes së këtij dënimi, është arrestuar disa herë. Vezir Ukaj është shkrimtar
dhe ka botuar tri përmbledhje me poezi. Jeton dhe punon gazetar e redaktor i
kulturës në gazetën e mësuesit “Shkëndija” në Prishtinë. Në vitin 2010 ka qenë i
përkthyer në gjuhën rumune nga luftëtari i pa lodhshëm për afirmimin e kulturës
shqiptare, Baki Ymeri. Vjershat e këtij vëllimi („Dhoma numër katër”), janë shkruar
në vitet 1965-1970, në një periudhë të vështirë të ekzistencës shqiptare në Kosovë.
Demostene
Andronescu, i persekutuar politik, thekson se në burg njeriu vdes së pari
shpirtërisht. Duke mos patur asnjë dritë për jetë shpirtërore, shembet në depresion,
dëshprim, urrejtje, pastaj shuhet edhe fizikisht. Për të shpëtuar, shumica sosh
janë drejtuar nga gjithfarë aktivitetesh shpirtërore, duke shpëtuar më parë ata
që kishin vokacionin e lutjes, por jo të gjithë mund ta përjetojmë lutjen si një
flakë e brendshme që ta jep fuqinë për të vajtur më tej. Ndër to dallohen edhe
ata që zbresin një shkallë më poshtë, nga etika në estetikë, nga lutja në poezi.
Poezia duke qenë më lehtë për ta mbajtur mend, krahas lutjeve u bë një nga
format më të mira për jetën shpirtërore të të dënuarve. Siç duket pra, njësoj
si në trojet rumune ku poezia ishte një formë e rezistencës personale për të persekutuarit
politikë, për të ndëshkuarit shqiptarë ajo u bë një ushqim shpirtëror, një shkallë
drejt qiellit, përforcim dhe gurrë e gjallërimit në gjirin e një regjimi
barbar, një mbështetje shpirtërore dhe një shpresë në zgafellat e ditëve të skëterrës:
“Unë shkruaj Poezi/ Letra e bardhë/ të gjithë këndojnë/ të gjithë dashurojnë/ të/
gjithë thurin fole/ Letra ime e bardhë/ skuqet me gjak vargjesh/ ç’bëj/ Unë shkruaj
Poezi.// Ç’fat poezia/ më pret me thikë/ me baltën e saj/ mbaroj shtëpinë time/
Druri i saj në turrë/ të gjallë më vë.// Druri digjet yjet mbesin/ Dru i zi qe
Hiri/ ç’bëj/ Unë shkruaj Poezi...” (Poezi. Ti je...)
Poezia përfaqëson
për këta “dëshminë” dhe inkurajimin suprem se do t’i tejkalojnë të gjitha vështirësitë,
duke vajtur me vertikalitet, qëndresë e krenari, rrugës së tyre, ashtu siç mundnin,
por duke ndjekur një besim: “Për mua vetëm Nesër jo kjo/ është Ditë. Nata në Gjuhën
Time/ flet për Kohën e humbur.../ Jo kjo Sot për mua vetëm Nesër/ është Ditë. As
Nata që vjen Sonte/ nuk është Natë. Për mua krejt hapësira/ veç vendit ku rrinë
Yjet/ është një Burg i errët...// Jo Sot jo Nesër vjen Dita Ime...” (Pranë krejt
pranë agimi). Poezia e burgut komunist të Vezir Ukajt është një komponentë importante
(e rëndësishme) e lirikës shqipe. Është një vjershërim i vuajtjeve njerëzore në
kazematet serbe. “Vuajtja ime nuk ka Emër nuk ka Adresë/ nuk ka Shtëpi nuk ka
Qytet as Atdhe/ Vuajtja ime më ka vetëm Mua të vetmin/ që më vjen e më ankohet
përditë...// Vuajtja ime nuk ka Emër/ nuk mund ta gjurmosh/ t’i pyesësh njerëzit/
të shfletosh Adresar Kalendar/ t’i pyesësh fëmijët e rrugës/ si e ka emrin
Vuajtja e huaj...” Dhe më tej: Mos më pyetni për vuajtjen time/ ajo nuk ka Amë Adresë
as nuk është Fjalë/ si t’jua/ prezantoj si t’ia nxjerr Letërnjoftimin/ Çertifikatë
lindjeje nuk ka Vuajtja ime/ nuk dihet as Dita e lindjes së saj/ as Dita kur do
të Vdesë një herë të Vetme...” (Mos pyet). Dhe kjo vuajtje, e kuptuar konform
krishtërimit, e afron njeriun pranë Zotit.
Janë dy
dimensione absolutisht evidente: kuptimi human i shokut të përvuajtjes, dhe
shpresa në përkrahjen e divinitetit (hyjnores). Në sfond, poezia e burgjeve
komuniste është një ilustrim i porosisë evangjelike fundamentale mbi dashurinë ndaj
Zotit dhe mbi dashurinë ndaj të afërmit. Kështusoj mund të flasim si për një poezi
të “rastësishme”, kur vjen fjala për Qëndresën shqiptare në kazematet e huaja,
e shkruar më 1964, kur autori i persekutuar nga autoritetet komuniste
jugosllave, kuptoi për vdekjen e Fazli Greiçevcit në burgun e Prishtinës. Apo
Nata, një turrë zjarri, e shkruar për një “shpifës”. Poezia e burgut është një ndjeshmëri
e thellë vuajtjesh, dhe si e tillë duhet kuptuar në kontekstin e botimit të saj,
kur komuniteti përmes kodit Morse bëhej pothuajse i përgjithshëm, ngase
ekzistonte një nevojë e domosdoshme informacionesh, ndërsa poezia, madje, edhe
ajo ishte e ndjekur. Për një fjalë të vetme, ndëshkimi ishte i ashpër. Shkruhej
vetëm në mëndje, në memorje, letra dhe lapsi duke qenë rreptësisht të ndaluar,
duke i transmetuar “lajmet”. Dhe “krijimet” përmes kodit respektiv (Morse), me
trokitje në gypat e kaloriferit, motiv për të cilin fillimisht krijon përshtypjen
se vargjet kanë mbetur të palatuara, në formën bruto, por pas rileximit të tyre
e gjen artin poetik:
„Flas me vetveten/ ç’i thonë kësaj/ të mos shohin xhindet/ shikoni kudo në dhomën time/ muret janë bërë Pasqyrë/ ia kthej shpinën vetes sime/ të shoh ç’më pret Larg...// Si i thonë Njeriut/ që flet me vetveten/ po unë nuk kam Fjalë/ një shumnajë mendimesh/ pa Bisht pa Kokë...// E si t’i urtësoj Fjalët/ që ngrihen kundër Meje/ a jam Unë autor i atyre/ që me kuptime më të dhembshme/ më vrasin/ “për çdo ditë nga pak”... (Bisedë). Nga poezia e Ukajt nuk mungon as qëndrimi i revoltës, ashtu siç e shprehin vargjet kushtuar grevës së urisë në vitin 1966, si pasojë e kushteve të trajtimit çnjerëzor që ushtronin autoritetet serbe ndaj të ndëshkuarve shqiptarë në burgun e Nishit: Dita e revoltës mori Plagë/ shpirt pushton Kënga/ Burgu poezinë ma Arrestoi/ Shpresa ime Agim i bardhë/ me gozhda këngën ma gozhdon.// Kënga dallgë/ Deti pa Breg/ tinëzisht ma varros Dashurinë/ Pranga këngën stolis/ gojëlidhur këndoj/ Këngë më Agon Vetja Ime...// Vdekja bën Ekspertizë/ Njeri në Njeriun kërkon.// Shpresa ime Agim i Bardhë...” (Vdekja në ekspertizë).
Përfytyrimeve
të frymëzuara nga realiteti
Përshkrimi
i universit të burgut kalon nga realizmi bruto deri në ekspresionizëm, duke
tentuar të na sjellë sa më afër përjetimet e tyre. Vërehet në poezitë e Vezir
Ukajt, diçka që nuk mund të duket veçse në krijimet e atyre që i kanë përjetuar
përvojat traumatizuese, të përsëritura sistematikisht për çdo ditë. Nëse në tekstet
e shkruara nga ata që nuk kanë përjetuar mundime fizike, burgosje dhe krejt
vuajtjet që pasojnë prej këtu, në lirikën e këtij shqiptari të persekutuar
ballafaqohemi me përfytyrime të frymëzuara nga realiteti (ndryshku, forca e
erozionit të ujit, barra e metaleve etj.), për të ridhënë sentimentin e
degradimit, vuajtjes, shtypjes etj. Përndryshe, në këtë libër, poezitë janë të përshkuara
nga realja dhe metaforat e tyre janë të „qëndisura” me ashpërsinë e realitetit.
Në përfaqësimin e dhembjes, të acarit, të urisë, të mjerimit, të mosprehjes, të
zvetënimit, të padrejtësisë etj., janë krijuar disa nga përfytyrimet më të ashpra:
„Muret e lagështa dhe Terri/ Terri dhe lagështia gjithnjë/ M’i zbrumin/ Eshtrat
e fjalëve.// Mes Murit Territ e Lagështisë/ Zbrazëtia e shenjave në Mur/ Hieroglifi
emrat anonim/ Të të munduarve të Vdekur...// Muri me shenja me grafe të zeza/ Formula
të Jetës e të Vdekjes/ Shenja të mbuluara me Kufomë/ Asnjëherë të varrosura...//
Terri Lagështia Uria Vetmia / Ekip lojtarësh të Fatit të zi/ Bëjnë salto
mortale të padukshme/ I rrëzon Shpresa që fiket shqim...” (Në shtëpinë e bardhë).
Realja në
këtë kontekst është e llahtarshme, aq saqë shpesh herë përshkrimi prek të pabesueshmën.
Acari i metaleve, i gurit, shpërbërja nga poezitë e Bacovia-s ndjehen edhe te
ky poet i talentuar. Nën spektrin e përjetimit, të përmbajtjes së transmetuar,
të jetës, të vdekjes dhe ringjalljes, pasi lexon dëshmi të këtilla, krijon përshtypjen
se edhe atëherë kur lutesh, së bashku me Mbretin David, poezia kontemporane (e
sotme), e atyre që janë të lirë, të zbeh dhe në këtë dritë ajo duket si një rrënqethje
lëkure. Vlen ta japim të tërë, pa shkëputur asnjë pjesë të saj: „Miku im nuk u
dorëzua u desh ta vrisnin/ në vend të huaj lumi trupin ia/ dërgoi// si në Përrallë
u ringjall prapë i Ri/ ja ku më vjen për çdo natë në një Këngë/ e më lut edhe
Unë t’i qëndroj pranë...// Po ku mundem Ti i vdekur Unë i gjallë/ Ty s’të dhemb
Ti nuk digjesh plumbi s’të kap/ a nuk kam qenë dhe Unë si Ti prapë më thotë/ në
këtë Botë dhe në atë Tokë njësoj Është.// Pse atje Jetë e vërtetë a më pret të shpresoj/
kot ëndërroj si Ti s’bëhem Moshë nuk kam/ të Ri të vranë e Unë në Pleqëri asgjë
s’kam/ Vdekja ime s’e ka vlerën që pati kaherë/ në atë Pranverë të vdisja Unë kur
të vranë/ do të mund të dilja nga kjo Jetë të hyja në Këngë.// Qëndro më the
dhe Ti shkove asgjë nuk more/ çka më mbeti veç kjo Barrë që i thonë Robëri/ Ti
atje në Liri në pafundësi në një Parajsë/ a jam më i Gjallë apo më i Vdekur
sesa Ti...” (Qëndresë).
Në një numër
të konsideruar poezishë vërejmë horizontin e një motivi tjetër, të një bote të hijeve,
të kujtimeve që faniten si do fantazma në muret e burgjeve, ngjashmërisht me
hijet e shpellave të përshkruara nga Platoni në dialogun me republikën. Fillimisht
paraqiten kujtimet për fëmijërinë dhe familjen. Atdheu e përkrah të ndëshkuarin
të harrojë për disa çaste regjimin barbar, por pastaj realiteti monstruoz
rivjen me një fuqi më të madhe, këtë herë ankthi duke u shndërruar në një përjetim
të vërtetë: “Në Dhomën “kaluese” tri mure/ Emra Shkronja lloj-lloj/ Data në pranga
lidhur Emra/ Emra të njohur të panjohur/ Shkronjat gjak kullojnë Emrave/ si
plagëve të Kosovës/ si plagëve të mia...// Tri mure heshtjeje/ Hije misterioze
bredh vërdallë/ vazhdon të bëjë Hetime pas Dënimit.// Në Pellg nëntoke Ferr/ Shtëpia
e bardhë burg Nishi/ (e gjeta Kosovën Lidhur në Pranga)/ banesë e Gjyshit e
Babait e Nipit/ Emrin tim Numër ma vunë Etiketë/ i Burgosur Politikisht në moshën
22 vjeç/ Unë Banori më i vjetër i Evropës/ i bërë Skllav/ në fund të Shekullit
Njëzet...” (Në dhomën „kaluese”).
Vëllimi „Dhoma numër katër” tubon mes kopertinave të tij poemat e një heroi shqiptar që i ka bërë ballë një bote më absurde se sa absurdi në botën kafkiane. Vezir Ukaj ka qenë i ndjekur, i torturuar, i trajtuar si një objekt i mirë për ta flakur për „fajin” pse kishte dinjitet. Ballina jep në mënyrë të gëzuar përmbajtjen e librit. Dera e hapur krijon lidhjen mes dhomave të zbrazëta, të mihura në shkrepa, që të shpie me mendimin te qelia e ftohtë e një burgu, sa për trupin, po aq edhe për mëndjen, purgatori i të ndëshkuarit politik ndërmjet jetës reale dhe vdekjes.