Kulturë
Fran Shkreli: ''Kosova - Rruga Drejtë Lirisë''
E shtune, 27.10.2012, 09:17 AM
LIBRI: KOSOVA - RRUGA DREJTË LIRISË
Recensues Fran Shkreli
Libri i
shkruar anglisht ''Kosovo - Path to Freedom'', ose ''Kosova -- Rruga Drejtë
Lirisë'' e autorit dhe veprimtarit shqiptaro-amerikan Sergio (Sejdi) Bitici,
botuar kohët e fundit nga organizata pan-shqiptare Vatra, është një përmbledhje
unike me dokumenta historikë të rolit të rëndësishëm që ka luajtur organizata
Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë dhe themeluesi i saj Tahir Kërnaja,
duke filluar nga viti 1960 e deri më
2002. Libri është një pasqyrë e
veprimtarisë së kësaj lëvizjeje dhe e komunitetit shqiptaro-amerikan në
përgjithësi, në mbrojtje të interesave të Kosovës, në një kohë kur shumë pak
njerëz kishin dëgjuar për hallet e shqiptarëve të Kosovës, nën regjimin e
Serbisë. Ky është një libër dokumentar që – në prak të
100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë -- i dedikohet punës së Rinisë
Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë, e cila për pothuaj një gjysëm shekulli nuk
pushoi së punuari për lirinë e shqiptarëve në Kosovë si edhe të gjithë
shqiptarëve në trojet e veta në Ballkan.
''Kosova -- Rruga Drejtë Lirisë'', është një përmbledhje dokumentash,
përfshirë memorandum dhe telegrame dërguar udhëheqsve dhe kancelarive botërore,
dhe përfshinë trakte e shkrime të
botuara nga gazeta të ndryshme amerikane e të tjera si edhe korrespondenca nga
e gjithë bota -- vetëm e vetëm për të venë në dukje shtypjet dhe masakrat që u
bëheshin shqiptarëve në ish-Jugosllavi, gjatë gjysmës së dytë të shekullit të
kaluar.
Në
parathënjën e librit, Profesori dhe autori i njohur shqiptaro-amerikan, i
ndjeri Peter Prifti, ka shkruar për veprimtarinë e autorit Sergio Bitici, të
cilin e quan si një ''patriot të angazhuar dhe të respektuar''. Profesor Prifti thotë se ndërsa shtypjet
serbe ndaj shqiptarëve në ish-Jugosllavi po rriteshin gjthnjë e më shumë, ai
vendosi të bashkpunonte më ngushtë dhe në të gjitha mënyrat me Z. Bitici dhe me Rininë Shqiptare Kosovare në
Botën e Lirë, për kauzën e lirisë së
shqiptarëve në Kosovë. Me Rininë
Shqiptare Kosovare në Botën Lirë, përveç Profesor Peter Priftit bashkpunuan dhe e këshilluan Profesor Sami
Repishti, Dr. Rexhep Krasniqi dhe intelektualë të tjerë të diasporës. I riu Maliq Arifaj, i cili
nënshkruante të gjitha traktet dhe dokumentat në emër të Organizatës,
shërbente si Sekretar Ekzekutiv i saj.
Por, si
të themi, motorri, fuqia shtytëse dhe frymëzuesi i Rinisë Shqiptare Kosovare në
Botën e Lirë ishte themeluesi i saj , i ndjeri Tahir (Currani) Kërnaja. Tahir Kërrnaja, sipas autorit, ishte
krejtsisht i përqendruar në luftën për lirinë e shqiptarëve në Kosovë si edhe
kundër regjimit të egër komunist të Enver Hoxhës në Shqipëri, ku ai vuajti më
shumë se dhjetë vjetë në gulagët komunistë të Enver Hoxhës para se të arratisej
në Shtetet e Bashkuara në fillim të
1960-ave. Apartmenti i tij ishte
shëndërruar në kryeqendrën e Rinisë
Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë. Tahir
Kërrnaja, i cili e quante veten vetëm një ushtar i thjeshtë në shërbim të
lirisë kombëtare, në të vërtetë ishte më
shumë se aq. Unë e kam njohur Tahir
Kërrnajën nga vizitat e tija të shumta në Uashington, ku u printe demonstratave
dhe protestave kundër keqtrajtimit të shqiptarëve në ish-Jugosllavi, duke
shpërndarë trakte e dokumente, në anglisht dhe shqip, në të cilat
përshkruheshin dhe dokumentoheshin vuajtjet dhe tmerret që pësonin shqiptarët
nën ish-Jugosllavi. Veprimtaria e
Tahirit dhe e organizatës që ai kryesonte
ishte fillimi i përpjekjeve për të bindur botën se trajtimi i keq dhe
shtypjet e regjimit serb kundër shqiptarëve nuk ishin më thjeshtë një
“çështje e brendshme’’ e Serbisë ose
ish-Jugosllavisë.
Tahirin e
mbajë mend si një njeri që nuk fliste shumë, por vepra e tij ishte e
madhe. Gjithmonë me kapuç të bardhë në
kokë, karakteristikë e burrave të maleve tona, dukej si një enigmë, që të
detyronte të bëje pyetjen se kush ishte ky njeri i cili në pamje nuk dukej
tepër impresionues, por i cili shpëndante pa pushim letra, telegrame e trakte
drejtuar udhëheqsve, personaliteteve dhe
organizatave botërore , sidomos
Uashingtonit zyrtar, Kongresit dhe Shtëpisë së Bardhë -- pa asnjë
interes personal, por vetëm e vetëm për t'i njoftuar ata mbi gjëndjen e mjeruar
të shqiptarëve në Ballkan nën regjimet komuniste jugosllav dhe shiptar, dhe si
rrjedhim për t'i bindur ata që të angazhoheshin në mbrojtje të të drejtave të
shqiptarëve. Unë nuk kam njohur ndonjë
veprimtar shqiptaro-amerikan ose ndonjë tjetër, si Tahir Kërrnaja i cili i pa
frikë dhe megjithë sfidat dhe sakrificat e mëdha personale me të cilat përballej,
për dekada të punonte për çeshtjen
shqiptare me aq vendosmëri dhe dedikim.
Madje edhe në periudha kur gjëndja e shqiptarëve në ish-Jugosllavi dhe
në Shqipëri dukej si e pa shpresë, falë rrethanave botërore të kohës dhe
përkrahjes që në atë kohë gëzonte ish-Jugosllavia në arenën ndërkombëtare.
Siç tha
edhe vet Z. Bitiçi gjatë promovimit të librit disa kohë më parë, në Nju Jork,
Tahir Kërnaja ia kushtoi gjithë jetën kauzës së lirisë të kombit të vet, duke
shërbyer në të njëjtën kohë edhe si frymëzues i pa frikshëm për brezin e porsa
ardhur të emigrantëve të rij shqiptarë nga të gjitha trojet. Në një kohë kur sigurimi i shtetit jugosllav
zhdukte kundërshtarët e tij me një efikasitet të përpikët, tha ai, Tahir Kërnaja
nuk kishte frikë që të dilte publikisht në demonstrata e protesta në rrugët e
Uashingtonit dhe të Nju Jorkut dhe të demaskonte krimet e kryera nga forcat
serbo-jugosllave, dhe në të njëjtën kohë të promovonte të drejtat e shkelura të
shqiptarëve para botës. Për më tepër,
Tahir Kërnaja në çdo dokument ose trakt, pa frikë, vinte adresën e tij të plotë
ku jetonte, sepse me mish e shpirt
besonte në kauzën e tij, të cilës i kishte dedikuar dhe jetën. Presidenti legjendar i Kosovës, dr. Ibrahim
Rugova, citohet në libër të ketë thënë për Tahir Kërnajën se, siç e
quanin, ''Babë Tahiri me vepren e tij
ishte një pioner i lëvizjes shqiptare në mbështetje të Kosovës në Shtetet e
Bashkuara, lëvizje këjo e cila së shpejti u bë aq e fuqishme sa që të siguronte
respektin dhe admirimin e Kongresit, të Administratës dhe të popullit amerikan.
Me punën e tij, ai përshpejtoi lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.'' Ish-Presidenti i Kosovës ka vazhduar të
thotë se ''Tahir Kërrnaja do të mbetet si njëri prej burrave më të dalluar të
botës kosovare dhe shqiptare.''
Libri,
''Kosova --Rruga Drejtë Lirisë'' e autorit Sergio Bitiçi është ndër të tjera
një pasqyrim i dëshmive të dorës së parë të viktimave të përsekutuara nga
regjimi jugosllav. Veprimtaria prej
dekadash e Rinisë Shqiptare Kosovare në Botë, dhe dokumentacioni që është
përmbledhur në këtë libër, e që shpërndahej jo vetëm në Amerikë, por edhe anë e
mbanë botës, është njohur nga organizatat ndërkombëtare të të drejtave të
njeriut dhe ka tërhequr admirimin e tyre të kohës. Kushdo i lexonte traktet dhe dokumentacionin
mbi tragjeditë e popullit shqiptar nën ish-Jugosllavi nuk mund të qëndronte i
paanshëm dhe nuk mund të mos dëgjonte zërin e fortë të ndërgjegjes
shqiptare. Ishte ky një zë që duhej të
dëgjohej, në mënyrë të qartë dhe të pagabueshme. Duhej që vet faktet të flisnin për situatën.
Autori
Bitici dhe të gjithë ata, që ai u jep kredi se e kanë ndihmuar në punën e tij
për të përmbledhur në këtë libër të gjithë këtë dokumentacion mbi veprimtarinë
e Rinisë Shqiptare Kosovare në Botë, duhet të kenë admirimin tonë, pasi ky
libër dokumentar, në të njëtën kohë, pasqyron jo vetëm veprimtarinë e një
organizate, por në të vërtetë është një dokumentacion i aktivitetit të
përgjithshëm të komunitetit shqiptaro-amerikan, i cili për dekada ka mbrojtur
dhe vazhdon të mbrojë kauzën kombëtare të shqiptarëve -- dhe në të njëjtën kohë
ka forcuar marrëdhënjet dhe miqësinë midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës
dhe kombit shqiptar.
Biografi
e autorit: Sergio (Sejdi) Bitici është
pronar i një restoranti të njohur në Nju Jork, por mbi të gjitha, ai është i
pasionuar pas artit, shkrimeve, studimit të gjuhëve të huaja dhe
udhëtimeve. I lindur në Bytyç të
Shqipërisë, ai u largua nga vendlindja e
tij në moshën shtatë vjeçare. Pas një
qëndrimi prej 15 vjetësh në Kosovë,
nepërmjet Italisë, ai emigron në Shtetet e Bashkuara në vitin 1966. Ka
studjuar inxhinjerinë në Prishtinë dhe Artet Liberale në Nju Jork. Ndërkohë,
është edhe ndjekës i rregullt në klasat e Ligës së Studentëve të Arteve
të Nju Jorkut.