E hene, 29.04.2024, 03:39 AM (GMT+1)

Mendime

Minella Aleksi: Spartak Ngjela - Çfarë e bën Shqipërinë “Inkubator Diktatorësh”

E premte, 18.11.2011, 08:15 PM


Spartak Ngjela - Çfarë e bën Shqipërinë “Inkubator Diktatorësh”.

 

Nga Minella Aleksi

 

Ky sezon vjeshte ishte i pasur me libra të rinj, ku një pjesë autorësh si emra të njohur në politikë intriguan interesin e shqiptarëve më shumë se më parë. Një nga këta autor është Spartak Ngjela që erdhi para shqiptarëve me një libër në të cilin si askush tjetër trajton “përkuljen dhe rënien e diktaturës shqiptare”. Spartak Ngjela ka marrë përsipër të shpjegojë në librin e tij në mënyrën më bindëse e më të plotë se cilët janë ata faktorë që e bëjnë Shqipërinë një inkubator diktatorësh,

 

Nga bashkëmoshatarët e Spartak Ngjelës kisha dëgjuar se e mbanin për një njeri të zgjuar, studjues dhe trim. Kisha dëgjuar ligjëratat e tij gjatë ditëve kur opozita demostronte në bulevard e ku thelbi i mendimeve të tija shprehte jo vetëm guxim qytetar por kishte edhe një artikulim shumë të qartë nxitës e luftarak në mbrojtje të lirisë së votës e të të drejtave qytetare. Në këto raste edhe e paragjykova ndonjëherë për një ekzaltim, nxitje mosduruese në dënimin e sjelljeve të qeveritarëve të korruptuar e drejtimin mafioz të punëve të shtetit prej hallkave të veçanta vendim marrëse. Tani që kemi në duar librin e tij arrijmë të kuptojmë se nga i buron atij gjithë kjo vendosmëri, rreptësi që kërkon të parandalojë çdo prirje për rritje kulti individi dhe nevoje imperative për të respektuar fanatikisht institucionet e shtetit demokratik. Jo më kot partinë e tij e ka quajtur “ Partia për ligj dhe drejtësi”.

 

Me vëzhgimet dhe deduksionet e qarta që e kanë çuar drejt rrugës së luftëtarit për liri e të drejta njerëzore,autori tregon se nuk ka qënë një pjesëtar i çfarëdoshëm sehirxhi indiferent, një konsumues i të mirave e vegjetues i Rrethit të parë të Bllokut. Vëzhgues i vëmëndshëm i njerëzve brenda Bllokut, kurioz në rritje në terrenin e përplasjeve të çuditëshme për mendjen e një të riu në majat e pushtetit, befas një ditë realizon në botëkuptim e ndjen thellë seatij dhe shqiptarëve u mungon liria, u mungojnë të drejtat më elementare të individit në shoqëri. Ndryshe nga shumë të tjerë rreth e rrotul tij, ai fillon e rritet, të transformohet në një kundërshtar të vetëdijshëm, në një armik konseguent i diktaturës dje dhe me po aq forcë sot.

 

Këtu e gjej unë arsyen e levizjeve të Ngjelës nga një formacion politik në një tjetër. Disa e përflasin si karakter pelivani politik. Mendoj se Spartak Ngjela është ndjerë si ai tigri në kafaz nga mungesa e lirisë së personalitetit si individ, nga mbytja e frymës së pavarësisë së mendimit, nga servilizmi i pështirë i bashkëpunëtorëve të korruptuar, nga presionet dhe diktatet antimorale, antiligjore e degjeneruese të pushtetit.që u është besuar nga populli.

 

Mbi të gjitha i papajtueshëm asnjëherë me metodat dktatoriale që aplikojnë liderat partiakë, të cilët kanë parë te Ngjela një barrikadë solide në mbrojtje të vlerave njerëzore për një shoqëri perëndimore .

 

Kam përshtypjen se liria te ky intelektual konceptohet sipas atij filozofit që thoshte: Ndihem i lirë atëhere kur një fteseje për drekë i përgjigjem “Jo” pa pasur nevojë të jap shpjegime.

 

Libri i Ngjelës është voluminoz dhe në këtë këndvështrim mund të të shtyjë për t'a lënë mënjanë me arsyen se mund të jetë i lodhshëm. Mirëpo stili me të cilin janë treguar dhe analizuar ngjarjet historike e kujtimet e autorit të mbërthen e nuk të lëshon, si një magnet. Nuk thonë kot: Të mëdhenjtë kanë Stil.

 

Mbas rënies së sistemit komunist shumë ish të burgosur të ndërgjegjes kanë shkruajtur jo pak libra për krimet dhe persekutimet familjare nga diktatura gjakatare e Hoxhës.

 

Disa prej këtyre, ish të dënuar që vinin nga klasa e fitimtarëve të luftës nacional clirimtare ishin të arsimuar në perëndim e disa më vonë në lindje duke qënë të formuar edhe me një kulturë të gjerë shoqërore. Megjithatë asnjë prej këtyre të dënuarve apo edhe prej atyre të padënuar njerëz të letrave që sot janë të shpeshtë në televizionet e Tiranës me opinionet e tyre, nuk kanë mundur që të analizojnë, të bëjnë sinteza kaq të sakta të degradimit të sistemit shoqëror drejt diktaturës e tiranisë përgjatë historisë shqiptare ashtu si i gjejmë të sistemuara në librin “Përkulja e rënia e tiranisë shqiptare”.

 

Tani mbas njëzet vjetësh të rënies së diktaturës kemi më në fund një shpjegim brilant të mënyrës sesi e krijoi dhe e ushtroi pushtetin e tij diktatorial Enver Hoxha me bashkëpunëtorët e tij të ngushtë. Diktaturat komuniste të lindjes, eleminimet e rivalëve dhe persekutimet e bashkëpunëtorëve janë trajtuar në libra studjuesish e biografësh të ndryshëm. Më afër shpjegimit argumentues të mekanizmit të represionit e të mbijetesës së diktatorëve në ish Lindjen Komuniste më janë dukur librat me autorë Anatoli Sudoplatov, ish gjeneral-leitnant i KGB-së (1907-1996), Ion Mihai Pacepa, ish drejtues i kundërzbulimit të Çausheskut e këshilltar i tij për sigurinë kombëtare, lindur më 1928, agjent i CIA-s dhe aktualisht jeton në USA mbas arratisë në vitin 1978, si dhe librat e autorit Simon Sebag Montefiore, tashmë i përkthyer e i njohur mirë edhe në shqip. Sikurse autorin italian Domenico Losurdo, studjues i filozofisë me librin “Stalin, Historia dhe kritika e një legjende të zezë”. Kemi lexuar kujtimet e vajzës së Stalinit dhe të djalit të Krushovit. Aq më tepër këta të fundit, kujtimet e të cilëve vijnë nga brenda “Oborrit”, nuk kanë arritur dot që të kapin, që të depërtojnë e analizojnë në gjithë thellësinë, në të gjithë gamën e nuancave diabolizmin, poshtërsinë, arketipin psikopatologjik, tiparet mafioze të një bande terroriste që ka uzurpuar drejtimin e një vendi, ironinë e cinizmin therës, çnjerëzor e të pamëshirëshme të satrapit përpara viktimës së radhës, ashtu si e ka dhënë të plotë e të qartë autori në librin “Përkulja dhe rënia e diktaturës shqiptare”. Një libër, një vlerë e një qualiteti shumë të lartë që nëse përkthehet do ia kishte zili çdo njeri i letrave dhe veçanërisht historianët e studjuesit e diktaturave, posaçërisht ata nga vëndet e ish lindjes komuniste.

