Shtesë » Lajme
Ramush Haradinaj mbërrin në Prishtinë
E enjte, 10.05.2012, 05:28 PM
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka mbërritur para pak çastesh në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari”, bëjnë të ditur mediat kosovare.
Jo pak persona ishin mbledhur jashtë aeroportit për të pritur ish-kryeministrin, ndonëse AAK-ja kishte bërë thirrje për shmangien e tubimeve masive.
Haradinaj do të shoqërohet në shtëpinë e tij nga një makinë e EULEX-it, ndërkohë që nuk dihet ende nëse ai do të komunikojë më vonë me mediat.
Ardhja e Haradinajt në Kosovë u bë e mundur pas vendimit të gjykatës së Hagës për mbrojtjen e tij në liri. Vendimi i trupit gjykues nuk u kundërshtua nga prokuroria e gjykatës.
Pas marrjes së këtij vendimi, prokuroria kishte të drejtë ligjore që deri të mërkurën në orën 12 të paraqiste një ankesë, por nuk e bëri një gjë të tillë.
Gjykimi i pjesshëm i kryetarit të AAK-së nisi në korrik të vitit 2010. Vendimi përfundimtar në proçesin gjyqësor ndaj tij pritet të merret pas disa javësh.
Haradinaj udhëtoi për në Hagë në kohën që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendosi në favor të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.