E hene, 29.04.2024, 05:40 AM (GMT+1)

Mendime

Pirro Prifti: Vip-at duke ndjekur trendin e historianit njëlloj si shkruesi Vanjek i Shvejkut

E marte, 15.11.2011, 09:00 PM


Vip-at duke ndjekur trendin e historianit njëlloj si shkruesi Vanjek i Shvejkut

 

Nga Pirro PRIFTI

priftipirro@hotmail.com

 

Ata që e kanë lexuar “Ushtari i mirë Shvejk” nuk mund të mos kujtojnë shkruesin e batalionit Vanjek, i cili ishte caktuar të shkruante historinë e “lavdishme” batalionit gjatë luftës së parë botërore, i cili nuk ishte futur ende në luftë të vërtetë, por po shkonte në front. Shkruesi Vanjek, me humorin e tij (sigurisht humori i shkrimtarit Hashek), bisedonte me shokët e tij të përhershëm i babëzituri për ushqim tetari Baloun, kadetin e dhjerë Bigler, i cili kritikonte fushatat e mëdha ushtarake duke dhënë idetë e tij të marra që ai i quante “gjeniale” se si mund të fitoheshin disa beteja të humbura të gjeneralëve të mëdhenj, si dhe me mikun e tij Shvejkun e famshëm cili e shpotiste duke i thënë: hë, Vanjek, deri ku ka arritur historia e luftës së batalionit tonë të famshëm me kë luftuam? Dhe Vanjeku tërë qejf e duke u gajasur nga marrëzitë që i kishte shkruar vetë i përgjigjej duke lexuar atë që kishte shkruar: ...tani sapo batalioni ynë u hodh në anën e armikut vetëm kadeti ynë i dhjerë Bigler ngeli në anën që jemi duke treguar një heroizëm të paparë ndërsa tetari Baluini theu nofullën e poshtme në kohën kur po lëpinte kockën sepse e kishte nxjerrë kokën mbi llogore...Interesant është fakti që kjo modë e të rishkruarit të historisë ka ardhur pikërisht si ide nga kryetarët e dy Partive më të mëdha, por vetëm njëri VIP politikan po shkruan historinë e kohëve moderne, VIP-i tjetër ende nuk ka rënë në trillin e të shkruarit. Megjithatë idetë e kryetarëve po zbatohen me shumë përpikmëri nga VIP-at e tjerë të politikës e të Medias shqiptare të cilët nuk po rreshtin së shkruari dhe së bëri reklamë jo vetëm për heronjtë, anti-heronjtë, e VIP-at e së kaluarës shqiptare, por ajo që është më e rëndësishmja dhe risia e kësaj dukurie, është rishikimi dhe nxjerrja e fakteve të reja e shoqëruar me një publicitet malinjë ku nuk është e vështirë të shohësh se pas kësaj është diçka tjetër që e vret opinionin, shoqërinë civile, dhe ata që shohin këtë maskaradë të çuditshme të ngritjes në piedestalin e shkrimtarit të këtyre Vipa-ve.Helbete, këta VIP-at tanë, pasi i dhanë “dërrmën” sistemit diktatorial komunist (në shumë raste duke qenë pjesë aktive e këtij sistemi), pasi e vonuan dhe vazhdojnë të vonojnë tranzicionin shqiptar me paditurinë e tyre të të bërit politikë, dhe me vënien në plan të parë të interesave të tyre personale mbi atë të popullit, tani kanë filluar një trendi tjetër: atë të të shkruarit e historisë së VIP-ave të së kaluarës, apo duke i u futur zanatit të shkrimtarit, duke lënë në harresë të shkretët shkrimtarë, poetë, historianë të mirëfilltë të cilat nuk arrijnë të botojnë librat e tyre sepse nuk kanë dy gjëra bazë: paranë për reklamë dhe paratë për ta botuar librin. Për pasojë, disa vepra interesante të shkruara nga këta profesionistë u eklipsuan në këtë panair libri të fundit në Tiranë, por dhe në panairet e tjera të librit në vitin 2010 e ndoshta më parë kur ky trendi nuk u ishte bërë fiksim VIP-ave tanë të nderuar.Jo më larg se dje spikerët e dy TV më të njohura shqiptarë vazhdonin të çirreshin (sigurisht me urdhërin e pronarit)se sa libra i ishin shitur njërit VIP e se sa i ishin shitur tjetrit VIP, dhe se si i a kishin punuar VIP-it të Opozitës duke mos i a pranuar librin në panair...Përse ky trendi i VIP-ave shqiptarë? Përse ky publicitet i marrë ? Përse shtëpitë botuese e kanë më të lehtë të botojnë dhe të investojnë tek disa VIP-a qejflinj ndaj shkrimit në vend që të përkrahin shkrimtarë të vërtetë dhe historian-shkrues të vërtetë profesionistë? Sigurisht që një nga përgjigjet mund të jetë një fjalë: fitimi. Problemi tjetër qëndron tek Media private dhe publike të cilat sipas përkrahjes politike favorizojnë e bëjnë tifo për librat e VIP-ave të krahut të saj politik, në vend që ta pasqyrojnë në mënyrë sa më neutrale këtë eveniment letrar i cili duhet të kishte zëdhënësit e tij por ata duhej të ishin profesionistë. Nuk mund të mos kujtoj titullin e komentit të një opinionisti të njohur se... në Shqipëri nuk ka kritikë letrarë, e për pasojë të gjithë janë të famshëm...?! E kush mund të kritikojë një VIP? E kush mund të japë këshilla profesioniste një VIP-i, kur kjo është zgjidhur fare thjeshtë si brenda partive kryesore shqiptare ashtu dhe në parlament dhe ekzekutiv, nëpërmjet këshilltarëve servilë e diletantë të cilët me paditurinë e tyre lajkatojnë e hiperbolizojnë veprat e drejtuesve të tyre si në rastin kur kanë të bëjnë me probleme politike, ashtu dhe kur kanë të bëjnë me një zhanër të parrahur për ta fare (sepse dihet që kjo skotë këshilltarësh apo zëvendësish, një nga armiqtë më të mëdhenj që ka është libri-leximi, dhe miku më i madh i tyre është - thashethemnajat) si puna e shkrimit të librave.Sigurisht dhe opinioni që i sheh, u ngjan fluturave që verbohen nga dritat, ngjyrat, zhurmat dhe bien në grackën e mos-serioziteti dhe të dis-informimit. Kjo është fare e qartë sepse në ato lloj panairesh “janë përjashtuar” nga dhënia e mendimeve dy kategori njerëzish: shkrimtarët dhe kritikët profesionistë dhe historianët profesionistë. Së fundmi mund të them se ashtu si po vonojnë integrimin e Shqipërisë këta VIP-a artificialë që i bëjnë qejfin njëri tjetrit për shkak të fuqisë ekonomike dhe politike që kanë, këta VIP-a do të shkatërrojnë dhe vlerat letrare dhe historike të Shqipërisë duke ndotur dhe duke vënë poshtë për një kohë të gjatë dhe letrarët dhe historianët e vërtetë profesionistë. Varësisë nga politika më në fund nuk i shpëtuan as letrat shqipe, dhe për këtë kanë faj të rëndë shtëpitë botuese private të cilave nuk u pëlqen investimi dhe nxjerrja e shkrimtarëve dhe historianëve të rinj e të vërtetë por vazhdon të rendë pas fitimeve të sigurta por që i bëjnë dëm të madh letrave shqip duke u a lënë në dorë historinë e Shqipërisë dhe letërsinë artistike njerëzve të rëndomtë që për fat të keq drejtojnë politikën, median e politikës, dhe shtëpitë botuese të politikës. Të shpresojmë që edhe ata individë VIP-a të sotëm të cilët kanë të dhëna letrari të japin kontributin e tyre për të sjellë në drejtimin e duhur të kësaj dukurie që disinformon dhe manipulon opinionin publik me vepra pa cilësi, sepse siç dihet, shumë nga këta VIP-a nuk e kanë për gjë që të shesin heronjtë e Shqipërisë para të huajve ashtu si dhe të krijojnë heronj të tjerë pa marrë mendimin e profesionistëve- duke penguar vënien në vend të standardeve të integrimit.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora