Kapuçonët e zinj të gjykatës në shërbim të deputetes-aktore Burgulku
Nga Kastriot MYFTARAJ
Gjykata e Shkallës së Parë, në Tiranë, e cila tashmë ka fituar një reputacion ndërkombëtar për vonesat në veprimet administrative dhe gjyqësore, ka treguar se atëherë kur do, di të vendosë rekorde botërore për shpejtësinë e veprimit. Ditën e martë, në 8 nëntor 2011, deputetja e Partisë Demokratike Rajmonda Bulku, dorëzoi në Gjykatën Penale një kërkesë për gjykim të kundërvajtjes penale të shpifjes në ngarkim të personit tim, për shkak të përmendjes së emrit të saj në artikullin tim "Cilët janë emrat e dashnoreve të Ismailit që Helena i përmend në librin e saj, përse i rrëfen tani", botuar në gazetën "Sot", në 1 nëntor.
Brenda ditës, kërkesa për gjykim u çmua e vlefshme nga kryetari i Gjykatës së Tiranës dhe u fut në short, me ç' rast u caktua dhe gjyqtari i çështjes.Kjo nuk përbën natyrisht një shkelje ligjore, ndonëse përbën një veprim që, nisur nga rekordet e palakmueshme të Gjykatës së Tiranës, përbën një fakt që kompromenton pozicionin e kësaj gjykate në këtë çështje. Por ajo që përbën shkelje të rëndë të ligjit është një gjë tjetër. Kodi i Procedurës Penale, në nenin 60 të tij ka përcaktuar garancitë se qytetarët në ngarkim të të cilëve bëhet një kërkesë për gjykim për kundërvajtje penale, siç është rasti im, nuk do të detyrohen që të shkojnë në gjykatë abuzivisht. Kushtet e përcaktuar në nenin 60 kanë të bëjnë me gjeneralitetet e sakta të personit që akuzohet e gjëra të tilla. Në pikën “ç” të këtij neni thuhet se kërkesa për gjykimin e kundërvajtjes penale duhet që të përmbajë: "Parashtrimin e arsyeve që përligjin kërkesën". Pra, ligji procedurial penal kërkon që paraprakisht, para se të thirret personi i akuzuar, të shikohet nëse ka një minimum arsyesh që përligjin kërkesën, pavarësisht përmbajtjes së tyre, e cila natyrisht që do të shqyrtohet gjatë gjykimit. Kështu, ligjvënësi e ka bërë këtë pikë të nenit 60 si një filtër që do të parandalojë thirrjen abuzive të një personi në gjyq. Është detyra e Gjykatës që të sigurojë zbatimin e pikave të nenit 60 para se ta thërresë personin e akuzuar në gjyq. Nëse kërkesa për gjykim të kundërvajtjes penale kalon nga sekretaria tek kancelari i cili hedh shortin, pa u shqyrtuar seriozisht nëse ajo përmbush kushtet e nenit 60, atëherë kemi të bëjë me një veprim arbitrar me pasoja për personin që thirret abuzivisht në gjyq. Është një abuzim që t' i thuhet një qytetari se ne të thërresim në gjykatë me ardhjen e kërkesës për gjykim të kundërvajtjes penale, ti merr avokat, shpenzo kohë dhe para për mbrojtje juridike, dhe pastaj nëse konstatohet se nuk janë përmbushur kushtet e nenit 60 të KPP, kërkesa kthehet mbrapsht. Bulku në kërkesën për gjykim sjell këtë fragment nga shkrimi im: Në romanin “E penguara”, të botuar në 2009, Ismail Kadare pohon një tjetër histori dashurie të tij. Në roman rrëfehet një histori e vërtetë, ajo e vajzës së Liri Belishovës (Çomo), Drita Çomo. Vajza e cila gjendej e internuar me nënën në Cërrik, kishte një shoqe të ngushtë në shkollën e mesme, të këtij qyteti, atë që më pas do të bëhej aktorja e njohur Raimonda Bulku. Kjo e fundit e pohoi këtë gjë publikisht edhe me rastin e promovimit të romanit. Drita adhuronte Ismail Kadarenë dhe donte që ta njihte, por nuk mund të shkonte në Tiranë, se nuk mund të lëvizte lirisht. Në ndërkohë, Raimonda Bulku, e cila falë bukurisë së saj kishte filluar që të luante në filma, u njoh dhe u miqësua në Tiranë me Ismail Kadarenë, dhe i foli për shoqen e saj. Në roman, shkrimtari Rudian St. i cili ka shkruar romanin “Dimri i suferinës së madhe”, aluzion i qartë për romanin e Kadaresë “Dimri i vetmisë së madhe”, njihet me një vajzë të re, me emrin Migena, e cila posa ka mbaruar shkollën e mesme dhe që kërkon të hyjë në shkollën e arteve në Tiranë. Në këtë kohë Migena bëhet e dashura e shkrimtarit, të cilit i flet për shoqen e saj në provincë, me emrin Linda B. e cila është e internuar. Kur Migena shkon në provincë, shoqja e saj, i kërkon që t’ i tregojë për shkrimtarin dhe dashurinë me të. Qartësisht, pas Migenës qëndron Raimonda Bulku, me të cilën Ismail Kadare u njoh, siç thotë vetë, kur erdhi në Tiranë dhe filloi të luante në filma artistikë. Bulku do të ishte aktorja që do të kishte rolet kryesore femërore praktiktikisht në të gjitha filmat që u bënë sipas librave të Ismail Kadaresë. Në filmin me seri “Emblema e dikurshme”, sipas novelës me të njëjtin titull të Kadaresë. Bulku kishte rolin kryesor femëror, atë të Anës (Ana e përhershme) së dashurës së personazhit kryesor. Ajo pati rolin e Zanës, të një prej personazheve kryesore në filmin “Ballë për ballë”, me skenar sipas romanit të Kadaresë “Dimri i Madh”, pati një rol në filmin “Radiostacioni”, me skenar sipas romanit të Kadaresë “Nëntori i një kryeqyteti”, pati një rol në filmin “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”, një version i ri i “Gjeneralit të Ushtrisë së Vdekur”, si dhe pati rolin e Dianës, gruas së shkrimtarit, në filmin “Të paftuarit”, një film sipas romanit të Kadaresë "Prilli i thyer”.Pasi Bulku citon këtë fragment nga shkrimi im, ajo thotë vetëm se: "Të gjitha këto thënie të botuara në gazetën "Sot" dhe të pohuara prej Kastriot Myftarajt disa ditë më vonë në një emision televiziv janë të pavërteta dhe synojnë të cënojnë nderin dhe personalitetin tim".Bulku nuk thotë asgjë tjetër se ku konsiston pavërtetësia e atyre që janë thënë në paragrafin e mësipërm. Sipas Bulkut na del se qenka e pavërtetë që Ismail Kadare ka shkruar romanin "E Penguara", se qenka e pavërtetë që ky roman është shkruar mbi bazën e një ngjarjeje reale, se qenka e pavërtetë që Bulku ka jetuar në Cërrik ku ka qenë bashkëmoshatare dhe shoqe shkolle me poeten e re zonjushën Drita Çomo, se qenka e pavërtetë që Bulku kur përfundoi shkollën e mesme në Cërrik shkoi në Tiranë ku donte që të hynte në Institutin e Lartë të Arteve, për të studiuar si aktore, se qenka e pavërtetë që atje njohu Ismail Kadarenë, të cilit i foli për Drita Çomon, se qenka e pavërtetë që ashtu si Linda B në roman, është Drita Çomo, edhe Migena është Rajmonda Bulku. Rajmonda Bulku në vrullin e mohimit, duke e shpallur krejt paragrafin të pavërtetë, mohon edhe pjesën më të madhe dhe kryesore të kinematografisë së saj, se mohon që ajo ka luajtur rolet në filmat e përmendur në shkrimin tim. Ndoshta Bulku këtu është e sinqertë, ajo monopolizoi rolet kryesore femërore në filmat me skenar nga librat e Ismail Kadaresë, më tepër se falë meritave të saj, falë mecenatizmit special të Ismail Kadaresë.Kryetari i Gjykatës së Tiranës, kur mori në dorë kërkesën për gjykim të Rajmonda Bulkut kishte për detyrim të vlerësonte arsyet e paraqitura nga Bulku që përligjin kërkesën e saj, dhe këtë herë ai e kishte punën të lehtë se Bulku nuk paraqit asnjë arsye. Bulku nuk thotë se ku pikërisht konsiston cënimi i nderit dhe dinjitetit të saj në artikullin tim. Artikulli im është një investigim në veprën e Ismail Kadaresë, sipas çelësit që na jepet në librin me kujtime të bashkëshortes së tij Helena Kadare, ku thuhet se ai e kishte zakon që pas personazheve femërore të tij, të projektonte të dashurat e tij. Nga kjo pikëpamje unë jam përpjekur që të evidentoj se ku dhe si e ka bërë Ismail Kadare këtë gjë. Nga paragrafi i cituar prej Bulkut kuptohet se unë nuk kam qëllim që të cënoj nderin dhe dinjitetin e saj. Unë them se është Ismail Kadare ai që pohon në librin "E penguara" një dashuri të tij, sipas çelësit që na jep bashkëshortja e tij. Pra, problemi është qartësisht mes Bulkut dhe Ismail Kadare. Kryetari i Gjykatës së Tiranës, normalisht duhet që ta kishte kthyer pas kërkesën për gjykim, dhe fakti, që ai nuk e ka bërë këtë, e kompromenton gjyqin që para se të fillojë. Gjykata së Tiranës, duke pranuar që kërkesa për gjykim e kundërvajtjes penale të vihet në lëvizje, ka konsumuar një vepër penale, pikërisht atë të parashikuar nga neni 250 i Kodit Penal, "Kryerja e Veprimeve Arbitrare" dhe që thotë: "Kryerja e Veprimeve ose dhënia e urdhrave arbitrare, nga ana e punonjësit që kryen një funksion shtetëror ose një shërbim publik gjatë ushtrimit të detyrës së tij, të cilat prekin lirinë e shtetasve, dënohet me gjobë ose me burgim, gjer në shtatë vjet".Kryetari i Gjykatës së Tiranës, kur mori në dorë kërkesën për gjykim të Rajmonda Bulkut, kishte për detyrim që të shikonte nëse ajo plotëson kushtet që kërkon Kodi i Procedurës Penale në raste të tilla, dhe në rast se nuk plotësoheshin këto kushte, t'ia kthente mbrapsht kërkesën. Nëse do të veprohej ashtu siç bën kryetari i Gjykatës së Tiranës, atëherë do të kishte abuzime duke i mbajtur njerëzit të mbërthyer në dyert e gjykatës. Në kontekstin e mësipërm, fakti që shorti i "ra" gjyqtarit që përdhunoi juridikisht Top Channel, është ajo që e kompromenton përfundimisht gjyqin që para se të fillojë.Por këta njerëz që më tepër se toga të zeza e meritojnë të quhen kapuçonë të zinj (nëse do të përdor një figurë nga një film i Bulkut, me skenar nga një novelë e Ismail Kadaresë) të "Drejtësisë" nuk mund të ma bëjnë mua atë që ia bënë një nëne të ve, e cila me gjithë hallet që ka nuk e ka lëshuar pozicionin në llogoren e lirisë së medias. Mesazhi im për kapuçonët e zinj të Gjykatës së Tiranës është: Nëse doni që të bëni banditin mos u fshihni pas togës së zezë, por vini kapuçonin e zi dhe dilni të masin forcat, se nuk do t' u mbrojë dot toga e zezë kur bëni banditin. Mesazhi im për kapuçonët e zinj të Gjykatës së Tiranës është se e kanë vënë veten në sferën e jashtëligjshmërisë dhe në atë sferë janë jashtë ombrellës së "institucioneve" të pavarura. Sapo të më vijë zyrtarisht kërkesa për gjykim ajo do të ngjitet tek dera e Ambasadës Amerikane, e cila ka përgjegjësinë kryesore që u ka hapur syrin institucionistëve të pavarur që t' i shndërrojnë togat e zeza në kapuçonë të zinj. Kjo sa për fillim.