E enjte, 24.07.2025, 09:45 PM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Universiteti “Piratët e shkretëtirës”

E diele, 31.07.2011, 07:59 PM


Universiteti “Piratët e shkretëtirës”

 

Nga Kastriot MYFTARAJ

 

Kryeministri Berisha, në prag të zgjedhjeve të fundit vendore, mori pjesë në ceremoninë e promovimit të Universitetit islamik “Bedër” (Hëna e Plotë), duke prerë shiritin, së bashku me kryetarin e Komunitetit Musliman të Shqipërisë, Haxhi Selim Muça. Ajo çka të bën përshtypje më së pari tek ky universitet është emri i tij. Në fjalimet që u mbajtën me këtë rast, duke përfshirë edhe atë të rektorit Ferdinand Gjana, nuk u shpjegua se në ç’ kuptim “Hëna e Plotë” kishte lidhje me fenë islame. Nuk dihet nëse kryeministri Berisha, i cili vetëparaqitet si një njeri mjaft kureshtar nga ana intelektuale, ka ndonjë dijeni mbi kuptimin e emrit të universitetit, nga leximet e tij të gjithëfarllojshme, ose së paku nëse është interesuar dhe ka pyetur për këtë mikpritësit.Gjithsesi, për emrin e universitetit ka dy shpjegime. Shpjegimi i parë ka të bëjë me koherencën mes Islamit dhe idhujtarisë arabe paraislamike. Në Islam deri më tash është njohur si simbol Hëna rritëse (Fjala “Gjysmëhënë” që përdoret në shqip për anglishten “Crescent” nuk është e saktë, se Hëna nuk është përgjysmë në fazën në të cilën quhet “Crescent”, ndryshe Hëna e re, në rritje. Prandaj unë gjej si më të saktë fjalën “Hënë rritëse”), e cila gjendej edhe në flamurin e Imperisë Otomane. Hëna rritëse (“Hilal” në arabisht) është një simbol shumë i rëndësishëm në Islam. Arabët, si në kohën paraislamike ashtu edhe në kohën islamike e kishin dhe e kanë Hënën rritëse si referencë për kalendarin e tyre, që është hënor. Hëna e re shënon fillimin e muajve në kalendarin arab, ku muajt kanë dhe funksione religjioze. Por, Hëna e Plotë ka qartësisht një simbolikë idhujtare paraislamike. Në atë që do të bëhej më pas vendi më i shenjtë i Islamit, në Kaaba, në periudhën paraislamike, idhulli kryesor në panteonin idhujtar arab qe Hubal, Zoti-Hënë. Hisham Ibn Al-Kalbi (vdekur në 821-822), në “Libri i Idhujve”, burimi më i rëndësishëm për mitologjinë arabe paraislamike, thotë: “Kurejshit (fisi i Muhametit-K.M.) kishin gjithashtu idhuj të ndryshëm brenda dhe përreth Kaaba. Më i madhi prej tyre ishte Hubal… ai qendronte brenda Kaaba”. (Hisham Ibn-Al-Kalbi: “The Book of Idols”, Princeton University Press 1952, f. 23)Kur unë, në shkrimin tim “Ylli i Kuq i Moskës dhe Guri i Zi i Mekës”, të botuar vitin e kaluar, kam shkruar se tempulli i Kaaba në Mekë ishte një tempull i Zotit-Hënë, Hubal, dhe se kjo simbolikë u ruajt njëfarlloj në Islam, kryetari i Komunitetit Musliman të Shqipërisë, Haxhi Selim Muça, bëri kallzim penal në Prokurori ndaj meje. I njëjti Selim Muça, një vit më pas preu shiritin e promovimit të atij që mund të quhet si Universiteti “Hubal”! Dhe kjo është e natyrshme. Ajo që të bën përshtypje në Kuran është se i pari ndër shumë betimet që bën Allahu është betimi për Hënën. Në Suren “Al Muddath’ ir”, e treta sure sipas rendit në të cilin janë kumtuar ato, Allahu betohet: “Pasha Hënën”.(Kuran, Al Muddath’ ir: 74, 32)

Pse Allahu i gjithëfuqishëm duhet të betohet kështu? Betimin “pasha këtë e pasha atë”, mund ta a bëjë ai që ka rrezik t’ i humbë ato falë veprimit të një force superiore. Kush rrezikonte t’ ja merrte Hënën Allahut? Është e qartë se këtu kemi të bëjmë me një betim politeist, të Zotit-Hënë, i cili është i përfshirë në një luftë me hyjnitë e tjera të panteonit, të cilat kërkojnë ta përmbysin dhe t’ i zenë vendin. Gjithsesi unë nuk besoj se emri i universitetit “Hëna e Plotë” nuk ka të bëjë aq me Zotin-Hënë, Hubal, se sa me një ngjarje të rëndësishme të Islamit. Shpjegimi i dytë për emrin “Bedër”, ai që duket më bindës, ka të bëjë me Betejën e Bedrit, të vitit 624. Bedri (Badr) ishte një vendbanim në Gadishullin Arabik, emri i të cilit do të thotë “Hënë e Plotë”. Ai gjendej pranë Medinës, ku kishte mërguar Muhameti me mbështetësit e vet. Muhameti, me t’ u larguar nga Meka në Medinë, me përkrahësit e vet të pakët, filloi përgatitjet për pushtimin e Mekës. Ai e dinte se nuk mund të ndërmerrte saora një fushatë kundër Mekës, duke e rrethuar qytetin dhe marrë me sulm, se nuk do të arrinte kurrë që të kishte një ushtri aq të madhe sa ç’ duhej për të ndërmarrë këtë fushatë. Prandaj ai zgjodhi që të përdorte një strategji të llojit të banditëve të shkretëtirës që msynin karvanet tregtare. Muhameti vendosi që të msynte karvanet tregtare mekane që shkonin, ose ktheheshin nga Siria dhe të bënte plaçkë që do ta përdorte për të bërë blerë luajalitetin e më shumë njerëzve dhe për t’ i pajisur ata me armë e kafshë për lëvizje, si dhe për të ushqyer dhe veshur ushtrinë që donte të krijonte. Përfitimi strategjik që vinte nga msymja e karvaneve ishte se mekanët do të detyroheshin që të dërgonin ushtri kundër Muhametit, të cilën ky do ta priste në shkretëtirë, larg bazave të saj të furnizimit, do ta lodhte dhe do ta asgjësonte.Në 624, në Bedr, Muhameti, në krye të 300 vetave, msyu dhe grabiti një karvan tregtar kurejsh që kthehej në Mekë nga Siria. Kjo ndodhi në muajin Ramadan, të paqes së shenjtë, kur lufta ishte e ndaluar. Ky veprim banditesk është shndërruar në Kuran dhe në historinë islame si një luftë e lavdishme dhe fitorja e parë e madhe e Muhametit dhe muslimanëve. Vetë Allahu bën të ditur se ai mori pjesë personalisht në sulmin në Bedr, sipas shembullit të zotave paganë të cilët merrnin pjesë në beteja, në krah të njërës apo tjetrës palë. Në Sure Al Imran, Allahu thotë: “Allahu u ndihmoi juve në Bedr kur ju ishit të paktë në numër”. (Kuran, Al Imran: 3i123)Pas fitores në Bedr, midis anëtarëve të bandës së Muhametit filloi një konflikt për ndarjen e presë së luftës. Muhameti nuk qe në gjendje që t’ i jepte fund këtij konflikti me autoritetin e vet dhe Islami do të kishte marrë fund duke u vrarë muslimanët e parë mesveti, sikur Muhameti të mos kishte një ide brilante. Ai e zgjidhi konfliktin duke shpallur Suren El Enfalë (e plaçkës së luftës), ku supozohej që Allahu të merrte rolin e shefit suprem të bandës dhe të përcaktonte rregullat e ndarjes së presë mes banditëve. Muhameti shpalli fjalët e Allahut: “Të pyesin ty për plaçkën e fituar në luftë. Thuaju: Ndarja e plaçkës është çështje që i takon Allahut dhe të Dërguarit të tij ndaj kijeni frikë Allahun, përmirësoni unitetin tuaj dhe nëse jeni besimtarë, respektoni Allahun dhe të Dërguarin e tij”.(Kuran, El Enfalë: 8i1) Nëse dikush nuk do të bindej pas kësaj ai do të vritej në vend si jobesimtar. Sure El Enfalë ishte çelësi i suksesit ushtarak të Muhametit. Pasi Muhameti shpalli me këtë sure se Islami ishte një lëvizje banditeske ku si shpërblim për pjesëmarrjen në të fitohej plaçkë lufte, të gjithë aventurierët dhe banditët e Gadishullit Arabik dhe më gjerë iu bashkëngjitën kësaj lëvizjeje. Kështu, ai që supozohet të jetë i pari universitet teologjik islamik në Shqipëri, ku supozohet që të promovohen paqja dhe toleranca, ka marrë emrin e fushëbetejës së parë ku Muhameti dhe mbështetësit e tij luftuan kundër atyre që nuk ndanin të njëjtin besim me ta, në atë që mund të quhet një fushatë e piratëve të shkretëtirës. Se kjo nuk ishte një luftë mbrojtëse, por një luftë hajnash,  grabitqare. Në Bedr Muhameti dhe të vetët nuk u ndeshën me një ushtri që ishte nisur kundër tyre, por me njerëz paqësorë që udhëtonin për tregti. Në Bedr Muhameti filloi luftën për nënshtrimin e Gadishullit Arabik me zjarr dhe hekur dhe për imponimin e fesë së re me dhunë. Është shumë domethënëse që universiteti islamik i hapur në Shqipëri merr emrin e fushëbetejës së parë islamike. Kjo tregon se ç’ qëllime ka Islami ndaj shoqërisë shqiptare dhe këtu fjala është për atë që quhet Islam i moderuar, jo për Islamin radikal. Rektori i universitetit islamik, z. Ferdinand Gjana, nuk ka pamjen e një islamiku radikal. Ai nuk mban as mjekër, as kësulë islamike, as veshje radikalësh islamikë. E megjithatë ai është njëlloj një radikal islamik. Kumti që vjen me emrin e universitetit është mëse i qartë. Muslimanët praktikues, ata që supozohet të jenë të moderuar, po i thonë shoqërisë shqiptare: Ne sot sipas shembullit të Muhametit dhe mbështetësve të tij, jemi mërguar në “Medinën” tonë brenda shoqërisë shqiptare, por atje po përgatitemi për të msyrë dhe pushtuar “Mekën”, pra shoqërinë shqiptare. Posa të ndjehemi aq të fortë sa duhet, do të marshojmë në “Bedr”, që të fillojmë betejën për “Mekën”, do të thotë për marrë nën kontroll Shqipërinë, me dhunë. Këtë ide do ta kenë të ngulur në mendje ata që do të studiojnë në këtë Universitet, emri më i saktë i të cilit do të ishte “Piratët e Shkretëtirës”. Universiteti me emrin “Bedër” nuk mund të jetë gjë tjetër veçse shkolla e moxhahidinëve.



(Vota: 12 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx