Kulturë
Agron Tufa: Shën Ali Pagëzori (Podrimja)
E diele, 19.08.2012, 10:03 AM
Shën Ali Pagëzori (Podrimja)
Nga Agron Tufa
Ali
Podrimja i kthehet sot tokës shqiptare të Kosovës. Përgjithmonë. Që nga vitet e
hershme të djalërisë ai qe mësuar më kërcimet nga Ura e Shenjtë dhe shkëmbinjtë
e Gjakovës për t’u kredhur në ujërat e Drinit të Bardhë, e mandej në tërë ish-Jugosllavinë.
Kampion. Fis kampionësh. Në këto kërcime e kredhje, poeti i ri shpiku një qark
të fluturimeve dhe rënieve në prehrinë e tokës së Kosovës, “gjakut që nuk falet”,
një qark fuqidhënës i trimërisë, guximit dhe burrnimit të parakohshëm, prej
majave të larta drejt zemrës së atdheut. Në një nga këto kredhje, siç thonë, ai
u zhyt në gjirin e Ulqinit dhe shpëtoi nga kthetrat e vdekjes shoqen e tij të zemrës,
Fitoren. Me kohë, këto fluturime pindarike i vazhdoi nëpër të gjitha viset e
etnisë sonë, tashmë mbi pegasin e muzës së tij elegjiake në kërkim të lavdisë e
zulmës së shqiptarëve të lashtë. Kur nuk kishte vend për hedhje e zhytje, Ali
Podrimja vraponte, kudo që të ndodhej, me mbërrit e me prekë misterin e gjallërisë
së fushave e pyjeve. Ishte Atlet i përjetshëm. Fëmijë i Lëvizjes. Si nga zemra
e filozofisë së Heraklitit. Gjatë qëndrimit tim në shtëpinë e Hajnrih Bëlit në Langenbroih,
më 2003-shin, vendalinjtë më thoshin: “Ka qenë një poet shqiptar kësoane, që e
përshkonte çdo mëngjes me vrap pyllin nga skaji në skaj”. Nuk e pata vështir t’ia
qëlloja se kush ishte. Dhe tash më bëhet sikur e shoh edhe vrapimin e tij të fundit,
përtej lumit të vogël të Lodevës, drejt fashës së errët të pyllit, së cilës, në
atë mëngjes të amullt e zabullitës korriku, duhet t’ia ketë ngulur sytë si
shpresë për ripërtëritje, si mundësi rigjallërimi të kurmit e mendjes. I shqetë
në mjedise tavolinash e sallash, me vështrim të shqetësuar sikur të gjendej në zgrip
humnere, ai sikur nuhaste njëfarë kurthi. Poeti Ali Podrimja kishte një ndjeshmëri
të mprehtë ndaj rutinës, qëndrimit të gjatë në një vend, ndaj mërzisë orale
prej folësve pedantë, nëse nuk flitej ndonjë gjë thelbësore mbi poezinë apo
atdheun. Përndryshe ai ngrihej, largohej, shmangej. Diç e njohur dhe e përafërt
me mërzinë që shkakton monotonia e stilit. Kur shfaqej në mjediset letrare, ata
që e shihnin për herë të parë dhe që e kishin pandehur shtatvigan, mësonin
shpejt se ideja e përmasave gjigante vinte përthellë tij, në zërin e dendur, të
ulët e pëshpëritës që shpërhapte rreth vetes fjalë me peshë enigmatike, vargje
që spikasnin me atmosferën e tyre në zonën e dendur të heshtjes, hapësirës që duhej
mbushur me meditim. Në këto mjedise letrare gjithmonë ishte i rrethuar nga miq
e adhurues, të cilët mund t’i merrje për gardianë të tij dhe të cilët vetë nuk
ndjeheshin asnjëherë të sigurt, se nga momenti në moment mund t’u shpëtonte me
një kërcim çlirues. Por ky i mbrami ishte kërcimi më i madh i poetit 70-vjeçar
dhe kredhja e tij më e thellë, tashmë prore e pambërritshme për ne, në zemër të
Europës, në mes të Festës së tij, të cilën ai “e mori përgjithmonë me vete”. Me
çdo fluturim e kredhje të tij, Podrimja ynë sikur ravijëzonte kufijtë e Atdheut
dhe përcaktonte vektorin, kahun e rrugëtimit tonë të hallakatur nëpër
labirintet e kohërave dhe historisë. Ky ishte rekordi i ri i papritur i
Podrimjes sonë, dhe kredhja e tij e re befasuese, aq e fortë, sa për pak kohë na
humbi sysh. Por mos u besoni shakave të Podrimjes: e kemi gjithmonë në krah, përbri,
përpara, duke na prirë në mjegullat e përkohshme; zëri i tij do të kumbojë me
jehun e vet tronditës, të esëllt, sentencial e profetik, ashtu siç kumbon
trolli ynë nën këmbët tona në çastin kritik të orës së ligë. Ali Podrimja ishte
orakull i shpirtit të kombit. Nuk njihte gëzim vetjak nëse ky gaz nuk ishte i
plotpjesëtueshëm me gazmendin e kombit; nuk njihte dhimbje e lot vetjakë nëse këta
lot nuk vinin nga thellësia vajtrazuese e shpirtit të kombit; nuk njihte shpresë
vetjake, përpos galdimit e haresë shpirtërore kombëtare. Nëse poeti është shuma
e përbashkët e gazavajeve të një etnie, Ali Podrimja mbetet sizmografi më besnik
i regjistrimeve më të holla të zemrave tona në një zemër të përbashkët, që përbën
