NË 13
VJETORIN E RËNIES
PËRKUJTOHEN
12 DËSHMORËT E KOMBIT QË RANË NË GRYKËN
E LLAPIT
Nga
Milazim KADRIU
Para 13 vitesh në Grykën e Llapit u zhvilluan një varg
betejash ku UÇK mbronte me çdo kusht këto troje por edhe popullatën e shumtë që
ishte strehuar në këto anë. Njëra nga këto beteja ishte edhe beteja e njohur
si “Beteja e Majit të vitit 1999”, që u zhvillua në fshatrat e Grykës
së Llapit, ku pjesëtarët e UÇK-së mbronin popullatën civile, ndërkaq forcat
serbe tentonin të depërtojnë sa më thellë në këto fshatra. Edhe në këtë betejë ranë
disa dëshmor të UÇK-së të cilët deri në çastet e fundit luftuan me guxim e
heroizëm kundër forcave serbe. Forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe
sulmuan nga të gjitha anët, si nga Tashefci, Sllatina, Uglari, Tërnavica,
Murgulla, Zhitia, Sylevica, Breca, Pollata, Repa, Metehia dhe nga Shala e
Bajgorës. Në këto anë u zhvilluan
luftime të rrepta në mes të UÇK – së dhe njësiteve të okupatorit serb . Gjatë
këtyre luftimeve duke qëndruar të palëkundur në pozicionet e UÇK –së ranë për të
mos vdekur kurrë dëshmorët e kombit : Mentor Retkoceri, ra në fshatin Sylevicë,
në fshatin Repë, bien heroikisht Milaim Qerimi, Ilaz Selimi dhe Musë Qerimi, në
Reçicë bien Avdyl Nimani e Azem Hamiti, në Zhiti bien dëshmorët Hasan Jashari
dhe Ahmet Shabani, në Murgull, Emin Sinani, ndërsa vëllai i tij Abit Sinani bie
në mes të fshatrave Ahishtë e Murgull, ndërkaq në Pollatë ranë dëshmor Behram
Behrami e Hasan Dema. Dëshmorët e rënë në muajin maj të vitit 1999 në Grykën e
Llapit edhe në këtë përvjetor janë përkujtuar nga familjarët, bashkëluftëtarët
dhe qytetarë tjerë të kësaj ane.