 

Nëpërmjet librit të Spartak Ngjelës, këtij studjuesi të thellë të diktaturës, nga vendi më i vogël i kampit komunist, më i varfëri dhe me terrorin më të rëndë mbi shoqërinë na vjen tablloja më e qartë, na jepet çelësi për të kuptuar sesi ka funksionuar mekanizmi i terrorit për të krijuar kultin e diktatorit, për të sunduar duke shtypur të drejtat më elementare të njeriut në Shqipëri. Me këtë libër Spartak Ngjela tregoi se Shqipërisë nuk i mungojnë intelektualët elitarë me koncepte të kulturës e historisë perëndimore.

 

Mendoj se ka disa shkaqe që e bëjnë shumë interesant e të pakrahasueshëm këtë libër që analizon dinamikën dhe strukturën e kultit të individit në Shqipëri në kohën e Hoxhës, krijimin e një bande terroriste në krye të shtetit. Së pari është gjuha shumë e pasur artistike. Së dyti psikanaliza e figurës së diktatorit Hoxha është dhënë në mënyrë të shkëlqyer, me të gjitha detajet që reflektonte te ai frika e eleminimit dhe makiavelizmi për të mbijetuar. Së treti autori paraqitet si një njohës brilant i kulturës historiko-shoqërore anglosaksone dhe veçanërisht historisë së vendit të tij. Si autor ka së katërti një cilësi mjaft të rëndësishme. Është shumë i sinqertë dhe i ndershëm kur analizon faktorët që kanë influencuar shoqërinë shqiptare në etapa të caktuara përgjatë diktaturës. Gjenerata shqiptare me moshë mbi dyzet vjeç i gjen autentike faktet historike nga fusha e artit, kulturës, shkencës, ekonomisë dhe rolin e tyre determinues në faza të ndryshme gjatë diktaturës.Veçanërisht kjo gjeneratë në libër prek nëpërmjet analizës fakteve logjikën e ftohët të vërtetësisë pa ekuivoke të autorit që ka ndërmarrë këtë përgjegjësi intelektuale përpara shoqërisë. Përgjegjësia intelektuale për të vërtetën nuk lë asnjë hije dyshimi as atëhere kur argumenton bindshëm rolin e madh emancipues që kanë luajtur veprat letrare të autorëve të njohur Kadare e Agolli në vitet e errëta të diktaturës duke mos hezituar që të theksojë edhe ndonjë vepër të dobët.

 

Së pesti do thoja që Ngjela është i veçantë si autor në veprën e të cilit rëndësia e pazëvëndësueshme e Intelektualizmit në zhvillimin e shoqërisë merr peshën dhe vlerën prioritare që i takon historikisht.

 

I pakompromis për rolin e intelektualizmit në zhvillimin e shoqërisë Ngjela nuk toleron asnjë çfaqje obskurantizmi në dëm të shoqërisë shqiptare, qoftë si vijë politike, qoftë te individët mbartës të këtij opinioni regresiv.

 

Ngulmon autori me bindjen e një intelektuali tribun se intelektualizmi, arsimimi i shoqërisë, racionalizmi, antiservilizmi zyrtar, shëmbja e tabuve obskurantiste dhe idhujve pa krena, edukimi i njerëzve me integritet moral dhe personalitet me tipare të kulturës perëndimore civilizuese, janë faktorët përcaktues që do e përparojnë shoqërinë shqiptare, që do e shkëpusin nga mentaliteti orientalist bizantin, duke konsoliduar një shtet të së drejtës e të oportuniteteve për të gjithë.

 

Portreti i diktatorit ka gjetur te autori Spartak Ngjela njohësin më të mirë dhe përshkruesin më të qartë të tipareve gjakatare që Enver Hoxha çfaqi prej fillimit deri në vdekje.

 

Në libër jepen të detajuara të gjitha skemat e lëvizjeve që ka bërë Enver Hoxha në momentet kyce kur rrezikohej seriozisht pozita e tij. Kaq bindëse janë argumentat në mëndjen e lexuesit për mënyrat djallëzore asgjësuese që ka përdorur Enver Hoxha për eleminimin e shokëve gjatë gjithë sundimit të tij sa që arrin që, jo vetëm t'a marrësh inat këtë por t'a urresh pafundësisht me gjithë forcën e logjikës dëshpëruese këtë përbindësh. Kjo cilësi e bën një vepër të jashtëzakonshme librin e autorit Spartak Ngjela.

