Mendime
Ramiz Dërmaku: Vetëdija kombëtare për lirinë dhe demokracinë po ngrihet shumë ngadalë
E enjte, 29.12.2011, 12:58 PM
Vetëdija kombëtare për lirinë dhe demokracinë po ngrihet shumë ngadalë
Nga Ramiz Dërmaku
Po kalojnë javë, muaj dhe mbi 12 vjet pas çlirimit të Kosovës, e liderët tanë nuk po mund ta gjejnë rrugën në të cilën duhet të ecim, për shkak se janë të ndarë, të përçarë, të paorganizuar si duhet, xhelozë, disa prej tyre i ka kapluar korrupsioni, familjarizimi, karrierizmi, bajraktarizmi, e shumë e shumë dukuri tjera negative. Liderët e Kosovës në vend se të punojnë më shumë për çështjen kombëtare, mjerisht ata merren me akuza njëri ndaj tjetrit, partia -partinë, partia -Qeverinë, intelektuali - intelektualin, i pa shkolluari të shkolluarin, deputeti - deputetin, rektori - universitetin, etj,. Liderët tanë shumë pak janë duke bërë për çështjen kombëtare, e aq më pakë për bashkimin kombëtarë. Nëse historia, siç thotë Hegeli;“ Përparim në vetëdijen mbi Lirinë…,“ lirisht mund të themi se karakteristikë themelore e historisë sonë është se vetëdija jonë kombëtare për demokracinë dhe lirinë po ngrihet shumë ngadalë. Mërgimtarët tanë, pjesa dërmuese (para dhe gjatë luftës), dhanë maksimumin për ta ndihmuar çlirimin e atdheut-Kosovës, nga armiku shekullor serb. Mirëpo, sot pas 12 vjetëve të çlirimit të Kosovës, pas ndërtimit e funksionimit të organeve tona shtetërore, siç po shihet se edhe ligjet e aprovuara nga Kuvendi e deputetët e Parlamentit të Kosovës, ende nuk po zbatohen e respektohen edhe nga vetë ata që i aprovuan ato. Të gjithë po themi nuk po na shkojnë punët mbarë e mirë. Qeveria në vend se t’i jetësojnë në praktikë ato ligje, me vetëdije, apo pa vetëdije ata shkelin po ato ligje që i miratuan vetë. Liderët tanë gjatë konferencave për shtypë, thonë se ‘Kosova, është shteti më demokratikë, dhe në demokraci njeriu ka të drejtë ta shpreh mendimin ( por jo ta vjedhë shtetin e vetë), edhe unë po e shfrytëzoj të drejtën time e cila më lejohet edhe me ligj. Në mediet e shkruara si dhe ato elektronike, për çdo ditë po lexojmë e po dëgjojmë për gjëra jo të hijshme të liderëve, qeveritarëve, deputetëve të Parlamentit të Kosovës, për njerëz të korruptuar që mbajnë poste. Edhe unë si mërgimtar që jam e ndjej të nevojshme dhe si obligim së pari të jem moral e pastaj kombëtar, ta ngremë zërin ndaj padrejtësive që po ndodhin në Kosovë pas luftës. Në shumë raste deputetët, qeveritarët dhe liderët shtetërorë ose partiakë e shkelin ligjin në mënyrë drastike. Të emërosh një rektor universiteti, një këshilltar të Presidentit ose të Kryeministrit, apo një ministër ose një përfaqësues të Republikës së Kosovës, në shtete të ndryshme pa u konsultuar dhe pa e ndjekur rrugën ligjore (e çka është më tragjike, në vendet e cekura më lart ka njerëz që nuk kanë të kryer as shkollën e mesme ( ndoshta pas luftës kanë marrë tituj , prof.,mr., doc., etj.) ky është më shumë se krim.
