Kulturë
Flaura Kureta: Të luash me një aktor të madh si Ndrenika është fat
E merkure, 02.05.2012, 11:43 AM
Flet
aktorja Flaura Kureta për rolin e saj në dramën “Doktor Shuster”
Të luash me një aktor të madh si Ndrenika është fat, por edhe risk!...
Nga Albert ZHOLI
Dhe pse e re, ajo
ka luajtur mbi 20 role në drama dhe komedi. Nuk ka luajtur role dosido, por
role me disa nga aktorët më të spikatur si me Agim Qirjaqin, Robert Ndrenikën,
Timo Fllokon, Roland Trebickën, Enver Petrovcin, Bujar Asqeriun etj.. Ajo thotë me bindje se nuk do ta
zëvendësonte me asgjë profesionin që ka. Vlerëson shumë punën e regjisorit dhe
nuk i ndan rolet e komedisë nga ato të dramës. Sipas Flaurës, të luash krah
Robert Ndrenikës është një nder i madh, po aq sa është dhe përgjegjësi. I pëlqen
kur i thonë je një aktore e mirë, se sa një femër e bukur. Edhe në skenë dhe në
jetë ajo nuk do të tregohet koketë, por një njeri real me këmbë në tokë.
Çfarë emocionesh keni ndjerë kur regjisori
Spiro Duni ju ofroi rolin e Divnës tek drama “Doktor Shuster”?
Të të gënjej që nuk u gëzova?! Ishte një
emocion i një lloji tjetër që m’u besua roli i Divnës, pasi e kisha lexuar
pjesën dhe e njihja si tekst. Roli m’u dha disa ditë para se të fillonte
projekti. Roli ishte i një vështirësie të lartë, pra isha para një sfide. Nuk
ishte një rol që e kisha bërë deri më sot. Vështirësia e rolit nuk qëndronte
vetëm në ndërtimin e tij, në amplitudat e mëdha emocionale që kishte si personazh, por edhe për vetë faktin
sepse unë nuk luaj moshën time, por një grua në moshë që duhet t’i përqasej dhe t’i afrohej në shumë
detaje personazhit kryesor, Doktor Shusterit. Pra, impresioni ishte shumë
pozitiv, po aq sa ishte dhe përgjegjësia.
Besuat se do ta realizonit këtë personazh?
Po, patjetër, deri sa e pranova. Për të
mbërritur te ky rol rrugëtimi im artistik ka qenë i gjatë dhe jo i lehtë. Kur
filloi puna me personazhin, dhe unë e pranova, mendova se mund ta luaj. Kam
pasur goxha eksperienca deri sa të mbërrija këtu, si në Shqipëri dhe jashtë
saj. Këto eksperienca më kanë rritur artistikisht. Ndoshta me këtë rol kishte
ardhur momenti dhe koha të bëja diçka ndryshe nga rolet e tjera. Divna ishte
fati dhe oportuniteti i një kafshate të madhe, ku vlerat aktoriale që ka çdo
aktor, janë të fshehura dhe të mbartura diku. Dhe ja vjen momenti që të
shfaqen. Pikërisht mendova se ishte një rol që unë mund t’i shpërfaqja këto
akumulime aktoriale. Nuk mund të
thuash se si kam ardhur unë tek personazhi apo si erdhi Divna tek unë. Divna është mësuese
pianoje me moshë mbi të 50-at, dhe interpretimi live në piano e ka plotësuar si
figurë. Një personazh anakronik që i ka ngelur ora në vend, është motra e doktor Shusterit, e cila ka një botë
të madhe emocionale dhe shpirtërore që qëndron shumë, ëndërron shumë dhe mund të
thuash se ëndrrat e saj kanë ngelur disi pezull në mes dy kohëve. Janë nga ata
personazhe që jetojnë realitetin e sotëm, por që kanë asosacione nga e kaluara.
Po ta shohësh edhe nga mënyra se si autori Kovaçeviç e ka ndërtuar këtë
personazh, të gjitha këto aluçinacione vijnë në mënyrë shumë graduale, shumë
organike, sepse Divna nuk dihet se kur jeton në të sotmen dhe kur jeton të
shkuarën, ëndrrat e saj.
Cila është linja kryesore e saj?
Linja e saj kryesore, është linja që ka me vëllanë
e saj, Doktor Shusterin, dashuria
e madhe që ka për të, si dhe dashuria e saj për Sergein, dashuria e vetme e
jetës së saj, mashkulli që e ka bërë te dashurojë fort, të ëndërrojë dhe të vuajë, pasi kur ai ndahet nga
jeta, Divna e kujton gjithmonë, ka aluçionacione të vazhdueshme, e ëndërron çdo
çast aq sa disa herë padashje kthehet ne situate komike personazhi i Sergeit Duke e kërkuar me ngulm ajo
“sikur e gjeti” Sergein, i cili mishërohet tek këngëtari i operës, një
personazh tjetër i dramës. Këtu shkrihen këto dy realitete të Divnës,
aluçinacionet e saj.
Përballë një aktori klasi, Robert Ndrenikës,
ua ka vështirësuar apo ua ka lehtësuar rolin Ndrenika?
Është hera e tretë që luaj me Robert
Ndrenikën. Herën e parë kam luajtur tek një vepër e Çehovit, rolin e Nataljes
(vajza e tij) kur sapo isha
diplomuar (kisha mbaruar Akademinë e Arteve) dhe gëzimi ishte shumë i madh që
do luaja përkrah një legjende të skenës. Herën e dytë kam luajtur para katër
vjetësh “Njeriu që pa
vdekjen me sy” të Viktor Eftimiut, ku përsëri isha vajza e tij ku luaja rolin e
Alisës. Në harkun e këtyre viteve kam
pasur fatin dhe komoditetin të jem përkrah disa prej personaliteteve të
aktrimit shqiptar, përveç Prof. Robertin që e kam dhe mik shumë të mirë. Por në
këtë projekt e kam partner
direkt pasi 80 për qind të rolit e kam me të. Përveç këtyre të dy rolet qe janë
dhe rolet kryesore të kësaj drame, ku linja kryesore është vëlla motër. Kjo
ishte një sfidë e madhe për mua që të luash përkrah një aktori të tillë
kalibri, është fa, por dhe risk i madh, pasi aktorët e mëdhenj vërtet të
ndihmojnë, por përballë tyre duhet të jesh shumë dinjitoze, dhe profesioniste dhe mendoj se këtë
sfidë e kam kaluar me sukses.
Konkretisht si është sjellë Ndrenika me ty?
Siç sillen profesionistet e vërtetë. Ka qenë
një marrëdhënie shumë e bukur në prova dhe jashtë saj. Mënyra se si sillet me
mua Ndrenika ma lehtëson punën, por vetë loja e tij të bën që të jesh komode dhe të ndihesh mirë krah tij.
Roberti më ka ndihmuar shumë, pasi kemi bërë dhe prova individuale sepse këta
personazhe janë shumë njerëzorë, pasi ne i hasim kudo, e të tillë ka shumë dhe
në Shqipëri. Intelektualë që se kanë marrë shpërblimin e duhur për punën që
kanë bërë. Konkretisht vëlla e motër, njëri doktor i famshëm, tjetra mësuese
pianoje, nuk janë vlerësuar sa duhet, ndaj jam përpjekur të kapim anën
njerëzore të tyren, sepse aktorët e vërtetë rrokin tek personazhi
vërtetësinë, nëntekstin,
atë që nuk është e shkruar me fjalë, në dialog, në pjesën teatrale. Këtu
qëndron suksesi i kësaj drame, sepse këtu spektatorët qajnë dhe qeshin
njëkohësisht. Nuk ka qenë e lehtë, por dhe nuk është e vështirë të punosh para
aktorëve të tillë, sepse duken të vështirë, në pamje të pare, po aq njerëzor
dhe të thjeshtë janë kur ulesh të punosh me ta .
Një vajzë e re simpatike, ndërsa Divina një
grua mbi të pesëdhjetat. Kur ju pashë ashtu, mendova, si një grua e madhe. Kush
ka luajtur rol në përshtatjen e Divnës?
Përkushtimi dhe puna për krijimin e figurës
së Divnës ka qenë maksimal dhe me shumë dashuri. Përveç provave, mimikës së
fytyrës, kostumit, një rol të rëndësishëm ka luajtur dhe grimi. Unë dua të
falënderoj mjeshtren e grimit Bebeka Allën, e cila më ka ndihmuar se si unë të
përqasesha dhe të afrohesha në moshën e Divnës. Ulesha në dhomën e grimit dhe
pak nga pak duke shtuar thinjat e bardha, me atë grimin, duke më plakur pak nga
pak më transformonte në një
plak fisnike. Ky është një
aksesor dhe një element i rëndësishëm që e ndihmon aktorin të ndihet personazhi i vërtetë i dramës, jo
vetëm në brendësi, por edhe vizualisht. Pra të ketë imazh të kuruar. Unë në
përgjithësi kam luajtur moshën time, por në këtë rol ndihem tamam një Divnë e
vërtetë
Luani në drama, por edhe në komedi. Ku ndihet
më e sigurt Flaura?
Unë i kam prekur të dy zhanret dhe pikërisht
tani po luaj dhe tek drama “Doktor Shusteri” dhe tek komedia “XXL”, tek Teatri
i Komedisë. Aktorët e
vërtetë nuk i ndajnë dramën nga komedia, ashtu si në jetë që nuk mund t’i
ndajmë tragjiken nga komikja. Edhe unë nuk i ndaj dot, sepse i kam të dy pjesë
të shpirtit, të jetës, të së përditshmes. Ndihem mirë tek të dyja. P.sh, Divna
i mbart të dyja, dhe komiken dhe tragjiken. Pra, ka shumë ngjyra si personazh
dhe komikja del padashur.
Në ekonominë e tregut, shohim se tregu i
aktorëve është pak i ngushtë dhe nga ana materiale s’kanë të ardhura për një
jetesë të kënaqshme. Je penduar që ke zgjedhur këtë profesion?
Kam mbaruar shkollën e muzikës dhe më pas
zgjodha të vazhdoja për aktore, pasi e
kisha ëndërr. Jo më kot e zgjodha, pasi
e dua këtë profesion dhe nuk jam penduar aspak edhe pse realiteti është i
vështirë. Kur merr duartrokitje si tek “Doktor Shuster”, kur dëgjon fjalë të
mira për lojën, kur shtypi shkruan mirë, të gjitha këto e përligjin sakrificën, por dhe
problemet e tjera që kanë të bëjnë me profesionin.
Ëndrra e lënë përgjysmë?
Regjisura. Kam qenë disa herë asistente në vepra të rëndësishme si “Macja në çatinë e nxehtë”, Fishkëllimë në errësirë”, “Gjashtë personazhe kërkojnë autor”, “Këngëtarja tullace”, “Shpellari” etj.. Regjia është e vështirë dhe ndryshon nga aktrimi. Regjia është një dirigjencë me shumë vegla, ku duhet një kapacitet dhe akumulim i jashtëzakonshëm. Por le të mbetem tek aktrimi. Ëndrra vazhdon, megjithatë kurrë mos thuaj kurrë!...