Kulturë
Kalosh Çeliku: Plaga e dhjetë me Hënën
E hene, 13.02.2012, 08:58 PM
PLAGA E DHJETË
ME HËNËN
(Mikes për festën e Shën Valentinit)
Nga: KALOSH ÇELIKU
Unë jam një shpirt pa shtëpi. Atdhe
Azil politik kërkoj tek një Mike…
Murosja e nuseve
Edhe sot i varrosin të gjalla
nëpër këtë Qytet nuset.
Po, nuk ua lënë nga një gji
jashtë për poetët...
Vera të ka ngrirë akull
Dimri të ka shkrirë
Dëborë nuk bie. Akull nuk ka. Acar
Në shpirt kam Dimër. Ftohtë bën Natën.
Ndez Veten zjarr ta ngroh dhomën. Ty
Shtratin. Varrin tim në Baba Tomor.
Dëborë nuk bie. Akull nuk ka. Acar
Vera të ka ngrirë akull. Dimri të ka shkrirë.
Të ecësh me Lumin në shtratin tim...
Dimër i madh në këtë qytet
Unë jam dimër në këtë qytet qyqesh
Dhe e mbuloj me dëborë këmbë e kokë.
E ngrij akull. E shkrij në pranverë
E shkund në vjeshtë. E zgjoj nga gjumi.
Unë jam Dimër në këtë qytet qyqesh
E mboloj me dëborë. E ngrij akull
Dhe, përsëri lulëzon bërlloku në pranverë...
Dordoleci ma përplasi derën
në mes të Dimrit
Acar. Dera e madhe nuk ka gjumë
Unë strukur mes shtambave me verë.
Pranë një qiriri të ndezur në shtrat.
Dhe, pres të më pi Ajo gjithë Natën.
Pasmesnate më rrokullisë nëpër dhomë
Si një shtambë e zbrazur me dy vegë.
Mëngjes. Zjarri ende ndizet me flake
Dordoleci ma përplasi derën n’mes Dimrit…
Grua natën e mirë
Grua, natën e mirë! Ika.
Pasmesnate, më pret një Grua tjetër:
Poezia. Dhe, është xheloze.
Nëntë burra nuk mund ta bëjnë zap
Natën.Vetëm Unë ia jap hakun.
Grua, natën e mirë! Ika
Falemnderit. Që, nuk je xheloze...
Gruaja besnike
I dëbova armiqtë rreth Meje. Edhe Miken
Vetëm poezinë nuk mund ta përzë. Nuk ik.
Është grua besnike. E do burrin...
Plaga e dhjetë me Hënën
Nëntë vjet e mbyta Veten me verë
Gjithë Natën duke shkruar poezi
I zgjuar me Hënën.
Nëntë vjet ndeza një qiri
Me Hënën e plotë mbi Liqe
Jerm mes dy shtambave me verë.
I çmendur pak para agimit
U zgjova nga varri im me libra...
Le të më hanë gratë
U besoj grave të marra
kur natën lahen në liqen.
E Unë me një shishe verë në breg
dëshiroj të bëhem grep.
E pres ta kafshojnë vargun
t’i hedh në shtrat.
Më mirë le të më hanë gratë
se sa qentë e ngratë!...
Azil kërkoj tek një Mike
Unë jam një shpirt pa shtëpi. Atdhe
Që bredh me vite arave. Maleve.
Lumit. E në hurdhë nuk mbytem
Strehim kërkoj tek dy shtamba verë.
Unë jam një shpirt pa shtëpi. Atdhe
Azil politik kërkoj tek një Mike…
Unë jam Ujk. Dhe,
dua plagë!...
Grua, mirëmëngjes. Erdha
Unë jam Ujk. Dhe, dua plagë!
Edhe Ajo nuk ishte xheloze...