Tani në Kosovë e në diasporë kemi njerëz - intelektualë të denjë të cilët kanë kryer fakultete në universitete me famë evropiane e botërore, të cilët posedojnë aftësi të mëdha njohurish, e të cilët bredhin poshtë e lart ose punojnë si punëtorë krahu. Në anën tjetër në vende kyç punojnë njerëz të cilët nuk kanë as përgatitje shkollore e as kulturë të përgjithshme. Akoma nuk po mund ta kuptoj faktin se si ndodhi që organet kompetente të Qeverisë së Kosovës, Parlamenti, gjykatat të heshtin kur shkelet ligji dhe rendi i një shteti? ! Unë si dëshmitar i shumë ngjarjeve që kanë ndodhur gjatë këtyre viteve në diasporën tonë, pikërisht ndërmjet ish-kryetarit të LDK-së dhe ish-kryeministrit të Qeverisë së Kosovës, z. Bujar Bukoshi. Shtrohet pyetja se si i besohet një post i tillë një njeriu i cili kur në Kosovë derdhej gjaku, kur në Kosovë digjej çdo gjë shqiptare, kur maltretoheshin, dhunoheshin e vriteshin nënat e motrat tona, bridhte rrugëve të diasporës- perëndimit, si të mos ndodhte në Kosovë asgjë. Është e pakuptueshme se sot organet kompetente të Qeverisë dhe Parlamenti i Kosovës, lejojnë që në poste të tilla të zgjidhen njerëz të tillë, siç janë B.B. dhe H.G. Fatkeqësisht edhe sot Qeveria dhe institucionet kompetente të Republikës së Kosovës po u japin hapësirë dhe besa po u japin poste të larta. Po bëhen zgjedhje e emërime të njerëzve në diasporë dhe kush nuk konsultohet, apo thënë shkurt shqip, kush nuk e pyet diasporën tonë. Tani ata që “luftonin“ dje për ta “ndihmuar” çlirimin e Kosovës, ata që e ndanë dhe e përçanë diasporën tonë, sot në Kosovë udhëheqin shtetin e Kosovës. Po ata që dje bënin përpjekje titanike për ta ndihmuar dhe për ta çliruar Kosovën, sot jo që nuk po i realizojnë premtimet e veta, por janë korruptuar deri në skajshmëri, kanë ndërtuar pallate, pjesa dërmuese me gjakun e derdhur të martirëve dhe me djersën e vjedhur të diasporës sonë. Siç po shihet sot janë harruar mërgimtarët tanë. Janë harruar si nga ish-liderët të cilët vepronin në Kosovë, po ashtu edhe nga këta që orvateshin me mish e me shpirt ta ndihmojnë dhe ta çlirojnë Kosovën. Ata sot janë bashkuar, ata sot kanë zënë poste, ata sot heshtin, ata sot vjedhin, ata sot po ndërtojnë pallate e ne mërgimtarët bredhim si të çmendur e të shkatërruar nga malli, nga puna dhe nga dhembja ndaj atdheut. Sot në diasporë: në Gjermani, në Zvicër, në Austri, kemi koka të afta intelektuale të shkolluara dhe të dëshmuara me punë si para lufte, gjatë saj, por edhe sot, të udhëheqin vendet kyç në Qeveri ose diku tjetër. Ata intelektualë, ata atdhetarë që shkuan për të vdekur në luftën e Kosovës, por deshi fati dhe shpëtuan të gjallë: Martin Çuni, Shpend Shala, e shumë e shumë të tjerë të cilëve nuk do t’ua shënojmë emrat, bredhin rrugëve, nga një organizatë në organizatën tjetër, për të siguruar ekzistencën e familjes së tyre. Po këta atdhetarë sipas mendimit tim duhet të ishin në vende kyç për ndërtimin e shpejtë të shtetit të Kosovës. Shumë e shumë familje të cilat i humbën prindërit, bashkëshortët e tyre në luftë, sot sikur janë lënë në harresë, po nga shokët e tyre me të cilët shkuan për ta mbrojtur e për ta çliruar Kosovën. Liderët tanë po thonë: luftë të ashpër jemi duke zhvilluar kundër korrupsionit, familjarizmit, mbajtjes së dy vendeve të punës, etj. ndërsa po ata profesorë, po ata politikanë, po ata liderë, pos që vjedhin fondin e shtetit, punojnë edhe nëpër institucione të tjera, pra d.m.th. mbajnë nga dy vende pune ose edhe më tepër. Deri kur do të vazhdojë kjo rrugë këtë më së miri e di kryeministri i Kosovës.