Orën e Atdheut. Ndoshta ishte ekzemplari i fundit i asaj race poetësh, te të cilët,
tërë jeta, të gjitha rravgimet kanë një vazhdimësi të pandërprerë – si vizë lidhëse
e një fjalie monologuese mbi fatet hamletiane të atdheut. Poet e asgjë tjetër! Gjatë
gjithë frymimit prej vdekatari – yll roje mbi fatin tonë. Madje edhe atëherë, në
dhimbjen vetmitare kur humbja e atit për birin e çan zemrën e burrit katërsh. Edhe
atëherë është vaji burrëror i humbjes së Atit për Birin që “vdekjen nuk e nënshkruan”,
vaj i qetë, vetanak, i përmbajtur, me zona të errëta nga zgavrat më të fundit të
shpirtit, që ringre te metafora e pikëllimit humbjet e përjetshme të gjithë etnisë
sonë: vajtim i thellë e i thatë në mes të botës moderne, me trena, metro e
avionë supersonikë – vajtim për mpakjen e vdekjen e mundësisë, që Biri “ta
hedhur gurin më larg se unë”. O Burrë i dheut, ti gjithçkaje ia arrite! Dhe
kumtin e vajtimit, dhe gazin e fitores e triumfit e solle në pragun tonë, për të
na parë me sy të picërruem nga ajo visore e mjegullt ku u fshehe! Na le një pajë
mijëra vargjesh, se si të ëndërrohet e shpresohet në epiqendër të zisë. Na le
sekretin e mbijetesës, se si të ngrihemi edhe atëherë kur zemra rrëzohet në gjoks
nga dëshpërimi. Ti nuk je më poet i Kosovës, por zëri i ngjirur nga dhimbjet e
rrëmetet, që nga Guri i Prevezës së çamit e deri te plakat e veshura me të zeza,
që zbresin rrëpirat e Rekës për t’u çmallur me vdekurit e tyre, në një vajtim të
pastër shqip. Je dhe zëri i thellë kushtrimtar nga bedenat e kullës së Balshajve
në kala të Ulqinit, që bën rojë mbi viset e atdheut që po tkurret. Dhe i arbëreshit
që di të vrasë enigmën e sfinksit të maskuar brenda ujkut. Kërcimi yt kësaj
radhe na braktisi, duke na lënë në krye të një udhe, të cilën, edhe nëse e
humbim për pak, na e kallëzon zëri yt, që na shoqëron i prajtë, si në një lojë kukafshehthi.
Ku je mixha Ali? Pse s’na lë një shenjë ku të të gjejmë? Shenjë?! – habitesh ti.
Dhe hesht plot nënkuptime, me atë buzagaz ironie që t’u shfaq viteve të fundit.
Po, ne tash dimë të të gjejmë me instinkt e tahmin, sipas mësimit tënd të vazhdueshëm.
Dhe ia kemi një farë ideje të saktë se ku je… Të shohim… të shohim të zënë përdore
me Lum Podrimjen, që të pret i përmallur brigjeve të lumenjve të Europës që nga
29 shtatori i vitit 1982. Ti shkon me u bashkue me të tjerë, në tjera horizonte.
Shket mbi materien ujore të atdheut me velat e fryra të anisë liburne, që ti e
pagëzove një ditë “Ishulli Albania”. Malli të ka marrë e lypet pak me kuvendë për
lajme t’gëzueshme me miqtë e tu të shpirtit: Martin Camajn, Azem Shkrelin,
Anton Pashkun, Ibrahim Rugovën, me mikun e fëminisë, Din Mehmetin e sa e sa të tjerë…
Ti dijshe me i pagëzue me emën të saktë e të pashqitshëm të gjitha ndjesinat që
na rrëqethin kurmin; ti dijshe me i pagëzue shqip të gjitha ndjenjat e
shestimet tona; ti dijshe me ndërtue me to thurimën e pavdekshme në qelqet e
pavdekësisë shqiptare – një pëlhurë tingujsh me shijen e njelmë të lotit e të gjakut,
të gazit e haresë, por edhe të ironisë së hidhur. Dijshe me i paguezue të gjitha
regëtimat shqip, me tonin e përmbajtun e të errët të kangës tande. Dijshe me
paguezue kaosin shqiptar me emna të saktë – piketa disiplinuese. Deri tek emnat
e njerëzve. “Emni, mixhë, asht një kopsë që e mbërthen realitetin, me mos t’u
tretë fir ndër duer”. E mbaj mend këtë frazë sentenciale që ma the në maj të këtij
viti, në mitingun e poezisë në Gjakovë kur më pyete për vajzat e mia, me emnat,
të cilët ua kishe dhanë ti, mixhë. Emnat e fëmijve që ke pagëzue mixha Ali janë
të shumtë e ti, as nuk i numëron dot. Prandaj, herën e fundit, kur u takuam me 5
qershor në Panairin e Librit në Prishtinë, të thashë, se ndër të tjera, ti
mixha Ali, do të mbetesh në kujtesën tonë edhe si “Shën Ali Pagëzori”. Ti qeshe
dhe unë s’kisha si me e dijtë, se shumë shpejt kishe me e ba atë kërcim të mbramë
në pafundësi e me mbetë prore mes nesh, Kujtesë… Ndërgjegje dhe Kujtesë. Je
ngatërrue për pak ndër folje të kohës së shkueme. Në stilin tand. Për pak… mandej
sërish të kemi në të tashmen tonë të përjetshme.