 

Mbasi e lexon librin kupton sesa pak ke ditur ose sesa pak ke pas kuptuar edhe duke i jetuar ngjarjet lidhur me mënyrën sesi ka sunduar dhe eleminuar kundërshtarët regjimi komunist i Hoxhës në Shqipëri.

 

Krahasuar me autorë të tjerë, ajo që e bën të ndryshëm dhe më tërheqësin në thellësinë e saktësinë matematike të argumentave librin e Ngjelës është analiza interpretuese e deduktuese shumë e qartë. Analizë që mban parasysh mirë, shumë kthjellët argumentin si fakt historik, njohjen e thellë të psikologjisë së njëriut të bazuar në studimin tërësor të psikanalizës Frojdiane, të filozofëve të mëdhenj për sistemet shoqërore e liritë e individit dhe po kaq mirë e thellë studimin e principeve të ekonomisë së tregut e të ligjeve ekonomike të interpretuara me një kulturë eruditi për tu admiruar.

 

Perandoria komuniste ka funksionuar në mënyrë të atillë ku çdo lëvizje e Moskës reflektohej te satelitët. Këtu qëndron edhe një veçori e këtij libri, te “metoda e veçantë analitike” e përdorur nga Ngjela për të shpjeguar e kuptuar shumë qartë dinamikën e lëvizjeve të bëra nga diktatori në varësi nga lëvizjet që bëheshin në Moskë e vendet e tjera ish komuniste në rrafsh ndërkombëtar. Metoda analitike i ngjan një loje shahu ku lëvizja e Mbretit në Moskë imponon një lëvizje të diktatorit Hoxha e kastës së tij në Tiranë e kështu me radhë. Kjo metodë analitike ku “faktit-pasojës” i shkohet në zemër të shkakut jo me hamendje por me logjikë të hekurt racionale. e jep të kristalizuar të gjithë mozaikun e terror-dinamikës komuniste. Ky stil të shkruari e bën shumë tërheqës e të argumentuar sa nuk e ka bërë deri më sot asnjë historian apo studjes, qoftë edhe nga të huajt që përmenda më sipër.

 

Shpjegohet me detaje i gjithë mekanizmi i arsyeve, lëvizjet e bëra në kupolën e “Bllokut” që sollën konferencën e Tiranës si një nyje kthese vendimtare progresive e cila fatkeqësisht dështoi në historinë e diktaturës shqiptare. Ngjela arsyeton si në një ekuacion matematik zhdërvjellësinë dhe poshtërsinë e Hoxhës në të tilla situata, të gjitha lëvizjet brenda “Katërshes” dhe me përfaqësuesit sovjetikë të Hoxhës e të Shehut. Konkludon shumë bindshëm për mënyrën sesi mbijetoi Hoxha me mbështetjen e sovjetikëve të mashtruar prej tij në mënyrë shumë diabolike.

 

Në gjithë librin voluminoz vjen e ravijëzohet qartë me nota të larta aktuale pohimi i Hegelit për rolin e eksperiencës historike, si një mësim i çmuar për kohën që jetojmë sidomos me vlerë të veçantë për shoqërinë shqiptare. Fjala është për atë se, eksperienca dhe historia akoma nuk na kanë mësuar ne shqiptarëve asgjë përderisa njerëzit dhe qveritë shqiptare përsërisin të njëjtat gabime historike, përderisa nuk veprojnë në bazë të pësimeve degraduese e shkatërruese që historia e diktaturës komuniste ua pasuroi shqiptarëve me shumicë. Ka libra, shumica, që janë “për tani” dhe pak libra që janë “për gjithmonë. Kam bindjen se libri i Ngjelës është një libër “Traktat demokracie për gjithmonë”.

 

Konstatohet me keqardhje se media e shkruar dhe ajo televizive e Tiranës synon t'a lërë të zbehtë vlerën e paçmuar të këtij libri.

 

Kjo mendoj se ka arsyet e veta.

 

Mediat e Djathta në pushtet që pretendojnë se përfaqësojnë të djathtën reale nuk mund t'a durojnë dhe pranojnë që autopsia më tërësore, më shkencore e diktaturës komuniste të vijë te shqiptarët nga një ish i dënuar politikë si Spartak Ngjela, bir i një ish bllokmeni, një sfidues dinjitoz si i diktaturës së Enver Hoxhës, po aq sfidues edhe i shtrembërimeve që ka pësuar demokracia në këto dy dekada.

 

Mediat e Majta gjithashtu nuk e durojnë dot, nuk mund të pajtohen me këtë poshtërim total dhe përfundimtar, me këtë hapje të zorrëve të barkut të diktaturës enveriste që ka paraqitur autori në libër.

 

Tentativat për lënien në hije të kësaj vepre shkencore historike mbi diktaturën komuniste shqiptare për arsyet e sipër përmendura padyshim që do influencojnë mbi lexuesit shqiptarë.

 

Mbase ka të drejtë autori Ngjela kur thotë se njeriu shqitar me racionalitet të ulët e të mangët shpesh si pasojë e otomanizmit dhe diktaturave në vazhdim, do ketë nevojë të rritet mendërisht për të arritur që të kapi tërësisht vlerat dhe rëndësinë e librit. Ai nuk dyshon se e ardhmja do i japi vendin që i takon si një libër me një vlerë të veçantë në formimin e botëkuptimit perëndimor të shoqërisë shqiptare.

 

Ka disa që thonë se duke arsyetuar kështu për të ardhmen e librit autori Spartak Ngjela e mbivlerëson veten.

 

Mendoj se është e kundërta. Ai mbivlerëson të ardhmen.

 

Ne duhet te jemi krenar për këtë intelektual disident me bindje të patundura demokratike, i cili me këtë vepër ka kapur majën më të lartë të një studjuesi inteligjent të diktaturës komuniste shqiptare.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Kastriot Myftaraj: Lexuesit e librit të Fevziut, “Enver Hoxha” e blejnë injorancën me para (1) Paskal Milo: Historia bëhet vetëm njëherë, por rishkruhet disa herë Pirro Prifti: Vip-at duke ndjekur trendin e historianit njëlloj si shkruesi Vanjek i Shvejkut Besnik Sinani: Mbi Radikalizmin islamik në Kosovë dhe Maqedoni At Vitor Demaj: Arben Puto, historinë e Fishtës nuk e shkruajnë kuqaloshët Faik Krasniqi: Mafia politike! Ismet Uka: 17 nëntori i vitit 1988 një kujtesë e paharrueshme qe Kosovës ja vuri themelet e pavarësisë! Fahri Xharra: Si u bë Malësia, Mali i Zi? Shpat Bregu: Rreth debatin Qose-Kadare Arben Llalla: Përse Kryeministri i Shqipërisë injoroi figurat kombëtare në Tetovë? Aurel Dasareti: Motivohu nga dashuria për jetën dhe lirinë Adriatik Sefa: Fara e mbjellur nga Rilindasit çel lule të freskëta edhe në Amerikë Ramiz Dërmaku: Kosova sot ka nevojë për Bashkim Kombëtar Fahri Xharra: Si po na e shkatërrojnë personalitetin? Isa Mulaj: Çka po ndodh në burgun famëkeq të Prizrenit dhe Pejës? Fritz Radovani: Të gjitha ''fajet e mëkatët'' e Shqipnisë i ka kleri katolik shqiptar (XX) Kastriot Myftaraj: Kapuçonët e zinj të gjykatës në shërbim të deputetes-aktore Burgulku Ramiz Dërmaku: Ju jeni patriotët më të denjë të rilindjes sonë bashkëkohore Kolec Traboini: Ikën qoftexhijt e Beogradit - media shqiptare e zgërlaqun Aristotel Mici: Sokrati i Antikitetit ne Poezinë e Lasgush Poradecit

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora