Mendime
Faik Krasniqi: Mafia politike!
E marte, 15.11.2011, 08:59 PM
Mafia politike!
Nga Faik Krasniqi
Në çdo vend ku ka luftë, ku vriten njerëzit, është si rezultat i politikës së keqe. Në çdo vend ku ka korrupsion, vidhet populli, është rezultat i politikës së keqe. Në çdo vend ku ka papunësi të madhe, është rezultat i politikës së keqe. Në çdo vend ku shteti nëpërmjet medieve e mashtron, e gënjen opinionin, është rezultat i politikës së keqe. Politikanët e mirë (që janë shumë të rrallë) duhet të lavdërohen, kurse të këqijtë duhet të kritikohen.
Tek ne shumica e politikanëve janë të këqij, janë të devijuar nga politika, dhe nuk e duan njëri-tjetrin, por problematika e krijuar këtu është se interesat e tyre janë të njëjta, e njëra ndër to është: të jemi të vrazhdë me popullin deri në pikën e fundit. Ta zhvillojmë biznesin (kontrabandën) edhe më shumë. Të vjedhim aq sa nuk kemi ku t'i lëmë parat. Të rrisim përqindjen e korrupsionit. Të rrisim përqindjen e varfërisë (dhe gjithë ato lekë të vijnë tek ne, do të thotë te politikanët). Të bëjmë krime në mënyrë të pamëshirshme etj.
Këto zgjedhje, ato të kaluarat dhe ato të ardhmet do të karakterizohen me këtë mister biznesin me votën, si nga njëra parti, po ashtu edhe nga tjetra parti. Kjo është gjë e pajustifikueshme. Ne si popull i kemi mbyllur sytë që nga pas lufta. Ende i kemi të mbyllur, për t'i hapur mos të na shkoj mendja, sepse ata që i kemi sot në pushtet t'i fërkojnë sytë na i kanë mbyllur neve (popullit) me ''dhunë'' sytë , me gënjeshtra, me krime dhe me premtime boshe. Ne si popull asnjëherë nuk do hapim sytë, pasi që ne pëlqejmë errësirën. Kjo mafia politike tek ne nuk është aspak e fuqishme, por neve na duket ashtu, sepse ne jemi të pafuqishëm. E vetmja fatkeqësi që po e vuajmë dhe do ta vuajmë është: Padituria, ne atë nuk e kemi dhe nuk interesohemi ta kemi, dhe kjo gjë do na shkaktoj dhe po na shkakton shumë probleme. Sa më larg partive politike, aq më larg negativitetit, krimit, varfërisë, korrupsionit, joarsimimit etj, dhe më afër realitetit pozitiv.
(Autori është publicist nga Prishtina dhe anëtar i Këshillit Drejtues të Lëvizjes''ALEANCA KUQ E ZI'')