Udhëpërshkrim
Ukshin Zajmi : Gjilani me edicionin e tretë të Sallonit të artit pamor
E shtune, 10.12.2011, 01:59 PM
Gjilani me edicionin e tretë të Sallonit të artit pamor
Nga Ukshin Zajmi
Komuna e Gjilanit, përkatësisht Shoqata e Artistëve Figurativ të këtij qyteti me ndihmen e Zyrës së Kryetarit të komunës së Gjilanit, veq tjerash, për nderë të 28 Nëntorit-Ditës së Flamurit organizoi ekspozitën e artit pamor që po qëmton të bëhet e përhershme- Sallonin e Gjilanit, i cili sivjet ka edicionin e tretë. Në ceremonin e hapjes së këtij salloni, të pranishmit i përshëndeti Qemajl Mustafa, kryetar i komunës, ndërsa për laryshinë e motiveve, teknikave e ngjyrërave foli Tahir Arifi. Avni Behluli-kryetar i Shoqatës e njëherit kurator i këtij Salloni foli për hapsirën gjeografike e të moshës së 28 autorëve të punimeve të ekspozuara në këtë Sallon. Njëzetë e tetë autor nga qytetet e ndryshme të Kosovës e të Maqedonisë ekspozuan në Sallonin e tretë të Gjilanit 28 vepra të artit pamor në teknikat pikturë, skulpturë, grafikë e instalacion dhe paraqesin idetë e realizuara përmes vijës, ngjyrës, hijës e skalitjës. E kaluara me të gjitha krajatat e hidhura e krenare u prezantua në këtë Sallon përmes punimeve të Miradije Ramiqit, Agim Bujupit, Agim Kastratit, Mervan Mustafës, Luan Jakupit, Filloreta Maliqit, Artan Bajramit e Armend Fazliut. Idetë e tyre u paraqiten përmes formave dhe teknikave moderne të artit duke na e dëshmuar një të kaluar dokumentare, trishtuese por edhe kushtrimit për një të ardhme të lirë, por që kësaj radhe nuk përcaktuan kohë, hapsirë e etnitet duke i dhënë kështu kahe univesale. Pejsazhi u prezantua nga Nagip Berisha, Demir Behluli, Idriz Berisha, Isa Alimusa, Ajser Shabani e Qamil Llapashtica. Koloriti i ngjyrave por edhe lëvizjet specialike grafike dhe i vijave të lira dëshmuan për përvojën profesionale të autorëve duke na e dhënë idenë e tyre reale e imagjinative. Me skulpturë në dru, gur e instalacion kësaj radhe u paraqitën Avni Behluli, Agim Islamaj dhe Aziz Islamaj, duke treguar aftësinë e tyre në shpim, latim, lëmim, saldim dhe paraqitjen e idesë edhe në gavrimin e hullive që me hije japin fuqinë komunikuese të figures. Me tema të tjera u paraqitën Jetullah Haliti, Arbenita Kërçeli, Avni Rexhepaj, Naim Spahiu, Suad Rama, Migjen Limani, Venera Sadiku, Skënder Boshnjaku, Shqipe Berisha, Samire Zubaku e Amira Berkolli. Sejcili nga këta autor idenë e vet e spikati me një laryshi ngjyrash të cilat flasin me gjuhën dhe emocionin e vet duke bartur këtu te vizitori vizionin e autorit me gjithë porosinë.
Andaj, Arti pamor dhe krijuesit e tij gjithnjë e më shumë po dëshmojnë fuqinë e shprehjes artistike, duke dëshmuar njëkohësisht edhe ecjen kualitative drejt prirjeve moderne e postmoderne, duke na bindur se arti dhe artistët gjithnjë në jetë qëndojnë një hap para situatave reale dhe njeriut të zakonshëm - thotë me këtë rast Mr. Tahir Arifi në parathënien e katalogut të Sallonit të Gjilanit-edicioni i tretë. Përndryshe, 28 Nëntori 2011, në rajonin e Anamoravës në Kosovë filloi të kremtohet në Gjilan, Dardanë e Viti që nga 25 Nëntori e deri të hënen në mbrëmje me akademi e programe të ndryshme kulturo-artistike.