E merkure, 11.12.2024, 08:12 PM (GMT)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Rajmonda Bulku duhet të hedhë në gjyq Helena Kadarenë dhe jo mua

E merkure, 09.11.2011, 07:28 PM


Zonja Bulku duhet të paraqitet vetë në seancat gjyqësore dhe ajo duhet t’i përgjigjet 100 pyetjeve që kam përgatitur për të”. Kështu u shpreh dje, gazetari i njohur Kastriot Myftaraj, i cili gjatë ditës së djeshme është paditur në gjyq, nga aktorja e njohur dhe deputetja e Kuvendit shqiptar, Rajmonda Bulku. Lidhur me procedurat e e këtij procesi ai tha se: “Ajo duhet të hedhë në gjyq Helena Kadarenë dhe jo mua, sepse unë nuk kam thënë asgjë për të”.

 

Zoti Myftaraj, aktorja e njohur dhe deputetja Rajmonda Bulku ju ka paditur në gjykatë për shkrimin tuaj me titull ”Cilët janë emrat e dashnoreve të Ismailit që Helena i përmend në librin e saj, përse i rrëfen tani”, të botuar në gazetën “Sot”, në 1 nëntor 2011.  A keni ndonjë deklaratë, për të bërë me këtë rast?

 

Deklarata ime me këtë rast është, se zonja Bulku, me rastin e botimit të librit, me kujtime të zonjës Helena Kadare, ku vetë, bashkëshortja e shkrimtarit na bën me dije, se Ismail Kadare e kishte zakon që pas personazheve të librave të tij, të paraqiste emrat e të dashurave të tij, duhej që të kishte paditur shkrimtarin Ismail Kadare, për shkak se ai në romanin “E penguara”, paraqet fakte që e implikojnë qartësisht, zonjën Bulku.

 

Sipas jush, përse u krijua një zhurmë kaq e madhe pas shkrimit tuaj, ku vetëm numri i klikimeve në internet i ka kaluar mijra klikimet, si dhe  shkrimi ka qarkulluar në forumet, në gazetat e tjera, apo është shpërndarë në rrjetet sociale, si facebook etj.?

 

Kjo më duket e natyrshme, se në Shqipëri kjo është një temë e paeksploruar. Lexuesit e gazetave dhe teleshikuesit këtu, janë të informuar me tema të tilla, nga jeta e shkrimtarëve të mëdhenj ndërkombëtarë, deri edhe nobelistë, por nuk flitet fare, për këtë dimension të jetës së shkrimtarëve shqiptarë. Sa më i shquar të jetë shkrimtari, aq më shumë shqyrtohet jeta e tij, nga kjo pikëpamje, në botë. Në Shqipëri ndodh e kundërta. Zonja Helena Kadare bëri një akt historik, duke e prekur vetë, këtë temë, dhe ajo na hapi rrugën të gjithëve, që ta shqyrtojmë veprën e Ismail Kadaresë, nga ky këndvështrim. Natyrisht, nëse një vëzhgim i tillë ka vlerë, nëse nxjerr emra konkretë, se për të folur në përgjithësi, ose, me gjëagjëza, është e e lehtë dhe e padobishme. 

 

Cila është arsyeja që ju publikuat këtë shkrim, i cili duket se ka tronditur shumë njerëz?

 

Ndoshta do të të ishte më me vend, që të pyetej se përse media, gazetat dhe televizionet nuk bënë asnjë përpjekje për të zbuluar se cilët janë emrat që qëndrojnë pas të dhënave që jep zonja Kadare, çka do të ishte gjëja më e natyrshme, që do të ndodhte në cdo vend të botës, ku do të botohej një libër i tillë, si ai i zonjës Kadare. Pra, arsyeja  e publikimit të shkrimit tim, natyrisht, është botimi i librit të Zonjës Helena Kadare. Prej tij, mora shkas unë, për të bërë këtë shkrim, për të bërë përqasjen mes të dhënave, që jep Zonja Kadare dhe veprës së Ismail Kadaresë. Nga një shqyrtim i tillë, unë kam arritur në përfundimet që paraqiten në shkrim. Sa për njerëzit që janë tronditur, unë parapëlqej të them, se shkrimi ka kthjelluar më tepër njerëz.

 

A nuk mendoni se dëmtohet imazhi i zonjë Bulku dhe personave të tjerë, të përmendur në shkrimin tuaj?

 

Unë mendoj se ky është një problem mes Zonjës Bulku, në veçanti dhe këtyre personave në përgjithësi, nga njëra anë, si dhe Zonjës Kadare dhe Ismail Kadaresë, në anën tjetër. Në rast se imazhi i zonjës Bulku është dëmtuar, këtë e ka bërë Ismail Kadare me librin e tij.

 

Si e shikoni vazhdimin dhe përfundimin e këtij ballafaqimi mes jush dhe Zonjës Bulku?

 

Zonja Bulku ka bërë një padi dhe kjo do të thotë, se do të zhvillohet një proces gjyqësor,i cili do të zhvillohet sipas rregullave, që ka një proces i tillë. Pra, zonja Bulku do të jetë e detyruar, që në cilësinë e paditëses, t’ u përgjigjet pyetjeve të mia, që kanë lidhje me çështjen, jo avokatët e saj, por personalisht, zonja Bulku. Unë kam përgatitur njëqind pyetje, për të cilat gjykata nuk mund të thotë, se nuk kanë lidhje me çështjen, dhe të cilave zonja Bulku, duhet që t’ u përgjigjet, personalisht. Nëse ajo nuk paraqitet në gjyq dhe avokatët e saj, thonë se nuk janë në gjendje që t’ u përgjigjen pyetjeve të mia, atëherë, seancat gjyqësore duhet që të shtyhen, derisa, zonja Bulku të paraqitet personalisht, në gjykatë. Unë parashikoj që kjo pjesë e gjyqit, të jetë më interesante për median. Në Shqipëri, ende nuk ka një jurisprudencë për një çështje të tillë, pra, nuk ka një praktikë gjyqësore, kur në Europë, ka prej mëse një shekulli. Unë do të sjell edhe shembuj, për këtë, dhe ato flasin kundër zonjës Bulku.

 

Po sikur t’ u hedhin në gjyq edhe femrat e tjera, që përmenden në shkrim, si dot reagonit?

 

Njëlloj, problemi i vërtetë ekziston mes tyre dhe Ismail Kadaresë, jo mes tyre dhe mua. Intervistoi Ilir Bushi

 

Fragment nga shkrimi “Cilët janë emrat e dashnoreve të Ismailit që Helena i përmend në librin e saj, përse i rrëfen tani”,  i Katriot Myftarajt datë 1 nëntor 2011-11-08

 

“Në romanin “E penguara”, të botuar në 2009, Ismail Kadare pohon një tjetër histori dashurie të tij. Në roman rrëfehet një histori e vërtetë, ajo e vajzës së Liri Belishovës (Çomo), Drita Çomo. Vajza e cila gjendej e internuar me nënën në Cërrik, kishte një shoqe të ngushtë në shkollën e mesme, të këtij qyteti, atë që më pas do të bëhej aktorja e njohur Raimonda Bulku. Kjo e fundit e pohoi këtë gjë publikisht edhe me rastin e promovimit të romanit. Drita adhuronte Ismail Kadarenë dhe donte që ta njihte, por nuk mund të shkonte në Tiranë, se nuk mund të lëvizte lirisht. Në ndërkohë, Raimonda Bulku, e cila falë bukurisë së saj kishte filluar që të luante në filma, u njoh dhe u miqësua në Tiranë me Ismail Kadarenë, dhe i foli për shoqen e saj. Në roman, shkrimtari Rudian St. i cili ka shkruar romanin “Dimri i suferinës së madhe”, aluzion i qartë për romanin e Kadaresë “Dimri i vetmisë së madhe”, njihet me një vajzë të re, me emrin Migena, e cila posa ka mbaruar shkollën e mesme dhe që kërkon të hyjë në shkollën e arteve në Tiranë. Në këtë kohë Migena bëhet e dashura e shkrimtarit, të cilit i flet për shoqen e saj në provincë, me emrin Linda B. e cila është e internuar. Kur Migena shkon në provincë, shoqja e saj, i kërkon që t’ i tregojë për shkrimtarin dhe dashurinë me të. Qartësisht, pas Migenës qëndron Raimonda Bulku, me të cilën Ismail Kadare u njoh, siç thotë vetë, kur erdhi në Tiranë dhe filloi të luante në filma artistikë. Bulku do të ishte aktorja që do të kishte rolet kryesore femërore praktiktikisht në të gjitha filmat që u bënë sipas librave të Ismail Kadaresë. Në filmin me seri “Emblema e dikurshme”, sipas novelës me të njëjtin titull të Kadaresë. Bulku kishte rolin kryesor femëror, atë të Anës (Ana e përhershme) së dashurës së personazhit kryesor. Ajo  pati rolin e Zanës, të një prej personazheve kryesore në filmin “Ballë për ballë”, me skenar sipas romanit të Kadaresë “Dimri i Madh”, pati një rol në filmin “Radiostacioni”, me skenar sipas romanit të Kadaresë “Nëntori i një kryeqyteti”, pati një rol në filmin “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”, një version i ri i “Gjeneralit të Ushtrisë së Vdekur”, si dhe pati rolin e Dianës, gruas së shkrimtarit, në filmin “Të paftuarit”, një film sipas romanit të Kadaresë “Prilli i thyer”. K.Myftaraj



(Vota: 11 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora