Kulturë » Kozeta
Kozeta Zylo: Kryevatrani zemërzjarrtë, tepelenasi Shefqet Kamber Bënça
E shtune, 19.05.2012, 05:43 PM
Kryevatrani zemërzjarrtë, tepelenasi Shefqet Kamber Bënça
...(Me mall dua t’i sjell një grusht dhè nga atdheu i tij dhe të vendos një tufë me lule të freskëa në emër të familjes)... më shkruante nipi i Shefqet Bënçës
Nga Keze Kozeta Zylo
Shpirti i
shqiptarit është i mbushur me dhimbje, dhimbje që cuditërisht riciklohen dekadë
pas dekade apo dhe më shpesh. E këto
dhimbje kur shtresëzohen një ditë gjeneratat mundohen t’i kurojne qoftë dhe përkohësisht
pasi përjetësisht frigohem ta pohoj se i shërojnë!...
Me shumë shqiptarë
edhe pse nuk njihemi fizikisht rrjeti social f/b na ka lidhur me shpirtrat e
trazuar nga plaga e ndarjes me të ikurit e shekullit të kaluar dhe që ende
vazhdojnë me atë ritëm edhe sot e kësaj dite, në mos dhe më shumë...
Këtë lloj
ndjesie pata brenda sferës së komunikimit me mësuesin patriot z.Baftjar Thanasi
i cili midis të tjerave më shkruante se:
Ajo për të
cilën unë interesohem veç të tjerave është që duam të mësojmë vendin e varrit të
xhaxahit tim Shefqet Bënça, i cili ka qenë në forumet drejtuese të Vatrës.
Me mall
dua t’i sjellë një grusht dhè nga Atdheu i tij dhe të vendos një tufë me lule të freskëta ne emër të
familjes.
Ishte një
bisedë internetike që mbartëte mallkimin e shekujve, por dhe dashurinë e thellë
dhe amanetin që ishte ngulur në ninëzën e syrit të nipit për të gjetur eshtrat
e xhaxhait të tij ketu në Amerikë.
Dhe më në
fund pas këmbënguljes dhe përpjekjeve të shumta të nipit u thye heshtja për
patriotin e madh shqiptarin tepelenas Shefqet Kamber Bënça.
Në fakt
ai heshtjen e kishte thyer qysh në moshën 19 vjeçare, i cili me prushin e
zjarrtë të Mëmëdheut ishte bërë vatran dhe më vonë kryetar dhe sekretar i saj.
Në konferencën
shkencore organizuar me rastin e 100 vjetorit të themelimit të Federatës
Panshqiptare Vatra u takuam me z.Thanasi dhe familjen e tij, i cili që nga
Atdheu na kishte ftuar në ceremoninë që do të organizohej me rastin e gjetjes së
varrit të xhaxhait të tij të ndjerit Shefqet Bënça. Pasi marrim adresën e saktë se ku preheshin të
ndjerët, nisemi drejt varrezës në Staten Island në qytetin ku unë jetoj.
Ndonjëherë
njeriu përballet me shumë befasira, të paktën kështu më ndodhi mua personalisht
atë ditë. Kur ne u ndalëm përballë varrezës,
një trokitje e fortë e zemrës çau gjoksin tim, pasi unë aty kaloj shpesh herë gjatë
javës, ngase lagjia ime është vetëm pesë minuta larg saj. I shikoj varret amerikane me qiparisat shpesh
nga xhamat e makinës dhe heq thellë në zemër duke më sjellë aq pranë nënën time
që prehet përjetësisht në Tiranë. Unë nuk
mund të largohem kurrë nga aty pa hequr ne shpirt: “Oh nëna ime!” Është një homazh që i bëj asaj dhe të ikurve
nga kjo botë. Dhe çuditërisht pranë kësaj
varreze amerikane që kaloj gjithmonë në derën e katërt midis pemëve të larta me
hije të rëndë dhe heshtje të gurtë duke u ngjitur në një kodër të butë, ngrihet
madhështore porta e lartë me mbishkrimin si krah ëngjëjsh: Shoqata shqiptare “Bashkimi”.
Brenda
saj ndodheshin disa varre shqiptarësh që dukeshin sikur sillnin nga nëntoka zërin
e shekullit të kaluar, një zë që dridhej nga malli, largësia dhe harresa...
Nën një qiell
të vranët dhe me shi të butë u takuam me misionarin e çështjes kombëtare Shefqet
Bënçën.
Nuk është
e thënë që njerëzit t’i takosh për së gjalli, ata më së shumti, të ndriturit që
bëjnë dritë dhe në fund të tunelit të errët i takon për së vdekuri, por më të gjallë
se të gjallët!...
I lexoja
mendueshëm dhe plot emocion shumë prej emrave të shqiptarëve mbi pllakat ku
preheshin të qetë pranë pemëve plot gjelbërim... M’u duk sikur ishja përballë një tempulli dhe
akujt po thepiseshin para syve tanë, po ktheheshin në një ujëvarë nga dimrat
alpine... Para syve zbriste vetëtimthi nga Kalaja e Ali Pashë Tepelenës Shefqet
Bënça me bashkatdhetarët e vet që kishin ardhur në tokën e premtuar për t’i
sjellë lirinë vatanit të djegur e shkatërruar nga barbarët e të gjitha kohërave.
Aty pranë
tyre në rrënjët e thella të pemëve dhe në bisqet e sapoçelura nëpër degë ishin
stamposur sythet e ëndrrave, që gjeneratat të mos i harronin kurrë!
Ishte
gati si një kortezh hyjnor ku në ballë ishte nipi i Shefqet Bënçës me familjen
dhe vatranët me në krye kryetarin e saj Dr.Gjon Bucaj.
Me zë plot
emocion dhe krenari të ligjshme Z.Thanasi së bashku me bashkëshorten e tij
fisnike, znj.Kostandina dhe familjen e tij i bënë homazhe xhaxhallarëve dhe
gjyshes, dhe falënderoi gjithë pjesëmarrësit që kishin ardhur në këtë ditë të shenjtë
të familjes së tyre. Shefqet Bënça nuk i
përket vetëm familjes së tij fisnike, por i përket gjithë Kombit. Me respektin më të thellë dhe plot mirësi përshëndeti
dhe Dr.Bucaj, i cili tha se: “...Kjo ceremoni vazhdon të jetë në kuadrin e 100
vjetorit të themelimit të Federatës “Panshqiptare” Vatra. Është në nderin e vatranëve që ne të përkujtojmë
këtë figurë të shquar i cili gjithë jetën e tij e shkriu për Kombin.
Ne i përkujtojmë
ata me nderin dhe respektin që ata meritojnë”.
Më vonë të
pranishmit shkuan dhe tek varri i nënës së Shefqet Bënçës, të ndjerës Xhemile
ku përveçse në anglisht ndodhej dhe mbishkrimi: “Në zemrën tonë e paharruar”. Dhe vërtetë ajo është e paharruar nga nipërit
dhe mbesat që tashmë i gjetën dhe po ju vendosin tufa me lule të freskëta.
Ashtu siç
e do zakoni z.Thanasi ftoi gjithë të pranishmit për drekë në restorantin “Bella
Vita” në Staten Island.
Nën
tingujt e pianos intrepretuar mjeshtërisht nga prof.Petrika Melo, z.Thanasi
plot emocion mbajti fjalën e përshëndetjes në ceremoninë përkujtimore të patriotit
të madh Shefqet Bënçës.
Gjate
fjalës përkujtimore ai tha se 115 persona nga fshati Bënçë ikën nga tmerret që panë
me sy nga djegjet, plaçkitjet që kishin bërë masivisht shovinistët grekë kundër
Shqipërisë së Jugut, përfshire dhe fshatin Bënçë. Për këto ngjarje tronditëse dëshmon kënga
labe: “Gratë e Labërisë/ me foshnja në dorë/
Qaj moj Shqipëri/ E ulërij e gjorë!...
Ndaj ata
erdhën në Amerikë dhe me detyrën patriotike që të merrementonin dëmet dhe të sensibilizonin
politikën amerikane nga pretendimet dhe synimet grabitqare që kishin fqinjët
jugore për copëtimin e Shqipërisë.
Shefqet Bënça
do të vazhdonte nipi i tij Baftjari do të zgjidhej disa herë kryetar, sekretar,
gazetar i Diellit, anëtar i komisionit të kuvendit të Vatrës.
Ai arrin
të debatojë dhe të japë mendime për botimin e “Historisë së Skënderbeut” me Fan
Nolin.
Ndërsa për
nder të 40 vjetorit të ardhjes së Fan Nolit në Amerikë Shefqet Bënça ishte
drejtues i banketit të ceremonisë së rëndësishme, organizuar për Fan Nolin.
Unë i
organizoj këto homazhe tha nipi i tij ardhur enkas nga Tirana për këtë ceremoni
pranë gjyshes Xhemile, xhaxhallarëve Shefqetit dhe Mustafait si dhe vëllezërve
tanë Earl dhe Paul, pasi shumë vite më parë unë i premtova babait tim që në shansin
e parë që do të më jepej për të qenë në Amerikë unë do ta çoja në vend amanetin
tij për të takuar gjithë pjesëtarët e tjerë të familjes Thanasi në Amerike, të cilët
ai nuk mundi t’i takonte asnjëherë.
Pas fjalës prekëse të z.Thanasi kanë përshëndetur Dr.Gjon Bucaj, kryetar i Vatrës, z.Dalip Greca, editor i gazetës “Dielli”, ka recituar z.E.Ismailati, si dhe kanë përshëndetur në emër të TV Alba Life dhe shkollave shqipe në Staten Island dhe Brooklyn duke vlerësuar dhe bërë homazhe për patriotin e madh dhe plot kulturë kryevatranin zemërzjarrtë, tepelenasin, Shefqet Kamber Bënça.
Maj, 2012
Staten
Island, New York