| E marte, 15.11.2011, 09:00 PM |
Vip-at duke ndjekur trendin e historianit njëlloj si shkruesi Vanjek i Shvejkut
Nga Pirro PRIFTI
priftipirro@hotmail.com
Ata që e kanë lexuar “Ushtari i mirë Shvejk” nuk mund të mos kujtojnë shkruesin e batalionit Vanjek, i cili ishte caktuar të shkruante historinë e “lavdishme” batalionit gjatë luftës së parë botërore, i cili nuk ishte futur ende në luftë të vërtetë, por po shkonte në front. Shkruesi Vanjek, me humorin e tij (sigurisht humori i shkrimtarit Hashek), bisedonte me shokët e tij të përhershëm i babëzituri për ushqim tetari Baloun, kadetin e dhjerë Bigler, i cili kritikonte fushatat e mëdha ushtarake duke dhënë idetë e tij të marra që ai i quante “gjeniale” se si mund të fitoheshin disa beteja të humbura të gjeneralëve të mëdhenj, si dhe me mikun e tij Shvejkun e famshëm cili e shpotiste duke i thënë: hë, Vanjek, deri ku ka arritur historia e luftës së batalionit tonë të famshëm me kë luftuam? Dhe Vanjeku tërë qejf e duke u gajasur nga marrëzitë që i kishte shkruar vetë i përgjigjej duke lexuar atë që kishte shkruar: ...tani sapo batalioni ynë u hodh në anën e armikut vetëm kadeti ynë i dhjerë Bigler ngeli në anën që jemi duke treguar një heroizëm të paparë ndërsa tetari Baluini theu nofullën e poshtme në kohën kur po lëpinte kockën sepse e kishte nxjerrë kokën mbi llogore...Interesant është fakti që kjo modë e të rishkruarit të historisë ka ardhur pikërisht si ide nga kryetarët e dy Partive më të mëdha, por vetëm njëri VIP politikan po shkruan historinë e kohëve moderne, VIP-i tjetër ende nuk ka rënë në trillin e të shkruarit. Megjithatë idetë e kryetarëve po zbatohen me shumë përpikmëri nga VIP-at e tjerë të politikës e të Medias shqiptare të cilët nuk po rreshtin së shkruari dhe së bëri reklamë jo vetëm për heronjtë, anti-heronjtë, e VIP-at e së kaluarës shqiptare, por ajo që është më e rëndësishmja dhe risia e kësaj dukurie, është rishikimi dhe nxjerrja e fakteve të reja e shoqëruar me një publicitet malinjë ku nuk është e vështirë të shohësh se pas kësaj është diçka tjetër që e vret opinionin, shoqërinë civile, dhe ata që shohin këtë maskaradë të çuditshme të ngritjes në piedestalin e shkrimtarit të këtyre Vipa-ve.Helbete, këta VIP-at tanë, pasi i dhanë “dërrmën” sistemit diktatorial komunist (në shumë raste duke qenë pjesë aktive e këtij sistemi), pasi e vonuan dhe vazhdojnë të vonojnë tranzicionin shqiptar me paditurinë e tyre të të bërit politikë, dhe me vënien në plan të parë të interesave të tyre personale mbi atë të popullit, tani kanë filluar një trendi tjetër: atë të të shkruarit e historisë së VIP-ave të së kaluarës, apo duke i u futur zanatit të shkrimtarit, duke lënë në harresë të shkretët shkrimtarë, poetë, historianë të mirëfilltë të cilat nuk arrijnë të botojnë librat e tyre sepse nuk kanë dy gjëra bazë: paranë për reklamë dhe paratë për ta botuar librin. Për pasojë, disa vepra interesante të shkruara nga këta profesionistë u eklipsuan në këtë panair libri të fundit në Tiranë, por dhe në panairet e tjera të librit në vitin 2010 e ndoshta më parë kur ky trendi nuk u ishte bërë fiksim VIP-ave tanë të nderuar.Jo më larg se dje spikerët e dy TV më të njohura shqiptarë vazhdonin të çirreshin (sigurisht me urdhërin e pronarit)se sa libra i ishin shitur njërit VIP e se sa i ishin shitur tjetrit VIP, dhe se si i a kishin punuar VIP-it të Opozitës duke mos i a pranuar librin në panair...Përse ky trendi i VIP-ave shqiptarë? Përse ky publicitet i marrë ? Përse shtëpitë botuese e kanë më të lehtë të botojnë dhe të investojnë tek disa VIP-a qejflinj ndaj shkrimit në vend që të përkrahin shkrimtarë të vërtetë dhe historian-shkrues të vërtetë profesionistë? Sigurisht që një nga përgjigjet mund të jetë një fjalë: fitimi. Problemi tjetër qëndron tek Media private dhe publike të cilat sipas përkrahjes politike favorizojnë e bëjnë tifo për librat e VIP-ave të krahut të saj politik, në vend që ta pasqyrojnë në mënyrë sa më neutrale këtë eveniment letrar i cili duhet të kishte zëdhënësit e tij por ata duhej të ishin profesionistë. Nuk mund të mos kujtoj titullin e komentit të një opinionisti të njohur se... në Shqipëri nuk ka kritikë letrarë, e për pasojë të gjithë janë të famshëm...?!