Shtesë » Lajme
K.S.U.SH: Letër e hapur - drejtuar Shkrimtarit të madh shqiptar, Mjeshtrit Ismail Kadare
E shtune, 26.05.2012, 09:27 AM
KESHILLI
STUDENTOR
Universiteti
i Shkodrës
"Luigj Gurakuqi"
Dt.26-05-2012
LETËR E
HAPUR
Drejtuar: Shkrimtarit të madh shqiptar, Mjeshtrit
Ismail KADARE
Lënda: Për çështjen aktuale politike të zgjedhjes së Presidentit të Shqipërisë
Fort i nderuar Mjeshtër,
Ju lutemi
të pranoni në emër të studentëve të Universitetit të Shkodrës "Luigj Gurakuqi''
përshëndetjet më të ngrohta dhe të sinqerta. Urojmë, përmes kësaj letre të hapur,
shëndet të plotë dhe sa më tepër lumturi pranë njerëzve Tuaj të dashur.
Këshilli
Studentor i Universitetit të Shkodrës (K.S.U.SH) i bindur në vlerat Tuaja
letrare dhe në kontributin Tuaj kombëtar shpreh mendimin e mëposhtëm:
Ne, duke
besuar në vlerat tuaja reale: letrare, artistike, kulturore, patriotike dhe
humane, jemi të bindur plotësisht se Ju jeni njeriu i duhur në kohën më të pafavorshme,
që keni në duar fatin e së ardhmes së vendit të shqiponjave dhe popullit të vuajtur
shqiptar. E kaluara komuniste dhe kinse demokracia e sotme në vendin tonë e kanë
sfilitur deri në palcë njeriun e ndershëm shqiptar, duke e ulur malsorin jo vetëm
përpara kokrrës së misrit dhe qytetarin përpara ryshfetit të ditës, por duke e
zhveshur krejtësisht me çka ka njeriun-shqiptar: duke e katandisur në mjerim
dhe vuajtje sociale, pamundësi arsimore, liri dhe shprehje të kufizuar dhe dhunë
verbale ndaj antikonformizmit etj. Kjo kohë e turbullt, e paqartë për ne
shqiptarët, e krijuar nga një politikbërje aspak produktive dhe e papërgjegjshme
për fatin e kombit tonë, kërkon një drejtim të ri, krejt ndryshe nga sa jemi mësuar
deri më tani. Koha dhe situata ju thërret Ju. Ne kemi besim te përgjegjshmëria
Juaj.
I dashur
Mjeshtër vini në veprim ndjenjat tuaja të çilta, atdhetare dhe mendjen e hollë intelektuale
për t'i dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve dinjitetin që u takon brenda Europës së
Kombeve.
I
respektuar Mjeshtër, Këshilli Studentor i Universitetit të Shkodrës (K.S.U.SH) beson
te forca e vullnetit dhe angazhimit Tuaj për t'i ardhur në ndihmë popullit tonë
shqiptar. Ngërçi politik dhe monopolizimi i jetës parlamentare e institucionale
shtetërore nga dy forcat e mëdha politike në këto mbi 20 vite demokraci (PD dhe
PS) kanë krijuar gjendjen e sotme politike, ekonomike, sociale dhe kulturore,
madje të paqartë edhe nga pikëpamjet e vlerave demokratike. Zgjedhja e
presidentit të ardhshëm të vendit tonë paraqitet një proces delikat, i ndërlikuar
dhe me shumë gjasa edhe i njëanshëm politik: me pasoja të rënda për demokracinë
dhe zhvillimet e mëpasme të pavarësisë dhe ndarjes së pushteteve në vendin tonë.
Zoti
Ismail Kadare, të nisur nga ndjenjat e larta patriotike dhe me synimin e vetëm
për t'i ardhur në ndihmë si dhe sa mundemi vendit dhe qytetarëve tanë, ju
shprehim mendimin tonë se ndërhyrja Juaj në këtë situatë të rëndë për fatin e
demokracisë së vendit tonë është një domosdoshmëri urgjente. Nga ana tjetër ne
shprehim konsideratën tonë të thellë se profili Juaj është profili i një Presidenti
të Republikës së Shqipërisë. Jepjani këtë kënaqësi shqiptarëve të ndershëm dhe
interesave të tyre kombëtare!
Këshilli
Studentor i Universitetit të Shkodrës (K.S.U.SH) shpreh falenderimet e tij për
vëmendjen Tuaj kundrejt kësaj letre të shkurtër dhe të sinqertë, qytetare dhe
fisnike. Ne besojmë në vlerat Tuaja intelektuale dhe më gjerë, ndaj shpresojmë dhe
besojmë se Ju do të dini fort mirë t'i përgjigjeni si duhet realitetit dhe kërkesave
aktuale të vendit tonë.
Shkëlqesia
Juaj! Ju jeni presidenti që i duhet shqiptarëve: të ndershëm, intelektual,
patriot dhe proeuropian. Ju jeni ndër thesaret më të çmuara të Shqipërisë së vërtetë:
krenare për vlerat e saj ekzistenciale. Ju jeni një ndër ambasadorët më të shkëlqyer
të vendit tonë, ju jeni e shkuara dhe e ardhmja, tradicionalja dhe modernja.
O burr i shqipeve, o shkrimtar i madh, po e mbyllim me shpresën që na keni kuptuar drejt në këtë letër të shtyrë nga dashuria e madhe për vatanin. Qofsh mirë dhe të urojmë jetë të gjatë e të lumtur!
KRYETARI
Redan BUSHATI