Kulturë
Sabri Hamiti: Gjergj Fishta (1871-1940)
E premte, 17.08.2012, 05:42 PM
GJERGJ
FISHTA (1871-1940)
Nga Sabri Hamiti
1. Portreti i krijuesit
Gjergj
Fishta për një gjysmë shekulli ishte figura zotëruese e letërsisë shqipe. Madje
për të gjallë u kurorëzua me vlerësimin poet kombëtar. Ai është i pari
shkrimtar i madh shqiptar që gjithë shekullin e vet krijues (1900-1940) e kaloi
në Shkodër, asokohe kryeqytet kulturor i Shqipërisë. Fama e tij letrare nisi në
fillim të shekullit, kurse arriti kulmin kah fundi i jetës së tij. Ai për të gjallë
u bë një masë e madhështisë letrare shqipe, i njohur njësoj mbrenda vendit dhe
jashtë, kudo ku lexohej e vlerësohej krijimtaria letrare shqipe.
Me përmbysjet
ideologjike që bëri komunizmi në Shqipëri mbas vitit 1945, poeti kombëtar
Gjergj Fishta u ndalua, u hoq vepra e tij nga qarkullimi letrar, u ndalua
studimi i tij institucional, për të shkaktuar një nga vakuumet më të tmerrshme
në kulturën kombëtare.
Mbas
ndryshimeve të viteve nëntëdhjetë Fishta u rikthye në letërsinë dhe në kulturën
shqiptare, tanimë si i rigjetur në korpusin e plaguar të kësaj letërsie.
Zhvarrimi
tinëz i tij në Shkodër më 1968 në valën e një çmendie të afetarizmit dhe
rivarrimi i tij më 1996 vetëm rikrijojnë mitin për martirizimin e krijuesve
shqiptarë, të ngjashëm me Pjetër Bogdanin.
Pra,
Fishta në kulturën shqipe ka kaluar dy fazat ekstreme: të pranimit të përgjithshëm
dhe të mohimit për një gjysmë shekulli. Kthimi i tij i ri është mundësi për
vlerësimin e gjithanshëm.
Vepra e
Fishtës në letërsinë e në kulturën shqiptare është e shumanshme. Në fushën e
letërsisë, ku punoi dyzet vite, deri në ditët e vdekjes, krijoi një vepër të madhe
në të gjitha gjinitë. Me Lahutën e Malcís, sa ishte gjallë u pagëzua “epiku më i
madh i shekullit”, duke ndërtuar eposin shqiptar të shekullit 20. Me veprat
satirike Anzat e Parnasit e Gomari i Babatasit u bë satiriku më i njohur i letërsisë
shqipe. Dy librat e lirikave Mrizi i Zanavet e Vallja e Parrizit shqiptojnë tendosjen
shpirtërore që ushqehet nga dashuria, revolta e dhembja për të kurorëzuar
tematikën e vet në formulën e përsëritur “Atme e Fé”. Një kërkim të vazhdueshëm
e bëri në fushë të dramatikës, që nga melodrama e deri te tragjedia, ku mbeten
vepra që kujtohen Juda Makabé e Jerina ase Mbretnesha e Luleve.
Fishta është
i njohur me esetë e studimet për çështje të etnopsikologjisë e të kulturës
tradicionale shqipe, për probleme estetike të artit dhe për kulturën autentike
shqiptare. Dallohet Parathanja e Kanunit të Lekë Dukagjinit, në të cilën bën një
tipologji të kulturës shqiptare në gjirin e kulturave të tjera botërore.
Fishta
shkroi një tip të veçantë të prozës, në fillim udhëpërshkruese e më vonë një shkrim
dëshmues dhe komentues, pra eseistik.
Gjergj
Fishta është protagonist i kulturës e i shoqërisë shqiptare të kohës së vet. Qe
bashkëthemelues i shoqërisë Bashkimi në Shkodër (1899), që punoi për shqipen e
përbashkët, fjalorin, alfabetin, dhe botoi libra me vlerë kombëtare. Ishte
kryetar i Komisionit të Alfabetit shqip në Kongresin e Manastirit (1908).
Fishta është
drejtori i parë shqiptar i Shkollës Françeskane në Shkodër, ku futi shqipen si
gjuhë mësimi, punoi në themelimin e “Komisisë letrare” (1916) dhe është themelues
i Liceut Françeskan në Shkodër (1921). Punoi për themelimin e teatrit kombëtar.
Më 1913
themeloi revistën e famshme Hylli i Dritës, të cilën e drejtoi deri në vdekje;
një nga revistat më të njohura shqiptare. Themeloi fletoren politike-letrare
Posta e Shqypnís (1916), që doli dy vite rresht, dy herë në javë.
Ishte
deputet i Shkodrës në Parlamentin e parë shqiptar dhe nënkryetar i tij. Përfaqësues
i Shqipërisë në Konferencën e Parisit (1919) dhe përfaqësues i Shqipërisë në Konferencat
ndërballkanike më 1930 e 1931.
Ky poet i
madh e veprimtar i shqiptarisë gjatë gjithë jetës punoi për kombin dhe vendin
duke jetuar në të. Lidhja e përhershme me ambientin e jetës shqiptare, ashtu si
dhe përkushtimi shpirtëror i atit françeskan, i vunë përgjithnjë vulën tipit të
artit të tij dhe përkushtimit të tij. Ai kishte dashurinë e zjarrtë të Rilindësit
për vendin, por jo mallin e mërgimtarit që këndon duke himnizuar, prandaj
mbrenda vetes rriste fuqinë vullkanike kundrejt fenomeneve e paraqitjeve të këqija
të botës shqiptare. Ai u bë një kritikues i ashpër i realiteteve duke e kthyer
artin e vet në tehun qëllimor të satirës, duke prekur fenomene të individit, po
dhe të shoqërisë. Prandaj, shprehja e tij dhe poezia e tij janë cilësuar si copë
e atdheut, poezi e elementaritetit kombëtar.
Gjergj Fishta me veprën e vet krijuese kërkonte shqiptarin e përjetshëm duke kritikuar shqiptarin e përditshëm dhe u bë një moralizator i madh. Në këtë mënyrë lidhi dy periudha të letërsisë shqipe duke u bërë protagonist i të dyjave. Urimi e mallkimi që ndjekin njëri tjetrin në veprat e tij zbulojnë kontrastin e madh të këtyre dy përkatësive krijuese: himnizuese e kritike njëherësh.
2. Epi Lahuta e Malcís
Gjergj
Fishta, ndonëse botonte shkrime të tjera letrare, gjatë gjithë shekullit të vet
krijues punoi në kryeveprën poetike Lahuta e Malcís (1905-1937). Biografët e
tij tregojnë se edhe mbas botimit të plotë të veprës më 1937, autori punonte më
tutje në tekstin e saj. Bleni I i veprës me pesë këngë u botua në Zarë më 1905
me të hollat që i kishte dërguar Faik Konica. Një vit më vonë u botua bleni II
me katër këngë, e kështu në rrjedhë të viteve deri në botimin përfundimtar me 30
këngë.
Vepra
epike Lahuta e Malcís, me synimin të bëhet epope kombëtare, kapërcen stilin
baladesk të De Radës dhe tregimin historik të Naimit, duke u derdhur me një vrull
epik e dramatik. Meqë vepra u shkrua për një kohë të gjatë, ajo nuk ka të njëjtën
fuqi te secila këngë veç e veç, ashtu si nuk ka dhe një strukturë të lidhur
kontinuitive. Autori në variantin përfundimtar krijoi një renditje të tillë të këngëve
që sugjeroi një kronologji të ngjarjeve, që rrokin ndodhitë shqiptare nga
gjysma e shekullit 19 deri në pavarësinë e Shqipërisë dhe Konferencën e Londrës
më 1913. Kjo është një përpjekje për të sugjeruar bazën historike të eposit
shqiptar, poashtu dhe një strukturë të lidhur epike të veprës. Mirëpo, ky është
vetëm sugjerim dhe synim i autorit.
Epopeja
Lahuta e Malcís përshkruan luftërat e dy brezave, mirëpo këngët e saj më tepër
tregojnë ngjarje të veçanta. Ajo nuk është një poemë që ka një veprim kryesor
dhe një hero kryesor, siç janë eposet e mëdha. Heronjtë e Lahutës janë të shumtë:
Oso Kuka, Marash Uci, Dedë Gjo Luli, Tringa, Abdyl Frashëri, Ali Pashë Gucia, që
funksionalisht në vepër janë të ngjashëm, se kanë veçantitë e heroizmit
shqiptar.
Vepra
Në këtë mënyrë
Lahuta e Malcís bëhet vepër për himnizimin e përhershmërive shqiptare, apo
projekt i idealitetit dhe i dëshirës shqiptare të Gjergj Fishtës, që nuk
kufizohet në zona kohe as hapësire. Duke marrë karakteristikat krejt kombëtare
vepra ngritet në nivelin e eposit kombëtar: me mbështetjen në jetën autentike,
në ambientimet reale e fantastike të mendësisë shqiptare dhe me kërkimin e
modelit të shkrimit që mbështetet në letërsinë popullore shqiptare.
Pa marrë parasysh
mbështetjen në modelet krijuese të letërsisë popullore, Lahuta është një vepër
e kulluar autoriale. Edhe përgjasimi me këto modele apo tejkalimi e
transformimi i tyre hyjnë në rrafshin e krijimit artistik të Fishtës.
Vepra mbështetet
në tri tipe këngësh: 1) historike, si Vranina, Kongresi i Berlinit, Lidhja e
Prizrenit, Lufta e Ballkanit, Konferenca e Londonit, ku ka referenca te këngët
historike; 2) kreshnike, me shpërthimet krijuese imagjinative, që shpien te
referencat e ciklit të kreshnikëve apo te këngët baladike dhe 3) autoriale, si
Patër Gjoni apo Tringa, që artikulojnë imagjinimet e poetit edhe kur mbështeten
në paratekstet baladike, duke i transformuar ato në stilin vetjak.
Në rastin
e parë kënga jep ndodhinë historike dhe mbështetjen në kohë, në rastin e dytë fantazia
krijuese ngritet mbi korpusin dhe mbi mitologjinë shqiptare (Orët, Zanat,
Dragojt), në rastin e tretë punon sa fantazia e autorit, poaq edhe ideologjia e
tij autoriale që hyn në strukturën e veprës në trajtën e porosisë përfundimtare.
Ky tip i krijimit i prek edhe vetë heronjtë e veprës, mënyrën e ndërtimit të tyre.
Prandaj, përballë një Oso Kuke të patrembur, të gatshëm deri në vetëflijim për
atdheun, që është një model popullor i therorisë shqiptare, shfaqet Abdyl Frashëri
si hero i ideologjisë kombëtare, apo Naim Beu (Frashëri) si hero i kulturës
shqiptare (që shfaqet pikërisht në këngën autoriale të Patër Gjonit), apo
Tringa, që bashkë me flijimin për atdheun shpalon një bukuri, dashuri,
virgjinitet e pafajsi, e cila është pëfundimisht një krijim poetik thjesht i
autorit Gjergj Fishta.
Lahuta e Malcís është një vepër epike me një ndërtim të mbrendshëm dramatik ku spikasin veprimet, dialogu, përshkrimi i shkurtë, dhe gjuha e folur e kthyer në gjuhë të shkruar që ka shenjat e emocionalitetit të folësit, të afrueshme me karakterin e personazheve. Duke iu përmbajtur këtij modeli dhe këtij stili Fishta shtin në tekstin e vet format e dendura apo të shkurtra të letërsisë gojore, jo si citat, por si mbindërtim, zakonisht e më fuqishëm në trajtën eurimeve e të mallkimeve.
Kaleshan
e sy-pergjakun,
Mje m’sylah
e ka mystakun;
Ushton
Dridhet
fusha kah t’vikase;
E kah t’dredhë
t’rrebtë tagân’,
Thue se
rrfeja shkrepë per anë:
Burrë kaprroç
e trim si zana,
Thonë me
kmishë e bâni nâna;
Edhè,
thonë, ká lé drangue,
Pse trí zêmra
i
Në anën tjetër hiperbola është figura zotëruese e përshkrimit të ngjarjeve, ashtu si e përshkrimit të pamjes së personazheve. Hiperbola është e ndërtuar gjithmonë mbi një krahasim, pra me bazë në krahasim.
Hukubet
Zoti e
Tri pllam
buzen kishte pasun
Sa dy vet’ me te me u mblue…
Faqet më tronditëse
të Lahutës së Malcís janë ato ku bashkohen e harmonizohen veprimet epike me shpërthimet
lirike dhe lirinë imagjinative të autorit duke krijuar një dramaticitet të paparë
në letrat shqipe. E tillë është tufa e këngëve që lidhet me heroinën letrare të
Tringës. Aty janë të bashkuara idealitetet fishtjane: trimëria e atdhetaria
deri në flijim; bukuria dhe njomësia që rrezatojnë dashurinë; projektimet
morale për femrën shqiptare dhe tragjicitetin e saj. Të gjitha këto lidhen me
një orkestrim të habitshëm e të magjishëm të natyrës.
Ky
projektim ideal dhe idealizues i Fishtës shpreh të vërtetën se fuqinë më të madhe
lirike Fishta e derdhi në veprat e veta epike, sepse atje kishte mundësi që në një
ambient shqiptar impersonal të projektonte shpërthimet personale, si
karakteristika të lirikës.
Këtë impersonalitet
ai e ngreh dhe e përgjithëson duke e bërë botë shqiptare, pikërisht duke u mbështetur
në modelin apo në paratekstin e Kangës së Gjergj Elez Alisë, tash të mbindërtuar
me fuqinë krijuese të autorit të madh. Këtu tash është veprimi invers, i sëmuri
(vëllai) vdes dhe është (motra) Tringa, që e mbron nderin, pragun, bukurinë e
vet të paprekur-virgjërinë dhe si e tillë, në botën poetike të Fishtës, i dorëzohet
jo vdekjes po pavdekësisë.
Ajo që ngjet
më tutje me Tringën, në prospektivë dhe në retrospektivë, është endje në botën
e mitologjisë shqiptare të zgjedhjes fishtjane: ajo është në duar të simotrave
të veta, zanave.
Cikli i këngëve
për Tringën zbulon mënyrën e krijimit të Fishtës në Lahutë dhe vetë mënyrën e
ndërtimit tëLahutës, si kalohet nga ngjarja, ndodhia reale, nëpërmjet një frymëzimi
lirik krijues autorial, në shkallën e përgjithësimit dhe të idealitetit. Kjo është
mënyra e zgjedhjes së situatës autentike shqiptare, për ta ngritur atë në nivelin
e përjetësisë, që është kërkesë morale jetësore dhe artistike e krijuesit të madh.
Një portretim i tillë moral e i bukurisë, duke u ndërtuar me figuracionin autentik gjendet pikërisht te personazhi i Tringës.
Ardhun
shtatit si “breshana”,
Synin
hyll, ballin si hana,
Dishka
njethë si molla m’rrêm,
Si ajo
lulja shperthye m’gêm:
Qi ke dalë
m’ká ashtû te dera,
Sikur bân
me çilë prendvera;
Sikur bân
dielli me dalë
Neper
aha, brej e halë:
Se per
lila e karajfila,
Per
zymyla e per bylbyla,
E per
gurra neper curra:
P’r ato
hije neper vrrije,
P’r ato
flutra neper zalle;
Pasha Orë
e Shtozavalle,
Pasha t’rijt
e pasha veren,
Per sa
bjeshkë e lule bleren,
Mâ fisnike 'i vashë s’e ké
Kryevepra
e Gjergj Fishtës, Lahuta e Malcís, është e papërsëritshme në letërsinë shqipe për
shprehjen në mënyrë të sistemuar të qenësisë shqiptare dhe për shprehjen gjuhësore
letrare me pasuri të leksikut me figurën e moralitetin e saj të provuar si dëshmi
e jetës në gjuhë. Vargu i veprës, një tetërrokësh, i përgjasuar me vargun më të
njohur popullor shqip, nuk është vetëm ky që e bëri veprën kaq të popullarizuar
që në nismë.
Kjo vepër ka një histori të gjatë të shkrimit e të leximit që kanë ndikuar në njëra tjetrën. Është e ditur që Fishta kishte më tepër ambicie me lirikat dhe format e saja artistike. Madje këngët e para të Lahutës i botoi si këngë popullore. Po lexuesi shqiptar i priti këto më fuqishëm se krijimet e tjera të tij. Në këtë mënyrë shija e lexuesit, tani si kërkesë e ambientit, u bë frymëzim i ri për vazhdimin dhe mbarimin e veprës. Është ky një interkomunikim i krijuesit me lexuesin në procesin e krijimit, duke u përpjekur t’i ngjajnë njëri tjetrit. Kjo e bëri veprën popullore. Po, poeti i madh nuk do t’ishte i tillë nëse nuk do të tejkalonte shijen e kohës. Ai vetëm gjeti modelin e komunikimit, kurse qenësitë shqiptare janë të tij, e Lahutën e Malcís e bëjnë të pavdekshme.
3. Lirika e kryengritjes
Në pajtim
me formulën shpirtërore të artit të tij “Atme e Fé”, Gjergj Fishta lirikat i përmbledh
në dy librat Mrizi i Zanavet e Vallja e Parrizit. Në librin e parë përfshihen
vjershat atdhetare kurse në të dytin vjershat më tepër me frymë fetare dhe me përdegëzime
metafizike e personale.
Në librin
Mrizi i Zanavet autori këndon atdheun në disa variante: si dashuri deri në adhurimtari,
si ankth e klithmë dhe si përhershmëri morale. Së fundi të gjitha këto i përmbledh
në një lirikë personale.
Varianti himnizues hap kreun e librit me një tufë poezish ku lavdërohet atdheu fizik, trashëgimia morale e tij, etosi i traditës shqiptare. Autori këndon i ngazëllyer me një solemnitet të pazakonshëm Shqipërinë, Gjuhën shqipe, Flamurin shqiptar.
Edhè hâna
do t’a dije,
Edhè dielli
do t’két pá,
Se per
qark ksaj rrokullije,
Si
Shqypnija 'i vend nuk ká!
(Shqypnija)
Ky
himnizim i vendit kalon kohë e hapësirë, duke u shprehur me figura të amshimit,
kurse vendi merr karakterin e përsosjes morale e fizike për t’u përcaktuar me
figurën e madhe Eden i Ballkanit.
Kjo valë e lavdërimit tani kalon në fushën shpirtërore të identitetit të shqiptarëve, te Gjuha shqipe, bukuria dhe fuqia e saj mahnitëse:
Porsi
kanga e zogut t’veres,
Qi
vallzon n’blerim të Prillit;
Porsi i
ambli flladi i eres,
Qi lmon
gjit e drandofillit:
Porsi
vala e bregut t’detit,
Porsi gjâma
e rrfés zhgjetare,
Porsi
ushtima e njij termetit,
Njashtû
â’ gjuha e jonë shqyptare.
(Gjuha shqipe)
Kështu
autori lidh figurat e holla lirike me figurat trazuese e dramatike përbrenda
zjarmisë së portretimit të gjuhës shqipe, duke nxjerrë në pah konceptin e vet për
gjuhën shqipe dhe gjuhën e poezisë së vet. Në këtë portret të mbrendshëm më shumë
duket pikëpamja e Fishtës për veçantitë e veta poetike që njësohen me
karakterin e gjuhës amtare. Prandaj, tingëllon i fuqishëm mallkimi për ata që nuk
e duan e nuk e njohin këtë vlerë.
Himnin e
flamurit kombëtar e nis me figurat e bekimit të famshëm fishtjan:
Porsi
fleta e Êjllit t’Zotit
Po rreh flamuri i Shqypnís,
për ta vazhduar me refrenin e botës reale, e cila mbështetet në figurën tani madhështore e tronditëse, me fuqinë e jetës:
Bini,
Toskë, ju, bini Gegë!
Si dy rrfé,
qi shkojnë tue djegë!
(Himni i Flamurit Kombëtar)
Për
konceptin e Fishtës Shqipëri e lirë do të thotë Shqipëri etnike, prandaj edhe në
këndimin e tij kalon nga idealitetet në rrafshet reale të shoqërisë. Atëherë kënga
e urimit kthehet në këngë të mallkimit, kënga kthehet në vaj. Në qoftë se urimet
e tij shqiptare lidhen me një idealitet e me një përhershmëri, mallkimet lidhen
me një realitet e konkretësi jetësore. Pavarësia e Shqipërisë nuk solli Shqipëri
etnike, të cilën frymëzimi poetik i këtij shqiptari e pranoi si një plagë pa shërim.
Të këtij disponimi janë këngët e dëshpërimit, që me fuqinë e vet ua kalojnë këngëve
të lavdërimit dhe dëshmojnë se në artin e Fishtës, aty ku shpërthen emocioni,
realja del mbi idealen.
Poezitë 28
Nanduer 1913, Nji gjamë desprimit, Surgite, mortui! (Çohi të dekun!) janë lirikat
më dramatike atdhetare të këtij poeti, ku thuren përnjëherësh idealet e
prishura, ankthi, kushtrimet, thirrjet, dëshpërimi ndaj të huajve që shprehet
si mallkim. Në të tri rastet hyrjet në vjersha janë mjeshtërore, me ngarkesa
emocionale e përqendrim kuptimor maksimal.
Poezia e parë nis me vargun:
Oj zanë t’këndojm… t’vajtojm, deshta me thânun
që është ndoshta
vargu më tragjik i Fishtës, i ndarë në mes me tri pikat e heshtjes, ku ndahet përgjysmë
kënga me vajin për Shqipërinë e ndarë më 1912. Zana, si alter ego (vetë e dytë)
e poetit është shoqëruesja në këtë tmerr.
Poezia e dytë nis me vargun:
Mbaroi Malcija! Lekë mâ sot nuk ká
që është britmë
për humbjen e konceptit të vendit e të trimërisë. Malësi e Lekë, janë figurat
themelore të trimërisë e të guximit që ishte ngritur si kult i shqiptarisë në Lahutën
e Malcís. Me parashenjat e veta sociale Fishta mendon se aty ku liria mbrohet
me guxim, e guximi është tretur, humbja merr përmasat tragjike kombëtare.
Poezia e tretë nis me vargun:
Shqyptarë, a ndiet? Europa mrrutë e ndyt…
Kujt i thërret Fishta këtu? I thërret të vdekurit, sepse heronjtë kanë vdekur apo të gjallët janë të vdekur. Ironia e tij është therrëse dhe e dyfishtë. Kjo bëhet më e qartë në vargje të mëvonshme:
T’u biejë
nder mend, se fort mâ e rand âsht thêmra:
E shkjaut kokëtrashë, se guri i vorrit m’krye.
E gjithë poezia
është shkruar me thirrje për humbjet e tokave shqiptare dhe thirrje për zgjim,
duke e ngritur në kult flijimin për atdheun, e në këtë valë të kërkesave, vetë autori
don të bëhet protagonist i heroikës kombëtare, duke kërkuar të bëhet fli për
shqiptari. Ky ton kryengritës i zotëron të gjitha poezitë e dëshpërimit.
Figuracioni
elementar i mbështetur në ambientin konkret, më shpesh në trajtën e krahasimit
të zgjeruar, është karakteristik për të gjitha këngët atdhetare të Fishtës. Ky
figuarcion shprehet me një gjuhë “mashkull” për të liruar energjinë e kundërshtimit
deri në rebelim të përgjithshëm. Më rrallë ka abstraksion poetik, sidomos kur
një figuracion “qiellor” shenjon përhershmëri shqiptare. Këto karakteristika këngën
atdhetare të Fishtës e endin nga poli i lavdërimit në polin e dëshpërimit, nga
niveli i himnizimit e urimit në nivelin e kryengritjes e të mallkimit, për ta bërë
këtë një lirikë kryengritëse. Qëllimi i autorit është që rebelimi i tij poetik
të bëhet rebelim i përgjithshëm.
Nji lule
vjeshtet, e vënë në fund të librit Mrizi i Zanavet, është lirika më e fuqishme
personale e Gjergj Fishtës. Poezia ka karakterin e vetërrëfimit dhe sintetizon
idetë e lirikave të mëparshme duke i matur me veprimin, me jetën e me vdekjen e
njeriut. Në këtë rast figuracioni ambiental krijon lidhjen tokë-qiell dhe e
shpie mendimin nga fizika kah metafizika. Kjo poezi e provon veprimin jetësor
me vdekjen për të arritur pavdekësinë. Kjo procedurë poetike dhe kjo ide është artikuluar
me një ndieshmëri të lartë personale. Në këtë lirikë për herë të parë autori
artikulohet si unë,simbol i të folurit poetik dhe i të ndodhurit “real”.
Një ton i
zi elegjiak shpalon dhembjen për të dashurin e vdekur, dhembje që duket edhe në
orkestrimin e pamjeve të jashtme të natyrës, ku vendin qendror e zë varri i
shprishur. Qenia e dashur e humbur bëhet e amshueshme, kurse poeti ende mbetet
qenie tokësore, prandaj dialogu ndërmjet tyre është një ndiesi e hollë që lidh
dy botët. Ky dialog, në të vërtetë është një monolog i thellë i vetmisë e i
dhembjes, që tanimë identifikohet me dhembjen personale të vetë poetit Fishta,
i cili bën ushtrimet shpirtërore me shkrim duke kërkuar identitetin te i
dashuri i humbur.
Poezia kap dramën e shkrimit artistik duke ndërtuar portretin e krijuesit që gjakon përjetësinë si shkallën e fundit të bashkimit me të dashurin, për të krijuar portretin e përbashkët në veprime të mira e të dobishme. Me këtë shkallë Fishta shpall programin e vet poetik dhe etik, që do të realizohet në vepra të mëvonshme letrare:
Atë herë un
kangët kam me i ndertue kreshnike,
Me t’cillat
botës un do t’ia lâ të shkrueme
Se shka
vlejn armët besnike n’dorë t’Shqyptarit.
E me kangë
t’mija 'i përmendár t’madhnueshem …
(Nji lule vjeshtet)
Krijimi i
artit që jeton si përmendore e vetvetes është luftë kundër harrimit, rezonon
Fishta në këtë lirikë të bukur. Ky është një gjakim i madhështisë dhe i përjetësisë.
Poezia është një kacafytje ndërmjet jetës kalimtare dhe vdekjes si absolut,
duke kërkuar shpëtimin në përjetësinë artistike, të mbetur trashëgimi për
pasardhësit.
Poeti i
ri në bisedë të ndieshme me alter egon e vet kalon imagjinativisht nëpër shkallët
e jetës, vdekjes e të përjetësisë. Një projekt i besueshëm për autorin e thellësive
të mendimit dhe për njeriun që dashuron të madhërishmen, çfarë ishte Gjergj
Fishta.
Fishta në lirikën e vet, të cilën e çmonte si trajtën më të kultivuar të veprës së vet letrare, përdor vargun tetërrokësh shqip, po më dendur vargjet e tjera të letërsisë së kultivuar si shtatërrokëshin e njëmbëdhjetërrokëshin. Strofat e tij të preferuara janë katrena, më shpesh oktava, strofa safike e tingëllimi. Në këto kërkime këmbëngulëse të formës që shfaqin mjeshtrinë e tij poetike dalin ambiciet e tij krijuese. Mirëpo, fuqia e lirikës së tij mbetet përgjithnjë në emocionalitetin e veçantë, në elementaritetin e figurës, në gjuhën shqipe krejt të veçantë, që mund të quhet gjuhë e Fishtës. Ajo fuqi vullkanike, që derdhet në vargje, ai rebelim që lirikën e kthen në kryengritje, janë karakteristikat e para të lirikës së tij atdhetare, fetare apo personale, si te Mrizi i Zanavet si te Vallja e Parrizit.
4. Dramat e Fishtës
Poeti i
madh epik e liriku Gjergj Fishta ka botuar nëntë tekste dramatike. Këto pjesë ai
i cilëson formalisht si tragjediapo poema melodramatike e këngë melodramatike. Tematika
e tyre ose është marrë nga antikiteti hebraik apo grek ose është ngritur mbi çështje
të mbrendshme shqiptare.
Melodramat
e Fishtës janë vepra me qëllim më tepër edukues e arsimues të kombit dhe kanë një
strukturë më të lirë dramatike. Në to zotëron qëllimi dhe qëndrimi i autorit, kërkesa
për theksimin e idesë, kurse teksti më shumë është ekspresiv sepse ka tepër pak
ndodhi e dramacitet. Këto forma nganjëherë duken si forma poetike të ndërtuara
me një mozaik lirikash që shkëlqejnë. Kurse porositë e tyre ose artikulohen nëpërmjet
mitologjisë shqiptare (orët, zanat) duke kërkuar një autenticitet kulturor dhe
një thirrje për kultivim shpirtëror; ose nëpërmjet figurave të martiriziuara
fetare për të arritur një porosi morale.
Përkah
niveli i domethënieve, strukturës dhe vlerës dy veprat më të njohura dramatike
të Fishtës janë Jerina ase mbretnesha e luleve dhe Juda Makabé.
Jerina, të
cilën autori e shkroi një kohë të gjatë (e nisi më 1914 dhe e botoi më 1940) përmbledh
në mënyrë të figuruar të gjitha idetë e melodramave të tjera me syzhe të botës
shqiptare. Kjo vepër është një himn për bukurinë e për dashurinë në botën shqiptare,
që mbështetet në një figuracion lirik (personazhet janë lule) dhe në një moralitet
shqiptar të këngës ku dashuria këndohet vetëm nëpërmjet bukurisë. Vepra ka dhe
një ton polemizues, sepse ishte shkruar për të përmbysur tezën e shfaqur serbe,
se shqiptarët nuk dijnë t’i këndojnë dashurisë pa fyerje. Fishta provon të kundërtën
me veprën e vet.
Në lojën
e bukurisë, gjithë lulet e botës i mund Jerina, që është shqiptarja vetë, dhe
shpallet mbretëreshë e luleve. Fishta himnizon deri në fund: para bukurisë së saj
përkulen Homeri, Dante e Petrarka, kur e krahasojnë me heroinat e tyre të bukurisë:
Helenën, Beatriçen, Laurën. Madje hyjneshat antike greke: Afrodita, Hera e
Atena nuk grinden më për bukurinë, sepse ajo i takon Jerinës shqiptare të Fishtës.
Mëtesa e
Fishtës në këtë vepër është e madhe: duke krahasuar personazhin shqiptar të bukurisë,
të krijuar nga ai, me personazhe të tjera, ndërmjetshëm krahason krijuesin e
saj me krijuesit e mëdhenj të botës letrare. Në anën tjetër gjithë teksti i saj
do lexuar si alegori: krijimi i kultit të bukurisë e të dashurisë është një sprovë
për agresivitetin e shëmtitë në botën shqiptare, të cilat i satirizon në vepra
të tjera.
Vepra më e
mirë dramatike e Gjergj Fishtës është tragjedia Juda Makabé, që temën e merr
nga historia hebraike, po e lidh me aktualitetet shqiptare. Në këtë vepër
trajtohet tema e atdhetarisë, sepse vetëm kështu duket sheshit madhështia e
tragjiciteti i temës. Konfliktin e dramës e krijojnë personazhet kryesore: Juda
Makabé, hero izraelit, Alkimi, kre i Izraelit dhe Bakides, kapidan i ushtrisë së
Asirit, armike e Izraelit. Prifti, plak dhe Abneri 13-vjeçar janë personazhe të
autorit, për të dëshmuar e për të vlerësuar të ndodhurat.
Në aktin e parë heroi Juda Makabé kthehet si fitues kundër armikut, turma e adhuron, e deklaron prijës dhe i brohorit me një zë: Rroftë sa malet Makabeu. Në këtë festë popullore i këndohet therorisë atdhetare me valle e solemnitet. Heroi ngritet në prijës dhe në sytë e popullit bëhet simbol i së drejtës. Por, pikërisht këtu nis të zhvillohet lufta për pushtet. Udhëheqësi Alkimi s’e duron triumfin e heroit Makabé:
Jo,
Alkimi i mârrë nuk leu,
M’i a hanger kryet Atdheu,
thotë ai
dhe nis punën e tij përmbysëse, duke synuar pushtetin nëpërmjet përçarjes së ushtarëve
që bëhet me para, sepse rezonon ai: aty ku sundon paraja nuk ka as Atdhe as Zot.
Veprimi i
Alkimit që tradhton në marrëveshje me armikun asiras Bakides, bëhet vepër në ndeshjen
e parë ndërmjet dy ushtrive. Ushtarët e paguar nga Alkimi lëshojnë fushën e
betejës, ikin pa i ndjekur kush. Juda Makabé mbetet i vetmuar, lufton, por edhe
vritet në fushë të betejës. Pra, bie heroi kombëtar i tradhtuar nga prijësit e
vendit.
Rënien e Judës, rënien e heroit kombëtar të tradhtuar nga të vetët, Prifti që përfaqëson dije e urti, e sheh si mallkim të përjetshëm për popullin, që do ta ndjekë ndër breza si një kob. Kështu teksti më i fuqishëm poetik i aktit të tretë të kësaj tragjedie janë mallkimet, që marrin përmasa kosmike, duke kaluar konvencat fetare. Këto janë mallkime morale, kosmike e njerëzore që përfundojnë në mallkime të përjetshme të popullit si fat historik e si kob. Mallkimet këtu dalin nga goja e Priftit, në trajtën e thirrjes së fundit të një zemre të plasur për vetëdijesim atdhetar, sepse aty ku nuk ka atdhe nuk mund të ketë as gjuhë as fe:
Mallkue
frota e trathtarvet,
Qi Besë e
Fé harrue,
Sot
kombin kanë sharrue,
Koritë kanë
fis e gjak.
…….
O Perendí,
a’ ndjevet?
Trathtarët
na lanë pa Atdhé,
E ti rri’
e gjuen m’errfé
Lisat
nper male kot…!
……
O ju vise
të Kananit,
Ju qi
rritët trathtarë t’mallkue,
Shi as
voesë mos raftë per jú:
Ju m’u bâshi gúr e krep!
Në tragjedinë
Juda Makabé Fishta ka ndërtuar tipin e heroit tragjik, luftëtarit të lirisë,
Judën, dhe tipin e tradhtarit që shitet për para e për pushtet të rrejshëm,
Alkimin. Ideja e veprës është se populli që e zgjedh vetë prijsin e mandej e lë
në fushë të betejës, populli të cilit luftëtarët e lirisë mund t’i blihen me
para, nuk ka vetëdije atdhetare e shtetërore, nuk e ka dhe nuk e meriton lirinë.
Për më tepër, është i mallkuar të mbetet në kurthat e në kthetrat e barbarisë. Kurse
këngët heroike mbeten jo vetëm për ngushëllim, por si vetëdije për humbjet, që do
të shndërrohen në plagë kolektive.
Tragjedia
Juda Makabé është një vepër poetike me thurje dramatike, me një shprehje
vullkanike të krijuesit. Format e vargut, trajtat poetike më të llojllojshme,
me ritëm të rregullt e me rimë, e shtojnë kumbimin e fuqinë kur vihen në gojë të
personazheve dhe kanë një pëlqim me situatat shpirtërore të folësit. Prandaj,
ky tekst jo vetëm që është shkruar për t’u luajtur në skenë të teatrit, por është
menduar edhe të lexohet me zë në vetmi.
Edhe pse të futura në një strukturë dramatike, shumë pjesë mund të lexohen si poezi të veçanta që artikulojnë një situatë, një ide apo një emocion. Kjo dëshmon se Fishta edhe në dramatikë është një poet i shpërthimeve vullkanike emocionale e mendimtare. Ai as këtu, në këtë gjini më neutrale e më reale, nuk mund t’i ikën temperamentit të vet krijues.
Përmbledhje
Gjergj
Fishta për së gjalli është quajtur shkrimtar kombëtar dhe poeti më i madh epik
i shekullit. Ai e ka zotëruar letërsinë shqipe në gjysmën e parë të shekullit.
Duke
krijuar me Lahutën e Malcís epopenë kombëtare në shekullin tonë, ai është konsideruar
edhe rilindasi i fundit. Mirëpo letërsia qëllimore e tij dhe një shtresë e fortë
moralizimi e shpie në dy pole të kundërta të shkrimit: himnizues te Lahuta,
kurse satirizues te Anzat e Parnasit e te Gomari i Babatasit. Në mesin e këtyre
poleve vendoset lirika dhe dramatika e tij.
Përderisa
në vepra epike Fishta ngreh kultin e vlerave të shqiptarit, duke kërkuar një Shqipëri
të përhershme, në satira autori përmbys shfaqjet e veseve në aktualitet, duke
pasur qëllim krijimin e shoqërisë autentike shqiptare.
Gjergj
Fishta mendon se thelbi i jetës rrënjëse shqiptare ruhej te malësorët, ashtu si
tharmi i gjuhës shqipe në të folurit e popullit. Duke u nisur nga këto dy
burime vepra e tij letrare shfaqet si vepër arti e ngritur përmbi modelet e
krijimtarisë popullore. Kjo mbështetje shtrihet në nivel të ngjarjeve, të shprehjeve
e të figuracionit duke u shtrirë deri te mitologjitë popullore.
E gjithë vepra
letrare e Fishtës është krijuar në vargje, prandaj ai trajtat e ndyshme të vargjeve,
popullore apo tradicionale i krijon në varshmëri me temat e motivet e veprave.
Ndonëse
shkroi forma të mëdha letrare me tema kombëtare, ku sundon tema e lirisë kolektive
e etnike, Fishta sidomos në lirikë, shpaloi preokupime personale, po gjithnjë me
një temperament vullkanik.