E marte, 22.06.2021, 06:09 AM (GMT+1)

Kulturë

Fatmire Duraku: Zëri i unit

E hene, 07.05.2012, 03:17 PM


Zëri i unit

Nga Fatmire Duraku

Në librin “Zëri i unit” - sprovë për një antologji të poezisë së femrës shqiptare në Kosovë, dua në radhë të parë dhe në mënyrën më të thjeshtë të shpreh guximin e herës së parë – të paraqitjes së pamjes sime të shkrimit poetik të femrës, gjë që deri më tash  një vështrim të tillë te ne e kanë bërë vetëm meshkujt. Paraqitja e një pamje të poezisë nga ana e tyre  do të mund të kuptohej dhe ndoshta është pikërisht ashtu – zgjatje e dorës të na nxisnin, të na jepnin kurajë, të na nxirrnin nga ngecja e tërësishme në këtë sferë. Nuk qe asnjëherë ajo që e përpiluan ata me ndonjë kriter të fortë – prezantim kulmor i krijimit poetik të femrës, duke përcaktuar paraprakisht udhët nga do të ecej, vlerat, që do të respektoheshin deri në fund, ritmet, ngjyrat, muzika dhe mendimi i poezisë që do të ndërtohej brenda një krijimi antologjik. As unë nuk kam pretendim të tillë. Megjithatë, do të bëj përpjekje jo të vogël, që ajo të ndodh, që nga këndi i një vështrimi të një femre-letrare të zë frymëmarrjet paqësore dhe të shqetësuara, dhembjet dhe ngashërimet e shpirtit të nënës, të vashës, të gruas, të shtyllës jetësore të një populli, të kariadides kyçe, mbi të cilën sillen dhe zhvillohen datat, rrjedhat, ngjarjet, me të gjitha vlimit... Natyrisht, nuk është aspak e lehtë të realizohet në plotëni  një gjë e tillë. Kaq më shumë, ngaqë – sado që burri e gruaja e ecnin një udhë, me një qëllim të njëjtë, prapë secili e bënte udhën e vet, shumë të dallueshme nga tjetri. Arrinin të dy në të njëjtin cak-të fitores apo të humbjes, por meritat në cilindo rast nuk ishin të njëjta. Gruaja qe kurrizi i lakuar pa dyshim në të gjitha unazat e kohës. Sot,  kjo ka filluar të ndryshojë, sot gjithnjë e më shumë gjatë udhëtimit të përbashkët paralelet e tyre  takohen, bëhen një dhe të pandara. Kështu, krijimi letrar i femrës - në një vështrim tërësor, njëjtë apo së paku në masë të madhe, është kaq i fortë sa i gjinisë tjetër, është kaq lirik, me vibracione shpirtërore të thella për të gjitha fushat, për të gjitha sferat dhe  vijat që ikin paralel, natyrisht tashmë  takohen në shumë pika. Kjo jo vetëm sa i përket vlerës që shfaqet, por edhe tematikës, filozofisë dhe rrjedhës së përgjithshme. Në një panoramë të tillë të arritjeve letrare të femrës, kështu,  humb përfundimisht  kufiri që  ndante, që dallonte vite me radhë. Me këtë nuk dua të them se i ngjajmë shkrimit të njëri-tjetrit. Kurrsesi. Secili shfaqet me ritmin, filozofinë, ngjyrën dhe tematikën e vet, që vetëm sa e bënë më të begatë poezinë, krijimtarinë letrare. Sepse, nuk do mend, tash e sa kohë krijimi i femrës qëndron në drejtpeshim në peshoren e vlerës jo vetëm të poezisë, por edhe të dramës, të prozës, apo të krijimtarisë për fëmijë.

Për këtë pjesë të letërsisë, të krijuar në rrethana robërie të rëndë, nuk është aspak lehtë të preket me pak rreshta fillimi dhe rrjedha e më pastajme e shkrimit  letrar shqip. Ky shkrim, dihet - te ne,   është i vonë. Filloi me ndonjë zë të vetmuar aty-këtu me ndonjë vjershë të ndonjë vajze, e cila e ndrydhte dashurinë e vet në gji, e ndrydhte ndjenjën e vet brenda vetes, duke e pasur të vështirë ta nxjerrë jashtë atë që e mundonte,që e lente pa gjumë ....e kështu ngjashëm, me durim, me kohë, duke shkelur nëpër gjemba, nëpër vuajtje e gjak, nga ajo drita e vetmuar-e humbur larg në natë, të vagëllonte pak nga pak drita e agut, e cila do të përflakte kohën-qiellin e vetëdijes kosovare dhe nga pika e vetme e shkëputur nga kroi dhe e rënë në gur, të fillojë të formohej rrjedha, pastaj lumi i pandalshëm. Gjatë gjithë kohës, sa përpëlitesha si ta përshkruaj këtë udhë të krijimit letrar-poetik të femrës shqiptare në Kosovë, brenda meje kumbonte fuqishëm zëri “Ec, mos u ndal! Pa u nisur nuk mund të arrish!” E nisa kështu, këtë sprovë për antologji, këtë punë aspak të lehtë, por e bindur se në bashkëpunim me penat e njohura të shkrimit letrar, me femrat tashmë me emër, do t`ia ndalë mbanë. Natyrisht, kjo duhet të shikohet në radhë të parë si përpjekje e parë, si dëshirë, si udhë që nis të trasohet jo pa vështirësi, jo pa të meta dhe gabimet-të pashmangshme, të mos kërkohen me pinceta, por të shihen si  zbërthim i thënies “ kush punon gabon!” Ndryshe, çdo gjë do të bart në vete qëllimin e rrënimit të një përpjekje të një krijuese femër, të dalë nga zinxhirët  e robërisë, nga ëndrra dhe fuqia e ndrydhur e saj një kohë të gjatë të rënë në merimangë, nën zgjedhën e pamëshirshme të pushtuesit, të hijes së rëndë të burrit, nën drynin e heshtjes, në të cilën ajo nuk qe e pa shpirt, e pa sy, e pa ndjenja, e pa etje, por – gjithnjë e parë e tillë - lodër, robot, vetëm të dëgjojë dhe zbatojë urdhra, të shërbejë vetëm për të lindur fëmijë dhe për të zhvilluar filozofinë nam keqe “a pe – nuk pashë, a dëgjove – nuk dëgjova...” Kjo e bëri të veten dhe gruaja shqiptare për kohë të gjatë që e verbër, pa lirinë dhe dritën që i takonte dhe natyrisht i takon!

 

Siç e theksova dhe më parë,  krijimi letrar i femrës shqiptare kosovare fillon vonë, pas Luftës së Dytë botërore, diku në vitet e `50-ta me ndonjë krijim – poezi, kryesisht, të botuar aty-këtu në shtypin e pakët të kohës... Pasojat e një vonese të tillë, të mungesës së lirisë së ballafaqimit të drejtpërdrejt me dritën e ditës, të kohës, të mësimit të  shkrim-leximit, në radhë të parë, e më pastaj të sprovës së shpalimit të shkrimit letrar, të shpalimit të dëshirës së vet, të ëndrrës dhe të shfaqjes së fshehtësisë së ndryrë në shpirt me qindra vjet, natyrisht e këputi ecjen e natyrshme të gruas në të gjitha sferat e punës-të krijimtarisë, apo në rastin më të butë – e  ngadalësoi  shumë dhe rëndë ritmin e përjetimit të jetës dhe të natyrshmërisë së zhvillimit intelektual,kreativ. Megjithatë, secili tunel, sado i mbytur në errësirë të dendur, diku e ka daljen, diku e çilë dritën. Njëjtë, siç  secilës  udhë, secilës  vuajtje, secilës dhembjet, diku i gjendet fundi...  Kështu, në fillim të viteve të `70-ta ndodhi ajo, që kohë më parë vetëm mund të shihnim ëndërr,  kurrë të realizuar. Në botën letrare shqiptare të Kosovës botohen librat e parë me poezi. Disa kaq të suksesshëm sa e përballuan kohën dhe edhe sot e gjithë ditën e ruajnë atë që  e sollën, vlerën e përhershme letrare, siç është rasti me librin e mrekullueshëm poetik të Edi Shukriut “Sonte zemra ime feston”!  Me këtë shënohej edhe një datë tjetër, edhe një ngjarje tjetër, edhe një mrekulli – femra shqiptare  në këtë krah të atdheut, tashmë e kishte prekur ëndrrën e vet, e kishte arritur pjekurinë e duhur që ta nxirrte pa droje jashtë shpirtit të vet me vite të ndrydhur atë që e mundonte, gjithë atë që e barte në vete, qoftë ngashërim apo pikëllim! Librin e parë me poezi në këtë periudhë (viti 1972) e botoi  Sadete Emërllahu, atëherë studente në Prishtinë, më pastaj vjen libri i Edi Shukrit “Sonte zemra ime feston”, një vit më vonë Flora Brovina boton librin me poezi “Vërma emrin tim” e kështu me radhë zë dhe merr hov rrjedha e shkrimit letrar, që sot krijimtaria letrare e femrës shqiptare kosovare të ecën krah me krah me krijimtarinë më cilësore të gjinisë tjetër dhe kjo në të gjitha gjinitë për të rritur dhe për fëmijë – në poezi, tregim, në vështrim-studim, në roman e – në kohë të fundit, edhe në dramë.

Krijimtarinë e femrës sot dhe këtu e karakterizon e përditshmja në gërshet të përhershëm me të kaluarën, frymëmarrja  e  bashkë udhëtimi me datat që shënojnë ndodhitë, dhembjet e pikëllimet, ritmet e jetës    me rëniet e ngritjet e individit në kohë dhe hapësirë. Dhembja dhe ngashërimi qëndrojnë afër-afër, shqetësimi, dridhjet dhe valëzimet e shpirtit e ndjekin vetveten dhe krijimi shndërrohet në diçka magjike, që të pushton dhe në të njëjtën kohë të liron nga pesha e barrës së ditës. Kjo krijimtari – e them pa hamendje, i jep kuptim dhe ritëm jetës, gjithë ëndrrës së bukur, që natyrisht nuk shfaqet gjithherë pa mallin dhe dhembjen për gjërat dhe për ata që nuk janë më. Një mallëngjim. Gjethe gjithherë të gjelbra shpirtërore. Kjo është risia e poezisë, që do të zërë vend në këtë sprovë për antologji, kjo është cilësia, që në secilën peshore heq kaq rëndë sa krijimtaria e gjinisë tjetër. Kjo vetvetiu e flet hapin gjigand, të cilin me guximin e jashtëzakonshëm e bëri femra në lëmin e krijimtarisë letrare dhe këtë ecje po e bën nga dita në ditë edhe më të veçantë, me ritmin, filozofinë, ngjyrën dhe muzikën e shpirtit dhe të gjakut. Kjo është kënaqësia e madhe, emocioni tepër i thellë, ndjenja e papërshkrueshme-e derdhur nga pjekuria dhe mjeshtëria e realizimit të vargut të femrës krijuese kosovare. Një gjë të tillë  lexuesi e përjeton në secilin ballafaqim me vargjet plot muzikë dhe mendim  “ Hapat ngurrues më shpien/ rrjedhës së Drinit/, jehonat grishin të panjohurën/ mbi qetësinë e Hasit...”, me vargjet   “Në qepalla e ruaj hirin/ E kujtimit/ Për ty/ Bukuri e zgjuar...”, apo me vargjet plot jetë-shikim në të ardhmen e ndritshme “Laj flokët në ujëvarë/ laj duart plot bimë/ laj shikimet e mia...”

Flokët... Bimët... Shikimet...

Sepse, tashmë çdo gjë e ka tiktakun  e femrës, që u flijua për Urën që do t`i lidh brigjet, kohët që do t`i lidh, brezat që do t`i lidh me fijet e shpirtit të pavdekshëm.  Ja,  ndoshta, edhe tash, duke e lexuar këtë shkrim e dëgjoni kumbimin e fortë dhe njëkohësisht jehonën e zërit të unit të femrës, e cila e shpalos me guxim veten, - sonte zemra ime feston!  Apo – Bimë e zë, apo Drithërimë ngjyrash, apo  Kam mall për erën tënde Kosovë, apo Shpirti i luleve... e – kështu, pafundësisht, njëzet e tri botëra, njëzet e tri stile, njëzet e tri  veçanti, secila në mënyrën e vet duke e ndierë dhe shprehur fjalën poetike, këtë mbretëreshë të artit!



(Vota: 64 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora