E premte, 01.11.2024, 01:00 AM (GMT)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Të gjitha ''fajet e mëkatët'' e Shqipnisë i ka kleri katolik shqiptar (IV)

E enjte, 18.08.2011, 07:00 PM


A  E  DINTE  KLERI  KATOLIK  ÇKA  ASHT  “DEMOKRACIA”?..

 

(Pjesa e katërt)

 

Nga Fritz RADOVANI

 

Me dijtë çka asht “Demokracia” duhet me kenë i shetitun.... Pra, jo me ndejë mbi libra e mbi ofice si rrinin Meshtarët tonë, po me njohë ma mirë se kurrgja “Busullen”.

Po nuk njohe “busullen”, as edhe për 100 vjet të tjera Shqiptarët nuk kanë me dijtë as kah vjen as ka shkon fjala “Demokraci e Republikë”. Ata mundoheshin me e gjetë tue hapë librat e tyne të zverdhuna fletësh gjoja me greqishten e vjetër, se “demos” asht kështu apo ashtu, kur gati asnjeni nuk dinte as ku bie Gjirokastra,  përveç ndonjë fshatarit Zadrimes, që edhe Ai po mos t’a fuste Ahmet Zogu në burg në 1926, as Ai nuk do ta njihte! U ishte fiksue mos me mbajtë ndër xhepa “Busull”, po mbanin sahata...apo orë, edhe ata i kishin marka “omega”...ose “rroskop”, që me i ra në tokë, ose kur i hipnin kalit ndër malësi, mos me iu këputë zemreku. U mbush Shkodra, vendi ku lindi “Demokracia”, me orë në ballin e Bashkisë, tek sahati i Inglizit, Kisha e Fretënve, Kisha e Rusit, Kisha e Arrës së Madhe e Kisha Kathedrale; shkon e ma ven edhe me numra “rromakë”, çka s’ sheh dreqi, kur ma shumë se gjysa e Shqipnisë i kishin numrat arabë.. Jo me vue “Busulla”, po sahata... E Ai katundari i Fishtës, shkon e ma ven jo vetem në kompanjel të Kishës së Fretenve, po edhe në murin e Kuvendit të tyne sahatin me diell, se nuk i dilte ai nalt, që çonte peshë gjysën e Shkodrës, kur binte ora 12 e drekës...

Ah sa “e qetë” kje Shkodra mbas 1967 kur i hoqën të gjithë, madje edhe mbushën Shqipninë me ta, Gjirokastren, Kavajen e ku nuk i çuem, veç Shkodrës me i ndejë veshët rahat prej tingujve të çekiçëve të tyne...

Fillojnë në 1924 me na folë për “Demokraci”... E kush? Imzot Mjedja dhe Imz Serreqi, At Fishta e Don Ndre Mjedja, At Vinçenc Prennushi, Don Lazer Shantoja e Luigj Gurakuqi... Dhe, gjoja se jemi me shkolla, jo fjala “Republikë” vjen prej këndej, jo nga latinishtja, jo nga greqishtja e vjetër...e shkonin në Parlament me një hu zhguna e kapela me ua shpjegue deputetëve tanë se kah e ka prejardhjen “Demokracia”...Asnjeni ndër ta nuk zinte me gojë as Turqinë, as Egjiptin e vjetër, as Kaukazin e as Palestinen. E si kishin me e marrë vesht deputetët se kah ka ardhë fjala “Demokraci”?...Pa fillue mirë viti 1924, si thotë populli: “Kërcen prifti nga belaja...” na u desht me ndejë edhe “5 minuta heshtje” në Parlament se vdiq Lenini... E kur vjen fundi shumicën e Tyne edhe i pushkatuen “bijtë e Stalinit”... Çohet si i “dijtun” e shkecëtar Mustafa Kruja, se ia kishin rritë mendjen priftnit e thotë në Senatin e Rromës: “Turqia na nxorri nga Europa!” Po a thuhet kjo, bre, në mes të atyne që na kishin pushtue?... Nuk zgjatë shumë e mbas Tij dijetari tjeter i Zadrimës me zhgun me rrodhe në të prej gardhiqeve, e na bahet “Akademik i Italisë”! U kishte luejtë çekerku i kokës nga librat... Faik bej Konica, jo me studjue në Stamboll dhe me na sjellë në Shqipni kulturen “otomane”, po vjen në Shkoder e mëson ndër jezuitë e bahet edhe ma i “kështenë se Papa...” e shkon e na len mjedis Brukselit edhe faqen e zezë që në vitin 1901 në Revisten “Albania” atje se: “...ka Muhaxhirë nga Bosnja, nga Serbia edhe disa  Shqipëtarë nga Podgorica e Ulqini...Të mos ish kombi Shqipëtarë një komb i poshter e i ndyrë, i dërgojin Muhaxhirët n’ Anadoll, me një shkelm prapa!”...A bahet bre kjo punë e me ké, me “vëllaznit tanë”?... E Ky do të na mësojnë né edhe se çka asht Demokracia Amerikane? Po Atij, pa na lujtë mendja, kush ia vuni veshin atëherë e sot Faik bej Konicës? Ky edhe ka ndrrue Fe e na asht ba edhe Katolik, siç e shpjegon edhe Prof. Dr. Thanas L.Gjika, se mori edhe emnin Faik Domenik Konica, po sa pare ban...nuk ruejti asgja prej të Parëve!! Ai u ra mohit të gjithëve!

Prej Ameriket erdhi edhe artisti i ynë i madh Shqiptar nga Kosova Bekim Fehmiu, po erdhi me mend në kokë! Porsa u takue me shkrimtarët e artistët tanë në Kryesinë e Lidhjes në Tiranë, ku ndodhej prezent edhe i Ndjeri Shtjefen Palushi, më pat tregue sesi u ndrroi fëtyra të gjithëve nga gëzimi kur i përshëndeti porsa hyni në sallën e pritjes: “Merrhaba burra!”...e Tefa, thonte gati i përgjegja: “Sabri ka selametin..!”

Ju zuna në gojë mjaft nga Ata dijetarë që në jeten e Tyne u orjentuen “gabim”!

Edhe pse në vitin 1944 pushteti “demokratik” ua shpjegoi të gjithëve sesi këtu do të vendosej “Demokracia” dhe Shqipnia do të jetë “Republikë” (nën mbikqyrjen e mikut Tito apo në “vete” me pushtet komunist të vendosun nga PKJugosllave, pak rendësi kishte), prap ishte qendra e reaksionit mu në Seminaret Katolike të Shkodres, ku fshatari nga Berdica, Mark Çuni me disa shokët e vet, edhe Ata tue u përgatitë me u ba dijetarë, kur gjithë Bota ishte endé në Luftë, kerkojnë “Zgjedhje të Lira dhe Demokratike” dhe nuk mjaftohen me kaq po edhe kërkojnë që Shqipnia të Shpallej Republikë e Pavarun nga Jugosllavia! A thue se nuk ishin në Shkodër kur komunistët kishin pushkatue për murin e Vorreve të Rrëmajit Malësorin antijugosllav Prekë Calin të lidhun përdore me Poetin e Rubës së Kuqe Don Ndre Zadêjen... E kush? Bash Ai Mark Çun që kishte hjedhë mbi Trupin e lamë me gjak të Don Ndreut Flamurin e Kuq me Shqipen Dykrenare “pa yllin e kuq bolshevik”... E “harroi” edhe këte pa kalue dy muej...

Fort iu pa sherri Atij Flamur! E prap nuk zunë mend...Atá se Atá!

Thonin ndër Male se: “Shqiptarëve u ka vdekë Ora...!”

Jo mor jo, hiqni mendjen se “Demokracia”, bashkë me “drejtuesit e Republikës”, nuk vijnë kurrë nga Europa...Merrni e mësoni “historinë”! Ajo u shpall nga “Xhonturqit”, keni harrue, në 1908?..Mos t’ ishin “Xhonturqit” as nuk do t’ i dukej kund fëtyra e Saj tek ná prej “perçes”... Leni librat e Atyne të Dijtunëve me Konica e kompani Priftnish...

Shikoni “Busullen” e silluni nga thembrat...Nga Lindja, mor, nga Lindja!

Nga erdhi emni “Republikë” në Shqipni? Mësoni me u orjentue me “Busull”!

Nga Lindja, mor, nga Lindja...Kush e solli Ahmet Zogun si President..? Europa?

Kush e solli Enver Hoxhën si kriminel e terrorist..? Europa? !...

Mos t’ ishin “Xhonturqit” vinin këta “monstra” “Demokratësh” në Pushtetin tonë?

Kurrë... Do të duhej me pritë edhe 100 vjet të tjera e prap a do të vinin?

Shihni, brè, “Busullen” nga na erdhi “Demokracia” në vitin 1991...

A kujtoni se me të vërtetë Até e solli Don Simon Jubani? – Jo, mor jo!

E ka thanë Prof. Arshi Pipa, edhe Ky nga Amerika, në 1991, e nuk e lot as topi:

“Në krye të Shtetit Shqiptar...erdhen “Xhonturqit e Shqipnisë së Re!..”

 

Vazhdon...



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora