E premte, 18.06.2021, 04:16 AM (GMT+1)

Kulturë

Nehat Jahiu: Një kujtim i paharruar...

E hene, 07.05.2012, 02:29 PM


NEHAT JAHIU

NJË KUJTIM I PAHARRUAR...

Moti kohë kam pasur një motiv të brendshëm që vazhdimisht më ngacmonte shpirtin, një frymëzim i zjarrtë për të hedhur dritë mbi kujtesën time të kahershme për vendlindjen, për ëndrrat e mia fëmijërore që i ëndërrova aq ëmbël në atë djep që përkundej nga dora e dashur dhe e ëmbël e nënëlokes sime të ndjerë që kurrë s’do ta harroj. Edhe sot s’më hiqet syshë ajo përkundje pranë oxhakut të vatrës sime, mu aty ku për herë të parë i çela sytë, aty kur për herë te parë shqiptova troç shqip fjalën NËNË, mu në gjuhën e të parëve të mi, aty ku bukës i thash bukë ujit - ujë. Ku tjetër kund, pos në folenë time, e ku tjetër kund përveç tek ti, o e dashura, vendlindja ime ORIZARE.

E si mund të mos ju kujtoj juve fusha dhe male të bukura të vendlindjes sime që vetëm Perëndia ua fali ato bukuri, e unë biri juaj asnjëherë s’munda të ngopem me atë dashuri të pakrahasuar.

Sa e sa herë ti më more në duar, më përqafove, më ledhatove, më buzëqeshe, më rrite në prehrin tënd e s’më le të mërzitesha edhe atëherë kur isha në pikëllim.

Ti, o vendlindje më merrje në krah, më puthje e më shtrëngoje në gji,  më doje mu ashtu siç e do vendlindja djalin e vet.   Eh, vendlindja ime si mund ti harroj krojet tua me atë ujë të ftohtë që buron mu në thellësinë e gurit të bjeshkës së tokës sate mëmë. E ju barinj të vendlindjes sime si mund t’ju harroj kur në çdo mbrëmje lëshoheshit nga malet me tufën e bukur të deleve, e fshati juaj Orizare ua hapte krahët e ju priste në përqafim.

E ju shokët e mi të fëmijërisë që kurrë s’mund t’ju harroj nga mëndja ime. E si mund ti harroj kujtimet e mia fëmijërore kur vraponim pas luleve nëpër ara e livadhe së bashku me fluturat laramane.

E ju pleq të fshatit tim, ju të gjallë e ju të vdekur si mund t’ju lë në harresë me atë burrëri, besnikëri e bujari që patët, ju që bujarinë e shprehët mu në sofrat tona shqiptare, mu aty me bukë, kripë e zemër. Po, po mu aty në odën e kullave tona, mu aty pranë oxhakut deri netëve të vona, ato net dimri kur dëgjonim bisedën ashtu siç ju ka hije burrave, aty mu aty ku jepej fjala e ku lidhej besa.

Po, ju nënëloket e vendlindjes sime kush mund t’ju harroj juve, juve, oj nëna, nëna shqiptare, juve që lindët djem e vasha krenare. Juve që pasha besën, asnjë hap si shkuat prapa burrave, ju që na rritët me shumë mundime, por gjithmonë zemërhapur e bujare.

Ju nëna të dashura që na rritët me bukën e misrit, thekrës e grurit, me atë bukë të ëmbël si sherbet që e poqët në çerjep e që ishte e lezetshme, sepse gatuhej nga duart e nënave tona të vyeshme dhe të palodhshme.

Ju që deri natën vonë kacafyteshit me jetën, me skamjen për rritjen tonë

Eh, nëna tona, të paharruara janë ato ditë kur piqej buka e përgatitej dreka për baballarët në arë apo bariun në mal. Tërë fshatin e mbulonte era e mirë. E si mund ti harroj e mos ti kujtoj nënat e gjyshet tona që na rritën me ninulla duke na kënduar deri natën vonë ne djep mu aty pranë oxhakut të kullave tona të lashta.

Eh nëna, nëna që deri vonë ju thurnit çorapë me kërrabzë, tirnit leshin me furka, me bosht e shtizë, thurnit jana e qilima ne vek, këmisha, jelek, xhamadana me gajtana, mintana, tirqi e çfarë jo. Ju nëna e gjyshe tona...

E ju djem të rinj të vendlindjes sime, ju shqiponja që ju lindi dhe ju rriti kjo tokë arbërore, ju trima dhe vëllezër, ju bijtë e Arbrit, ju sypatremburit e Orizares, ju që dhatë fjalën e besën vendlindjes, ju që u betuat pranë flamurit dhe para Zotit, se më parë do të jepnit jetën se do ta falnit vendlindjen. Kush mund t’ju harroj juve, o trima, juve që i dolët zot pragut të shtëpisë, vatrës, kombit, fesë, nderit...

E lumë e lumë juve që ju lindi kjo vendlindje, lumë e lumë për juve që ju patë ky popull. Juve, o trima të këtij populli që duhet me nder e respekt t’ju nderoj ashtu siç meritojnë të nderohen trimat e lirisë.

Veprën tuaj s’mund ta harroj dhe ta mohoj askush, o ju trima të vendlindjes sime. Vetëm trimat siç ishit ju mund ta mbajnë gjallë një popull me histori dhe kulturë të lashtë kombëtare. Çdo popull e nderojnë emra që lindin si artist të mëdhenj, prijetar nga të ndryshmit, trima... emra që nderojnë, krenojnë kombin. Populli që nderon bijtë e bijat e tij më të mëdhenj, njerëzit e vet të rrallë, shkrimtarët, artistët, shkencëtarët, trimat, dëshmorët e lirisë, para se gjithash dhe mbi të gjitha- nderon veten dhe kombin e tij. Një popull që u ngre përmendore, i nderon figurat e ndritshme të tij më të nderuar, ai popull parasëgjithash e mbi te gjitha i ngre përmendore kulturës dhe historisë së vet. Juve, atyre para juve, dhe ata që do të vijnë pas jush. Të gjithëve që sakrifikuan atë më të shtrenjtën jetën për liri, për gjuhë, qoftë me pushkë apo me penë, kurrë s’duhet harruar.

E si mund t’ju harroj juve, o bashkëfshatarë që ju mbaj dhe s’ju mbaj mend, juve që derdhët djersë mbi tokën e vendlindjes sonë, juve që jeni gjallë dhe atyre që u pushojnë eshtrat në tokën mëmë, s’mund t’ju harroj. E juve të kohës së lashtë që derdhët dhe ujitët tokën e vendlindjes sime me gjakun tuaj për ideal kombëtar, s’guxon askush t’ju harroj.

Eh, vendlindja ime sa me mall e dashuri të përkujtoj në Majin e 2001-shit, ta kujtoj tymin e flakën, ti kujtoj rrënimet e shkatërrimet. E ti e fortë si shkëmb guri, e paluhatshme nga breshri e stuhia...

 

Nuk rrëzohem më the, rrënjët thellë i kam këtu, mu këtu, s’mund të mi shkulë askush, këtu kam qenë denbabaden.

E pabesueshme më duket, o vendlindja ime, o djep i imi i dashur kur ti shihja me sytë e mi gërmadhat, s’mund të pajtohesha me vdekjen tënde aq tinëzisht dhe mizorisht, vetëm e vetëm pse frymoje shqip shekuj me radhë. E dija se mund të shkatërrojnë, por kurrë s’besoja se themelet nga ky vend do ti largojnë. E pamundur dhe e pabesueshme ishte që të na lësh në pikëllim kaq të thellë e mos të kthehesh përsëri ashtu si më parë, ashtu siç isha mësuar me të pa për çdo ditë unë biri yt as i pari e as i fundit.

E dhembjen tënde dhe timen do ta shërojmë së bashku, o vendlindja ime atë ditë kur ti shërojmë plagët me ujin e krojeve tua...

E unë pranoj, kurrë s’kam pasur detyrë më të vështirë që ta mundi dhembjen dhe pikëllimin për ty. Me ty isha mësuar ndryshe, nuk isha mësuar të shoh kështu.

Eh, vendi im, u mbajte ashtu siç i ka hije, ashtu siç din të mbahet vendi para armikut. Shumë vështirë e kisha ti thoja së paku dy fjalë në atë çast të hidhur e aq të pa mëshirshëm, por edhe aq më vështirë do të kisha të shikoja e të rrija në heshtje. Më dilje me gazë e ngrohtësi me buzën e ëndrrën e së bukurës në sy. E kujtoja me mall të paharruar thithjen e dritës së parë, me afsh e dashuri të thellë që më kishe dhuruar ti qysh në fëmijërinë time njomorake, o fshati im – Orizare.

E dija se ti do të molisesh, por do të mbetesh gjallë, bile do të bëhesh edhe më i fortë.

Do të mbajë gjallë e shumë të fortë gjaku i bijve tu.

Jo, jo ti nuk shuheshe, ti po derdheshe në zemrat tona dhe të fëmijëve tanë, shkëndija e rrezeve tua joshëse do të freskojnë së bashku me gjakun e njomë të dëshmorëve të shtigjeve të brezave të ardhshëm.

Dashuria jote edhe më tepër do të futet në zemrat tona. Ti do të shkëlqesh, do të rritesh edhe më shumë. Ku tjetërkund, këtu, në këtë truall. Këtu së bashku me ne. E ne përsëri do të dalim përpara, do të shikojmë me mall e gaz kujtime me atë ëndërr të bukur në sy...

Do ta presim pranverën së bashku me ty përsëri. Do të kthehen dallëndyshet në foletë tua, do të kthehen mu aty ku e derdhën lotin e dhembjes së bashku me ty. Do ta gëzojmë pranverën dhe me zogjtë e tu që deshën ti vrasin së bashku me ty tinëzisht.

Lotin, dhembjen, buzëqeshjen... Edhe këtë herë e ndamë me ty. I shpëtuam edhe vdekjes, por vdekja mund të na marrë kur të dojë, por le të na marrë atëherë kur ti ke nevojë, o vendlindja ime.

 

Shtëpi të granatuara të fshatit Orizare gjatë luftës së viti 2001

 

Një pjesë e fshatit Orizare që shtrihet buzë arave nën fshat tek “Përroi i Madh”, foto 2008

 

Marrë nga monografia,  “Orizarja ndër shekuj”, 2010



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora